Dialogu i ri dhe i çuditshëm Gjermani-Francë

El Pais

 

Një valë zemërimi e papërshkrueshme ka përfshirë shtetet anëtare të BE-së për shkak të marrëveshjes që Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel firmosën e vulosën pa i marrë dorën askujt në javën e shkuar, në Deauville, për të reformuar Traktatin e Lisbonës që nuk kishte shumë kohë që ishte miratuar. Edhe institucionet evropiane i ka zënë fort meraku për anashkalimin që u është kryer. Siç ndodh rëndom, Komisionin Evropian as nuk e ka begenisur kush për një çështje kaq strategjike. Sa i takon Parlamentit Evropian, Parisi dhe Berlini duket se kanë marrë parasysh faktin se europarlamentarët votojnë si dele të bindura të kryeqyteteve që i përkasin. Si mund të ndodhë kështu , që presidenti i Këshillit, Van Rompuy, teorikisht koka e reformave të qeverisjes ekonomike të BE-së, ka mbetur krejt në bisht të kësaj dukurie. Përfshirë këtu edhe presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, i cili e ka shprehur “me shkrim” kundërshtinë e tij ndaj përmbajtjes së marrëveshjes. A funksionon përsëmbari apo përsëprapthi boshti franko-gjerman? Kjo është çështja! Të gjithë mbetën me gojë hapur, më pas, askush nuk vinte bast qoftë edhe një kacidhe për çiftin Sarkozy-Merkel. “Gjermanët nuk kanë ndryshuar fare”, ka qenë shprehja që i ka shpëtuar nga buzët Nicolas Sarkozisë, për shkak të mungesës së përkulshmërisë që ka shfaqur Gjermania në lidhje me paketën e shpëtimit financiar që i mundësoi BE-së të shpëtonte nga përhumbja monedhën euro, në muajin maj të këtij viti. Ndërsa Gjermania nuk ndjehet më pak e bezdisur prej faktit se Franca nuk po e vret shumë mendjen për teprimet fiskale. Edhe ky nuk është tregues i mirë. E ja ku kemi para syve një çift të çuditshëm - siç ndodh në serialin e filmit me kartona “Simpson” – ku gjithkush “e tërheq litarin” nga ana e vet: të papërmbajtshmin Sarkozi që po zhytet dita-ditës në borxhe për të dalë nga kriza, e nga ana tjetër, gjithmonë të vetëpërmbajturën Angela, që jo vetëm iu nënshtrua politikave të shkurtimit të shpenzimeve deri në euron e fundit, por miratoi edhe  një reformë kushtetuese që ndalon deficitin. Gjermani-Francë, një çift i pamundur për të bashkëjetuar, pasi atë që bën njeri zhbën tjetri. Njëra fort e centralizuar, tjetra e decentralizuar në skaj. Njëra  e mbështetet zhvillimin ekonomik tek unifikimi tregtar, tjetra tek eksportet. Njëra etatiste dhe intervecioniste, tjetra qeveriset përmes marrëveshjeve sipërmarrës-sindikatë. Njëra nukleare, tjetra pacifiste. Kështu vijojnë edhe 60 vite pas “Deklaratës Shuman (9 maj 1950-shen. red), kod pas kodi.


Dyshja franko-gjermane ka turbulluar paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e Evropës. Është e vështirë të gjesh një armiqësi të ngjashme mes vendeve të tjera evropiane, që, duke i dhënë gaz një përplasje kaq të ashpër, të shkohet kaq në ekstrem. Por, njëherazi nuk duhet anashkaluar fakti që firmëtarët e tyre kanë shfrytëzuar në maksimum çdo lloj mundësie, qoftë edhe të vogël, për të mbrojtur interesat e tyre strategjike, edhe pse kjo i kushton rëndë shteteve anëtare të BE-së. Cili është thelbi i logjikës së kësaj “marrëveshjeje” të radhës? Merkeli vijon në kërkim të një reforme ndaj Traktatit të Lisbonës, për të fuqizuar mekanizmin e paketës së shpëtimit financiar në përballje me Gjykatën Kushtetuese, që është ngritur si një mbrojtëse e ashpër e thelbit të demokracisë gjermane. Për më tepër, kundër të gjitha të dhënave empirike, perceptohet si një derivat federalizues i BE-së. Nga ana tjetër, Nicola Sarkozy kërkon të çaktivizojë mekanizmin e sanksioneve të menjëhershme, siç propozon Angela Merkel, përfshirë këtu edhe të pezullimin e të drejtës së votës nga shtet fiskalisht të pabindura. Gjithçka ndodh duke e ditur se, përmes një sistemi të mbështetur te vota, Franca mundet gjithmonë të bjerë në ujdi për të hequr sanksionet. Siç u provua edhe nga dëbimi i romëve nga Franca - ndërkohë që priten sanksione ndaj saj – ka disa shtete evropiane që janë më të barabarta mes tyre se sa disa të tjera. Kjo ndodhi në vitin 2oo3, kur Franca e verboi Gjermaninë për të ndryshuar normat e Paktit të Stabilitetit dhe për të shmangur sanksionet. Praktikisht, kjo do të thotë dalje nga funksioni e paktit të sipërpërmendur. Tashmë, ndodhemi para një situatë të ngjashme, por me një sfidë më të madhe: pas tetë viteve që kaluan për të rënë në ujdi e firmosur Traktatin e Lisbonës, ta kalosh këtë te 27-shja përmes procesit të ratifikimit ku përfshihen edhe parlamentet nacionale, përmes referendumeve popullore dhe vendimeve të Gjykatave Kushtetuese, po nacionale; dhe e gjitha kjo procedure në kohën e krizës ekonomike dhe të pakënaqësive popullore, është më shume se ta luash fatin e tij në “ruletë ruse”: që do të thotë ta detyrosh BE-në të bëjë vetëvrasje institucionale. Do të ishte mirë që çifti të gjente gjuhën e ripajtimit, por duhet bërë kujdes nga emocionet e çastit. Evropës së Vjetër nuk i shkon për shtat “aerobia” kushtetuese.

Posted via email from Shkupi Press extra