Poezi nga Alma Papamihali

Alma Papamihali

Ajri im
(nga libri - Shtegtim pulebardhe)


O natë që përkulesh ngadalë,
e shtrihesh si shelg mbi liqen,
patjetër çfarë doje tregove
ndaj ikën e pas më nuk vjen.

Në shtrat ashtu mbledhur kruspull,
të mbeturat orë shfleton,
vetë ajri në "të dashur" shndërrohet,
ndaj ëndrra më ndryshe shijon.

Dhe nata përkulet ngadalë
e s´do të tregojë më se ç´di,
me ngjyra të çelura është veshur,
se vetë dashuria s´mban zi.



Paqe Qielli
(Nga Libri - Shtegtim pulebardhe)

Mjaft folëm për dashuritë,
për ato që ndonjëherë,
me çmimin sakrificë puthen,
si të përjetshme hiqen,
(dhe kur me krahë janë)
por shpesh si flutura,
qosheve të mureve struken.
Mjaft folëm për drekat
e darkat e djeshme,
që ia kalojnë dhe atyre,
që më mirë se ne rrojnë,
ç´ ndryshim fundja do ketë,
kur një ditë do heshtim të frymojmë...


Mjaft folëm për arsyet dhe trishtimet,
ç´na u desh e çdo na duhet,
diteve më pas,
eja shtrihemi drejtuar qiellit,
e jeta ndryshe do qeshë,
kur paqja me ne do dijë të flasë.


Related Posts: