Nga Kopi Kyçyku
Drama “Shqiptarët” përbën edhe një homazh për luftrat e paprera të popullit
tonë për çlirimin e vet kombëtar e shoqëror dhe ndihmesën e çmuar që ka
dhënë për lirinë e pavarësinë e popujve të tjerë të Ballkanit
Shkrimtari rumun Stefan
Xheorxhesku-Serxhent
(1859-1922), luftëtar i
vijës së parë në përpjekjet për Pavarësinë
e Rumanisë, ka qënë mik
i çiltër e i zjarrtë i kombit e i popullit
tonë. Këto ndjenja të ngrohta ai i
ka shprehur nëpërmjet veprës së tij
letrare, në prozë e në poezi. Vend të
dukshëm në këtë drejtim ze edhe drama
me pesë akte në vargje “Shqiptarët”,
e botuar në Bukuresht nga
Instituti i Arteve Grafike të Rumanisë,
më 1898 dhe e vënë në skenë, po
aty, një vit më vonë.
Njohës i mirë i historisë dhe i
traditës sonë, autori ka ditur të na
japë me vërtetësi, me patos e me art,
tablo të fuqishme e prekëse nga
luftrat heroike e të njëpasnjëshme
të bijve e bijave të popullit tonë në
vitet e fundit të sundimit të Sulltan
Mehmetit II (1784-1839).
Idetë se forca e gjallë, që do ta
shpëtojë Shqipërinë, janë masat
popullore, njerëzit e thjeshtë, madje
edhe gratë si Dora, me aftësi
komanduese dhe se Shqipëria rron
e do të rrojë edhe pa Skenderbeun,
se vepra e fryma e tij janë në zemrat
e të gjithëve, nënvizohen qartë
gjatë krejt zhvillimit të ngjarjeve
të dramës. Kemi arsye të besojmë
se emrin e protagonistes kryesore
të dramës, Dora, autori ia ka marrë
“hua” së shquarës sonë Dora
d’Istria, aq e njohur dhe e vlerësuar
në Rumani, por edhe në botë.
Autori di të bëjë një diferencim
të thellë edhe në gji të shoqërisë
osmane, duke dalluar qartë e prerë
kastën e korruptuar të Sulltanit nga
njerëzit e thjeshtë, që vuanin e shtypeshin
njëlloj si popujt e tjerë të
perandorisë. Krahas shqetësimit të
Sulltanit, ngaqë “Shqipëria është
kockë e fortë dhe e pakapërdishme”,
zbërthehen artistikisht, në dritën e
fakteve historike, dhelpëria e qëndrimi
me dy faqe i Venetikut ndaj çështjes
shqiptare.
Në atë përleshje të pabarabartë
me armiq të hapur e të mbuluar,
populli ynë ishte ngritur i tëri për
të flijuar gjithçka në altarin e lirisë.
Prej detit të urrejtjes popullore,
si dallgë të fuqishme, ngrihen e
vërsulen mbi pushtues e tradhtarë
edhe vajzat e nënat shqiptare. Ato,
jo vetëm lindin e rritin trima, por
edhe luftojnë në krah të tyre, atje
ku rreziku është më i madh. Pena
e Xheorxhesku-Serxhentit i ka qarë
me lot këto krijesa titanike, që
vetëm një truall i larë me lumenj
gjaku mund t’u japë jetë. Me zemrën
mal e shpirtin det, ato kacafyten
me vdekjen për të shpëtuar
jetën e fëmijëve, pra të ardhmen e
kombit. Kështu i kanë mësuar atdheu
e liria. Duke shpalosur një
mozaik të tërë virtytesh, njëri më i
çmuar e më i ndritshëm se tjetri,
autori, si rrallëkush, argumenton
artistikisht përse femra shqiptare
brezpasbrezi i ka merituar plotësisht
nderimin e mirënjohjen e
popullit të vet e të njerëzve përparimtarë
kudo në botë.
Drama që zhvillohet pjesërisht
në Shqipëri e pjesërisht në Stamboll,
fillon me një skenë me sfond
malet tona. Aliu, jeniçer, ka rënë
rob në duart e luftëtarëve shqiptarë
dhe, në të njëjtën kohë, atij ia ka
"robëruar" zemrën Dora, një vajzë
trimëreshë shqiptare. Këtë të fshehtë
ia zbulon me djallëzi Kosta,
agjent i maskuar i Fanarit dhe i
premton ta ndihmojë. Nga ana
tjetër, në një ditë feste, kur
luftëtarët do të zhvillojnë lojra
trimërie, Kosta gjen rastin dhe i
kërkon për vete Nemisës dorën e
së bijës, Dorës. Nëna i thotë se
Dorën do ta marrë ai që del fitues
në betejë. Dora krenohet me qëndrimin
e s’ëmës dhe shton se nuk
do të mashtrohet kurrë nga fjalët e
sheqerosura e lajkatare, duke aluduar
qartë për Kostën.
Skena e katërt e aktit të parë
çelet me lajmin që sjell luftëtari
shqiptar, Marku, se hordhitë osmane
po afrohen dhe kanë urdhër
të kapin Dorën, komandanten e
shquar, e t’ia çojnë Sulltanit në sarajet
e Stambollit. Prijsja vihet në
ballë të një grupi të madh luftëtarësh
dhe i premton s’ëmës se do t’ia
zbardhë faqen, si gjithmonë. “Shqiponja
tek rreh flatrat e ngjitet gjer
në re/, Nuk trembet nga hijenat,
nga djaj e ujq përdhe” shprehet
Dora. Në largim e sipër, ajo e pyet
nënën në se kanë ndonjë shënjë
dalluese dy vëllezërit që ia patën
rrëmbyer nga gjiri osmanët kur vranë
babanë e Dorës, që t’i njohë në i rëntë
rasti t’i takojë. Dhe nëna ia tregon
shënjat.
Në aktin e dytë, që zhvillohet
në kryeqytetin e perandorisë, dy
jeniçerë, Murati dhe Ibrahimi, sidoqë
kanë kryer krime gjatë tërë
jetës, ndjejnë një kafshim në
ndërgjegje pikërisht tani që Nemisa,
nëna e Dorës, është kapur
tradhtisht nga njerëzit e Sulltanit
dhe mbikëqyret në burg nga jeniceri
Selim, i cili nuk e di se ka vëlla
Aliun dhe të dy janë djem të Nemisës.
Përveç faktit që, për një çast,
mendja u shkon se mund të pësojnë
edhe vetë të njëjtin fat në të
ardhmen, kanë frikë se mos shqiptarët
vrasin Aliun për hakmarrje
ndaj vdekjes së mundshme të
Nemisës. Shqetësimi i bën, më në
fund, t’ia thonë Kostës, të cilin e
njohin, të fshehtën mbi rrëmbimin,
që në mituri, e dy djemve
të Nemisës. Synimi është që Kosta
të parandalojë vrasjen e Aliut.
Murati shkon takohet me Kostën
dhe, sa fillon t’ia rrëfejë ngjarjen,
Kosta e ve në dijeni se ka vendosur,
edhe ai, të vihet në shërbim
të Sulltanit, mbasi shqiptarët nuk
e kanë të gjatë. Ndërkohë që Murati
e përgëzon për këtë vendim,
Dora, që ua ka dëgjuar dialogun,
qëllon Muratin për vdekje. Kostën,
gjithashtu, e dënojnë me vdekje
duke e hedhur nga maja e një shkëmbi.
Një rastësi e shpëton Kostën,
- mortja s’ha çdo gjë, - i cili
kalon në kampin osman. Ndërkohë,
Nemisa u bën ballë me
heroizëm trysnive të Padishahut
për t’i dhënë të bijën, Dorën. Selimi
ka mendimin se Kosta duhet
vrarë. Përderisa ka tradhtuar bashkatdhetarët
e vet, ai mund t’i
punojë të njëjtin rreng edhe Sulltanit.
Por ndërhyn Aliu, që thotë
se Kosta i ka shpëtuar jetën duke
e lënë të lirë të ikte tinëz shqiptarëve.
Gjithashtu Kosta u ka
dhënë informacion të hollësishëm
osmanëve nga duhet t’i qëllojnë
forcat e Dorës për t’i asgjësuar me
lehtësi.
Në skenën e katërt të aktit të
katërt, Dorën me shokë e shohim
në një betejë të re dhe njëherazi
në pritje të ndihmave të premtuara
me bujë nga Venetiku. Marku
i thotë: “Ta dish që venecianët të
besës nuk i ke, madje edhe kur bëjnë
si djaj be e rrufe”. Ndërsa Dora: “E
di Mark fare mirë, veç na e kanë
nevojën, nga deti ne i mbrojmë, për
ta jemi mburojë”. Pasi bindet që
ndihmat nuk kanë për të ardhur, urdhëron
gratë të hedhin gurë e
trungje mbi kokat e armiqve që janë
afruar së tepërmi, ndërsa burrat të
bëjnë gati armët. Ndërkohë, Kosta,
me një tabor osman, u merr krahët,
vret pas shpine Markun dhe kapet
Dora. Kjo i përgjigjet me përbuzje e
neveri Selimit, kur ky i thotë se Sulltani
ia ka premtuar për grua. Aliu e
thërret Selimin në duel: kush del
fitues, merr Dorën. Fillon dyluftimi.
Dora ia sheh shënjën Selimit dhe
u thotë të ndalen. Të dy shtangen
nga zëri i saj bubullues e njëherazi
i ngrohtë.
Në këto e sipër Sulltani shkarkon
Vezirin e Madh për dështimet
në luftrat me shqiptarët dhe,
në vend të tij, emëron Kostën.
Në burg, pranë Nemisës e
Dorës, ka rënë tani edhe Selimi, i
cili, me të marrë vesh të vërtetën,
ka hequr në çast dorë nga lufta
kundër shqiptarëve. Aliu vjen të
shpëtojë Selimin, por, në
ngazëllimin që ka njohur nënën e
motrën, ky nuk do që të largohet
dhe i thotë Aliut, me të cilin pajtohet,
të ikë me Dorën duke u
uruar fatbardhësi. Por as Dora nuk
pranon ta lerë të vëllanë fillikat
në qelinë e errët. Ajo, pa e ditur
që edhe Aliun e ka vëlla, i thotë
se vetëm ai ka qënë i denjë për
dashurinë e saj. Aliu largohet i
pikëlluar dhe krenar për këtë heroinë
që e shpërfill vdekjen.
Ndërkohë Aliu mëson nga goja e
jeniçerit Ibrahim të vërtetën, pra
që është vëlla me Selimin dhe të
dy vogëlushët Ibrahimi me Muratin
ia patën rrëmbyer nga gjiri
Nemisës. Ai shton se këtë ndodhi
Murati ia pat treguar edhe
Kostës. Shokët e Aliut e vrasin
këtë, ndërsa Aliu vdes nga pikëllimi
i madh që s’mund t’i shohë
dot edhe një herë nënën, motrën
e vëllanë, të cilët kanë vdekur
tashmë heroikisht.
Vlerat artistike të dramës
“Shqiptarët” janë të larta
Katërmbëdhjetërrokshi, që, për
nga shtrirja e ritmi, ruan strukturat
themelore të shtatërrokshit të
krijimtarisë popullore gojore rumune,
i ka dhënë dorë autorit ta
bëjë rrëfimin të plotë e tërheqës.
Rima, kryesisht e puthur, i shkon
për shtat natyrës së subjektit dhe
stilit të dramaturgut. Është ruajtur
harmonia që përfton njësimi i
objektit të përshkruar (luftëtarët
shqiptarë që lëvizin si anije mbi
valë), me strukturën valëzuese
(ngjitëse e zbritëse) të tri këmbëve
jambike të bashkuara në vargje,
duke i dhënë gjallëri të brendshme
pejzazhit, në sfondin e të cilit
zbërthehen situatat dramatike. Bie
në sy, gjithashtu, begatia e figurave,
përherë në funksion e në të
mirë të kumtimit sa më qartë të
idesë në momentin e dhënë.
Duke qënë se në qëndër të veprimit,
autori ka vënë femrën shqiptare,
si nënë të dhemshur, të
ndershme e amvisë, si luftëtare dhe
komandante trime e të zgjuar,
kujdesin më të madh ia ka kushtuar
zbërthimit psikologjik të kësaj figure.
Me një vërtetësi e bukuri të
rrallë, përshkruhen sidomos skenat
e qëndresës së Nemisës e të Dorës
në qeli. Vetë Sulltani, Mehmeti II,
që ia ka ndjerë famën guximit e
mençurisë së Dorës, i ndruhet ballafaqimit
të hapur me armë në shesh
të burrave, me forcat që ajo komandon.
Por, edhe tani që e ka kapur
Dorën me dredhi, detyrohet të pohojë
se “kjo vajzë e re po na ve në
lojë”. Ndërsa Nemisa, Vezirit të
Madh, që mundohet t’i mbushë
mendjen ta largojë të bijën nga rruga
e luftës kundër otomanëve, i
kthehet: “Më vrisni, më coptoni, në
daçi, menjëherë, por trimes së
nënokes, që luftë bën me nder, i
them: më fort mpreh shpatën, qëlloji
pa mëshirë, të zhduket fara e
keqe-Sulltani egërsirë!”
Paskëtaj, Sulltan Mehmeti II,
pikë e vrer, i zbrazet Vezirit: “Vërtet
vdiq Skenderbeu, po pse kujtuam
vallë, se fundi Shqipërisë i erdh; jo,
mbeti gjallë!”
Drama “Shqiptarët” përbën edhe
një homazh për luftrat e paprera të
popullit tonë për çlirimin e vet kombëtar
e shoqëror dhe ndihmesën
e çmuar që ka dhënë për lirinë e
pavarësinë e popujve të tjerë të
Ballkanit.






