FRYMA SERBE E TEKSTEVE SHKOLLORE

 Xhelal Zejneli

            Në vendet me përbërje dyetnike apo shumetnike, ku njëri popull e ka pushtetin kurse tjetri – përpëlitet për të drejta, problemet kanë dimension politik. Rrjedhimisht, edhe çështja e teksteve shkollore në gjuhën shqipe në Maqedoni kanë një dimension të tillë – politik. E para, pala maqedonase, me çdo kusht tenton që të ruajë monopolin absolut mbi tekstet shkollore. Sipas palës maqedonase, hartues të teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë, duhet të jenë vetëm autorët maqedonas, apo kryesisht ata. Botues të teksteve shkollore në gjuhën shqipe duhet të jenë shtëpitë botuese maqedonase, apo kryesisht ato. Sidomos shtëpia botuese famëkeqe dhe skajshmërisht antishqiptare, produkt i serbo-sllavizmit – Prosvetno delo. Tekstet shkollore si historia, gjeografia, arti muzikor, arti figurativ, dituria mbi natyrën, dituria mbi shoqërinë, etnologjia, arkeologjia (tekste universitare), sipas palës maqedonase, duhet të kenë përmbajtje antishqiptare, në frymën Garashaninit, të Cvijiqit, V. Gjorgjeviqit, të Çubrilloviqit dhe të Akademisë Serbe.

            Nën trysninë e faktorit kohë si dhe të faktorëve të tjerë, disa tekste duhet të kenë edhe një bashkautor shqiptar. Në këtë rast, pala maqedonase kujdeset që jo çdokënd ta angazhojë si bashkautor. I parapëlqen shqiptarët e moderuar, jonacionalistë, që janë formuar në frymën e vëllazërim-bashkimit, të bashkëjetesës apo që janë kooperativ. Me fjalë të tjera, kriteri profesional nuk luan rol të rëndësishëm. Përpos autorësisë maqedonase, tekstet shkollore në gjuhën shqipe, ballafaqohen edhe me probleme të tjera. Një prej tyre është edhe ai i përkthimit. Nuk ekziston një mënyrë e institucionalizuar e përkthimit të teksteve shkollore. Përkthimi i tyre është shndërruar në punë tezgaroshësh. Një përqindje tejet e madhe e teksteve shkollore janë përkthyer dhe vazhdojnë të përkthehen nga tezgaroshë, të cilët nuk janë përkthyes profesionalë, të cilët kurrë nuk janë marrë me përkthime, të cilët në lëmin e përkthimit janë gjysmë-analfabetë dhe diletantë. Këta përkthyes të teksteve shkollore në gjuhën shqipe nuk e dinë si duhet dhe sa duhet gjuhën amtare shqipe. Rrjedhimisht, një pjesë e madhe e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, janë përkthime tekstuale, ad literam, të fjalëpërfjalëshme, përkthime kalk, me gabime gjuhësore, gramatikore (drejtshkrimore, morfologjike, sintaksore), me gabime materiale (ku derës i thuhet dritare). Për gabimet teknike të mos flasim. Tekstet shkollore të këtilla, në shoqëritë me shkallë të lartë të zhvillimit dhe me nivel të duhur të përgjegjësisë, kurrë nuk mund të vihen në përdorim nëpër shkolla. Shikuar nga ky këndvështrim, rezulton se nuk janë vetëm historitë, gjeografitë, muzikat, njohuritë mbi shoqërinë – ato që duhet të nxirren nga përdorimi. Të papërdorshëm janë një pjesë e madhe e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Ato as që mund të quhen tekste në gjuhën shqipe. Ato duhet të quhen tekste në një shqipe të bastarduar. Pra, problemi është i dyfishtë: e para, përmbajtja antishqiptare, në frymën e ideologjisë anakronike serbe, e dyta, niveli i ulët (i papërdorshëm) i përkthimeve. Shumë tekste të lëndës së matematikës dhe të shkencave të natyrës janë përkthyer në mënyrë jopërkatëse, me gabime terminologjike dhe gjuhësore-gramatikore. Një prej arsyeve që nxënësit shqiptarë në Maqedoni shënojnë rezultate të ulëta në matematikë dhe në shkencat e natyrës, mund të jenë edhe përkthimet e diskutueshme të teksteve të lëndëve të sipërthëna. Në kohën e serbosllavisë, pushtetarët antishqiptarë kishin hartuar një Index librorum prohibitorum . Kisha në mesjetë, librat që i konsideronte se janë kundër saj, i digjte. Serbo-sllavët nuk i digjnin. I futnin nëpër bodrume ku pas një kohe mykeshin. Tekstet shkollore me përmbajtje kundërshqiptare dhe të përkthyera në mënyrë jopërkatëse, shqiptarët s’duhet t’i djegin, por duhet t’i nxjerrin nga përdorimi.

            Çështja e teksteve për nxënësit shqiptarë në Maqedoni duhet të shtrohet si çështje politike. Pasi të zgjidhet politikisht, duhet të pasojë faza e operacionalizimit të çështjes. E kjo do të thotë që çështja e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë të ngrihet në shkallë institucionale. Institucionet që mund të merren me çështjen e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë do të duhej të ishin: Ministria e

Arsimit dhe e Shkencës, Biroja për Zhvillimin e Arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve (që lindi para do kohësh nga BZHA-ja).            Në kuadër të këtyre institucioneve duhet të themelohet një sektor apo një departament i veçantë që do të merrej me çështjen e hartimit të teksteve shkollore, me çështjen e përkthimit të tyre si dhe me çështjen e përpilimit të testeve për filloristët dhe për nxënësit e shkollave të mesme. Duhet ditur se roli, ndikimi dhe prania e faktorit shqiptar në Byronë për Zhvillimin e Arsimit, prej vitit 1991 e deri më sot, është minimal, në mos dhe inekzistent. Madje edhe numri i të punësuarve shqiptarë në këtë institucion të rëndësishëm për çështje të arsimit - është simbolik. Çështja e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë në Maqedoni, nuk zgjidhet nëpërmjet komisioneve për shqyrtimin e përmbajtjes së tyre. Çerçili ka thënë: “Nëse dëshiron të mos e zgjidhësh një problem, formo komision”. Autori apo autorët maqedonas nuk janë rastësisht antishqiptarë. Ata në një tekst shkollor zbatojnë një ideologji antishqiptare, që është politikë shtetërore.

            Në tekste shkollore hasen edhe probleme të natyrave të tjera: U pa se autori mund të jetë tendencioz; se përkthyesi mund të jetë joprofesional. Ajo që s’u pa janë recensentët. Shpesh ndodh që recensuesi i dytë apo i tretë “e harton” (e kopjon, e përshtat) një recension dhe ia dorëzon shtëpisë botuese, pa e lexuar dhe pa e parë dorëshkrimin fare. Shpeshherë, recensioni shndërrohet në formalitet. Për recensionin e tillë, recensenti merr 90-100 euro. Qëllimi i tij nuk është përmbajtja e librit por 90 eurot. Po kjo ndodh edhe me komisionet botuese, përkatësisht me anëtarët e tyre. Edhe këta, sikur recensuesit, i nënshkruajnë botimet, shpeshherë pa i parë tekstet; Këta nuk marrin nga 90 euro por nga 1000 deri në 3000 denarë.

            Nuk duhet harruar edhe tekstet shkollore për lëndën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë, të hartuar nga grupe autorësh shqiptarë dhe të botuar nga shtëpitë botuese shqiptare. Këta autorë dhe këto shtëpi botuese, vrapojnë mbase për të zënë tregun. Si rrjedhojë, tekstet e sipërthëna dalin me një mori gabimesh, gjë që mund të argumentohet në çdo çast. Një tekst shkollor i mirëfilltë dhe i përkryer profesionalisht, gjuhësisht dhe teknikisht kërkon vite punë dhe jo dy-tre muaj punë. Çështja e teksteve shkollore, në një shoqëri të ngritur, nuk komercializohet. Ka raste kur nëpër tekste shkollore figurojnë edhe emra lektorësh. Shumë prej tyre kanë njohuri të kufizuara të gjuhës amtare. Teksti që përkthehet duhet të kalojë të paktën nëpër dy faza: e para, të përkthehet nga profesori, mundësisht universitar i lëndës përkatëse; e dyta, të lekturohet në pikëpamje të gjuhës - nga profesori i shqipes i cili është njohës i thellë i kësaj gjuhe. Nuk duhet harruar edhe një fakt – përkthimi është profesion.

            Zgjidhje më e drejtë e çështjes së teksteve shkollore është bashkëpunimi me institucionet përkatëse të Shqipërisë. Me fjalë të tjera, pothuajse të gjitha tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë në Maqedoni, qofshin filloristë apo nxënës të shkollave të mesme, duhet të përpilohen nga autorët shqiptarë të Maqedonisë dhe të Shqipërisë. In ultima linea, matematika dhe tekstet e shkencave të natyrës nuk kanë kurrfarë përmbajtjeje ideologjike. Ato janë universale dhe vlejnë për mbarë botën. Në sistemet demokratike, siç e quan Maqedonia sistemin e vet, asnjë tekst shkollor nuk duhet të jetë i ideologjizuar. Duke qenë kështu, atëherë s’do të duhej të kishte probleme që tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë në Maqedoni, të hartoheshin prej autorëve shqiptarë të Maqedonisë, në bashkëveprim me ata të Shqipërisë. Aq më tepër kur të dy vendet synojnë standardet evropiane. Dy përqind serbë te Kosovës përdorin, jo vetëm tekste shkollore të Serbisë, por punojnë edhe me planprogramet e saj.

            Në botimin e një tekstit me vlera shkencore të dyshimta, përgjegjësia nga radhët e shqiptarëve mund të jetë: e drejtpërdrejtë dhe e tërthortë. Përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbajnë: shqiptari që është bashkautor i tekstit të përpiluar nga një apo nga më shumë autorë të tjerë maqedonas; recensenti shqiptar, anëtarët shqiptarë të komisionit botues; këshilltarët pedagogjikë të lëndëve përkatëse, pranë Byrosë për Zhvillimin e Arsimit. Përgjegjësi morale mban edhe përkthyesi në shqip i një teksti me përmbajtje të diskutueshme. Jashtë përgjegjësisë nuk mund të mbetet madje as edhe lektori shqiptar i tekstit. Përgjegjësi të plotë mban edhe shtëpia botuese shqiptare. Me fjalë të tjera, në botimin e një teksti me përmbajtje antishqiptare nuk duhet të angazhohet - në çfarëdo cilësie qoftë - asnjë shqiptar apo shtëpi botuese shqiptare. Është e vetëkuptueshme se përgjegjësi për tekstet e tilla mbajnë edhe mësuesit dhe arsimtarët e arsimit fillor si dhe profesorët e shkollave të mesme. Një përgjegjësi të madhe në këtë mes mbajnë aktivat e lëndëve përkatëse pranë shkollave. Nuk janë jashtë përgjegjësisë as nxënësit (sidomos ata të arsimit të mesëm), përfshi dhe prindërit. Duke qenë se çështja e teksteve shkollore me përmbajtje antishqiptare është një çështje kryekëput politike, përgjegjësi të jashtëzakonshme për to, mban edhe faktori politik shqiptar, e sidomos përfaqësuesit shqiptarë në Ministrinë për Arsim dhe Shkencë si dhe në Byronë për Zhvillimin e Arsimit. Për qëndrimin antishqiptar të palës maqedonase të angazhuar në politikën e botimit të teksteve për nxënësit shqiptarë, s’kemi ç’të flasim. Fryma antishqiptare e tyre dihet apriori.

            Politika botuese e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë, karakterizohet me problemet vijuese: Në një anë, autorët jo vetëm që janë maqedonas, por edhe tekstet përpilohen në frymën e ideologjisë antishqiptare të Beogradit. Në anën tjetër, mungon një politikë shtetërore (proshqiptare) e botimit të teksteve në gjuhën shqipe. Në mungesë të një politike shtetërore proshqiptare, botimi i teksteve për nxënësit shqiptarë realizohet në mënyrë joprofesionale dhe kuazi-institucionale. Kur t’i shtohen krejt kësaj edhe përkthimet diletante nga maqedonishtja në shqip, do të shohim se situata lidhur me tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë është më se dramatike. Nuk është parë në historinë e botës, që me dekada ta paguash me paratë e tua një tekst shkollor që është kundër teje. Kjo ndodh vetëm në Maqedoninë të mohuar nga të gjithë. Po sikur nxënësit, arsimtarët dhe prindërit shqiptarë t’i nxirrnin nga përdorimi tekstet shkollore me frymë serbe, çdo të kishte ndodhur me këtë shtet që qëndron mbi këmbë të argjilta?! Shqiptarët s’kanë nevojë për revoltë. Atyre u mjafton refuzimi. Para refuzimit të shqiptarëve do të zmbrapseshin edhe ndërkombëtarët, të cilët qe 20 vjet kërkojnë prej tyre politikë konstruktive në funksion të ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit në rajon. Maqedonasit nuk mund të krijojnë shtet në kurriz të shqiptarëve.

 

Posted via email from Shkupi Press extra