Giorgio Armani, stilisti që zgjedh rehatinë mbi ekstravagancën

Shqiponja, logoja e "perandorit të modës", fluturon drejt qiellit, përmes historisë së modës ndër vite. Armani, nuk është thjesht sharm, ata që e njohin stilistin mirë, e përshkruajnë si arrogantin e përjetshëm

 


 

Giorgio Armani, një nga stilistët më të famshëm dhe më me ndikim në mbarë botën. Emri i tij është i lidhur me dy gjëra: kostumet e fuqishme dhe pëlhurat cilësore. Ndërsa, veshjet kanë një karakter të lartë, një cilësi që përçon domethënien e qëndrueshmërisë në një botë të faktuar nga përkohësia.

Shqiponja, logoja e "perandorit të modës", fluturon drejt qiellit, përmes historisë së modës ndër vite. Armani, nuk është thjesht sharm... Ata që e njohin stilistin mirë, e përshkruajnë si arrogantin e përjetshëm. I vetëshpallur, "i varur pas punës së tij", ai mund të ketë një listë të gjatë çmimesh, ashtu si edhe numri i zerove nga pas në llogarinë e tij bankare. Por, Armani nuk është thjesht sharm. Arsyeja sociale e "Giorgio Armani Spa", është krijimi i veshjeve dhe aksesorëve që aspirojnë një lloj përsosmërie që kapërcen modën. Giorgio Armani vlerëson të ardhmen, përmes një vizioni që kristalizon marrëdhënien e tij me modën pa shtrëngimet e kohës, e megjithatë, gjithmonë në hap me kohën. I angazhuar me një vizion me terma afatgjatë, që pasqyrohen në krijimin e linjave të reja, sektorëve në investimet e teknologjive të reja apo infrastrukturë. Përveçse biznes, moda është imazh, estetikë, kompozim dhe kombinim linjash, ngjyrash, vëllimesh si dhe ushtrim stilesh. Është puna e palodhur e Armanit, krijimtaria dhe filozofia e stilit të tij që e ka bërë atë të fitojë pasurinë që ka dhe tituj kalorësiakë. Ndërsa Ralph Lauren lëvdon aksesorët klasikë për lojtarët polo dhe dashamirësit e kësaj loje, Calvin Klein kostumet e qepura dhe revolucionare me linja të pastra, - Armani skicon për mendimtarët, për ata që zgjedhin rehatinë mbi teprimet. Filozofia e tij e të skicuarit ndjek tre rregulla të arta: eliminimi i elementëve të tepërt, theksimi i së rehatshmes dhe të njohurit e elegancës të së thjeshtës. Duke kombinuar elegancën me një stil të sofistikuar, Armani vazhdoi duke i dhënë xhaketave një ndjesi sportive duke e bërë qepjen jo aq të sertë. "Filozofia ime ka qenë gjithmonë të ndihmoj femrat dhe meshkujt të ndihen rehat dhe të sigurt në vetvete mes rrobave që ata veshin, se sa të krijoj një zbukurim për hir të tyre", shprehet Giorgio Armani. Ky look i shpenguar, esencial dhe i rafinuar, i dhuron atë magji androgjinie dhe dykuptimësie të lehtë divave si, Greta Garbo, Joan Crawford apo Marlene Dietrich (muza e vërtetë frymëzuese e stilistit). Imagjinata e tij gjen ushqim në të bardhën dhe të zezën dhe në atmosferën e Amerikës së viteve '20-'30, nga e cila frymëzohen shumë fushata publiciteti të kësaj marke. Për stilin e tij, me prerje të qarta dhe të pastruara deri në sertësi, zgjedh tone të ngjyrave të ftohta: bezhë, gri dhe një tjetër tonalitet mes grisë dhe rërës, megjithëse "e zeza Armani", mbetet gjithnjë mes ngjyrave të tij të preferuara. Prirja e spikatur në përdorimin e materialeve të papritura dhe në kombinime të pazakonta, e çojnë ndokënd të shohë tej në të, të gjitha karakteristikat e një gjeniu. Nëse termi mund të dukej i ekzagjeruar i aplikuar në një stilist me parametra arti, gjë e sigurt është se, pak krijues veshjesh në vitet 1900 kanë qenë po aq të rëndësishëm se sa Armani. Disa koleksione të ekuilibruara deri në hierarki priftërore, thelbësore deri në asketizëm, preken nga ndikimi i kulturave orientale dhe traditave të botës arabe. Bëhet fjalë për kryqëzime të rrjedhura nga arabeskat e arkitekturës islamike, stilizimeve kaligrafike të shkrimit kinez, qëndismave të çmuara të frymëzuara nga porcelanët Ming dhe Ching apo pastërtisë së linjave të lindura nga filozofia Zen, - që pasqyron në vetvete të gjithë koleksionin Armani Casa. Në vitin 2000 muzeu "Guggenheim", në New York i dedikoi atij një retrospektivë. Pas New York-ut, ekspozita prospektive e karrierës së stilistit dhe evolucionit të tij në rrjedhën e tre dekadave të fundit, u ekspozua në muzetë më prestigjiozë të botës, Bilbao, Londër, Berlin, Romë, Tokio dhe Shangai. Koleksioni "Shocking" pranverë/verë 2005, bëri që stilistët më pa paragjykime dhe antikonformistë të modës së shekullit XX, nga Elsa Schiaparelli deri te Jean Paul Gaultier, të zgurdullojnë sytë. E reja vjen edhe në ngjyrë, në një gamë të çmuar dhe njëkohësisht tradicionale. Liria është e kontrolluar, provokimi i matur, ndërsa teprimi i moduluar. Përtej linjës së parfumeve (mes të cilëve, Acqua di Giò apo Black Code) me një sukses të pamasë komercial, mes markave të tij më të famshme janë: Emporio Armani dhe Armani Jeans. Në gjysmën e dytë të 2006-ës, Emporio Armani hedh linjën e re "Remix", parfumi i ri për meshkuj dhe femra (Unisex), i frymëzuar nga albumi i fundit i Madonna-s dhe botës së diskotekave. Në një intervistë të kohëve të fundit, pyetur se çfarë është stili, Armani u përgjigj: "Është çështje elegance, jo vetëm estetike. Stili është të kesh kurajën e zgjedhjeve të tua dhe kurajën për të thënë jo. Të gjesh risinë dhe shpikjen, pa shkuar deri në ekstravagancë, është shije dhe kulturë". Giorgio i madh me më shumë se 2000 dyqane në të gjithë botën dhe miliarda dollarë fitime nga shitjet vjetore. Shumë aderojnë në filozofinë e Armanit. Është ky sukses që shpjegon se pse ai ka shtëpi në Broni, Forte dei Marmi dhe Pantelleria në Itali, apo në St. Tropez në rivierën franceze, ku është gjithnjë i zënë duke punuar në zyrën qendrore të firmës Armani, në rrugën Borgonuovo, 21, 20121 të Milanos. Moda e revolucionuar e Armanit ndryshon përkufizimin e fuqisë së kostumeve për meshkuj, shndërron mënyrën e të veshurit te një grua, duke provuar se, luksozja nuk do të thotë e parehatshme dhe e ngarkuar. "Jam kundër modës së nudos: Të pasmet e bukura janë gjithmonë të bukura, por për këdo që krijon veshje. Nudoja është vetëshkatërrim", shprehet Armani. "Perandoria e Armanit" përfshin gjithashtu kostume banjo, të brendshme dhe aksesorë për meshkuj dhe femra. Sinonime të elegancës, Armani dhe logoja e tij me shqiponjë, ka fluturuar dhe është ngritur lart në qiell, përmes historisë së modës dhe do të mbesë aty për vitet që do të vijnë.

Perandoria Armani

Giorgio Armani hodhi në treg linjat Emporio Armani dhe Armani Jeans në vitin 1981; parfumet për femra Armani në vitin 1982; fragrancat për meshkuj Armani në vitin 1984; Notturno Telephone (telefonin Notturono) në 1986; syzet Giorgio Armani dhe çorapet për femra Giorgio Armani Calze, në vitin 1987; A/X Armani Exchange, në vitin 1991; Acqua di Gio, parfume për ferma, Giorgio Armani Neve (Debora) dhe Giorgio Armani Golf, të gjitha në vitin 1995; Acqua di Gio, fragrancë për meshkuj dhe Giorgio Armani Classico, për meshkuj dhe femra në vitin 1996. Që atëherë, krijimet e tij janë parë në tapetin e kuq të çmimeve Oscar dhe në skenat e Hollivudit, në emra të mëdhenj si Jodie Foster, Michelle Pfeiffer, Russell Crowe, Benjamin Bratt, Robert De Niro dhe Benicio Del Toro. Pse kaq i famshëm? Giorgio Armani ka krijuar një nga markat më të njohura në të gjithë botën dhe e ka shndërruar ndërmarrjen e tij italiane në shitje të pabesueshme që kapin shifrat e miliarda dollarëve. I bën njerëzit të dallohen mbi turmën dhe u jep prezencë me rrobat e tij të qepura bukur. Fundi i një qiellgërvishtësi 37-katësh në Burj Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, do të mirëpresë hotelin e parë Armani, ndërsa vetë Giorgio Armani po skicon brendësinë e pronës së tij në qiellgërvishtës. Ai ka investuar gjithashtu në industrinë e restoranteve dhe kafeneve. Ka 14 kafene Emporio Armani dhe Armani Jeans, në të gjithë botën. Ka edhe një bar Armani në Hong Kong si dhe mban firmën e dy restoranteve të rinj nën emrat NoBu & Prive, që gjenden në të gjithë botën. Gjithashtu ka edhe një librari (Armani Libri), një serë lulesh (Armani Fiori) dhe një kompani ëmbëlsirash të njohura si Armani Dolci. Këto marka të vogla në pjesën më të madhe janë shitur bashkë me dyqanet Armani. Ish-shitësi, një perandor i modës Stilisti, ka lindur në 11 korrik 1934 në Piaçenca. Bashkëjeton me familjen e tij në qytetin ku edhe kryen shkollën e mesme. Më vonë tenton rrugën universitare, duke frekuentuar për dy vjet Fakultetin e Mjekësisë në Milano. Me braktisjen e studimeve gjen punë në Milano, si shitës në magazinat "La Rinascente". Punon ndërkohë si asistent fotograf, përpara se të pranojë një detyrë, në një zyrë promocionesh të një agjencie mode. Këtu ai pati mundësinë të njihte produktet cilësore që vinin nga India, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u prezantuar në këtë mënyrë me elementë të nxjerrë nga kultura të huaja në universin "Eurocentrik", të botës milaneze dhe konsumatorëve italianë. Punon në "La Rinascente" deri në vitin 1965, kur e thërret Nino Cerruti për të ri-stiluar markën Hitman edhe pse nuk kishte një formim të vërtetë dhe të mirëfilltë specifik. I inkurajuar nga miku dhe partneri i tij i aventurave financiare, Sergio Galeotti, stilisti lë Cerruti-n për t'u bërë stilist mode dhe konsulent "Freelance". Koleksioni i tij i parë del në vitin 1975, vit që shënon edhe themelimin e firmës me të njëjtin emër, bashkë me partnerin e tij Sergio Galeotti, e cila që nga ai moment u kthye në një sukses të pandërprerë. Iu desh të shisnin një makinë "Volkswagen" për të ndihmuar financën e markës, e cila sot është shndërruar në një industri miliarda dollarësh. Realizon veshje të çdo lloji, duke nisur nga xhaketa, që deri në atë kohë ishte e ngurtë dhe e parehatshme. Eliminon mbushjet e brendshme dhe astarin, sposton kopsat dhe modifikon përpjesëtimet tradicionale: Lindin kështu xhaketat e çstrukturuara, si emblemë absolute e stilit të tij. Në vitin pasardhës, prezanton në Sallën e Bardhë prestigjioze të Firences, koleksionin e tij të parë. U brohorit dhe u duartrokit për xhaketën e tij revolucionare të çstrukturuar si dhe për trajtimin origjinal të shtesave prej lëkure, që shfaqen në veshjet, kushtuar linjës së përditshme. Armani i dhuron perspektiva të reja dhe të pazakonshme elementëve të veshjes, sidomos atyre për meshkuj. Xhaketa e tij e famshme çlirohet nga shtrëngimet formale të huazuara nga tradita, me linja të kornizuara dhe shumë të rrepta, për të ardhur te format e lira dhe moderne, por si gjithmonë të kontrolluara dhe me klas. Me pak fjalë, Armani e ri-vesh mashkullin me një prekje jo formale, duke i ofruar atij që zgjedh veshjet e tij, një ndjesi mirëqenieje dhe raporti me vetë trupin. Zhvilloi një stil të pangatërrueshëm me ndonjë tjetër, të rafinuar, por në të njëjtën kohë përsosmërisht në harmoni me jetën e përditshme. Duke përdorur të njëjtat tjerrëse për realizimin e veshjeve, duke mos i besuar kurrë rrobaqepësve të mëdhenj, - arrin të realizojë veshje shumë të matura, por në të njëjtën masë edhe joshëse. Në thjeshtësinë e tyre ato arritën gjithsesi, t'i japin një aureolë autoritare dhe ndikuese atij që i vesh. Në vitin 1982, vjen shenjtërimi përfundimtar; ai i atribuuar nga kopertina klasike e së përjavshmes "Time", ndoshta revista më prestigjioze në të gjithë botën. Deri në atë moment, mes stilistëve vetëm Christian Dior kishte marrë një nderim të tillë dhe kishin kaluar dyzet vjet nga atëherë. I bërë tashmë një simbol i elegancës dhe i përmasave të mëdha, janë të shumtë yjet e kinemasë, muzikës apo të arteve të tjera, që vishen nga ai. Paul Schrader e ka bërë të pavdekshëm stilin e tij në filmin "American Gigolo" (1980), duke ilustruar karakteristikat përmes një kombinimi të forcës dhe sensualitetit në skenën e famshme, ku seks simboli Richard Gere provon duke lëvizur sipas ritmit të muzikës xhaketa, këmisha dhe një seri bluzash ekstravagante apo kravatash, duke i bashkuar në një përsosmëri të mrekullueshme. Kostumet e skenës së Richard Gere-it në filmin "American Gigolo" (1980) hynë me sukses në imagjinatën kolektive të stilit Armani. Gjithmonë për të qëndruar në fushën e spektaklit, Armani ka krijuar edhe kostume për teatrin, operat apo baletin. "Essere Armani" (Të jesh Armani) është e para dhe vetmja biografi e perandorit të modës, e ndërtuar mbi dëshmi të pabotuara të atyre që e kanë njohur dhe që dhuron një dokumentacion të gjerë mbi burrin, mbi vendet ku është rritur, mbi stilistin të parë si kreu i një mendimi, i një estetike që nuk ndalet te veshja, por shkon përtej. Për më tepër analiza e modës së tij, strategjive sipërmarrëse, të mënyrës si ndërtohet një mit dhe mbi të gjitha si arrihet të mbahet një identitet i mirë, karakterizuar pavarësisht realitetit që është në ndryshim të vazhdueshëm. Në libër ndiqet edhe marrëdhënia e Giorgio Armanit me arkitekturën, kinemanë..., me pak fjalë nuk është thjesht një manual vetëm me imazhe.

 

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Posted via email from Shkupi Press extra