Çfarë mësuan aktivistët e klimës?

 Nga Bjørn Lomborg

 

Përkrahësit e reduktimeve drastike të emetimit të dyoksidit të karbonit tash flasin dukshëm më pak sesa më herët për ndryshimet klimatike. Fushatëbërësit e klimës kanë ndryshuar afrimin e tyre pas dështimit të samitit të Kopenhagës për ndryshimet klimatike dhjetorin e kaluar dhe ndriçimit të gabimeve në punën e panelit të klimës të OKB-së – si dhe në përgjigje ndaj skepticizmit publik në rritje dhe interesave në venitje.
Edhe pse disa aktivistë ende besojnë në taktikat frikësuese – të cilën gjë e dëshmon instalimi i një reklame që pasqyron bombardimin e çdokujt që ngurron ta përqafojë reduktimin e emetimeve – shumë prej tyre tash shpenzojnë më shumë kohë në nënvizimin e “përfitimeve” nga receta e tyre politike. Ata nuk ndalen më në dënimin e vendimeve për klimën, por në pasojat ekonomike që do të rezultojnë nga përqafimi i ekonomisë “së gjelbër”.
Mund të gjeni dëshmi për këtë kudo në botë, mirëpo më e mira është në vendlindjen time, Danimarkë, ku një komitet i akademikëve të caktuar nga qeveria së fundmi ka prezantuar sugjerimet se si vendi duhet të veprojë i vetëm dhe të shndërrohet në një vend “pa karburante fosile” pas 40 vjetësh. Qëllimi është befasues: më tepër se 80 për qind e furnizimeve me energji për Danimarkën vijnë nga karburantet fosile, të cilat janë skajshmërisht më të lira dhe më të besueshme sesa çdo burim tjetër i energjisë së gjelbër.
Mora pjesë në një drekë të Komitetit dhe isha i tronditur se “Komisioni i Klimës” mezi që përmendi ndryshimet klimatike. Ky anashkalim ishte i kuptueshëm, pasi që një shtet që vepron vetëm nuk mund të bëjë dhe aq shumë për të ndaluar ngrohjen globale. Në rast se Danimarka vërtet do të bëhet shtet 100 për qind pa karburante fosile deri më 2050 dhe të mbetet e tillë gjatë pjesës së mbetur të shekullit, atëherë efekti deri më 2100 do të ishte shtyrja e rritjes së temperaturës mesatare në glob për vetëm dy javë.
Në vend të përqendrimit në ndryshimet klimatike, Komisioni i Klimës hiperbolizoi përfitimet që do të zotëronte Danimarka në rast se vazhdon me ndryshimin në energjinë e gjelbër. Fatkeqësisht, me inspektimin e këtyre përfitimeve del se e gjitha është vetëm një iluzion.
Të jesh një pionier është një gjë vështirë e garantuar për të pasurit. Gjermania i priu botës në vendosjen e paneleve diellore, projekt ky për të cilën janë investuar 47 miliardë euro në subvencione. Trashëgimia e qëndrueshme ka një faturë masive dhe një mori teknologjish joefikase diellore të vendosura nëpër kulmet e shtëpive kudo nëpër shtetin me shumë re, që rezultojnë me një furnizim prej 0.1 për qind të energjisë totale.
Vetë Danimarka tashmë ka provuar po ashtu të jetë një novator i energjisë së gjelbër – ka drejtuar botën në përqafimin e energjisë së erës. Rezultatet nuk ishin dhe aq inspiruese. Industria daneze e erës është pothuajse tërësisht e varur nga subvencionet e taksapaguesve, e danezët paguajnë çmimet më të larta të elektricitetit se cilido shtet tjetër i industrializuar. Disa studime kanë sugjeruar se pretendimet që një e pesta e kërkesave për energji elektrike në Danimarkë përmbushen nga era është një ekzagjerim, pjesërisht për shkak se shumë më tepër energji prodhohet kur s’ka kërkesa dhe sasia duhet t’u shitet shteteve të tjera.
Gjendja e rëndë e energjisë së erës dhe diellit tregon sfidën masive me të cilën përballemi në përpjekjen për ta bërë teknologjinë sot më konkurruese dhe më efikase. Linjat e sotme të drejtpërdrejta duhet të ndërtohen për të bartur energjinë diellore dhe të erës nga rajonet me diell dhe erë deri në zonat e banuara. Duhet të shpiken mekanizma të ruajtjes, në mënyrë që energjia të mos ndërpritet sa herë që nuk ka rreze dielli apo erë. Ithtarët e reduktimit të karbonit insistojnë se teknologjitë e energjisë së gjelbër vetëm duken të jenë më të shtrenjta, për shkak se çmimi i karburanteve fosile nuk reflekton koston e rëndësisë së tyre mbi klimën. Mirëpo lejimi i kësaj do të kishte pak ndryshim.
Studimi më i plotë ekonomik tregon se ndikimet e përgjithshme të klimës në të ardhmen do të justifikonin një taksë prej 0.01 euro për një litër benzinë (0.06 për një galon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës) – një shumë kjo dukshëm më e vogël se ajo që aktualisht paguhet nga taksapaguesit në pjesën më të madhe të shteteve të Evropës.
Me gjithë faktin se zëvendësimi i karburanteve fosile me energji të pastër kërkon transformim të përgjithshëm ekonomik, Komisioni danez për Klimë pohoi se kostoja nuk ishte fare e madhe. Komisioni e arriti këtë konstatim, duke supozuar se kostoja e mosmbështetjes së politikave të veta do të ishte më e madhe.
Komisioni beson se gjatë dyzet vjetëve në vijim kostot e karburanteve fosile do të rriten në masë drastike, për shkak se burimet do të shteren dhe qeveritë do të vënë tatime të mëdha mbi këto lëndë djegëse. Mirëpo kjo nuk është dëshmi bindëse. Ka mjaft thëngjill të lirë për qindra vitet e ardhshme dhe me teknologjinë e re, rezervat e gazit po rriten.
Me të njëjtën logjikë parashikimet se qeveritë do të vënë tatime të mëdha mbi produktet që lirojnë dyoksid karbon kanë pak bazë në realitet. Supozimet e tilla duket se janë kornizë e dobët për përgatitjen e politikave publike dhe duket se shpërfillin koston e konsiderueshme të eliminimit të karburanteve fosile, të cilat përbëjnë të paktën pesë për qind të GDP-së në vit.
Heqja nga përdorimi e karburanteve fosile nuk do të jetë e lehtë. Politikëbërësit duhet të bëjnë prioritet investimin në hulumtimet dhe zhvillimin e energjisë së pastër. Nxitja e reduktimit të lirimit të dyoksidit të karbonit pa investuar së pari në hulumtimin e alternativave është hap i gabuar.
Ndryshimi në mesazh pas katastrofës së samitit të Kopenhagës mbase ishte i pashmangshëm. Mirëpo ndryshimi i vërtetë ishte fakti se është kuptuar që reduktimet drastike dhe të hershme të karbonit janë një përgjigje e dobët ndaj ngrohjes globale – pa marrë parasysh se si paketohen ato.

Bjørn Lomborg, autor i librit “Ambientalisti skeptik dhe i ftohtë”, është drejtor i Qendrës për Konsensus në Kopenhagë dhe ndihmësprofesor në Shkollën e Biznesit në Kopenhagë. Ky koment është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë “Project Syndicate”

Posted via email from Shkupi Press extra