Në kërkim të kuptimit

Arbën XHAFERI 


Nocioni "bibliotekë" ngërthen në vete kryesisht domethënie pozitive. Pa marrë parasysh nivelin kulturor, origjinën ose ndonjë përkatësi tjetër të njeriut, të gjithë, thuaja njëzëri, pajtohen me statusin hijerëndë të bibliotekës, qoftë kur bëhet fjalë për bibliotekë private ose publike. Sa për mua, biblioteka më krijon depresione dhe ndjenjën e inferioritetit: më pushton një dëshpërim, një ndjenjë e mungesës definitive të shpresës jo vetëm për shkak se nuk do të arrij t'i lexoj të gjitha ato vepra të mahnitshme të autorëve botërorë, që paraprakisht i pata skajuar për t'i lexuar në pleqëri, por edhe për shkak të vetëdijesimit se shkrimi dhe dija vazhdimisht e humbin betejën me injorancën, por jo vetëm kaq. 


Statusi i intelektualit në shoqëritë moderne sa vjen përkeqësohet, duke u nivelizuar me atë të zejtarëve. Kur intelektuali instrumentalizohet për qëllime jointelektuale, ai shndërrohet në mercenar, shërbyes i grupeve të ndryshme të pushtetit. Në biblioteka ka tmerrësisht shumë libra, të shkruar nga njerëz të mençur, të harruar, të pluhurosur, pa ndikim, saqë vetvetiu parashtrohet pyetja: pse të lexohet, pse të shkruhet, kujt i duhen, kush do t'i ruajë, t'i përdorë ato? Edhe përkundër këtyre pyetjeve trishtuese, njeriu vazhdon të lexojë, të shkruajë, me gjasë për shkak se motivi për komunikim, kumtim, është më i fortë se dëshpërimi trishtues.
Libri ka shumë kundërshtarë - injorantët, pesimistët, politikanët, klerikët, teknologët, ideologët...
Revolucionet, risitë në rrafshin politiko-shoqëror ndikojnë në ndryshimin e botëkuptimeve, dhe me të, edhe në rëndësinë e librave, sidomos të atyre që nuk përputhen me tendencat politike. Ballafaqimi ndërmjet interesit partikular, të pjesshëm (politik), dhe atij universal (njerëzor), pak nga pak përfundon në dobi të atyre që kanë ofertë konkrete, të prekshme, materiale. Bibliotekat janë dëshmitare të këtyre përballjeve ndërmjet qëllimeve të ngushta utilitariste me ato sublime që në vete ngërthejnë vlera universale. 
Në një raft të bibliotekës qëndrojnë libra që kanë mesazhe të papajtueshme, proveniencash të ndryshme. Ato hyjnë në punë vetëm kur njeriu i shndërron në instrument të qëllimeve politike. Kur politika harliset, krijuesit brenda natës fitojnë ose humbin shkëlqimin fiktiv shoqëror.
Me ndryshim të rendit shoqëror ndryshon edhe përmbajtja e bibliotekave. Nëse librat kanë përmbajtje të papërshtatshme për konjunkturat e ndryshme të pushtetit (politike, religjioze, kriminale), ato digjen, ndërkaq autorët vriten, ose korruptohen. 
Sot, kur nën ndikimin e liberalizmit, disidenca, mohu sublim i intelektualit, po zvetënohet, njerëzimi ka filluar ta humbë ndërgjegjen. Prodhimi intelektual trajtohet si çdo mall tjetër në treg që blihet. Kur krijimtaria, morali, bindja blihen, atëherë libri e humb vlerën imanente që ka pasur me shekuj. Njëri nga këto libra, që dikur më dukej tërheqës, sa për mua edhe tashti mbetet intrigues është i autorit rumuno-francez, Emile Michel Cioran (1911-1995). Është fjala për esetë e tij "Historia dhe Utopia" dhe "Rënia në Kohë", që në edicionin kroat (Demetra) është botuar me titull të përbashkët "Gjakimi për Pafuqi". Ky titull është kontrapunkt me atë të Nietzsches: "Gjakimi për Fuqi", që flet për antagonizmat filozofike dhe morale ndërmjet tyre. Ajo që ma tërhoqi vëmendjen te ky autor rumun që shkruante, krahas rumanishtes, edhe me një frëngjishte të përsosur, ishte konstatimi se brengat e filozofëve dhe të intelektualëve burojnë nga pamundësia që njeriu ta njohë tërësinë. Në të parë, ky konstatim duket i thjeshtë, mirëpo në thelb është një konstatim që iluminon, që e ndriçon mendjen: njeriu i njeh elementet, por jo tërësinë, absoluten, kuptimin e ekzistimit, dhe të gjitha përpjekjet për të depërtuar në këtë zonë të ndaluar për njeriun përfundojnë me disfatë, me trishtim, dëshpërim, me brengë. Këto dilema, në rrafshin filozofik, paraprakisht i pat hapur Emanuel Kanti (1724-104). Cioran, ky filozof i pikëllimit që shkruan si poet, me një gjuhë plot hiperbola, metafora, krahasime për ta shpjeguar arsyen e ekzistimit, në fakt e fshehë gjakimin për metafizikë "pa të cilin filozofia shndërrohet në psikologji" (Marin Soresku). Ai nuk e fsheh pikëllimin, brengën që ia shkakton pamundësia e njeriut për ta kuptuar "pse"-në e madhe të ekzistencës. Europa perëndimore prodhoi Soren Kierkegaardin, filozofin e brengës si pasojë e pamundësisë për ta njohur të përtejmen, Europa lindore prodhoi Emile Cioranin "...urrejtësin më të madh të kulturës perëndimore... diagnostikun e nihilizmit mazohist", ndërkaq letërsia shqipe (jam i vetëdijshëm se krahasimi është pretencioz) pati një orvatje të ngjashme me "PSE"-në e Sterjo Spasses. Stili eseistik i ligjërimit të tij ia mundëson të shkruajë lirshëm për çdo temë, duke mos fshehur dyshimet për idealet, për religjionin, moralin, për mashtrimet kardinale. Stili tij është i thuktë, por megjithatë arrin të paralajmërojë se konceptet tona filozofike ose religjioze për tërësinë janë të rrejshme. Ai konteston legjitimitetin e një rrëfimi të vetëm për të përtejshmen. Në rrëfimet e krishterimit ai shpall të drejtën për dyshimin absolut. Ai konstaton pamundësinë e njeriut për ta kuptuar të përgjithshmen, tërësinë, por nuk dorëzohet. Konteston gënjeshtrat kapitale filozofike, religjioze. Refuzon të pranojë pretendimet që për këto pyetje të trishta të jepet vetëm një përgjigje, qoftë edhe religjioze.
Të gjitha këto përsiatje për kapacitet e limituara të njeriut për ta kuptuar tërësinë e ekzistencës, ai i mbarështron në librat: "Historia dhe Utopia" (Dy lloj shoqërish, Rusia virus i lirisë, Në shkollën e tiranëve, Odiseada e hidhërimit, Periudha e artë) dhe "Rënia në Kohë" (Druri i jetës, Portreti i të qytetëruarit, Skeptik dhe barbar, A është demoni skeptik, Dëshira dhe tmerri i famës, Për sëmurjen, Rreziku nga urtësia, Të biesh nga koha).
Stili i tij i të shkruarit është eseja, kështu që në të dy librat lexuesi nuk do të hasë në fusnota, pos një vendi, që është e përkthyesit. Cioran, si Zeusi, çdo mendim e nxjerr nga mendja e tij, dhe shumë pak nga vdekatarët e tjerë.
E zgjodha këtë autor rumuno-francez, shumë të lexuar në shtetet perëndimore dhe shumë pak në këtë pjesë të Europës, për shkak të mënyrës së trajtimit të brengës së njeriut lidhur me kuptimin e të jetuarit, nihilizmit të rafinuar, përgjigjeve interesante pyetjeve sfilitëse. "Jepja në dorë një të dëshpëruari librin e Cioranit dhe ai menjëherë do të heqë dorë nga vetëvrasja", thotë njëri nga recensuesit e këtij libri. Ky konstatim ia merr peshën metafizike, pra filozofike, librit dhe i jep relevancë psikologjike, që nuk është qëllimi i autorit...
Sugjeroj që këto dy vepra të lexohen në gjuhën frënge, të botuara nga Gallimard: "Histoire et utopie", 1960, dhe "La chute dans le temps", 1964.

Posted via email from Shkupi Press extra