Del Neri: Vazhdojmë t’i përsërisim të njëjtat gabime

Trajneri i Juventusit, Gigi del Neri, pas humbjes ndaj Palermos mbrëmjen e kaluar thotë se ata ende i bëjnë të njëjtat gabime.
Biankonerët edhe pse fituan bindshëm me rezultat 4-0 ndaj Udineses gjatë vikendit të kaluar, u turpëruan në takimin e mbrëmshëm ndaj Palermos duke pësuar me rezultat 3-1.
“Ka qenë një paraqitje shumë e vështirë dhe energjike, por ne bëmë të njëjtat gabime dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Ne krijuam disa shanse të mira shënimi dhe përpjekja nuk mungoi, por ne bëmë të njëjtat gabime në mbrojtje”.
“Palermo luajti mirë dhe ata dhanë më të mirën në çdo situatë të cilën ata e kanë krijuar. Ne kemi vuajtur kur ata kaluan në epërsi, por më shumë si grup në mbrojtje se si individë. Ekipi duhet të punojë shumë, të përmirësohet dhe të përpiqet të mos hutohet përsëri”, ka thënë Del Neri.