Tre vjet pa poetin Simon Kaca

Vasil Premçi




Vite më parë, kur u botua intervista e poetit të ri Siomn Kaca, në qarqet letrare dhe më gjerë, la përshtypjen e një të shtëne revolveri në një kishë, sepse në ajrin e kulturës shqiptare të kohës, të mbuluar nga smogu, me sherre, akuza dhe kundër akuza mes politikanëve të partive të shumta, për fat të keq edhe midis njerëzve të artit, ndryshe nga ata, ajo shquhej për nga dashuria e thellë njerëzore, sinqeriteti, entuziazmi dhe shpresa për të ardhmen. Nëpërmjet asaj interviste, poeti i ri i përcillte lexuesit mesazhe të vërteta fisnikërie… Le të sjellim më poshtë vetëm përgjigjen e dy pyetjeve që ai pati dhënë atëherë: 

-Ç’ kujton nga dashuria e parë? 

-A mund ta jap përgjigjen me një poezi që kam bërë për dashurinë e parë? 



“Me një tufë flokësh biondë, 

E lehtë si ajri erdhe, 

Unë vija me një tufë lirikash, 

Në atë fillim pranvere, 

Treni sulej drejt stacionit, 

Po era ç’trazonte ashtu?! 

Lirikëngrohtat e mia, 

Apo flokëboindet e tu?” 

-Cili ka qenë moment më romantik që ke kaluar deri tani në jetën tënde? 

…Një fluturim me avion drejt Izraelit mbi detin Mesdhe, ku nga dritarja e avionit, anijet në det dukeshin e zhdukeshin si kuti të vogla shkrepëseje…Aty kam luajtur motivin: 



“ Moj anglishte ta puthsha synin 

Se me ty po kaloj kufirin”… 



-Cili është shembulli yt në jetë dhe pse? 

-Në një shtëpi të sapondërtuar në krye të Mamurrasit është një nënë e moshuar që në kohët me diell del mbi shkallë e zhytur në mendime, mjegulluar në tym duhani e me sytë nga rruga pret; pret ta takojnë fëmijët e saj që i rriti me sa e sa mundime! 

Atë botë, ato rreshtat më sollën ndërmend nënën e poetit Sergei Esenin. Pse, a nuk janë njësoj të gjitha nënat e poetëve? 



“Letër nënës” 



Gjallë akoma je, nënokja ime? 

Gjallë jam dhe unë, Rrofsh e qofsh! 

Dritë e mbrëmjes derdhtë ligjërime 

Mbi kasollen tënde qoshk më qoshk! 



Thonë se je shumë e shqetësuar 

Dhe për mua brenga të mundon, 

Thonë se ti shpesh del e vetmuar 

Dhe me shall të vjetër rrugës shkon. 



Hiç mos e prish gjakun, moj e mirë, 

Nga mërzia ky vegim të feks, 

S’jam aq pijanec e ters me brirë, 

Pa të parë ty nuk shkoj të vdes! 



Si dikur i ëmbël jam, i brishtë 

Dhe një ëndërr fshehur kam në gji; 

Të braktis mërzitë e kotësitë, 

Në shtëpinë e vogël prapë të vij. 



Do të vij kur kopshti ynë i bardhë 

Degët t’i mbulojë me blerim, 

Vetëm ti si tetë vjet më parë 

Mos më zgjo aq herët në agim. 



Mos e zgjo atë që u dëshpërua, 

Mos e ndiz atë që s’ka më prush! 

Me zhgënjime zemra m’u lëndua 

Dhe me lodhje jeta m’u mbush! 



Mos më shty t’i lutem perëndisë, 

Tek e vjetra s’mbahem, s’ka më kthim! 

Vetëm ti je mall i dhembshurisë 

Vetëm ti je dritë e shpirtit tim. 



Haj, harro, mos rri e shqetësuar 

Dhe për mua hesht, mos u mundo! 

Rrugëve mos dil shpesh e vetmuar 

Dhe me shall të vjetër mos nxito. 



(Shqipëroi: D. Agolli) 





Është viti i tretë që nuk e kemi midis nesh poetin Simon Kaca. Jeta njerëzore është monedha më e artë në këmbim të së cilës nuk do të donim të reshtnim kurrë së dhëni gjithçka, por ja që asnjë lloj force njerëzore nuk është në gjendje të ndryshojë ligjet e jetës. Por kur një njeri dhe poet si ai kujtohet nga miqtë dhe kolegët e tij, për fjalën e gdhendur në varg, nuk mund të mos përjetosh një kënaqësi të veçantë. Sa herë që ndërmend emrin dhe krijimtarinë e Siomon Kacës, fantazia e ime e përqas atë me heroin e tregimit të shkrimtarit suedez, Gustav Sandgren-it “Kasollja e poeticit”, në të cilin tregohet rruga letrare e një poeti që kishte lindur e rritur ne fshat, Daniel D. Ky Danieli boton një vëllim poetik dhe pas sukseseve të para dhe ftesës së një drejtori shkolle në kryeqytet, që ia kishte lexuar poezitë, për të vazhduar shkollën, djaloshit i mbushet mëndja, si të gjithë poetëve të tjerë në botë se duhet të shkonte në qytet për studime dhe për t’u bërë një poet i madh. Në atë vrull e sipër, kërkon një të drejtë studimi që duhet t’ia firmoste kryetari i komunës. Por, as kryetari i komunës dhe as prifti i fshatit nuk e përkrahën poetin e gjorë. Shkurt, ata nuk ishin dakord që Danieli të shkonte në qytet dhe të studionte. Por Danieli, që e grishte në krahët e vet lavdia, braktis pa mëdyshje fshatin dhe mbërrin në kryeqytet. Shumë shpejt boton edhe vëllimin e dytë, i cili e bën aq të njohur dhe të famshëm, saqë poezitë e tij tashmë nisin të recitohen në teatro, të kompozohen dhe të këndohen nga mijëra njerëz. Tanimë, në shtëpinë e tij, atje, mes pyjeve të largët, organizohen vizita e pelegrinazhe. Të rinjtë kuriozë pyesin për jetën e poetit të famshëm Danie D, se, ku qëndronte ai gjatë ditës, kur lexonte apo shkruante vargjet plot frymëzim. Ata dalin në foto me prindërit e Danielit, që nisën të kenë përfitime në para për orët që i përkushtoheshin pritjes dhe intervistave me gazetarët e shumtë. Por, meqenëse Danieli ishte rritur në mjerim e varfëri të thellë, shpejt preket nga sëmundja e mushkërive ndaj i duhet të shtrohet në sanatorium. Por ai nuk mundi të shërohet, sepse e rrëmbeu vdekja. Bashkia e qytetit vendosi që shtëpia e tij të shpallet shtëpi muze. Me këtë rast, në ceremoninë e rastit përgatiten të marrin pjesë dhjetëra personalitete të artit dhe të kulturës. I pari që nis e përgatit një fjalim që do t’i prekte thellë pjesëmarrësit, ishte kryetari i komunës së fshatit të Danielit. Çfarë nuk kishte shkruar kryetari hipokrit për figurën e Danielit, tani pas vdekjes, se Daniel pati qenë një talenti i shkëlqyer i fshatit, nderi dhe krenaria e tyre, se kur ishte nisur për në qytet, fshati dhe ai vetë i kishin uruar atij lumturi… Prandaj kishin vendosur njëzëri që ta ruanin përgjithmonë këtë kasolle si një përmendore të çmueshme, sepse ajo kishte qenë vatra atërore dhe burim frymëzimi për poetin e shtrenjtë. Të gjithë pjesëmarrësit derdhën lot të nxehtë kur dëgjuan fjalimin e kryetarit të komunës, përveç një studiuesi që kishte mundur të siguronte letrën që kryetari i komunës i kishte dërguar atij të kryeqyteti, Stokholmit, për të mos e përkrahur Daniel D dhe për të mos ia paguar shtrimin në sanatorium për shërim…Por ndoshta tani nuk ia vlente më të mësohej e vërteta, sepse poeti vdekur ishte bërë i famshëm… 

Për fat të keq, jeta u tregua e padrejtë edhe me Simonin, sepse e rrëmbeu fare të ri duke e ndarë nga gjiri i familjes së shtrenjtë, prindërve, fëmijëve dhe bashkëshortes, por edhe nga lexuesit dhe krijimtaria letrare. Simoni mundi të botonte vëllimin poetik “Në sy fjalën ta lexoj”, nëpërmjet faqeve të të cilit shpalosi dhe kredon e tij poetike: 



Shko, poezia ime, 

Tek shtëpi e vjetër 

Dhe këpute një degë malli. 



Shko, poezia ime, 

Tek liqen’ i Ulzës 

Dhe merre një gur zalli. 



Shko, poezia ime, 

Tek flokëthinjura nënë 

E puthe për mua. 



Shko, poezia ime, 

Tek zemra që pret 

E thuaj: “Të dua!” 





Në botën e sotme letrare botohet shumë poezi, në format nga më të ndryshme, në varësi të rrymave letrare që përfaqësojnë. Sidoqoftë, shumica e studiuesve të poezisë dhe të letërsisë bashkohen në një mendim kur shprehen për poezinë, se: “Ajo është si një diell i mbuluar nga retë; atë mund ta dallosh, për të flitet, por ajo rrezaton pak”. (Revista letrare “Evropa”). 

Duke përkujtuar jetën dhe krijimtarinë e Simon Kacës, po sjellim më poshtë për lexuesin disa nga poezitë dhe vargjet e tyre pikante. Duke folur për fillimet e mjeshtërisë letrare, në librin e tij “Memuare”, Ivan Bunini, sjell bisedën e dy shkrimtarëve, tashmë në një moshë të pjekur dhe krijimtari të pjekur: 

“...Një shkrimtar ankohej: “më vjen të qaj nga turpi, kur kujtoj sa dobët kam nisur të shkruaj!”

-Ç’thoni kështu!”- thirri ai.-“Përkundrazi është mrekulli, kur e fillon keq! Kuptojeni se, kur shkrimtari fillestar shfaqet menjëherë me gjëra të përkryera, atëherë ai ka marrë fund. Dhe zuri të vërtetojë me zjarr e pasion se herët piqen vetëm njerëzit e aftë, d.m.th., jo origjinalë, që nuk kanë talent, sepse aftësia është baras me zotësinë për t’u përshtatur dhe “e bën më të lehtë jetën”, kurse talenti vuan, duke përpjekur të shfaqë veten”. (Faqe 42) 

Në krijimtarinë e tij poetike Simon Kaca ishte i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. Në morinë e rrymave që lëvrohen, spikat mendimi dhe porosia e Didëroit: Poet, ji i errët! Krijues dhe teoricienë të shumtë sot nënvizojnë nevojën e dykuptimësisë, shumësisë në fushën e krijimtarisë poetike për të rrokur të parrokshmen, për të thënë të pathënshmen, për të shprehur të pashprehshmen. Poezia i shmanget racionalizimit të kulluar të gjuhës, ajo parapëlqen dykuptimësinë, të papërcaktuarën dhe i drejtohet më shumë imagjinatës se sa arsyes, qasjeve intuitave, shqisore dhe analogjike në vend të atyre racionale, mendore dhe logjike. Përgjithësisht poeti dallohet nga figuracioni artistik që përdor dhe shpërfaq mbresat dhe emocionet që kërkon t’ia përcjellë lexuesit. 

Imazhet poetike janë stolitë më të vyera të thesarit artistik që fsheh brenda vetes një krijues. 

Mjaft vargje të poezisë së Simon Kacës janë të ngarkuara me një dashuri njerëzore dhe elektricitet vibrues ndaj familjes, nënës, fëmijëve, gruas, miqve shokëve, nxënëseve dhe bukurive të natyrës së Ulzës, ku ai punoi si një i zgjedhur në krye të komunës së saj. Ndoshta këtij përcaktimi do t’i shkonte për bukuri, si këpuca e princit hirushes, përcaktimi i Platonit, kur thotë: Poezia është e folura përçart (nga muza, pasioni, frymëzimi dhe dashuria, -do të nënvizoja unë) e perëndive”. 

Njerëzit e afërm të Simon Kcës, miqtë dhe shokët e tij, sa herë që vijnë dhe shkojnë nga Burreli, do të kalojnë patjetër në fshatin e lindjes së Siomon Kacës, Bushkash, bri kodrës në të cilën prehet Simoni, që vigjilon nga rruga dhe që i pret e përcjell të gjitha ata. Sigurisht, tanimë që ai nuk rron më, përjetimet e tij, të shpalosura në faqet e vëllimit poetik “Në sy fjalën ta lexoj”, mbartin emocione të forta: 

Ulza!...Muza ime poetike që nuk shteron kurrë…Nuk shteron Shkopeti si një djep që përkundet; me Bushkashin si bletë mbi nektarin e një lulefusheje; me Stojanin si kurorë mbi ballin e një nuseje; me sanxhakun qerpikvajze mbi “syrin” e liqenit; me Lundrenë si flutur mbi krahët e një pishe; me Madheshin si një pikë loti në fytyrën e një fëmije; me Kokërdhokun si flokë dëbore mbi një tufë kaçurrelash e me sa e sa puhiza drite që vrullojnë nëpër zemra… 

Simoni ka qenë një vëzhgues i vëmendshëm i natyrës dhe i fenomeneve shoqërore. Vëreni vargjet e poezisë “Një javë” 





Një javë 

Bosh, 

Tabelë e njoftimeve 

Për vdekje. 



Bosh 

Asnjë krevat, 

Te lindja e jetëve 



Java më e bukur e jetës sime; 

Qyteti pat dhembje gëzimi 

Vetëm me lindje. 



Simoni është një poet sinqertë dhe me fisnike. Ai i këndon dashurisë dhe asaj që i ka pushtuar zemrën përjetë, të dashurës dhe bashkëshortes, Artës. Ndjena e dashurisë shpërfaqet gati në të gjitha poezitë e tij lirike, veçanërisht në poezinë: “Me ty jam” 







Me ty jam 

…Kur shtang yjet tek më shohin 

Kur kam një fllad që m’ledhaton 

Kur ëndrrafshehurat nisin udhën 

Tek bliri ynë që më fton. 

Arta, 

Aty jam. 



Poezia “Vajtimorja e Bushkashit”, në të cilën autori vëren katharsisin që përjetohet nga njerëzit e afërm të një të vdekuri kur atë e qanë me ligjërime vajtimorja Bardha Riza. Çfarë rastësie e kobshme! Sepse në varrimin e Simon Kacës unë pashë me të vërtetë një grua “vajtimore” mbi varrin e tij që e qante me ligje. Në atë çast u bëra mjaft kurioz të mësoja në se ishte po ajo grua që dikur Simoni i pat thurur vargje! 



Bisedë me djalin 



Një yll i vogël mbi krevatin tënd 

Sonte ka rënë 

E nuk dua ta heq. 

Dhuratë po të bëj ca vargje 

Për ditëlindje 

Dy vjeç. 



Vazhdim i jetës sime ke ardhur 

Fisin tonë të hershëm 

Të mbash gjallë. 

Në krahët e gjyshit 

Dhe mua kur linda 

Babi m’i tha 

Këto fjalë. 





Çiltërsi 



Krejt natyrshëm te ti erdha 

Fllad mbrëmjeje ti tek unë 

Galaktikë e zemrave tona 

Qenka sonte e paund. 



Tërë blirët bulevardit 

Takojnë degët për t’na fshehur 

Nëpër fllade, nëpër lule 

Që të dy jemi të dehur. 



Ti je 



Ti-dallgë që më përplas, 

Ti-prush që më djeg, 

Ti-det ku humbas, 

Ti-zheg që më zhvesh. 



Ti-ëndërr që më ndjek, 

Ti- mall që më përvëlon, 

Ti-këngë që më pret, 

Ti-valle që më fton. 



Jam i pasur 



Kam pasuri 

Cicërimat e zogjve 

Krahët e lehtë të dallëndyshes 

Ngrohtësinë e të mirës nënë 

Përrallat e ëmbla të gjyshes. 





Kam pasuri, 

Një zemër që rreh vetëm për mua 

Dy sy që i puth dhe në gjumë 

Njëri, Arsiloa e vogël mbi abetare 

Tjetri, Leo që e duam shumë. 



Kam pasuri, 

Çantën plot me lule bore 

Buzëqeshjen e nxënësve të mi 

Kaq shumë tinguj metafore 

Fletë të shkruara 

Me mijëra. 

* * * 

I pasuri poet 

I varfëri poet 

Me kë ngjet?!... 



Në letërsi mesazhet e poezisë së Simon Kacës përputhen me mendimin që Andre Malraux, ka thënë për poezinë e së ardhmes: Ose shekulli i XXI do të jetë shpirtëror, ose nuk do të jetë fare”. 

Siç vumë në dukje edhe më lart, Simon Kaca mundi të botonte edhe librin e tij të dytë: “Të zgjedhurit”, që u duk sikur ishte një kapërcim apo “devijim” nga rruga e tij poetike. 

I ndërtuar mbi bazën e katër pyetjeve, ky libër rreh të njohë lexuesin me figurat e pjesës më të madhe të të zgjedhurve lokalë të vendit, me botëkuptimin e tyre për të ardhmen e komunave apo bashkive që drejtojnë si dhe me mesazhet e tyre ndaj banorëve që i kanë zgjedhur. Kështu, në një farë mënyre, ai shndërrohet në një pasqyrë të portreteve të shumicës së të zgjedhurve të pushtetit lokal, duke synuar në ndriçimin e figurave që drejtojnë jetën social-politike të shoqërisë shqiptare të kohës. 

Edhe në faqet e këtij libri duket dora dhe sqima e poetit. Vëreni çfarë shkruan për ata Simoni: 

… të zgjedhurit lokalë ecin dhe marrin frymë çdo orë e çdo ditë nëpër rrugët ku kalojnë banorët e tyre! Ata jetojnë dhe punojnë në të njëjtin qytet ose komunë. Ashtu si dhe mjekët në qëndrimin ndaj pacientëve, dëgjojnë do ditë këmbëkryq hallet dhe dertet e popullit, jetojnë më shqetësimet e tyre dhe vuajnë apo gëzohen së bashku me popullin që i ka zgjedhur, që, gëzohen apo hidhërohen njësoj si banorët e tyre, qoftë kur ata festojnë dhe gëzohen, sikurse edhe kur pësojnë fatkeqësi në jetën e përditshme, siç ngjet me një familje të vërtetë. Shkurt, të zgjedhurit lokalë kanë të njëjtin fat dhe të ardhme, si të banorëve të tyre, ndaj mund të përdorim pa drojë shprehjen që përdorin kapitenët e anijeve gjatë udhëtimit nëpër dete dhe oqeane, kur flasin për fatin e përbashkët me atë të udhëtarëve që qëndrojnë në të njëjtin bord: Udhëtojmë në të njëjtën anije! 

Paraqitja e figurave të të zgjedhurve lokalë nëpër faqet e librit, radhë pas radhe, jepet natyrshëm dhe lexuesi familjarizohet shpejt me personalitetin e tyre. Kjo ndodh jo vetëm për shkak të thjeshtësisë dhe modestisë së tyre, por edhe për mënyrën apo strukturën e ndërtimit të librit; katër pyetjet që u drejton autori kolegëve të tij, japin mundësi për t’u prezantuar me lirizëm para lexuesit si dhe për të bashkëbiseduar me zgjedhësit e tyre. 

Nëpër faqet e librit mëson për arsimimin dhe kulturën e të zgjedhurve lokalë. Ata u përkasin pothuajse të gjitha profesioneve, sepse janë ekonomistë, inxhinierë ndërtimi, mësues, agranomë dhe juristë. Emëruesi i tyre i përbashkët nuk janë partitë politike, por populli që i ka votëbesuar. Duket se, me “profesionin” e tyre të ri, të zgjedhurit lokalë bëjnë çfarë është e mundur për t’u përshtatur si ai njeriu që ka veshur një kostum të ri apo një palë këpucë të reja…Sigurisht, ata flasin hapur dhe në mënyrë të sinqertë edhe për përvojën e tyre të pakët. Çfarë është mirë dhe çfarë është keq. Çfarë duhet ndryshuar në të ardhmen. Ata mendojnë njëzëri se kompetencat për zgjidhjen e halleve të popullit duhet të zbresin në terren, pranë vendit ku lindin këto halle dhe shqetësime. Ndryshe, do të kujtonim atë thënien e urtë popullore: Peshku në det, tigani në zjarr… 

Duke u njohur me radhët e mësipërme, lexuesit dhe miqtë e tij të shumtë kanë përse ta kujtojnë me një ndjenjë të thellë respekti poetin dhe mikun e tyre të shtrenjtë Simon Kacën në zemrat e të cilëve ai jeton përherë.