Pas fundit të sezonit të kaluar, Fabregas publikisht bëri të ditur se ëndërron të luajë për Barcelonën, ku e kishte kaluar fëmijërinë e tij. Klubi katalunas bëri dy oferta te Arsenali, por Arsene Wenger nuk ka menduar ta shesë kapitenin e tij.
“Besoj se kam qenë në të drejtë kur kam treguar se dua të luaj për Barcelonën, pasi kjo është ëndërr të cilën e kam pasur si fëmijë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Jam me fat me atë se si u zhvilluan gjërat. Edhe pse ende besoj se kalimi në Camp Nou ishte një mundësi e mirë, jam i lumtur te Arsenali”, ka thënë Fabregas.
Mesfushori spanjoll po ashtu ka thënë se edhe Real Madridi ishte interesuar për të.
“Nuk do të them se cilat klube dëshironin të më angazhonin, por e di se Real Madridi dhe Barcelona kanë pyetur për mua në shtatë vitet e fundit. Kam fat që këto dy klube të mëdha interesohen për mua dhe kjo është e rëndësishme, pasi diçka e tillë nuk ndodh çdo ditë. Por nuk mund të them se kush tregoi më shumë interesim, Barca apo Real Madridi. Megjithatë, verën e kaluar isha shumë i sinqertë dhe fola me zemër”, ka thënë Fabregas.