Autocensura shkatërron letërsinë

Ismail Kadare, në një bisedë të shkurtër me Luke Sampson për Financial Times, flet për lexuesin e tij perfekt, për librat, ushqimin, shëtitjet, frikën dhe ndikimet.

Ismail Kadare
I lindur në Gjirokastër, Shqipëri, në vitin 1936, Ismail Kadare fillimisht është bërë i njohur me poemat e tij, e para prej të cilave ishte botuar kur ai ishte 12 vjeçar. Në vitin 1963 u botua romani i tij debutues “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. “Pallati i ëndrrave” (1981), një kritikë hollësisht e maskuar ndaj regjimit komunist, u ndalua menjëherë pas botimit të tij. Kadare më vonë kërkoi azil politik në Francë (1990) pas lëshimit të deklaratave në mbështetje të demokratizimit. Librat e tij janë përkthyer në më shumë se tridhjetë gjuhë. Ai e kalon kohën ndërmjet Francës dhe Shqipërisë. 

Cili është lexuesi perfekt i juaj?

Një lexues që e do Dante Alighierin, por që nuk lejon që kjo t’ia zë rrugën shijimit të Don Kishotit – mu sikurse leximi i Shakespeareit nuk e ndalon atë ta lexojë Kafkën. 

Çfarë mezesh hani derisa shkruani?

Unë filloj të shkruaj pas ngrënies së mëngjesit, rreth orës 10. Përderisa nuk punoj më shumë se dy orë në ditë, pi kafe, por asgjë tjetër. 

Për çfarë krenoheni më së shumti që keni shkruar?

‘Pallatin e ëndrrave’. Ishte shkruar në vitin 1980 dhe ishte botuar një vit më vonë, gjatë periudhës më të errët të tiranisë shqiptare. Ishte një libër që e kundërshtonte atë tirani. 

Nga çka keni frikë?
Kam krijuar një vepër letrare gjatë kohës së dy sistemeve politikisht të kundërta: një tirani që zgjati rreth 35 vite (1955-1990) dhe 20 vite të lirisë. Në të dyja rastet, gjëja që mund të shkatërronte letërsinë është e njëjta: auto-censura.

Cilët libra ndodhën në tavolinën tuaj pranë shtratit? 

Libra që në të vërtetë nuk i hapi, por prania e të cilëve vetvetiu rrezaton diçka. Shpesh kjo ndjenjë është plotësisht e ndryshme nga përvoja e leximit të tyre, të cilën mund ta bëj tjetër herë. Por është ndjenja që më duhet. 

A keni regjim të caktuar të të shkruarit?

Ndërmjet orës 10 të mëngjesit dhe pasdite, çdo ditë. Në Paris, gjithmonë punoj në të njëjtën kafene. Në Tiranë kjo është e pamundur, për shkak të kureshtjes së njerëzve. 

Cili libër ua ka ndryshuar jetën?

‘Makbethi’. E kam lexuar kur i kam pasur 11 vjet. Megjithëse nuk kam mundur të kuptoj gjithçka, e kam dashur aq shumë saqë fillova ta kopjoj me dorë. Një vit më vonë, desha ta bëj të njëjtën gjë me ‘Hamletin’, i cili, megjithatë, për mua ishte edhe më i pakuptueshëm. 

Si çlodheni?

Shëtis. Në Paris, shëtis në Luxembourg Gardens, që është mu përballë shtëpisë sime. Në Shqipëri, gjatë verës, në bregdet. 

Cilat janë ndikimet tua letrare?

Tre gadishujt e Europës: Apeninet, me Danten; Ballkani, me tragjeditë greke dhe baladat mesjetare shqiptare; dhe gadishulli iberik, me Don Kishotin. Ishujt britanikë (Shakespeare). Letërsia ruse dhe ajo e Europës Qendrore (Kafka).

Kur e keni kuptuar se do të bëheni shkrimtar?

Kur i kam pasur 12 vjet. Derisa ajo çfarë kisha shkruar ishte pa kurrfarë vlere, ishte lehtë të mendohej vetja si një shkrimtar i rëndësishëm. Më vonë, ishte e kundërta. 

Përktheu: A. Beka