Trokitje nëpër natë (Histori në tri kohë)

Istref Haxhillari



1
            Në portën e gdhendur të shtëpisë u përvijua një trokitje e lehtë, e trembur sikur lutej të mos hapej kurrë kanati i ngrënë nga vitet. Marina e ndjeu. Trokitja e zbehtë e goditi me shuplakë, e shkundi të gjithën. Në këtë orë nata bënte gjumin e parë, po e liga vjen në çdo kohë, nuk pyet për rregulla. Zemra i rrihte e trembur. Mbajti frymën, nuk dëgjoi gjë.
- O Zot,  më bënë veshët.  
Mbeti e ngrirë, me dy mendje.
            - Nënë, se kush është, - pëshpëriti Nerveti shtatëvjeçar.
            Gruaja u shkund. Ç’të jetë kaq vonë? Ka humbur udhën njeri nëpër natë? Apo...? Shpirti iu drodh.
- Nuk ka njeri, - i tha djalit.
Dora e panjohur, e druajtur, me e guximshme se një çast më parë, çukiti më fort. Goditja e thatë, e prerë, largoj dyzimin dhe porta e vjetër oshëtiu me jehonë të zgjatur. Çapiti me zor drejt derës. Në kuadratin gjysmë të errët u duk një burrë zhelan.
“ Qënka lypës ”, i regëtiu në shpirt.
Disi u qetësua, po tjetri, me sy përdhe, i zgjati një letër të zhubrosur me ca njolla të shpëlara ngjyrë ftoi.
- Ç’është? - gati sa nuk ulëriu gruaja.
- Karta e zezë - mërmëriti Zhelani, - yt shoq ra në det para një jave.
- Si, çfarë deti?  
Me shpirtin copë, tjetri e vështroi gruan fytyrëzbardhur, kthyer në kufomë pa një pikë gjak nëpër deje, që nuk donte ta besonte.
- Zonja Marina, yt shoq vdiq, të rrojnë fëmijët.
 I zgjati dorën e palarë që u përshfaq nën mëngën e rreckosur të xhaketës, po nuk arriti t’ia jepte. Gruaja u rrëzua me zhurmë të shurdhët në dyshemenë e drunjtë. Zhelani u tremb, hyri brenda, e goditi me forcë në dy faqet.
- Ujë, sill ujë, - i foli djalit të vogël shëndetlig, që u shfaq përqosh derës së dhomës.
Fëmija i trembur solli gotën me ujë. Burri dihaste, merrte frymë me zor si astmatik. Me dorë të dridhur e spërkati gruan e alivanosur, që rënkonte, thua po jepte shpirt.
Erdhi në vete ngadalë. Pa nga i biri me sy të hapur jashtë mase.
- Bir mbetët jetimë! - ulëriu me sa kishte në kokë dhe ia krisi të qarit.
U zgjuan fëmijët e tjerë, më të vegjël se Nerveti. Trembur e nemitur, nuk kuptonin asgjë. Qanin me zë të lartë. Gruas i dridhej buza e poshtëme, çirrte fytyrën, shkulte leshrat dhe shtrëngonte e lebetitur fëmijët kërthinj. I huaji u largua ngadalë nga ajo portë mjerimi, fajtor për letrën e mallkuar…
2
            Nervetit s’i shqitej nga mendja ajo pamje lemerie, që e ndoqi gjatë nëpër vite. Kujtonte me imtësi çdo detaj të çastit tragjik, më i rëndi në jetën e tij. E shihte pamjen e lemerishme natën në gjumin e trazuar nga hallet e pambaruara të viteve. Nuk i largohej as figura mjerane e zhelanit të panjohur, si të qe vetë vdekja e shëmtuar. Në hullinë e hapur nga ikja e të atit, pikëllimi nuk u nda për shumë kohë.
I ra barra e tejrëndë të mbajë gjindjen e shtëpisë së shtuar në Vasidolin e gurtë. U burrërua para kohe. Pa mbushur njëzet vjet një rrudhë e hollë u shfaq në ballin e gjërë të djaloshit jetim. Nuk  pati fëmijëri, nuk i njohu lodrat, as përkëdheljet.
Pasi u sfilit vite të tëra me tokën dhe gjënë e gjallë, e pa se nuk i dilej. Kurbetin nuk e donte. Tërë jetën i oshëtinte në vesh karta e zezë atë mot të ashpër kur ai qe fëmijë parritur mirë.
Ulur në gurin e madh anës lëmit, u mendua gjatë ditë me radhë. Së fundi thirri tre djem nga fisi i Shpurakëve.
- Nevojë për shtëpi ka në tërë Mokrën, jo vetëm në Vasidol. Ustallarët kërkohen kudo gjer në Pogradec e më përtej. Them të ngremë një skuadër ndërtuesish, të mësojmë zanatin duke punuar, të mbajmë fëmijët.
- A mund t’ia dalim, Nervet? Shtëpi, nuk i thonë shaka, rrëzohet e ze njerëz brenda, - tha i vëllai.
- Naimit i është prishur kasollja e zahiresë. Fillojmë aty, në u shembtë kashtë do të zerë jo njerëz, as gjë të gjallë, - u përgjigj Nervet Shpuraku.
Kasollja e Naimit u ndërtua për tre ditë. Nuk mund të thuhej se ishte e pashme. Më të sipërm vinte ca e shtrembër, ama për e fortë s’kishte shoqe në tërë fshatin e madh. Ca thonë se edhe sot e kësaj ditë qëndron në këmbë, nuk do t’ja dijë as nga koha, as nga tërmetet.
Kështu zuri fill brigada e ndërtuesve të Vasidolit. Kërkesat për ndërtuesit e rinj vinin në rritje. Sa mbaronin një palë shtëpi, dy - tre të tjerë prisnin rradhën. Nga s’i kërkonin nëpër malësi, po edhe fushës përreth Liqenit e më përtej. Ustai i Vasidolit, burrë i ri në ato mote, me trup të lidhur prej atleti, mustaqe të shkurtëra pis të zeza, ballë të lartë dhe përherë serioz ngjallte respekt. Autoritar, i besës dhe korrekt, nuk ia bënte fjalën dysh asnjë prej shokëve të tij, që me kohë u shtuan në pesëmbëdhjetë e njëzet muratorë e baltaxhinj së toku. Qoshet i gdhendte Nerveti apo bashustai, siç e quanin të gjithë. Edhe plumbçen e spangon ai i vendoste. Nuk lejonte askënd të lëviste nga peri se e bënte rezil ose e përzinte. Jo kushdo mund të punonte me skuadrën e tij.
Theodhori, hanxhiu i lagjes Toplec të Pogradecit erdhi në Vasidol një ditë marsi. Në ato anë marsi nuk është as dimër as pranverë, po diçka e ndërmjetme mes dy stinëve. Një erë e akullt frynte me nxitim përmbi Vasidol, sikur përkëdhelte më dorë të freskët ballin e të sëmurit që digjet ndër ethe. Sa herë vinte për punët e tij në Mokër usta Theodhori nuk ngopej me ajrin e kulluar, ujërat e freskëta, gjarpëruar në çdo hap, po veçan me atë peizazh të pazakonte shpalosur sa të ha syri rreth e rrotull. U prit krahëhapur nga shtëpia e madhe e Shpurakëve, me të gjitha ritet e vendit, nga kafeja e pjekur anës hirit të zjarrit bubulak në oxhakun e qendisur si nuse, deri te darka dhe dollia e dëgjuar e vendit të begatë. Hanxiut i mbetën sytë te basamaku përballë, ku qe vizatuar mjeshtërisht një shqiponjë me dy koka si ajo e flamurit.
- Kemi dëgjuar se jeni ustallarë për mure, - iu drejtua hanxhiu zotit të shtëpisë.
- Murin e kemi zanat me mendje e duar, flamurin në shpirt, të shtrenjtë përmbi gjithçka, - u përgjigj Nerveti.
Rrëfeu pastaj me hollësi atë ditë të rëndë që nuk mundej ta harronte.
Tjetrit i pëlqeu përgjigja më shumë nga shtëpitë, ndërtuar prej duarve të tij. I bëri përshtypje historia e hidhur dhe rrëfimi mjeshtëror, ajo shprehja e paharruar e fytyrës së vasidolasit sa herë zinte në gojë dhimbjen e pashuar të jetës së tij.
- Kam ardhur në emër të miqve të mij të Pogradecit, të na ndërtosh shtëpitë sipas modelit të atyre të Ohrit, - kërkoi Theodhori i krishterë
Ustai i gurit u mendua një copë herë. U zu ngushtë. Shtëpi kishin ndërtuar kudo, po nga ato me një apo dy kate, me çardakë dhe shkallë brenda. Miku i krishterë kërkonte modele të tjera. E dinte, të krishterët qenë sqimatarë të mëdhenj.
- Si sot dy javë do të vi në Pogradec, - tha.
Të nesërmen vetë i pestë, e mbajti hapin në Ohër. Tri ditë vëzhguan ndërtesat e qytetit të vjetër, muret e përthyer, çatitë e valëzuara me lloj - lloj ornamente. Diku i kërkuan njërit të hynin brenda. Nerveti me metrin shirit, gone dhe plumbçe mati qoshet këndngushta dhe nivelin e mureve, vizatoi skica të shumta. Pasi nguli në mendje, më shumë se në kartë ndërtimet tjetërlloj të qytetit të vjetër, u kthye në fshat. Të nesërmen vajtën te Liko Buzua, që u kishte kërkuar të ndërtonin një ashef përqosh shtëpisë.
- Do ta bëjmë siç nuk është parë asgjëkund këtyre anëve, - i tha me buzë në gas, - vetëm të krishterët i ndërtojnë ashtu.
- Qoftë e bërë, - u përgjigj xha Likua.
I hynë punës. Për shtatë ditë ndërtuan një godinë të vogël, murepërthyer, çati të valëzuar, që dukej si ndonjë kukull mes shtëpive të njëtrajtshme. Njerëzia u habitën.
            - Unë thashë ashef mor të uruar jo saraje, - u kënaq sa më s’bëhet Likua.
Ustabashi dhe shokët tij vështronin të lumtur.
Sipas fjalë së dhënë, në krye të dy javëve çatisën në Pogradec, bujtën në hanin e Theodhorit. Nerveti i tregoi hanxhiut skicat e shtëpive të Ohrit. U mblodhën të tjerë, panë me vëmendje vizatimet e ustait. Disa nuk i kuptonin lulkat e defterit, të tjerë dyshonin. Zor se Shpurakët mund të ndërtonin shtëpi aq të hijëshme. Dhori ua dinte vlerën ustallarëve seriozë e punëtorë, u kishte vajtur të oxhaku për t’i njohur më mirë. Kërkoi të fillonin të nesërmen.
            Pas një muaji në mes të Toplecit u ngrit një godinë e pazakontë me dy kate, si ndonjë gonxhe, çelur asaj pranvere. Në të  parin hani ku hynte qerrja me gjitha kuaj, në katin e dytë tre dhoma të bollshme, të ajrosura, me pesë e gjashtë qoshe të ndryshme nga njëra - tjetra. Të gjithë vështronin me habi atë ngrehinë luksoze dhe funksionale. Pastaj u erdhi radha të tjerëve.
            Emri i Nervet Shpurakut gjëmoi kudo nëpër fshatra e qytete, në fushë dhe përtej liqenit, jo me pushkë, por me çekan e mistri, me gurë e baltën e vendit…
3
            Në shtëpinë e madhe të Shpurakëve trokit dera një mbëmje vonë. E hapi Arifi, më i riu nga djemtë e Nervetit. Tre shokët e tij i kërkuan të shkonin në Greqi.
            -U hapën rrugët, - i thanë, - andej fitohet mirë, ky vend nuk bëhet.
            I përmendën raste pafund.
 Arifi u mendua një copë herë. Çdo ditë televizori jepte lajme të hidhura. Hodhi sytë nga arat e Vasidolit. Ishte fillim maji, ato lulëzonin. Një fllad i lehtë sillte aromën e polenit të grurit, syri çelej nga pamja e lulekuqeve, që mbulonin lëndinat si fustan nusërie. Buzëqeshi lehtë.
-Jo, - tha, - nuk vij.

Related Posts: