Diku në 97-ën,
Një mëngjes, pranverë
Mora një copë hekur,
Të ftohtë, “frigorifer”.
E më pas mesjetë,
E më pas skëterrë.
Pranverë e 97-ës
Si një humor pa shije,
Si diçka e vdekur,
Që ti pranë i rrije.
Me hekurin e ftohtë në dorë,
Që kurrë më se lije.
97 e mallkuar…
Emri yt u bë shkak!
97 e mallkuar,
Pse të derdhej aq shumë gjak?
Pse shfarose ëndrrën time?
Pse më le në këtë vetmi?
97 e mallkuar,
Pse i more shokët e mi?
Si një hije të qëndroj
S’kam fuqi për të luftuar,
Veç një zë do të ushtojë
97 je e mallkuar!
Djersë të ftohta,
Frikë, mjerim,
97 e mallkuar,
Këto janë fjalë nga shpirti im.
I armatosur gjer në grykë
Si një ushtar gati për luftë
I fundosur në mendime,
Me një ndjenjë shumë të ngurtë
Vazhdoj, ecje pa vetëdije,
Si një trup i pajetë
Me hekurin në dorën tënde,
Që s’ish lodër, por i vërtetë.
Me zemër të ndrydhur, rrugën vazhdoj,
Përpara ec e dot s’ndaloj.
Çdo gjë që shkelje e shkatërroje
Se ishin të tuat, më s’mendoje!
Jo se nuk doje, më t’ia dije,
Por ishe i mpirë dhe pa vetëdije...
Por s’ish faji yt, jo...
Nuk ish as faji im,
“Ata”*janë fajtorë,
Që lejuan këtë tërbim.
“Ata vetë janë të mbrojtur,
Asgjë nuk i kap dot,
“Ata” janë si përbindësha
Dhe nuk dinë çdo të thotë lot.
97 e mallkuar…
Unë këtu jam duke kënduar!
97 e mallkuar…
Me një kitarë të ç’akorduar!
97 e mallkuar…
Çdo gjë tënden, do të harroj
97 e mallkuar…
Fort në mure do të të gozhdoj!
Dhe çdo mëngjes kur të të shikoj
Do të të pështyj, do të të përçmoj,
Do të të godas e do të të shaj
Do të të tregoj që më nuk qaj...
I bie pragut,
Të dëgjojë dera,
Të çirrem ty, o 97,
Por fjalët m’i merr era!
Tek “ata” s’arrijnë,
Se shumë lart qëndrojnë,
Dhe po t’i dëgjojnë,
Bëjnë sikur s’kuptojnë!
* Pushtetarët.
poezi nga Bledi Ylli





