Çasteve të qetësisë për qytetin tim të lindjes, Nju Jorkut, u ka ardhur fundi. Forcave policore iu desh të ndanin dy grupime demonstruesish kundërshtarë në vendin ku është paraparë për të hedhur shtat një qendër islamike, e quajtur “Cordoba Center”. Gjendet veç disa hapa larg nga World Trade Center, por mbrojtësve e shfrenuar të kujtesës së përgjakshme të sulmeve të 11 shtatorit, edhe sikur të bëhej fjalë për dy milje larg, përsëri do t’u dukej fare afër. Kjo çështje nuk është aspak e një rëndësie jetike për pjesën dërrmuese të qytetarëve njujorkezë, të vënë në siklet nga papunësia apo mundësia për të humbur vendpunën që ende e kanë, edhe pse nga ana tjetër një pjesë e madhe e amerikanëve do të parapëlqenin që kjo qendër të ngrihej në një vend tjetër. Që me fjalë të tjera, të lë të kuptohet se nuk dëshironin të ndërtohej në asnjë vend tjetër. “El Pais”
CIA ka zbuluar se vendit i kanoset një tjetër kërcënim nga Al Qaeda në Jemen, çka do të kërkonte një zgjerim të luftës në vendet me popullsi muslimane, pas Afganistanit, Irakut, Pakistanit e Somalisë. Kundërshtia e mllefosur ndaj qendrës islamikë në Nju Jork shumëfishohet nga prirja jonë kombëtare për ta kërkuar armikun edhe atje ku ai nuk gjendet. (Kur mendoni vallë se ndonjë amerikan që udhëton në zona të rrezikshme do të na bëjë me dije se po na vërtitet mbi kokë edhe rreziku që vjen nga kuzhina e “Kalit të Kuq” në Kordovë...?).
Rrënimi i standardeve tona intelektuale e kombëtare nuk po njeh cak. Në botimin e saj të fundit, revista “Foreign Affairs” u lë hapësira të lira dy shkrimtarëve të sertë ndaj Islamit, ku e përbashkëta e tyre është se nuk ia thekin fare për çështjen që shtjellojnë, edhe pse mund të thuhet se “marrëzia e tyre është metodike”: po përfshihemi në një fushatë këmbëngulëse nga një pjesë e elitës sonë perandorake, në favor të luftës kundër Iranit. Për evropianët mund të thuhet se janë në mëdyshje. Apo ndoshta nuk e kemi kuptuar mirë kur na e kanë stërthënë (nga burimet zyrtare dhe jozyrtare) se jemi një vend i modelit të multikulturalizmit, i integrimit të rrymave të ndryshme të emigracionit, dhe për këtë, kemi rënë në një mendje si komb në tërësi?
Në të vërtetë, afro-amerikanët e Shteteve të Jugut e ushtruan të drejtën e votës vetëm nga viti 1964, ndërkohë që teorikisht këtë të drejtë e gëzonin një shekull më parë. Deri kur në vitin 1945 zunë fill protestat e vazhdueshme të komuniteteit hebraik (ndihmuar edhe nga kompleksi i fajit ndaj boshllëqeve ligjore të Nurembergut), atyre, shpesh dhe në vende të ndryshme, u mohohej e drejta për të blerë prona, për të zënë punë apo për t’u regjistruar në shkolla. Qytetarët amerikanë me origjinë japoneze u mbyllën në kampe përqëndrimi në vitin 1942, ndërsa gjykatat kundërshtuan t’i zhdëmtonin në bazë të ligjit. Gratë e fituan të drejtën e votës në vitin 1919, por Shtetet e Jugut (është e kuptueshme se u vunë në sëkëlldi se do të humbisnin rolin mbizotërues të mashkullit, që do të dëmtonte edhe pushtetin e ‘të bardhit’) i luajtën të gjitha gurët, me qëllim që ta ndalonin këtë veprimtari. Kështu ka ndodhur edhe me komunitetin e qytetarëve amerikanë me origjinë kineze, që nëpërmjet “Chinese Exclusion Acts”, ua kishin ndaluar të gëzonin të drejtën e qytetarisë, që nga viti 1982 e deri në vitin 1943.
Në një nga filmat më të hershëm e klasikë të kinematografisë amerikane “Lindja e një kombi”(1915), i thuret lavde kundërshtisë ndaj dhënies së të drejtave civile ndaj skllevërve të Jugut, nën mbështetjen e fuqishme të kapuçonëve të Ku Klus Klanit. Me kalimin e kohës, organizata fitoi përmasa kombëtare dhe në vitin 1925 numëronte tre milionë anëtarë të shpërndarë në të gjithë vendin, të aftë për të zgjedhur kongresmenë, senatorë e guvernatorë. Për më tepër që kundërshtia ndaj të drejtave për afrikano-amerikanët ishte shenjë vrerosjeje anti-katolike dhe anti-semite.
Kur guvernatori reformist i Nju Jorkut, Al Smith, i biri i një çifti emigrantësh irlandezë garoi për zgjedhjet presidenciale të vitit 1928, dështoi në mënyrë të turpshme. John Kennedy vazhdon të mbetet i vetmi president katolik i SHBA-së, por edhe ai nuk u shfaq si i tillë, por si një aristokrat nga Harvardi dhe hero i luftës. Emigrimi - përgjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekXX – i miljona katolikëve, irlandezëve, italianëve dhe sllavëve, po ashtu si edhe i ortodoksëve grekë e armenë, u pranua me paragjykime të ashpra, madje në disa raste u përball edhe me veprime të dhunshme. Duhej të kalonte një kohë e gjatë deri kur emigrantët dhe të prejardhurit të bashkoheshin në mbrojtje të të drejtave të tyre, të mundësive ekonomike dhe barazisë ligjore, përmes lëvizjeve sindikaliste dhe “New Deal”-it të Franklin Roosevelt-it. Shpesh herë, grupime të persekutuara nuk shprehnin ndonjë shenjë solidariteti me grupime të tjera të paprivilegjuara, për shkak edhe të ndjenjës së frikës, edhe pse e shihnin se padrejtësia i prekte të dyja palët. Trupave fitimtare të Ushtrisë së Veriut në Gettysburg iu desh të merrnin udhën për në Nju Jork, për të ndalur përleshjet mes emigrantëve të varfër irlandezë dhe zezakëve. Ata që i kanë ndjekur seritë e filmit “Los Sopranos” janë mjaft të ndërgjegjshëm se qytetarët amerikanë me origjinë italianë nuk u shfaqën si pasardhësit shpirtërorë të Dantes. Gjithsesi, fushatat ksenofobe të asaj kohe kundër emigrantëve drejtoheshin zakonisht nga amerikanë me prejardhje italiane.
Personazhet më vulgare, moralisht e kam fjalën, të politikës amerikane, ish-guvernatorja Palin dhe ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, janë shfaqur si politikanët që e kanë ngritur zërin në kupë të qiellit kundër projektit të qendrës islamike të Manhattan-it. Nëse ka gjasa që Palin i beson me të vërtetë ato që thotë, Gingrich-i është kryekëput cinik. Këtyre të fundit mund t’u shtosh edhe një numër të amullt mbështetësish të Izraelit, për të cilët çdo konflikti me Islamin ia vlen t’i turresh me të katra. Më pas, rreshtohen mbështetësit e hershëm të luftës në Irak, që tubohen rreth Dick Cheney-it; protestantët fondamentalistë, për të cilët çdo lloj kryqëzate ndaj të ndryshmëve është teologjikisht e justifikueshme, e qëtë gjitha këto grupime formojnë kështu një proçesion mjeran...
Një pjesë e inteligjencës së elitës sonë perandorake, duke vajtuar pamundësinë e përfitimit të mbështetjes së popullatave të vendeve muslimane, ia nxjerr dufin emigrantëve muslimanë të SHBA-së. Megjithatë, i gjithë shtjellimi i mësipërm do të kishte qenë dobisjellës vetëm në rast se kultura jonë darviniane të mos ketë ndotur edhe venat më të holla ku qarkullon pezmi i psikikës sonë kombëtare.
Home »
» Manhattan-i, xhamia, ylli dhe kryqi