Koha për Tea Party

Michael Scherer

 


 

Chirstine O'Donnell në Delaware mund të jetë e dhënë pas perlave dhe kostumeve të modës, por ajo flet si udhëheqësja e një ushtrie rebele. "Kur njerëzit kanë frikë nga qeveria, atëherë kemi tirani", deklaroi kandidatja më e re e republikanëve për në Senat të martën në mbrëmje gjatë një feste për të shënuar fitoren e saj ndaj të gjithë establishmentit republikan të vendit. "Kur qeveria ka frikë nga njerëzit, atëherë kemi liri".

Ajo tha se kjo thënie i përkiste Thomas Jeffersonit, një gabim ky që sot zbukuron reklamat dhe stikerat që shiten në internet për 3 dollarë copa. Sipas asaj që thotë O'Donnell, vizioni i Jeffersonit për monarkun britanik është zëvendësuar nga rreziqe të rinj: bosët republikanë në Uillmington dhe Uashington dhe mbi të gjitha, zakonet qeverisës të Presidentit Obama. "Ne, populli, do të bëjmë të na dëgjohet sërish zëri në Uashington", deklaroi O'Donnell.

Fjalët e saj erdhën direkt nga lëvizja politike që e ngritën atë vetë drejt fitores dhe që tronditi botën politike - koleksioni i përhapur i zemërimeve dhe zhgënjimeve që e quajnë veten Tea Party. Nuk ka akt themelues, nuk ka manifest të botuar dhe nuk ka këshill drejtues. Megjithatë, që nga shkretëtirat e Nevadës e deri në kodrinat e qymyrta të Kentakit, kjo lëvizje ka ngritur në këmbë elitën e Partisë Republikane në 2010 dhe i ka vënë syrin ribërjes së Kongresit të SHBA - dhe në 2012, presidencës. "Është më shumë një kauzë se sa një fushatë", u tha O'Donnell mbështetësve të saj në takimin në Elks. "Dhe kjo kauzë po rikthen Amerikën".

Kjo kauzë po shkund Amerikën dhe republikanët. Që nga koha kur Barry Goldwater fundi hundët tek klubi i republikanëve në 1964, një lëvizje rebele nuk ka krijuar një krizë ligjshmërie mes establishmentit si sot. Dhe ashtu si ajo lëvizje rebele, kjo mund të shkaktojë një ndryshim evolucionar në parti që mund të zgjasë për një brez të tërë. Në prill, atëherë kur guvernatori dikur shumë popullor i Floridës, Charlie Crist iku në mënyrë të beftë nga GOP pas një revolte të konservatorëve në shtetin e tij, kishte nga ata që e injoruan si një ngjarje të izoluar, një simptomë e ndarjeve brenda shtetit dhe zënkave të kandidatëve. Kur Senatori i Utah, Bob Bennett gëlltiti lotët pasi humbi rikandidimin gjatë një konvente në shtetin e tij në maj, shumë pak menduan se një kryengritje e tillë do të përhapej përtej disa shteteve rebelë. Më pas, rrëmujat u shndërruan nga disa lëkundje në një tërmet të vërtetë. Vetëm në garat për Senat, kandidatët e Tea Party në Nevada, Colorado, Utah, Alaska, Kentucky, Delaware dhe Florida shpallën fitoren, ndonjëherë kundër rivalëve që ishin përzgjedhur prej udhëheqësve konservatorë në Uashington.

Në një kohë pasigurie ekonomike historike, lëvizja Tea Party u ka rrëmbyer zemrat konservatorëve. Tashmë ajo ka një shans që të dërgojë deri shtatë senatorë në Capitol Hill me ëndrrat e tyre për një qeveri shumë më të vogël, tregje financiarë të çliruar nga prangat dhe më pak kompetenca federale. Demokratët kanë reaguar zyrtarisht duke festuar, duke përmendur sondazhe që tregojnë që shumë prej këndvështrimeve për politikat që kanë këta të sapoardhur si dhe historitë e tyre personale tërheqin pak mes publikut të tjerë. "Republikanët zgjedhin ekstremistë në vend të kandidatëve kryesorë", tha senatori Bob Menendez, i cili udhëheq përpjekjet e demokratëve për zgjedhjet për Senat, vetëm pak orë pas fitores së O'Donnell. "Kjo i ka bërë shumë më kompetitivë një grusht prej shteteve".

Por demokratët ishin drithëruar nga ajo që po shihnin që përpara rezultateve në Delaware. Republikanët kanë qenë shumë më tepër në numër në zgjedhjet paraprake këtë vit, ashtu sikurse ndodhi me demokratët kundër republikanëve në 2008. Për më tepër, demokratët druhen se furia që rrëzoi disa prej të paprekshmëve mes republikanëve në këto zgjedhje primare mund të sjellë një shembje edhe të kandidatëve të tyre të fortë në vjeshtë. Dhe së fundi, mund të jetë e vështirë për Presidentin Obama që të pretendojë se një votë për Partinë Republikane mund të jetë një rikthim në të shkuarën, në një kohë kur Partia Republikane po shkundet dhe vetë kaq dramatikisht. "Aftësia e administratës për të përdorur këtë argument është dobësuar shumë për shkak të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur brenda Partisë Republikane", thotë William Galston, një ish-këshilltar i Bill Clintonit.

 

Reagim kundër elitës

 

Deri tani, fitoret në zgjedhjet paraprake nga kandidatë të Tea Party si O'Donnell kanë shfrytëzuar një prej sekreteve të hapur më të mëdhenj të politikës amerikane. Dy partitë kryesore, pavarësisht gjithë fuqisë që kanë për t'i dhënë formë axhendës kombëtare, duket se ishin merakosur shumë për të ruajtur pushtetin e tyre. Zgjedhjet e tilla kanë tendencën që të nxjerrin vetëm një pjesë të elektoratit për të votuar. Dhe kjo i bën kandidatët e establishmentit të dobët edhe ndaj lëvizjeve të vogla popullore.

Në Delaware, O'Donnell mundi Mike Castle, një titan i politikës në atë shtet me një mburojë lufte politike prej 2.6 milionë dollarësh, më shumë se 40 vite shërbim në qeveri si dhe mbështetje mbarështetërore prej 60%. Castle dilte shumë më mirë se demokrati Chris Coons në sondazhe edhe në një kohë kur O'Donnell ishte shumë pas. Megjithatë, O'Donnell ishte në gjendje të fitonte me vetëm 30 mijë votues në kutitë e votimit, ose afro 3% e banorëve të shtetit. E njëjta gjë ndodhi në Alaska, ku Joe Miller largoi Lisa Murkowskin me pak më shumë se 55 mijë vota dhe në Nevada, ku Sharron Angle fitoi me vetëm 70 mijë. Nuk janë shifra që duhet patjetër t'u shkaktojnë drithërima demokratëve, por kanë treguar se janë të hatashme për republikanët. "GOP është shumë e shqetësuar. Eshtë shumë e vështirë të merresh me lëvizjen Tea Party", shpjegon James Thurber, kreu i Qendrës për Studime Kongresionale dhe Presidenciale në American University. "Është njësoj si të bësh luftë guerilase me ta".

Në të kaluarën, partitë në nivel shtetesh dhe kombëtar kanë përballur kryengritje të tilla duke zhvendosur mbështetjen dhe donacionet drejt kandidatëve që mund të fitojnë në zgjedhjet e përgjithshme. Por, ashtu si gjithë format e tjera të autoritetit - shtypi, bankat, lidershipi i korporatave - liderët politikë të kombit janë të përfshirë në krizat e tyre të legjitimitetit. Mjetet që ishin dikur të dobishme për të penguar kandidatët e huaj janë shndërruar në shprehje të mëtejshme të refuzimit të autoritetit.

Për më tepër, autoritetet e rinj në politikën republikane janë rebelë si Sarah Palin, Senatori Jim Demint dhe Ron Paul, që e quajnë veten agjentë të vetmuar të ndryshimit që luftojnë kundër fuqive institucionale shumë të mëdha. Heronjtë e medias konservatore, Glenn Beck, Rush Limbaugh dhe Sean Hannity janë treguar të kujdesshëm që të mos mbështesin GOP në mënyrë formale. Gjatë një emisioni radiofonik të kohëve të fundit, Limbaugh deklaroi se do të zëvendësonte atë që quhet Buckley Rule, ku republikanët këshilloheshin të votonin për atë kandidat konservator që ka shanset më të mëdha për të fituar në zgjedhjet e përgjithshme, me atë që quhet Limbaugh Rule, që thotë voto për personin që është politikisht më djathtas. Fakti që William F. Buckley Jr. Nuk është më një ikonë për konservatorët mund të jetë shenja më e qartë që autoritetet e vjetër janë shembur.

Natën e fitores së O'Donnell, ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Karl Rove u shfaq në Fox News, në dukje i mërzitur nga fakti që liderët e partisë kishin injoruar historinë financiare të O'Donnell. "Konservatorëve nuk u bën mirë të mbështesin kandidatë që, ndërkohë që mund të jenë konservatorë në deklaratat publike, nuk mishërojnë karakteristikat e korrektësisë, vërtetësisë, sinqeritetit dhe karakterit që aq shumë i tërheqin votuesit", tha ai për O'Donnell, në një përpjekje për të prishur korin. Të nesërmen në mëngjes, në po të njëjtin televizion, Sarah Palin demonstroi se ku qëndron vërtetë pushteti duke injoruar komentet e Rove. "Bekuar qoftë zemra e tij", tha Palin. "Ne i duam shumë njerëzit tanë atje lart, në makinë".

Rove ishte dhe vetë një përfitues indirekt i valës së fundit të revoltës popullore brenda Partisë Republikane, që më shumë se çdo gjë tjetër solli kuadrin për krijimin e Tea Party. Revolta Goldwater e 1964 përfundoi me një humbje historike kundër Lyndon Johnson. Por ndërkohë që u duk se fitorja e thellë e Johnson nuk la pas të mbijetuar, përpjekjet e Goldwater mbollën farën e një ringjalljeje ideologjike që revolucionarizoi republikanizmin - dhe politikën amerikane - në 40 vitet e ardhshëm. Fushata humbëse e 1964 solli vetëm dy vite më vonë zgjedhjen e Ronald Reaganit si guvernator i Kalifornisë, që i parapriu presidencës së tij dhe rifrymëzoi organizatën Kolegji Republikan që i dha Rove dhe shumë prej liderëve të sotëm republikanë startin në politikë.

A mund të triumfojnë?

 

Atëherë, cilët janë planet afatgjatë të rebelimit të Tea Party? Shkoni në një miting të kandidatëve për Senat të Tea Party, si Rand Pauyl në Kentucky, Sharron Angle në Nevada apo Joe Miller në Nevada dhe do të habiteni se sa shumë zemërim kanalizojnë ata kundër rrymës qendrore. Në rrënjë, Tea Party është qoshja e lutjeve për ata që janë thellësisht të shqetësuar nga përmasat e paketës së shpëtimit, stimulit dhe ekspansionit të sistemit të kujdesit shëndetësor të mbështetur nga qeveria. Shumë shohin një mënyrë jetese për veten dhe fëmijët t'u shpëtojë nga duart, ndërkohë që udhëheqësit e vendit vetëm sa i përkeqësojnë gjërat. Shumë prej kandidatëve shkojnë edhe më tej, tek flasin se do të shfuqizojnë ligjin e Obamës për kujdesin shëndetësor, do të eliminojnë Departamentet e Arsimit dhe Energjisë si dhe Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit si dhe t'ua delegojnë këto kompetenca shteteve.

Kongresi ka parë dhe më parë influkse të menjëhershëm konservatorësh të pakompromis. Në 1994, 73 republikanë hynë në kongres, shumë prej të cilëve me tema antiqeveritare që tingëllonin të ngjashme me ato të pjesëtarëve të Tea Party sot. Republikanët e atij viti e quajtën madje fitoren e tyre një revolucion që premtonte të ndryshonte mënyrën se si funksionon Uashingtoni. Nuk doli ashtu si thanë. Edhe në Kongresin e ri të kontrolluar nga republikanët, votimet për limitet e mandatit të kongresit si dhe një amendament të Kushtetutës për buxhetin e balancuar nuk u fituan dot. Dhe kur republikanët e Dhomës së Ulët, të udhëhequr nga Newt Gingrich bënë një përpjekje jo të vogël për të detyruar Bill Clintonin që të pranonte shkurtimet e tyre në buxhet, ata humbën keqas betejën e opinionit publik. Në të vërtetë, klasa e 1994 mund të ketë qenë shpotimtarja e presidencës së Clintonit, duke e lejuar atë të shfaqet si një mbrojtës i rrymës kryesore të politikës kundër axhendës "radikale".

Si rezultat, shumë prej të sapoardhurve të GOP i përshtatën ambiciet e tyre me realitetet e Capitolit. "Mendoj se nuk do të kemi të njëjtën situatë, si herën e fundit", tha Rick White, përfaqësues i Uashingtonit për PBS pas zgjedhjeve të 1996. "Do të jemi më të matur, më të kujdesshëm ndoshta". Dhe kështu, ata filluan të punojnë me Clintonin për buxhetin.

Eshtë shumë herët për të ditur nëse kjo farë e re reformuesish konservatorë do të ndjekin një kurs të ndryshëm. Por lëvizja do të luajë me siguri një rol madhor në garën republikane për nominimin presidencial në 2012, që praktikisht nis në 3 nëntor 2010. "Shumë prej këtyre rezultateve paraprakë shërbejnë si një kujtesë se kristalizimi i mesazhit tonë drejtuar votuesve për reformimin e status quo-së në Uashington si dhe vënia fre në shpenzimet janë jetësore në mjedisin e sotëm politik", thotë Kevin Madden, një këshilltar i Mitt Romneyt. Romney kishte rënë në kundërshtim me disa aktivistë të Tea Party për mbështetjen e reformës shëndetësore në Massachusetts dhe ai mbështeti menjëherë O'Donnellin pas fitores së saj.

Duket se lidershipi republikan po e merr mesazhin. Në natën e fitores së O'Donnell, Komiteti Senatorial Kombëtar Republikan nxorri një deklaratë me një resht ku përgëzonte O'Donnell për kandidimin "pas një fushate të luftuar fort". Në të njëjtën kohë, shumë republikanë nëpër Uashington i qaheshin njëri-tjetrit dhe gazetarëve për fitoren e O'Donnell, që vuri në rrezik një vend që më parë konsiderohej i sigurtë nga republikanët.

Por deri në mesditë u bë e qartë se një reagim i tillë ishte i paqëndrueshëm. Duke u ligështuar për O'Donnell, udhëheqësit e partisë vetëm sa po luanin në favor të revoltës populiste kundër partisë dhe udhëheqësve të saj, siç kish bërë Rove natën e mëparshme. Në mjedisin aktual, vetëm të jashtmit e partisë kanë besueshmëri. Kështu, Senatori John Cornyn, kreu i komisionit që më parë kishte punuar për kundërshtarin e O'Donnell ndryshoi kurs: "Le ta bëjmë të qartë një herë e mirë: Komiteti Senatorial Kombëtar Republikan dhe unë personalisht si kryetar i tij, qëndrojmë në mbështetje të të gjithë kandidatëve tanë republikanë", tha Cornyn. Dhe pastaj i dha O'Donnell menjëherë 42 mijë dollarë për fushatën e saj. Sigurisht, më shumë do të vijnë.

Me fjalë të tjera, O'Donnell mund të ketë patur të drejtë në natën e zgjedhjeve. "Ne, populli", po bëjmë të na dëgjohet zëri.

 

 

 

Tea Party... nëpër botë

JOSHUA E. KEATING

 

JARED MONDSCHEIN

 

BRITANI

Grupi: British Tea Party, Aleanca e Taksapaguesve

Çështjet: Taksat, Bashkimi Europian

Impakti: Çfarë ironie historike! Qindra aktivistë konservatorë britanikë u mblodhën në Brighton në shkurt për të lançuar të parën Tea Party. Kjo ngjarje ishte ideja e Daniel Hannan, një deputet konservator i Parlamentit Europian i njohur më së miri për sulmet e tij të zhurmshëm kundër burokracisë së fryrë të Bashkimit Europian, i cili mendonte se ashtu si SHBA e Barak Obamës, Britania nën Gordon Braunin kishte "të gjithë kushtet e nevojshme për një lëvizje popullore antitaksë".

Ashtu si homologia e vet në SHBA, Tea Party britanik fokusohet në luftimin e taksave të larta, shtoji kësaj dhe një dozë të shëndetshme skepticizmi. (Hannan krahason thirrjet nga Brukseli për një qeverisje ekonomike më të centralizuar me "taksimin pa përfaqësim" të kolonëve amerikanë në kohën e Mbretit George). Por ndryshe nga Amerika, lëvizja nuk është rritur për t'u shndërruar në një fenomen kulturor. Deri tani ka patur vetëm disa mbledhje me pjesëmarrje prej dhjetëra vetësh dhe Hannan ka tërhequr më shumë vëmendjen e mediave amerikane si Fox News se sa të atyre britanike. Megjithatë, tani lëvizja anti-taksim në Britani nuk është gjallë e shëndoshë. Një tjetër grup britanik antitaksë, Aleanca e Taksapaguesve ka parë numrin e mbështetësve të rritet me 70%, duke arritur në 55 mijë këtë vit. Grupi priti këtë vit disa udhëheqës të Tea Party në SHBA për një seminar për taktikat organizative.

 

HOLANDE

Grupi: Partia e Lirisë

Çështjet: imigrimi islamik, euroskepticizmi

Impakti: Themeluesi i Freedom Party, Geert Wilders jo vetëm dëshiron të ndalojë Kuranin dhe gjithë imigrimin nga vende islamike, por ai beson gjithashtu se feja islamike në tërësi - jo thjeshtë islami radikal - është e dhunshme dhe duhet të ndalet përpara se Europa të "islamizohet tërësisht". Në 11 shtator, Wilders u bashkua me aktivistë të Tea Party në Amerikë për një miting proteste në vendin ku është propozuar të ngrihet Qendra Kulturore Islamike pranë Ground Zero në Nju Jork.

Formula duket se po funksionon. Pavarësisht se është ndaluar përkohësisht për të hyrë në disa vende dhe pavarësisht se përballet me padi dhe akuza për nxitje urrejtje dhe diskriminimi, Wilders dhe Partia e tij e Lirisë u bënë partia e tretë më e madhe në parlamentin holandez në zgjedhjet e qershorit 2010, gjë që i bëri ata përcaktues për çdo lloj koalicioni në qeverinë e re.

Çështjet që preferon të ngrejë Wilders përfshijnë taksën e tij të propozuar për shamitë e kokës, domosdoshmërinë për dëbimin e Rumanisë dhe Bullgarisë nga BE, si dhe rëndësinë që ka largimi i Holandës nga klubi i BE nëse Turqia anëtarësohet. Nuk është habi që përgjithësisht Wilders është edhe kundër vetë Bashkimit Europian dhe në mënyrë të veçantë kundër taksave që taksapaguesit holandezë paguajnë për të. Wilders ka kërkuar eliminimin e Parlamentit Europian, duke thënë për një gazetë se paratë e holandezëve duhet të shpenzohen në Holandë dhe "jo për të subvencionuar fermerët në Francë dhe Poloni".

Ndonëse Partia e Lirisë futet shpesh në një thes me parti ksenofobe europiane si Partia Kombëtare Britanike dhe Fronti Kombëtar në Francë, Wilders e hedh poshtë këtë kategorizim. Ai është unik mes ekstremistëve të djathtë europianë për shkak të mbështetjes që i jep Izraelit dhe të drejtave të homoseksualëve.

 

JAPONI

Grupi: Zaitokukai

Çështjet: Imigrimi, nacionalizmi

Impakti: "Rikthimi i nderit", siç e pagëzoi Glenn Beck mitingun e madh të Tea Party në Washington, është një temë shumë familjare të një lëvizjeje në rritje nacionalistësh online, që kanë për qëllim të pastrojnë Japoninë nga influenca e huaj dhe të rivendosin statusin e saj në botë.

Grupe nacionalistë të ekstremit të djathtë kanë qenë prej dekadash të përhershëm në politikën japoneze. Por ndërkohë që ndikimi i partive të organizuara të krahut të djathtë është zbehur, një lloj i ri nacionalistësh po përhapen në internet. Më me ndikim mes këtyre grupeve është Zaitokukai, një akronim për "Grupi i Qytetarëve që nuk do të falin privilegjet e veçantë për koreanët në Japoni". Shënjestra të protestave të grupit kanë qenë një shkollë gramatike për fëmijë koreano-veriorë si dhe shtëpia e një filipinaseje 14-vjeçare, prindërit e të cilës u dëbuan pasi shkelën afatin e vizës.

Themelues i grupit është një kontabilist 38-vjeçar që përdor pseudonimin Makoto Sakurai (askush nuk e di emrin e tij të vërtetë), komunikon me më shumë se 10 mijë ndjekësit e tij pothuajse vetëm në internet dhe përdor vetëm një kostum special për shfaqjet në publik. Sakurai thotë se ka studiuar filmime të mitingjeve të Tea Party për të marrë mësime organizative.

 

KINA

Grupi: Komunistët miliarderë

Çështjet: Taksat

Impakti: Në vitin 2002, presidenti Jiang Zemin vendosi të lejojë sipërmarrësit që të hyjnë në Partinë Komuniste, një hap që do të kishte qenë krejt i pamendueshëm në kohët e vjetra të politikës partiake monolite - dhe një lëvizje që lejoi hyrjen e komunistëve që janë kundër taksave e pro biznesit. Gjatë një debati të kohëve të fundit, nëse duhet të fusë një taksë për pronën Kina, disa prej liderëve të koalicionit të ri përdorën një retorikë që do t'i shkonte shumë për shtat një mitingu të Sarah Palinit. "Nëse doni vërtetë të rrisni punësimin, mos i rrisni taksat, ulini ato", tha Uang Jianlan, një prej biznesmenëve më të pasur në Kinë dhe një prej kundërshtarëve të taksës.

Sigurisht, një grusht miliarderësh mund të mos jenë një lëvizje masive - ndonëse super të pasurit luajtën një rol kyç në rritjen e Tea Party në SHBA. Dhe protestat masive të punëtorëve kohëve të fundit kundër papunësisë kanë kërkuar më shumë shpenzime qeveritare dhe jo më pak. Por ndërkohë që klasa e mesme në Kinë vazhdon të rritet, ata shokë kapitalistë mund të gjejnë një audiencë të re për mesazhin e tyre pro tregut të lirë.

 

NORVEGJI

Grupi: Partia e Progresit

Çështjet: Taksat, Imigrimi

Impakti: Progresistët kanë qenë prej dekadash të pranishëm në skenën politike norvegjeze, duke kërkuar taksa më të ulëta mbi të ardhurat dhe shitjet. Por për shkak të qëndrimit ekstrem që partia ka ndaj imigracionit - është pro një maksimumi prej 1000 imigrantësh në vit dhe një testi të detyrueshëm për AIDS për të sapoardhurit - edhe partitë e djathta norvegjeze kanë refuzuar të punojnë me të.

Mund të mos kenë më zgjedhje. Në vitin 2005, Partia e Progresit u bë partia e dytë më e madhe në parlamentin norvegjez dhe ajo e rriti numrin e vet në zgjedhjet e 2009. Partia ka shfrytëzuar frikërat nga imigrimi islamik, me udhëheqësin e partisë Siv Jensen që paralajmëron se në vend po ndodh "islamizimi tinzar". Edhe Partisë Laburiste në pushtet i është dashur të përshtasë një pjesë të platformës së Partisë së Progresit, duke vendosur edhe më shumë kufizime ndaj imigracionit.

Shkrimtarë konservatorë në SHBA e kanë vlerësuar Partinë e Progresit për faktin që ka gjetur sukses elektoral mbi një platformë antitaksë, në një vend që dikur konsiderohej bastion i socializmit demokratik. Sa u përket taktikave, progresistët kanë marrë jo pak këshilla nga kushërinjtë e tyre amerikanë: në prill, Tim Phillips, president i Americans for Prosperity dhe një figurë kryesore në lëvizjen e Tea Party, vizitoi Norvegjinë për të ofruar disa këshilla organizative.

Posted via email from Shkupi Press extra