Udhëtarët gjermanë: Shqipërinë si e pamë

Arjola Hekurani


Në më të shumtën e rasteve janë shënime udhëtimesh. Janë autorë gjermanë, shkrimtarë ose jo, të cilët vizituan vendin tonë në kohë të ndryshme. Pas kësaj, përcollën për lexuesin mbresat e një udhëtimi që disa herë ishin edhe të shoqëruar me fotografi të kohës

Ndodhi që ndonjë prej tyre të mos e vizitonte kurrë Shqipërinë. Po shkroi për të. Fantazoi. Ia përcolli imazhin e krijuar për vendin e çuditshëm, lexuesit të vendit të tij. Ky është shkrimtari gjerman, Karl May. Është ndoshta ndër të parët që i njohu gjermanët me vendin e “skipetarëve”, që e bëri popullor këtë emërtim dhe zgjoi kureshtjen e shumë të tjerëve më pas. Ai shkroi një seri tregimesh udhëtimi, të cilat e bënë menjëherë të famshëm. Mes këtyre tregimeve aventureske, në vitin 1892, ai publikoi edhe vëllimin e titulluar “Durch das Land der Skipetaren”, (“Përmes tokës së shqiptarëve”). Të tjerë shkruan më pas për Shqipërinë. Rreth vitit 1908, Friedrich Poths-Wegner, shkroi vëllimin “Dalmacia, Mali i Zi dhe Shqipëria”. Asokohe libri u botua pa cituar emrin e autorit. Ka të ngjarë të jetë fjala për Friedrich Poths-Wegner, i lindur më 1844. Një shkrimtar i suksesshëm i shekullit të 19 dhe fillimit të shekullit të 20, të cilit i interesonin më së shumti romanet me tema nga historia bashkëkohore e kohës. Karl Otten është një tjetër shkrimtar gjerman që shkroi për vendin tonë. Rreth viteve 1912-1913, Otten shkroi “Udhëtimi për në Shqipëri dhe proza të tjera”. Ai bëri udhëtime të shumta mes të tjerash për në Itali, Francë, Shqipëri dhe Greqi. Gjatë Luftës së Parë Botërore u internua disa herë për shkak të prirjeve pacifiste dhe anarkiste, si edhe për shkak të publikimeve letrare. Pas luftës u shpërngul në Vjenë, atje krijoi kontakte me Robert Musilin, Joseph Rothin, Siegmund Freudin. Udhëtimi nëpër Shqipëri në vitin 1912, pa dritën e botimit në vitin 1913 në Mynih, si publikimi i parë i autorit të ri. Austriaku Joseph Roth, shkrimtar e gazetar shkon në Berlin, ku punoi si korrespondent për gazetën e mirënjohur “Frankfurter Zeitung”, ku u botua një seri e madhe me reportazhe udhëtimesh. Për këtë arsye, nga muaji maj deri në qershor 1927, udhëtoi nëpër Shqipëri dhe Jugosllavi. Rothi shkroi romane dhe tregime të shumta që shpesh trajtonin fundin e monarkisë së dyfishtë dhe perëndimin e botës së vjetër. Përshkroi në mënyrë prekëse fatin e njerëzve të vegjël, vuajtja e të cilëve merr një kuptim mbi individualen. Vepra e Joseph Rothit u zbulua si duhej vetëm pas vdekjes së tij. Ajo u ribotua shumë herë dhe madje në bazë të saj janë realizuar disa filma. I vitit 1930 është botimi i Albert Kohler, i titulluar “Diell mbi Ballkan”. Bëhet fjalë për një libër udhëtimesh ku mes vendeve si Jugosllavia, Turqia, Greqia e Hungaria autori ka vizituar dhe ka shkruar përshtypjet e tij edhe mbi Shqipërinë. “Shqipëria një vend i panjohur”, botimi i vitit 1931, vjen nga autori Friedrich Wallisch. Veç përshtypjeve mbi vendin, ai e ka pasuruar këtë botim edhe me 45 fotografi si dhe një hartë të vendit. Richard Busch-Zantner mori titullin doktor në Universitetin e Erlangenit me një punim social-historik mbi Europën Juglindore, duke shqyrtuar në mënyrë të veçantë kohën e turqve. Siç duket, nisur nga ky studim në vitin 1939 ai solli librin “Shqipëria. Një vend i ri në perandori”. “Udhëtim përmes Ballkanit”, (20,000 kilometra udhëtim me makinë përmes Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë, Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Jugosllavisë), titullohet vëllimi i vitit 1941 i autorit Lutz Koch, i shoqëruar me 118 fotografi. “Rilindja e Shqipërisë” duhet të ketë qenë botimi i vetëm i Willibald Kollegger, i cili e publikoi atë në vitin 1942. Po në të njëjtin vit, Erich von Luckwald, botoi në Mynih “Shqipëria, një vend mes së djeshmes dhe së nesërmes”, një vëllim i pasuruar edhe me 88 fotografi. Thuhet se ai ishte i dërguar me një mision në vendin tonë dhe se ky libër është gjithashtu botimi i vetëm i këtij autori. Vite më vonë vjen një tjetër roman, ku aventurat e personazheve ndodhin në Shqipëri. Shkrimtari dhe gazetari Gustav Renker, në vitin 1951, sjell për lexuesin romanin “Aventura në Shqipëri”. Herbert Ziergiebel është një tjetër autor gjerman, i cili i ka kushtuar vëmendje vendit tonë. Në vitin 1956 ai boton “Perçja e fundit. Pamje udhëtimesh nga Shqipëria”, një vëllim i shoqëruar me fotografi të shumta. Një tjetër libër udhëtimesh i shkruar në vitin 1958 na vjen me titullin “Shqipëria - Vendi i bijve të shqipes”, nga Kurt Seliger. Një tjetër publikim i tij për Shqipërinë është edhe “Marrëdhënia e Shqipërisë me Kinën”, botuar në vitin 1975. Listës së autorëve gjermanë që u joshën nga vendi ynë i shtohet edhe Gerhard Kieslind me “Shqipëria”, botuar në vitin 1965. I fundmi ndër këto përshkrime udhëtimesh të gjermanëve në Shqipëri është ai i vitit 2004. Marion Gräfin Dönhoff, vizitoi Shqipërinë në vitin 1928, kur ishte ende një vajzë e re. Prej këtij udhëtimi mblodhi të dhëna prej vendit tonë si dhe fotografoi mjaft, duke dokumentuar Shqipërinë e kohës. Fotografitë e këtij udhëtimi u zbuluan pas vdekjes së saj dhe vetëm atëherë u botuan. Albumi vjen nën titullin “Nga Prusia Lindore përmes Europës deri në Shqipëri dhe përsëri mbrapsht” .
Marion ishte më e vogla nga shtatë fëmijët e një familjeje aristokrate nga Prusia Lindore. Që prej vitit 1946 punoi si gazetare e gazetës së përjavshme “Die Zeit”. Për një kohë të shkurtër punoi për “Observer”-in londinez. Nga viti 1968 u emërua kryeredaktore e “Die Zeit” dhe nga viti 1973 ishte njëkohësisht edhe bashkëbotuese e gazetës. Albumi fotografik, ku përfshihet edhe vendi ynë, u botua prej nipit të saj, Friedrich Dönhoff, të cilit pak para se të vdiste, i kishte treguar një kuti të harruar me negativa origjinale nga udhëtimi i Ballkanit në fillim të viteve ‘30. Marion Gräfin Dönhoff kishte udhëtuar me të motrën Ivonën nga Prusia Lindore përmes Europës deri në Tiranë dhe përsëri mbrapsht.

Kanë shkruar për Shqipërinë:

Klaus Liebe, 1974:

Në të vërtetë, edhe Shqipëria moderne në tërësi – sado paradoksale të duket me shikimin e parë – të lë përshtypjen e një fosili nga ajo botë e vjetër, e shenjtë dhe e perënduar, ku gjithsecili ishte i gatshëm të vetësakrifikohej për hir të saktësisë e drejtësisë së një çështjeje, të çështjes apo idesë së vet – fosil me tipare të ngurta e fanatike, që kanë lidhje me mosbesimin ndaj skeptikëve dhe të huajve, me besimin e pakushtëzuar dhe plot rreziqe në atë që quhet Shqipëri.
Ziergiebel (Perçja e fundit, Halle, 1956):Kusarë, e drejta e më të fortit, gjakmarrja, gra të mbuluara me perçe, pushkë Henry (Lloj pushke që citohet në librat aventureskë të Karl Mayit), çifte për arinj – Karl May: Përmes tokës së Shqiptarëve! Ka kaluar shumë kohë që kur historitë me vrasje të Kara Ben Nemsit dhe shërbyesit të tij, Hadschi Halef Omar Ben Hadschi Abul abbas Imb Hadschi Darwuhel al Gossara, më ndezën fantazinë dhe më udhëhoqën nëpër vendin e shqiponjave. Dhe brenda pak ditëve të gjitha ato që Karl Mayit iu desh të shpikte me mundime me ndihmën e një enciklopedie, do të bëhen realitet për mua: malet shkëmbore, xhamitë, myslimanët, cubat, pazaret...
Më në fund njëri (nga burrat para xhamisë së Tiranës) çohet në këmbë, thotë diçka dhe kryen një lëvizje përbuzëse me dorë, sikur të donte të thoshte: “Hajt ikni, por shpejt ama!”
Nuk është nevoja të na e thotë dy herë, sepse ne tashmë kemi bërë prapa kthehu dhe largohemi me nxitim. Myslimani na ndjek pas. Ne shpejtojmë ecjen, pasardhësi i Muhamedit gjithashtu. Gjatë kësaj kohe ai vazhdon të na flasë si për të na bindur për diçka dhe kryen gjithmonë të njëjtën lëvizje të dorës, të cilën ne e interpretojmë si “mbathuani me vrap”. (...) Thika! Ai mund të na godasë nga momenti në moment. Befas ndjej dorën kockore të myslimanit mbi supin tim. Ah, kursejeni jetën time të re, dua të thërras, por fytyrën e tharë të plakut e ka pushtuar një buzëqeshje kaq miqësore, saqë unë ndaloj pa dashur dhe gjithashtu vë buzën në gaz. Përsëri bën atë lëvizjen dëbuese me dorën e djathtë, kurse me të majtën më tërheq lehtazi drejt hyrjes së xhamisë. Pastaj kryqëzon krahët mbi gjoks, përkulet dhe bën një gjest ftues. (…) Fytyra e qeshur e plakut na bën që dalëngadalë t’i biem në të: lëvizja refuzuese e dorës në Shqipëri ka kuptimin e kundërt. Në vend të “shporru” ka kuptimin “eja brenda”. (...) Në djall vaftë Karl Mayi me fanatizmin e tij dhe vrasësit e tij me thika!

Sebestyen, (“Flautistë dhe Fantazma. Një udhëtim në klimë të zbutur”, Basel 1965):

Cili është shkrimtari më i mirë shqiptar?
Vështirë të thuhet. Ka shumë shkrimtarë të mirë në Shqipëri.
Nuk ka asnjë të cilin e çmoni veçanërisht?
Unë i vlerësoj të gjithë shkrimtarët që janë të talentuar.
Por duhet të ekzistojë njëri të cilin ju jo vetëm e çmoni, por edhe e doni. Njëri, librin e të cilit ju e merrni me kënaqësi në duar përpara se të bini në shtrat.
Po, po, ashtu është.
Atëherë pra, kë lexoni mbrëmjeve në shtrat?
Herë këtë e herë atë.
Mos ndoshta është Dhimitër Shuteriqi autori juaj i preferuar?
Po, edhe Shuteriqi, ai është shkrimtar i madh.
Por ka edhe të tjerë?
Po, edhe të tjerë.

Wehrli (“Shqipëria: Udhëtim drejt Kinës europiane”, 1971):

Dhe kur ashtu si padashur vjen fjala te “pilula-anti-baby”, dentisti na pyet: “Efekti i kësaj pilule është që gratë të ngelen më kollaj shtatzënë?”. Habia jonë për naivitetin e tij është e madhe. Pasi e orientuam mbi qëllimin e kësaj pilule, ai na sqaroi me një bindje krenare që një medikament i tillë as që nevojitej fare në Shqipëri. Sepse, sipas tij, në Shqipëri nuk kishte fëmijë jashtë martese, madje edhe divorcet ishin shumë të rralla. “Tek ne njerëzit nuk martohen prej manisë për t’u dëfryer, prej epshit dhe egoizmit, por sepse janë të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë shoqërore. Asnjë shqiptar nuk do t’i lejonte vetes të ftonte për vallëzim një vajzë të panjohur në një lokal dansi. Ajo vajzë që do pranonte një ftesë të tillë, do të dëbohej prej lokalit si një lavire e pacipë”. Tani fjalën e merr një udhëtar nga Gjermania Perëndimore: “Po, por tek e fundit edhe ju këtu martoheni. E si e njeh djaloshi vajzën e tij këtu tek ju, nëse nuk i lejohet ta ftojë në vallëzim?”. Shqiptari sqaron: “Djemtë dhe vajzat njihen gjatë punës, në ndërmarrje. Martesat që lidhen në bazë të njohjeve në raste dëfrimesh, janë martesa të këqija. Vetëm puna e përbashkët e formon karakterin e bashkëshortëve”.

Koch, “Udhëtim nëpër Ballkan”, 1941:

Shqiptarja e sotme vishet me të njëjtën elegancë si motra e saj në Berlin apo në Oslo, madje ajo e tepron paksa me buzëkuqin dhe pudrën, për të dokumentuar që më në fund ka shpëtuar nga detyrimi i ferexhesë dhe nga ajo jetë në hije e shprehur vetëm simbolikisht nëpërmjet ferexhesë.

Kollegger, (“Rilindja e Shqipërisë”, Vjenë, 1942:

Shqipëria e ditëve tona është një vend ku punohet me gaz dhe ku ndodhin transformime të vrullshme. Shumë gjëra të vjetra largohen dhe hera-herës ndonjë risi vjen në vend dhe depërton në mendjet e banorëve të tij. Horizonti i tyre i ngushtë i shikimit po zgjerohet dhe ferexhetë po flaken poshtë. Shqipëria nuk është më pararoja më perëndimore e Orientit, por është gati duke u kthyer në një citadelë të punës europiane... Nuk priten goditje prapësuese, sepse kundërshtarët brenda vendit janë neutralizuar, kurse nga jashtë nuk do të guxojë më asnjë armik ta sulmojë vendin. (...) E ardhmja do t’i sjellë Shqipërisë para së gjithash një pavarësi edhe më të madhe. Në vjeshtën e vonë të vitit 1941 Duçja, me rastin e një pritjeje në Palazzo Venezia, i premtoi një delegacioni nga Tirana se së afërmi do t’u japë shqiptarëve vetadministrimin. (...) Këtë vend me perspektivë për të ardhmen mund ta përshëndesësh me formulën e përditshme të banorëve të tij: T’u Ngiat jeta!