Facebook – Lufta për Privatësi

Nga Timothy Garton Ash

Disa ditë pasi e shikova The Social Network, filmin e ri për Facebook, i vizitova dy zyrtarë të lartë në selinë e Facebook’ut, në Palo Alto, shumë afër kampusit të Stanford’it.

"Ju pëlqeu filmi?", pyeta, duke e ditur se Facebook e kishte dërguar stafin me autobus për ta parë filmin në ditën e lansimit. "Shumë i thatë dhe paksa i ngadalshëm", tha njëri. "I mërzitshëm", u shpreh tjetri. Seç ma kujtuan linjën e tyre zyrtare. Kompania Facebook thotë se filmi për Facebook’un është... i mërzitshëm.

Mos iu besoni. The Social Network është buçitës dhe definitivisht ia vlen të shihet. Por, mos mendoni se ky është një film serioz për rrjetat sociale, internetin dhe mundësitë për të mirën dhe të keqen që krijohen prej tyre. Ky është argëtim që ka të bëjë me Harvard’in, avokatët amerikanë dhe të qenit 19 vjeçar – në një version të ekzagjeruar dhe gazmor.

Filmi nuk është real. Të gjithë studentët e Harvardit shprehen me fjali të shkurtra e brilante, si të ishin Woody Allen’a. Ata nuk përdorin pauza të llojit: “asi”, “kësi”, e zoti na ruajt t’iu dalë nga goja diçka si: “kaja nanen”. Megjithatë, ndonëse zhvillohet rrjedhshëm, satira nuk e prek çështjen të cilën Facebook e ngre në jetën e vërtetë: humbjen e privatësisë.

Në fillim në filmit, studenti i dehur Mark Zuckerberg e shfrytëzon blogun e tij për ta ofenduar ish të dashurën e cila sapo e ka braktisur, dhe merr hak mbi tërë gjininë femërore duke postuar - pa dijeninë ose pëlqimin e tyre – fotografitë e studenteve të Harvard’it dhe kërkon nga studentët meshkuj që t’i vlerësojnë me nota.

Kjo shkelje e vogël e privatësisë është lojë fëmijësh në krahasim me atë që kemi përjetuar gjatë dekadës së fundit. Në javën e parë të shfaqjes së filmit, u dha lajmi për një incident të tmerrshëm në Universitetin Rutgers, në New Jersey. Një student 18 vjeçar, Tyler Clementi, e kishte incizuar fshehurazi kontaktin e tij seksual me një burrë. Shoku i tij i dhomës, të cilit Clementi i kishte kërkuar t’ia lironte dhomën për disa orë, kishte aktivizuar kamerën e kompjuterit të tij me qëllim të transmetimit online të videos, ashtu që të mund ta shihnin të gjithë. Clementi u hodh nga ura George Washington në lumin Hudson dhe vrau veten. Mesazhi i tij lamtumirës në Facebook ishte: "po kërcej nga ura gw. më vjen keq".

Natyrisht, ky nuk është një rrëfim në lidhje me – apo kundër – kompanisë Facebook, edhe pse agonia e tetë fjalëve lamtumirëse me shkronja të vogla në Facebook, më duket mbresëlënëse. Por, ky është një rrëfim që ka të bëjë me mënyrën në të cilën të gjitha teknologjitë e reja të komunikimit e lehtësojnë aq shumë cenimin e intimitetit.

Njerëzit e Facebook kundërshtojnë, duke thënë se faqja e tyre e rrjetëzimit social ofron më shumë kontroll mbi privatësinë sesa shumë qoshe tjera të kësaj bote fintak të re. Ata e kanë poentën e tyre. Në krahasim me gazetarët e tabloideve britanike, që iu vjedhin njerëzve mesazhet e telefonave celularë dhe i ekspozojnë sekretet e tyre intime vetëm sa për të shitur më shumë gazeta, Facebook është një prift i virtytshëm që i ruan sekretet e të rrëfyerve. Megjithatë, praktikat e saja në të kaluarën – bashkë me mënyrën në të cilën njerëzit e përdorin – kanë kontribuar në shkatërrimin e privatësisë, kurse praktikat e tashmet ende kanë diçka mangut.

Sipas një klisheje tashmë bajate, “brezi i Facebook’ut nuk i jep pesë pare për privatësi". Sigurisht, normat ndryshojnë me ndërrimin e gjeneratave, por ajo që realisht duket se ka ndodhur këtu është se njerëzit e kanë hedhur veten me entuziazëm në këtë eksperiencë të re mahnitëse, dhe tash, disa vjet më vonë, ndonjëherë tronditen nga pasojat. Në librin e tij të ri, “The Facebook Effect”, David Kirkpatrick shkruan se në një sondazh të vitit 2009 me punëdhënësit amerikanë, 35 për qind e kompanive i kanë refuzuar aplikantët për punë shkaku i informacioneve që i kanë gjetur nëpër rrjetet shoqërore. Një në tre! Askush nuk do të më bind se kjo është në rregull për “gjeneratën e Facebook’ut”.

Facebook thotë se kontrolli i saj i privatësisë tash është më i mirë, dhe njerëzit mund ta caktojnë nivelin që dunë. Është zgjedhja juaj. Ashiqare ky është një parim i duhur, por si t’ia bëhet me anën praktike? Unë u përpoqa ta hapi një llogari të re dhe nuk mendoj se rregullimi i privatësisë është as gjysma e asaj që duhet të jetë. Rregullimet standarde janë pothuajse të gjitha për shpërndarje - duke përfshirë kërkimin automatik të adresarit të email adresës suaj gjatë hapjes së llogarisë (për t’i gjetur Friends’at potencialë). Rregullimi i të gjitha skedave merr mjaft kohë për ta bërë llogarinë më të kufizuar. Është shumë e lehtë të mos i shohësh çështjet me shkronja të imta, si "personalizimi i menjëhershëm", i cili u jep qasje "disa sajteve të caktuara partnere ... sapo ju t’i vizitoni ato", dhe ju duhet të shkoni në një faqe tjetër (Aplikacione dhe Website) për ta shkyçur këtë opcion.

Edhe pasi e deaktivizova kërkimin automatik të adresarit tim, Facebook’u menjëherë doli me një listë të gjatë të miqve që m’i sugjeronte, si dhe të "njerëzve që i njoh”, shumicën prej të cilëve vërtet i njoh (për shembull, njërin prej djemve të mi; ra ky Facebook e u njoftuam!), por për disa kurrë nuk kisha dëgjuar.

Animi që çon drejt mosaplikimit të këtyre rregullimeve është kritikuar nga ish-zyrtari kryesor i privatësisë në Facebook, i cili tash është - as më pak e as më shumë - kandidat për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Kalifornisë.
Këtu çështja e madhe është te shkatërrimi i intimitetit në shumë fronte gjatë dekadës së fundit. Kjo shkaktohet nga tri forca të mëdha.

Është vetë teknologjia ajo që tashmë e bën të mundur gjurmimin e një jete të tërë, dhe ndjekjen e gjithkujt e në çdo vend me një saktësi të menjëhershme, e cila do të bënte që edhe një gjenerali të Stasit t’i rridhte goja lëng. Është beteja për fitim, gjë që i nxit kompanitë për një mbikëqyrje gjithnjë e më të hollësishme të shijeve dhe shprehive të klientëve të tyre, ashtu që reklamimi t’iu përshtatet më mirë. Janë Qeveritë, që gjejnë mënyra për t’i futur duart e tyre në shumë prej këtyre të dhënave, si dhe mbledhin shënime me anë të serverëve të tyre.

Për shembull, pamjet e detajuara fotografike të shtëpisë suaj gjenden në Google Earth dhe Google Street View, dhe çdokush - soditësit, furacakët, hajdutët, terroristët – mund t’i analizojnë ato avash-avash. Telefoni juaj i mençur iu ndjekë. Dosja e kërkimeve tuaja në Google paraqet historinë intime e jetës suaj. Pasqyra juaj e plotë e kreditit u ofron qasje rutinore bankave dhe kompanive të ndërtimit. Qeveria britanike dhe ajo amerikane, në emër të "sigurisë", heshtazi e kanë përvetësuar për vete pushtetin për t’i monitoruar të gjitha këto, përfshirë edhe emailin tuaj dhe thirrjet nga telefoni mobil.

Mbase, krejt çfarë mund të bëjmë është ta kthejmë kokën dhe ta pranojmë se kjo është rruga në të cilën po shkon dynjaja. “Privatësia ka vdekur. Harrojeni!”, këshillon Scott McNealy, bashkëthemelues i Sun Microsystems. Ndoshta mund të përgjigjemi dhe ta rikthejmë një pjesë të privatësisë sonë të humbur. Mund ta bëjmë këtë duke i vendosur standardet tona dhe duke i shpërndarë ato. Mund ta bëjmë duke punuar drejtpërdrejti në kompani si Facebook, për të cilat ne jemi burimi themelor i të ardhurave. Mund ta shfrytëzojmë Facebook’un për ta formësuar Facebook’un.

Gjithashtu, mund të përpiqemi t’i nxisim qeveritë tona në së paku tri mënyra: t’i frenojmë mësymjet e tyre drejt privatësisë tonë; t’i rregullojmë më mirë kompanitë ultracenuese; dhe t’i ndëshkojmë shkeljet private, si ajo që çoi Tyler Clementi’n drejt vetëvrasjes. Po ato teknologji të rrjetëzimeve të cilat e ngushtojnë privatësinë tonë, mund të na fuqizojnë që të luftojmë. Për dallim nga filmi, kjo është një punë vërtet e thatë, e ngadalshme dhe e mërzitshme - por liritë tona në të ardhmen do të varen nga ajo.

 

Posted via email from Shkupi Press extra