Nga Amira Hass (Haaretz) Nga fundi i viteve ’70-të ose aty nga fillimi i viteve ’80-të, profesori i filozofisë dhe linguistikës Asa Kasher mori fjalën për të diskutuar mbi ndryshimet mes qeverisjeve të drejtuara nga “Laburistët” dhe ato të “Likud”-it. Të parët qenë hipokritë, edhe pse kjo kishte dobitë e saj. Në fund të fundit, hipokritët e dinin se ishin të shtrënguar të vepronin në këtë ‘sistem vlerash’, prandaj edhe ai vetë i përçmonte këto veprime. Komentet e Kasherit lënë të vetëkuptohet se qeverisjet laburiste ishin të vetëdijshme se të sundosh një popull pa dëshirën e këtij të fundit, përbënte një veprim të papranueshëm. Ndërsa kur flitet për Likud-in, prof. Kasher u shpreh në po atë fjalim se - me aq sa të vjen në ndihmë kujtesa para 30 vitesh – atyre nuk ua ndjen fare për sistemin e vlerave. E papranueshmja shndërrohet në legjitime. Në këtë kuptim, kryeministri Beniamin Netanjahu është shndërruar në një “laburist të thekur” për të aktruar rolin e ‘hipokritit’, ndërkohë që ministri i jashtëm Avigdor Liberman është një likudist i “apdejtuar”, nisur nga përcaktimet e përdorura nga prof.Kasher. Libermani është dikush që e tregon qartë udhën që duhet ndjekur, ndërkohë që Netanjahu e mjegullon dhe e turbullon në atë farë mënyrë, sa aleatëve të amerikanëvë t’u zbehet çdo lloj përparimi, ndërkohë që popullata në vend shpreson më kot të dalë nga bataku i “Mbretërisë së Deja vu”-ve.
Libermani, jo-hipokriti, është i vetëdijshëm kur thotë se nuk do të ketë nënshkrim për marrëveshje paqeje, madje edhe nga brezat që do të vijnë. Marrëveshja për paqe nuk është një kontratë biznesi. Ajo kërkon paraprakisht një ndryshim rrënjësor të sistemit të vlerave, që nuk gjendet as edhe në një rrokje të fjalorit të shtetit të Izraelit(që nga ana e tij përdor mjeshtërisht sistemin e standardeve të dyfishta). Popullatës së këtij shteti nuk ia cek mendja se një ditë të bukur do t’u duhet të heqin dorë nga privilegjet që u kanë dhuruar qeverisjet në radhë. Po, kush e vret mendjen më gjatë se këto privilegje lidhen me tjetërsimin, dhunimin e lirive njerëzore, të cilat rrezikojnë që i gjithë rajoni të përzhitet. Pak ditë më parë, Ministri i Shkencës dhe Teknologjisë, Daniel Hershkowitz, u intervistua në emisionin e mëngjesit të “Radios së Ushtrisë”, në të cilin ai argumentonte se ishte e pamundur të zgjatej periudha e ngrirjes së ndërtimeve të reja në Bregun Perëndimor, përsa kohë që palestinezët vazhdojnë të ndërtojnë.
Askush nuk mund të priste që nga një radio ushtarake të dilnin mendime ndryshe nga ato që u dëgjuan, si për shembull: “Qysh kur parimi i barazisë na qenkërka kaq befasisht i rëndësishëm për lobet e ndërtimeve, përse vallë banorët e Nablusit dhe Bregut Perëndimor nuk mund të kenë një shtëpi banimi në Haifa, në Ashkelon apo në Galilee, ndërkohë që banorët e Haifa-s apo ata të kibutcëve të Hazorea-s lejohen të ndërtojnë në Lartësitë e Nablusit, në Jeruzalemin Lindor Palestinez, apo në Silwa”?
Por, intervistuesi nuk korrigjoi as edhe shtrembërimet e fakteve, si dhe nuk u bëri me dije dëgjuesve se palestinezët nuk vënë dot as edhe një tullë pa lejen e autoriteve izraelite. Në 62 % të territorit të Bregut Perëndimor që është nën kontrollin tërësor të Izraelit, e njohur si Zona C, Izraeli ka ngrirë ndërtimet palestineze që prej katër dhjetëvjeçarësh. Le të hamendësojmë për një çast që intervistuesi, pavarësisht raporteve të panumërta gazetareske lidhur me këtë çështje, nuk është në dijeni të fakteve se palestinezëve u ndalohen ndërtimet e reja. Rritja e numërit të popullsisë dhe nevoja për banesa të reja gjen shteg zbatimi vetëm për hebrenjtë. Në Zonën C, shkollat, kopshtet dhe furnizimi me ujë të pijshëm vlejnë vetëm për hebrenjtë. Tubacionet e ujit kalojnë nëpër territoret palestineze, ndërkohë që janë taposur për të mos u përdorur në këtë territor. Prandaj edhe toka është e zhuritur për një pikë ujë, pasi palestinezëve nuk u lejohet të shtaposin tubat e ujit që kalojnë përmes territoreve të tyre. Izraeli nga ana e tij ka vendosur kuota të caktuara për përdorimin e ujit të pijshëm, që nuk përmbushin as edhe nevojat minimale të qenies njerëzore. Në mendësinë e këtij shteti , brenda kufijve virtualë, është mëse e thekur se “dielli lind nga Lindja”.
Nga pala amerikane do të duhej të ishte vënë theksi tek evakuimi i ndërtimeve më tepër se te ngrirja e ndërtimeve të reja, për t’i dhënë realisht zgjidhje problemit. Por, i gjithë territori është zaptuar nga ledhe ndarëse – Ariel, Givat, Ze’ev, Ma’aleh Adumim, Eufrat dhe Bregun Perëndimor – që janë të gjitha vendbanime brenda territorit të marrëveshjes. Po, të cilës marrëveshje vallë? Mes popullit demokratik të hebrenjve dhe evengjelistëve të krishterë, sigurisht. Askujt nuk i shkon ndërmend të bjerë në ujdi me banorët e qyteteve dhe provincave palestineze ku kanë hedhur shtat ndërtimet e reja. Miliona e miliona palestinezë as nuk i llogarit kush. Ndërkohë që qindra e mijra libermanë, nëse nuk janë më shumë, as nuk u bën syri dritë për të rrasur mbi trup qyrkun e shtinjakut.
Home »
» Ku t’ia gjesh fillin hipokrizisë?





