“La Repubblica” -Nga BERNARDO VALLI
Denoncimi është kundër gazetarëve, por në fakt, së fundmi ky denoncim është ngritur ndaj vetë atij, presidentit francez Nikolas Sarkozi. “Le Monde” e akuzon atë për shkeljen e lirisë së shtypit. Madje, për kryerjen e një krimi: përdorimin për arsye personale të shërbimeve të kundërspiunazhit që kanë për qëllim mbrojtjen e sigurisë së shtetit, sidomos nga aktet e terrorizmit.
Ata u angazhuan në punë për të zbuluar zyrtarin e lartë të Ministrisë së Drejtësisë, që i kishte dhënë informata një kronisti të “Le Monde” lidhur me çështjen ‘Bettencourt’, në qendër të së cilës është aksionerja miliardere e “L’Oréal”. Kjo është një çështje që po torturon Sarkozinë dhe në veçanti ministrin e tij të Punës, Eric Woerth. Operacioni u realizua pasi funksionari u zbulua se kishte marrë urdhra të mos jepte informata. “Le Monde” beson se është shkelur ligji i vitit 2010, i promovuar pikërisht nga Sarkozi. Një ligj që mbron të drejtat e gazetarëve për të mos nxjerrë burimet e tyre. Ky ligj thekson se nuk mund të shkelet konfidencialiteti, sekreti i burimit, përveçse në rastet e interesit të madh publik. Kjo do të thotë se në rast terrorizmi apo në raste kur vendoset në dyshim siguria e shtetit, mund të nxirren burimet e gazetarëve. Por, “Le Monde” thekson se ato që ka publikuar së fundmi në faqet e saj, janë gjykuar si shumë të bezdisshme nga Presidenti i Republikës, i cili ka vendosur të nisë përgjimin e gazetarëve. Lajmet kishin lidhje me një rast korrupsioni dhe jo me sigurinë e shtetit. Njerëzit e Sarkozisë garantojnë se nuk dinin gjë për këtë rast. Por tashmë është hapur një debat publik në vend mes shefit të shtetit dhe gazetës më të rëndësishme në Francë. Presidenti ka mbetur tani peng i një telashi që nuk e kishte parashikuar. Ish-ministri i Brendshëm e kishte ruajtur zakonin e tij për të përgjuar gazetarët. Sa i përket kritikave të gazetave, ai thotë se ato vetëm e irritonin disi presidentin. Por, ai nuk mendonte se gazetat do të arrinin deri aty sa ta denonconin atë. Një vit e gjysmë para përfundimit të mandatit presidencial, me një opinion publik në favor të tij dhe shumë popullaritet, Sarkozi tani duhet të përballet me një kapitull të vështirë, që ka rreziqe të vërteta dhe rrezikon të kthehet në një Sarkogate. Megjithatë, denoncimi tani është nën kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë, e cila mundet edhe të mos e pranojë. Raportet mes Nikolas Sarkozisë dhe gazetave janë përkeqësuar në muajt e fundit. Ndërhyrjet e tij në botën e medias janë gjithnjë e më të shpeshta. Situata e fundit ekonomike dhe pavarësia absolute e aksionerëve të rinj i japin zemër tashmë gazetës më të madhe franceze “Le Monde” të kritikojë presidentin dhe të kërkojë marrjen e masave për përgjimin e gazetarëve, pra përdorimin e shërbimeve sekrete për të nxjerrë burimin e lajmeve. Marrëdhëniet e presidentit me median u vendosën në qendër të vëmendjes së një tjetër gazete pariziene, “Le Nouvel Observateur”. Gazeta liberale e majtë, mjaft e përhapur mes intelektualëve, kishte shfaqur një lloj sensi kritik ndaj Sarkozisë. Në përpjekje për të fituar vëmendjen e zgjedhësve të partisë “Fronti Kombëtar”, edhe “Nouvel Observateur” i shtoi tonet e kritikës. Në kopertinën e saj të fundit shfaqej një foto e madhe e Sarkozisë me nënshkrimin: “Ky njeri është i rrezikshëm?”. Rikuperimi i së majtës i tentuar nga presidenti nuk përfundoi me sukses.