Të dish çka duan lexuesit nuk është e komplikuar, në epokën e internetit. Mjafton të llogarisësh sa përdorues janë përqendruar në një argument duke i konsultuar ueb faqet e gazetës për të pasur një klasifikim të preferencave të tyre. Disa redaksi kanë filluar t’i marrin shumë seriozisht këto statistika, që janë të menjëhershme dhe lehtësisht të realizueshme. Takimi i mëngjesit në «Wall Street Journal» nis me listën e argumenteve që kanë gjeneruar më shumë trafik në wsj.com, dhe në qendrën e redaksisë së «Washington Post», një tabelë gjigante e ndritshme tregon se si është duke shkuar leximi i artikujve në versionin ueb të së përditshmes.
Tekefundit, ç‘të keqe ka? Çdo industri dëshiron të dijë se si gjykohen prodhimet e saj nga publiku dhe është e gatshme t’i pranojë sugjerimet. Por industria e gazetave ka karakteristika të tjera, ka shpjeguar Bill Keller, në polemikë me rivalët e «Wall Street Journal». «Ne nuk i lejojmë statistikat – ka thënë – të na e diktojnë agjendën e ditës, ngase mendojmë se lexuesit vijnë te ne për ta njohur gjykimin tonë për zhvillimet e caktuara, jo gjykimin e turmës». Edhe Jean-Marie Colombani, kur ishte drejtor i «Le Monde», përsëriste se detyra e gazetave është ta bëj opinionin publik të reflektojë, jo ta ndjekë. Një e përditshme duhet t’i shprehë pikëpamjet e veta mbi problemet e botës dhe ta krijojë një lidhje me lexuesit që e çmojnë cilësinë dhe seriozitetin edhe kur nuk janë dakord me atë që lexojnë.
T’iu japësh të drejtë preferencave të shprehura online mund të jetë jashtë kohe dhe e rrezikshme. Il «Washington Post» ka bërë një mbulim të shkëlqyeshëm të zgjedhjeve në Angli, të cilat janë përcjellë me shumë pak vëmendje nga përdoruesit e tij ueb. Ndërsa, sasia më e madhe e trafikut është gjeneruar nga një shërbim mbi pantoflat e gomës Crocs. «Post», për fat, nuk i ka thirrur të dërguarit e vet në Londër që të përqendrohen te pantoflat. Që t’iu jepet e drejtë klasifikimeve të asaj që shikohet më shumë online, do të duhej në të vërtetë t’iu destinohen më shumë burime sfilatave të Victoria’s Secret, reality show-ve apo mbulimit të historive të dashurës të personave të famshëm, duke i larguar nga politika dhe ekonomia.
Dikush tashmë e ka bërë. Duke u detyruar të përballet me pasojat e reduktimit të personelit me rreth 50 për qind, redaksia ueb e «Los Angeles Times» i ka angazhuar gazetarët e pakët të mbetur në argumente që lexuesit i lexonin më tepër, duke i lënë anash argumentet tjera. Ekspertët e sektorit editorial mendojnë se gazetarët rrezikojnë të kenë të njëjtin fund si televizioni përgjithësues, i cili prej se ka filluar ta masë shkallëzimin e programeve, është përkeqësuar në mënyrë progresive. E njëjta ka ndodhur me politikën, në mënyrë të posaçme në Itali: obsesioni i sondazheve bën ashtu që ai që duhet të qeverisë e ndjek ndjesinë e përgjithshme, në vend se të bëjë zgjidhje që do të mundësonin marrjen e përgjegjësisë dhe mbase të jo popullaritetit.
Tundimi i ofruar nga teknologjitë e reja është shumë i fortë. Interneti mundëson jo vetëm të dish cilat argumente preferohen, por edhe sa vëmendje u është kushtuar reklamave që i shoqërojnë. Buzë një krize përnjëmend serioze, shumë administratorë gazetash janë ulur të arsyetojnë pak a shumë mbi përparësitë që arrihen nëse i jepet e drejtë turmës. Në fund, të bësh para përmes informacionit nuk është e vështirë. Është më e vështirë ta shpëtosh gazetarinë.