Nga Enzo Bettiza (La Stampa) Rezultati i votimeve suedeze merr një kuptim që e bën Suedinë kampione të ndryshimeve të mëdha që, për disa vite, po ndryshon gjithë skenën politike të Europës skandinave. Suedia njëherë e një kohë ishte e imunizuar ndaj stuhive, neurozave dhe frikës endemike të përhapur në rajonet jugore dhe lindore të kontinentit të vjetër. Rëndësia historike dhe simbolike e asaj çka doli nga kutitë e votimit skandinav shkon përtej llogarive të Majta dhe të Djathta.
Suedezët, të mësuar për afro një shekull me një klimë të mirëqenies së blinduar, të pasur, gati infinite, kanë përcaktuar me votat e tyre gati një lloj eutanazie revolucionare: I kanë hequr spinën e oksigjenit Partisë Social-Demokratike tashmë të dobësuar duke imponuar, për herë të parë në 80 vite, një rënie katastrofike me më shumë se 4 për qind. Gjithashtu për herë të parë një koalicion i moderuar i qendrës së djathtë të udhëhequr me mençuri nga kryeministri Fredrik Reinfeldt dhe me përqindje të lartë 49,1 (një hap nga shumica absolute), ka arritur jo vetëm në përmbushjen e mandatit të qeverisë, por mund dhe duhet të angazhohen edhe pse me disa probleme të mprehta në formimin e një ekzekutivi të dytë.
Në historinë lineare dhe neutrale të Suedisë bashkëkohore, kryesisht e formuar dhe e kushtëzuar nga dominimi social-demokrat, nuk i kishte ndodhur kurrë që pas përfundimit të luftës që konservatorët të rriteshin aq sa për të fituar dy mandate radhazi.
E dhëna e parë që doli nga qendrat e votimit është mbresëlënëse duke marrë parasysh faktin e konfirmuar të revistës “The Economist”, e cila tha me një cinizëm klinik se jemi përballë “vdekjes së çuditshme të social-demokracisë suedeze”. Mjafton vetëm të mendoni se para pesë vitesh, gazeta angleze “The Guardian” që ka ndikim tek Partia Laburiste shikonte tek qeveritë suedeze të qeverisura nga Olof Palme si “shoqëria më e mirë që kishte pasur njohur ndonjëherë bota”. Për vite socialistët europianë, dhe jo vetëm europianë, kishin admiruar tek skandinavët një socializëm demokratik të thjeshtë dhe bujar njëkohësisht, duke kombinuar një taksë fiskale kërkuese dhe shpenzimet qeveritare masive, me një ekonomi të fuqishme dhe me një cilësi të lartë të jetës. Fqinjë dhe të ngjashëm, Finlanda, Danimarka, Norvegjia, madje edhe Holanda, ishin duke u përpjekur të imitonin një mësim të suksesshëm që në vetvete përmbante edhe një tolerancë të shquar dhe nganjëherë të guximshëm në fushën e të drejtave civile të dhënë shtetasve të huaj dhe emigrantëve.
Pas vrasjes misterioze të Palme në 1986, asnjëherë të qartësuar deri në fund, hijet e para filluan të errësonin parajsën sociale të Stokholmit. Filloi të prishej harta e stabilitetit themelor politik dhe zunë të hapen kllapa me mandate qeverisëse të konservatorëve. Suedia, më 1994 nënshkroi marrëveshjen për pranimin në BE. Me zgjerimin gradual drejt Europës Lindore pas-komuniste po dalin - edhe për suedezët, tashmë të lodhur nga modeli socialist, me shumë taksa dhe gjithashtu i butë me të huaj - dy probleme që e gjithë Europa i pat njohur prej disa vitesh: kriza ekonomike, e kombinuar me krizën e emigracionit të pakontrolluar. Në frontin ekonomik, qeveria e konservatorëve të moderuar, e zgjedhur më 2006, e kryesuar nga kryeministri Reinfeldt si dhe e administruar nga kreu i financave Borg, ia arriti ta zgjidhte krizën me urtësi e kompetencë, pa çmontim të themeleve të sistemit shoqëror e demokratik, por duke korrigjuar tejkalimet ideologjike dhe duke u kredhur tek ndërhyrjet më liberale, të cilat siguronin fleksibilitet më të madh operacional në hapësirat private. Kompromisi doli i suksesshëm, produkti bruto është rritur, kurse papunësia është ulur. Sot Suedia zë një pararojë në ekonominë globale. Kontrasti me gjendjen e ngadalshme të shumë vendeve europiane është i dukshëm.
Në fund, edhe kësaj Suedie ekonomikisht të shëruar dhe të stabilizuar, po i qëndron mbi kokë i njëjti rrezik që sot po mundon, së bashku me rajonet skandinave, shumë vende të tjera europiane. Rreziku merr trajta fort nevrotike në Stokholm, Helsinki, Kopenhagen, Amsterdam dhe në pjesën flamande të Belgjikës. Pra, pikërisht tek fidanishtet veriore të qytetërimit më të avancuar, deri dje më të hapura për tolerancën kulturore dhe bashkëjetesë me të tjerët në mërgim, me emigrantin që kërkon bukë dhe mbrojtje. Trashëgimia e tolerancës, e bamirësisë së njeriut, e shfaqur fort në tokat e veriut të ftohtë nga protestantizmi dhe demokracia sociale, u rrëzua prej frikës së madhe ndaj të ndryshmëve të panumërt, që enden sot dëshpërimisht në të gjitha portet e kontinentit. Qarku i shkurtër i prodhuar nga frika e vërshimi masiv i një frikë stërgjyshore, që me ngut dhe pa e kuptuar e përcaktojmë me retorikë si “ksenofobi”, edhe në Suedinë e civilizuar po i ndryshon balancat politike. Këtu, në fakt, patëm kësaj radhe edhe një herë "të parë", me kapërcimin e pragut zgjedhor 4 përqindësh dhe hyrjen në skenë të së djathtës ekstreme të rioshit Jimi Akesson. Të zhdoganuar jo vetëm nga dështimi i social-demokratëve të Mona Sahlin, por edhe duke fituar pikë nga konservatori Reinfeldt, "suedezët demokratë" të udhëhequr nga Akesson kanë arritur, me sa duket, më shumë se 6,5 për qind të votave, me parullën "t’ua kthejmë Suedinë suedezëve”. Situata është veçanërisht e pakëndshme për Reinfeldt-in, i cili më herët pat thënë se nuk do ta prekte Akesson qoftë edhe “me doreza”, por që tani mund të jetë i detyruar ta marrë në koalicion. Fitorja e qendrës së moderuar ishte për fat të keq jo e plotë: koalicionit i mungon një pjesë e vogël votash për të formuar një ekzekutiv të qendrueshëm.
Nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë në këto ditë në Stokholm, por dimë se frika është duke u përhapur në veri. Në Finlandë po përparojnë “finlandezët e vërtetë”, të cilët i referohen plot ekstazë rritjes së dinjitetit tradicional. Në Danimarkë po rritet "Partia e Popullit", e cila e bazon fushatën e saj në kërcënimet ndaj emigrantëve. Në Holandë kemi “Partinë e Lirisë” të Gert Vilders, i cili ka 24 vende në parlament dhe mban lidhje të ngushta me të afërmit nacionalistë flamandë belg, të partisë “Vlaams”. Të gjithë, duke përfshirë edhe radikalët nacionalistë të Budapestit ose Bukureshtit do të takohen në fund të tetorit në Amsterdam për të festuar legjendarin Vilders.
Shikohet, me pak fjalë, se rasti suedez nuk është i largët dhe as i izoluar. Europa është bërë e vogël, kurse frika, e cila duhet të studiohet dhe jo vetëm të refuzohet me korrektësinë anemike "politike" po bëhet gjithnjë e më e madhe dhe më e gjithëpranishme. Nuk është e mjaftueshme të dënosh veç korpuset e “këqija”. Gjithashtu duhet të përpiqemi të kuptojmë dhe të shpjegojmë se pse po ndodhin gjithë këto lëvizje tektonike në skenat politike, nga Baltiku në Danub.
Home »
» Europa dhe ngjitja e frikës