Alonso: Përvoja është vendimtare

Piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, thotë se përvoja e tij si kampion i dyfishtë i Formula 1, mund t’i japë atij gjithë atë që i duhet për ta fituar luftën për titull në kampionatin më prestigjioz automobilistik, Formula 1.
“Të luftosh për titullin e parë është vërtet një gjë stresuese. Shpeshherë, kjo nuk është gjëja më e mirë. Unë nuk e kam presionin e të qenit kampion i botës për herë të parë. Unë garoj në mënyrë më të relaksuar. E di se çfarë duhet të bëj”, theksoi spanjolli.
Stërvitjet e lira në Singapor i fitoi skuadra Red Bull, një gjë kjo jo dhe aq pozitive për Alonson, që u shpreh: “Ne e dimë se Red Bull është skuadra favorite. Ata kanë pasur makinën më të mirë, gjatë gjithë sezonit. Ne e dimë se do të jetë e vështirë. Ne respektojmë rivalët tanë, por në të njëjtën kohë jemi të sigurtë se do të kemi mundësitë tona”, përfundoi Alonso.