Djegia e flamurit, reagime të ashpra

Ivan Bogdanos duke djegur flamurin shqiptar Incidenti i ndodhur një ditë më parë, kur Ivan Bogdanov, një ultranacionalist serb dhe tifoz i kombëtares serbe, dogji midis stadiumit Marassi flamurin tonë kombëtar, para gjithë syve të botës, ka zgjuar reagime nga më të ashprat në qarqet patriotike dhe të shoqërisë civile shqiptare.
Lajmi për djegien e flamurit kombëtar shqiptar, kishte bërë bujë të madhe menjëherë pas incidentit në Itali, dhe reagimet e para ishin nga më të ndryshmet, sa të ashpra aq dhe interesante.
Rrjeti shoqëror Facebook ishte mjeti paqësor ku dhjetra mijëra shqiptarë anembanë e shprehën mllefin e tyre ndaj djegies së flamurit. U krijuan grupe dhe faqe të shumta.
Këto grupe/faqe fansash më pas u bënë thirrje gjithë shqiptarëve në rrjetin shoqëror, që në fotografitë e tyre të profilit të mbajnë deri më datë 14 tetor foton e flamurit kombëtar, në shenjë proteste ndaj asaj që ndodhi të martën mbrëma. Dhe, rezultati është fascinues - i gjithë Facebooku është veshur kuq e zi, pasi që pothuajse të gjithë antarët shqiptarë iu përgjigjën pozitivisht thirrjes.

Megjithatë, aq paqësisht veprimet ekstremiste serbe nuk i morën disa të rinj tiranas, të cilët pas mesnatës dogjën flamurin e Serbisë para ambasadës serbe në Tiranë.


Pos kësaj, vlen të përmendet se edhe disa grupe tifozerish të klubeve të ndryshme të futbollit në Kosovë, kanë paralajmëruar djegien e flamujve të Serbisë gjatë ndeshjeve të Superligës së Kosovës në fundjavë.
Por, kjo nuk është e tëra. Ivan Bogdanov, njeriu që ka pasur guximin ta ndezë flamurin shqiptar, në fakt ka të gravuar ne lëkurën e tij imazhe shqiptare. Imazhi më posht e shfaq Bodganovin me tatuazh të heroit tonë kombëtar, Skëndërbeut, në kraharor. Një fakt mjaft intrigues ky…apo jo?
Këto reagime nga shoqëria civile vijnë pas tensioneve të krijuara të martën mbrëma, kur edhe njëherë u zgjua ndërgjegjja e botës, se disa çështje në Ballkan kanë mbetur ende të pasqaruara, por që do të mbesin edhe njëherë nën hijen e pavarësisë së shtetit më të ri në botë, Kosovës.
Ndeshja Itali – Serbi është ndërprerë pas vetëm gjashtë minutash lojë, pasi që kushtet nuk ishin të mira për zhvillimin e ndeshjes, sepse tensionet në stadium ishin të mëdha. Serbia pos që rrezikon humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultat zyrtar 3-0, rrezikon poashtu një dënim të përmasave të mëdha nga UEFA, siç është përjashtimi nga aktivitetet për Euro 2012.