Casillas: Hampden Park ma ndryshoi karrierën

Portier i Real Madridit, Iker Casillas, do të rikthehet për herë të parë në Hampden Park pas vitit 2002, ku e ngriti titullin e Ligës së Kampionëve, ndërsa tani ai do paraqitet në këtë impiant, për supersfidën eliminatore, Skoci – Spanjë.
Casillas ishte vetëm 21 vjeçar kur trajneri i atëhershëm i Realit, Vicente Del Bosque, e dërgoi në portë në vend të Cesar Sanchezit, pranë rezultatit 2-1 ndaj Bayer Leverkusenit, në finalen e Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Hampden Park. Sipas Casillasit, ky takim i dha reputacion atij dhe e futi atë në elitën e portierëve.
“Unë e zëvëndësova Cesarin dhe isha në gjendje të luaja 25 minuta. Unë isha 21 vjeçar dhe isha me fat që gjithçka shkoi mirë. Më pas, për Botërorin e vitit 2002, Santi Canizares pësoi një lëndim, që më lejoi të jem startues në Botëror. Kjo ishte pika kthyese në karrierën time, kështu që, ajo që ndodhi në Skoci dhe më vonë në kombëtare, ishin gjëra me fat për mua”.
“Është e bukur të rikthehem këtu (Hampden Park), për një ndeshje tjetër dhe ne jemi të fokusuar në të fituarit. Çdo ekip i cili luan ndaj Spanjës dëshiron të bëjë më të mirën, ata duan të mposhtin kampionët e botës, kështu që ne ndihemi mirë që duhet të japim maksimumin në çdo takim”, tha Casillas.