Kultura dhe Nacionalizmi

Dr. Stefan Çapaliku
Dr. Stefan Çapaliku



Gjithnjë më ka ndodhur të gjendem ngushtë, sa herë ka rënë fjala, për t'i dhënë një përgjigje të kënaqshme pyetjes, se në ç'raport qëndron identiteti kulturor me nacionalizmin. Pyetje kjo, që më ka gjetur vazhdimisht në befasi, sidomos duke biseduar me veten.
Identiteti ynë bashkëformësohet nëpërmjet shtresëzimeve të shumta dhe rrathëve që priten me njëri-tjetrin. Familja jonë, rrethi i shokëve, shtëpia në të cilën jetojmë, bashkësia apo rrethi ynë, duke përfshirë këtu dhe pejsazhin natyror, profesioni, organizata në të cilën jemi aktivë, grupi krahinor, dialekti që përdorim, kombi, shteti, qytetarë të të cilit jemi, por gjithashtu edhe rrethi më i gjërë civilizues, ku ne ndjehemi pjestar nëpërmjet rrënjëve të lashta dhe historisë sonë, dhe në fund të fundit gjithashtu edhe "qytetaria" jonë tokësore. Siç shihet, këto dhe shumë faktorë të tjerë që bëhen përcaktues të identitetit tonë, mund të ndahen në dy kategori të mëdha në raport me vullnetin tonë për të ndikuar mbi to: në ato mbi të cilat mund të bëhemi protogonistë dhe në të tjera ndaj të cilave ndjehemi thjesht dëshmitar.
Shpesh kërkime të tilla nisin e të çojnë drejt shtigjesh të errëta të tipit etimologjik, antropologjik, etnologjik etj, duke të larguar nga një përmasë sinkronike e gjendjes së problemit, do të thotë duke të shtyrë me domosdo drejt përdorimit të lentes. Por duke besuar fillimisht te thënia e famshme e Gëtes se çdo sjellje e jona është shprehje e kulturës sonë dhe se nacionalizmi kulturor shpall publikisht se një individ lidhjet më të thella me kombin i trashëgon dhe nuk i zgjedh, atëhere më duhet që ta shikoj çështjen jashtë "laboratori", domethënë si një objekt brënda meje.
1. Ditë pas dite.
Zgjohem çdo ditë në orën 7 pa një çerek dhe gjej mbi tavolinën e kuzhinës gotën e qumështit që ma ka përgatitur ime shoqe, (Qumështin e sjell çdo mëngjes te dera një katundare prej Farke). Mbas ndoshta 10-20 minutash nis ta marr veten nga gjumi i rëndë i natës, të zgjohem krejtësisht dua të them, dhe kjo më ndodh tamam kur detyrohem të përkulem për t'i lidhë këpucët djalit tim të vogël. Më pas ndez televizorin dhe ngaqë s'dua të konsumoj edhe njëherë lajmet e darkës, e çoj diku ku ka muzikë. Kohët e fundit, thuajse gjithnjë më ndodhë të ndeshem me tingujt e këngës "Sex bomb", madje aq shpesh sa këto fjalë tunduese kanë nisë të humbin kuptimin e tyre real. Vesh kostumin e blerë në Gjermani dhe dal për në punë. Marr një nga furgonët e radhës dhe, gjatë atyre dhjetë minutave, ndjehem thellësisht i shtërnguar të dëgjoj muzikën e kasetës së shoferit. Një lloj surrogatoje në mes muzikës rome me mbeturinat e orientalizmave të Shqipërisë së Mesme. Ndalem fillimisht në barin e institucionit (sepse ende kam kohë) dhe pi me shumë kënaqësi ekspresin italian, duke përtypur në të njëjtën kohë tre gazeta radhazi: "Shekulli", "Koha jonë" dhe "Gazeta shqiptare". Sërish, diku nga fillimi a nga fundi i seancës së kafes, shfaqet (pa) pritmas kënga "Sex bomb". Ngjitem në zyrë dhe hap kompiuterin për të kontrolluar fillimisht postën elektronike. Veç ndonjë mesazhi të radhë miqsh shoh sesi në adresën time zyrtare hyjnë lloj-lloj tekstesh nga përsona shpesh të panjohur, që kushedi se nga e kanë marrë adresën time. Gjej përshembull një letër nga një shkrimtar maltez që më propozon të solidarizohem me lëvizjen për mbrojtjen e arinjve polarë, që na qënkëshin duke u keqtrajtuar në Kinë, të një studiuesi amerikan të estetikës afrikane, të një kompanie italiane që koleksionon fjalë të urta nga e gjithë bota, e të tjera si këto. E kështu vinë me radhë mbledhjet e ditës, takimet me njerëz që vinë nga qyteti im i lindjes të zgjidhin hallet e spitaleve apo pensioneve (edhe pse unë punoj në një zyrë kulture), të tjerë që ankohen për xhamet e thyera të bibliotekave ndër rrethe apo librashitës të kërcënuar nga policia ndërtimore për prishjen e kioskave të veta. Më pas shkresa (në shqip, anglisht apo…), projekte, akte nën ligjore, takime pune.
Kthimi për në shtëpi, muzika e furgonit, dreka e vonuar, sërish lajmet, bisedat harrakate me fëmijtë, leximi i romanit "Dragoi i fildishtë" të Fatos Kongolit, nisur një javë më parë, pastaj kafja e gjatë e mbasdites me miqtë, darka, ikja e dritave, gëzimi i ardhjes sërish, rileximi i esesë së Alain Filkenkrout "Disfata e mendimit", televizori dhe...gjumi.
Kështu sosë dita ime orientalo-shqiptaro-përëndimore. Dhe kështu rinis sërish dita tjetër me pothuajse të njëjtën skemë. Ndryshimet janë të radha, (Ndërrojnë vetëm titujt e librave, të këngëve, apo ndonjë element tjetër jo esencial).
E sigurisht që pas një pershkrimi të tillë mund të pyetet vetja: Si jetoj unë? Si shqiptar, si europian apo si qytetar i zakonshëm i kësaj bote?
Çka shqiptare në ditën time, ç'është orientale në ditën time dhe së fundi çka përëndimore në të? A jam unë në gjendje t'i ndaj, do thotë t'i dalloj? A janë ato të ndara? A është ky identiteti im kulturor? A jam unë protogonist i identitetit tim, apo thjesht dëshmitar i tij?
Këto dhe plot pyetje të tjera që të lindin përgjatë një refleksioni edhe më të thellë mund të hapin polemika nga më të çuditshmet, por edhe nga më të rëndësishmet.
2. Gjuha si element i identitetit dhe nacionalizmit kulturor
Në një prej librave më seriozë të shkruara mbi këtë çështje siç është ai "Letërsia dhe nacionalizmi", botuar më 1991 nga Universiteti i Liverpulit, thuhet se "Nuk ka nacionalitet të pastër pa letërsi dhe anasjelltas nuk ka letersi të pastër pa nacionalizëm". Dhe padyshim që bartësja themelore e këtij raporti është gjuha.
Gjuha është mënyra më natyrale e kristalizimit të ndjesive dhe ideve të njerëzve, dhe këtu s'kemi thënë asgjë të re. Mirëpo ndërgjegjësimi, kujdesi dhe vëmendja e njerëzve mbi mjetin e tyre themelor të komunikimit, zgjohen vetëm atëhere kur konstatojnë rrezikun e përjashtimit nga rrethe dhe komunitete të tjera. Në këtë moment ata shtërngohen edhe një herë rreth vetes, do thotë rreth komunitetit nacional etnik. Në kushte të tjera, pra në kushtet kur nuk rrezikohet ky kod kolektiv komunikimi, që është gjuha, njerëzit nisin të ndjehen mirë në guackën e identitetit dhe nacionalizmit të vet kulturor.
Mirëpo thirrja në emër të etnicitetit apo të gjuhës nuk mund të jetë kurrësesi udhërrëfyese e së sotmes e as së ardhmes, as atëhere kur jemi pjestar i një shteti, të krijuar në bazë të këtyre kritereve. Ajo është thjesht një protestë kundër një status quo-je, ose më saktë kundra " të tjerëve", që përbëjnë kërcënim ndaj grupit të përcaktuar etnikisht. Po a jam unë i "kërcënuar" kulturalisht?
Kujtoj këtu një letër të famshme të vitit 1932, që Don Lazer Shantoja, aso koke kapelan në një katund gjerman të Zvicrës, i shkruante At Gjergj Fishtës: "Due vetëm t'Ju shtie ndër mend nji fjalëz të Goethes. Sa pare bajnë ma në fund gjykimet e tjervet mbi nji poet? Gjykimi ma i mirë e i parrejshem asht gjithmonë ai qi poeti vetë i jep vetes. E qe çfarë mendonte për vete ky vigan i popullit gjerman. E thotë me dy fjalë të shkurta, për ata qi s'dijn ça asht arti, të pakuptueshme. Goethe nuk lavdohet pse ka mbërrijtë me shkrue Faustin, por pse ia ka dalë me shkrue pak si mirë gjermanisht: ein bisschen gut deutsch...Këtu Fishtë rri edhe tanë madhnija e Juej si letrar.........Gjuha e Juej, fjalët, frazat, periudhat janë erë e tokës së Shqipnis, janë ngjyrë e diellit të saj, lule të livadheve t'atmes, janë gurgullima e lumejve e ferfellima e pyjeve të saja, trajta e maleve e e kodrinave të vendit. Aty lëvizë ritmi i gjakut shqiptar, tingëllon zani i qinde-e mijëvjetve, pasqyrohet fëtyrat e kreshnikëvet e idealet ma të nalta të prisave e fatosave tonë. Nji qi nuk asht shqiptar, qi nuk e ndien veten mundohet kot: nuk e kupton. Ju jeni i papërkthyeshëm."
3. Nacionalizmi si ideal kulturor i shqiptarëve
Thotë At Anton Harapi, një prej kulturologëve më të shkëlqyer shqiptarë, në artikullin "Shqiptari i Madh", në rastin e një botimi përkujtimor mbi jetën dhe veprën e Fishtës, më 1943: "Kam ndodhë vetë aty, kur nji ditë, nji shqyptar këthefit të vjetër, tue ankue për do shpërdorime të nierzve të Shtetit me A.Gjergjin, dote disi me përfundue, se s'ka Shqypni. Fishta don t'ia spjegojë punën, se njerzit e Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë: Po na se kemi dijtë, more zotni...veç prej jush e kemi xanë shka asht Shqypnija!"
Në esencë kjo duket se është gjeneza e nacionalizmit shqiptar, një nacionalizëm iluminist, i formuar dhe i mbështetur mbi iluzionet estetike të njerëzve të kulturës, e shkrimtarëve posaqërisht. "Moti i Madh" te De Rada, Naimi, Mjeda, Noli etj. etj. dhe më pas naciocentrizmi i gjithë propogandës artistike dhe Kitch-it të realizmit socialist, kanë ndërtuar hap pas hapi dimensionet e nacionalizmit shqiptar, i cili për një farë kohe arriti të marrë përmasat edhe të një fondamentalizmi kulturor.
Michael Ignatieff shprehet në librin e tij "Gjaku dhe përkatësia. Udhëtime në nacionalizmin e Ri" se: "Si ideal kulturor, nacionalizmi është pohimi, se ndonëse burrat dhe gratë kanë shumë identitete, është kombi ai që u siguron atyre formën thelbësore të përkatësisë."
I jemi afruar kështu konceptit të atdheut si një strukturë e mbyllur, si një shpellë që i mbron njerëzit nga bota, në vend të një hapësire që krijon kontakte me të, më tepër si një instrument të izolimit të njeriut nga të tjerët, sesa një portë që i hapë atij rrugën për tek të tjerët.
Një prej ithtarëve dhe ideatorëve të një Europe të së ardhmes, presidenti çek Vacllav Havel, në një fjalë të mbajtur në paralamentin gjerman më 24 prill 1997, duke trajtuar eskluzivisht këtë problem thotë se: "Në këtë pikpamje atdheu po e humb përherë e më qartë atë dimension shpirtëror apo përmbajtjë shpirtërore. Përherë e më pak ai po paraqet një tërësi të vlerave ndjesore, të atyre vlerave të pranuara si bashkësi, ose nga trashëgimia e tij shpirtërore. Kështu ai po shndërrohet vetëm në një mal të vdekur të atributeve të tija formale dhe të boshatisura nga ana përmbajtësore, si kostumet, banderolat apo meloditë e përsëritura pafundësisht.
Unë besoj se bota moderne, me kohë do ta lërë prapa konceptin tradicional të shtetit nacional, si një pikë kulmore e ekzistencës nacionale dhe me këtë, pranimin si de facto të fundit të historisë"
4. Nga nacionalizmi te kaosi kulturor.
Kjo hapje dhe kjo neveri natyrale ndaj izolimit 50-vjeçar si dhe ndaj komunizmit nacionalist e bën mjaft më të vështirë hetimin mbi çfarë po ndodh në artin bashkëkohor shqiptar dhe në kulturën shqiptare përgjithësisht, shpesh të quajtur ngutshëm "Tranzitiv", "Postkomunist", etj. Mbas sa e sa tentativave të ndodhura kohëpaskohe për të analizuar gjendjen estetike dhe kulturore, ajo që ka mbetë ka qenë më tepër një mbresë kaotike, eklektike, thuajse e gjitha kjo qe bërë me qëllim për të përvijuar edhe këtu tek ne ekzistencën e një situate postmoderne. Në fakt nuk është ndërtuar një e tillë atmosferë. Produksioni kulturor shqiptar nuk ka të bëjë ende me një bashkëjetesë stilesh, arketipesh dhe prototipesh, të cilat e polarizojnë audiencen. Ai i ngjan më tepër një peme të vetme, të vaditur nga kova uji të mbushura herë në një vend të Evropës e herë në një tjetër, varësisht nga rastet e udhëtimeve dhe informacioneve të artistëve. Mirë. E natyrshme, kjo një një situate hapjeje.
Po ç'ndodh pas gati dhjetë vjet komunikimi dhe lirie. A mundemi ne me thanë se ky "tranzicion" dhe ky status "postdiktatorial" do vazhdojë në pafundësi? Kaotizmi, eklektizmi, manierat dhe plagjiaturat krijuan një tjetër status estetik te audienca, veçanërisht në momentin e ballafaqimit me lukunitë e kitch-it. I gjithë ekosistemi kulturor u prish. Programi mbi ekologjinë kulturore nuk ekziston. Ekuilibri midis "si duhet" dhe "si shkon" u çatrafilua. Kjo do të thotë se vazhdojmë të jetojmë në një mjedis të ndotur kulturalisht, ku mbetjet e kulturave të tjera hyjnë kontrabandë, të pa doganuara, të patatuara dhe pa një gropë të veten, duke toksikuar për ditë shijen e shqiptarëve.
Nuk duam çfarë dimë, se nuk dimë çfarë duam. Ky postulat i hershëm shqiptar rishdaqet herë pas here në kulturën tonë si të ishte refreni i situatave pa krye.
5. Post scriptum
Unë vazhdoj i qetë ditën time orientalo-shqiptaro-përëndimore, duke ëndërruar të bëhem protogonist i saj. E di se mbetem dëshmitar. Një dëshmitar që nuk ndikon aspak në vendimin e gjyqit. Ai është marrë me kohë. i prerë, i thatë, gjysmak: çështja do shqyrtohet nga një tjetër gjykatë, e një shkalle më të lartë. Ajo edhe mund ta rikthejë dosjen për rishqyrtim, nëse nuk e gjen të plotë....