Shëndeti dhe biznesi

Alarmi që vjen nga plotësuesit ushqimorë

Integratorët ushqimorë, që prej kohësh qëndrojnë të pathyeshëm në renditjen e produkteve më të shitura farmaceutike, këshillohen si ilaç për të gjitha sëmundjet: për t’u ndier në formë, për të luftuar lodhjen, për të rritur mbrojtjen e sistemit imunitar, për forcimin e kockave, për t’u nxirë më tepër, për të rigjeneruar lëkurën, për të rritur flokët dhe për të reduktuar peshën e trupit. Thjesht duhet të kujtoni se janë më të rrezikshëm se sa e mendoni
Teksa jemi të lodhur, kemi këputje, pagjumësi dhe ndihemi të stresuar, mendimi i parë që na shkon ndërmend është një vizitë e shpejtë tek mjeku dhe disa analiza të thjeshta gjaku. Sot, shumë pak veprojnë kështu. Pjesa më e madhe e ka gjetur zgjidhjen shumë lehtë. Në supermarket, internet apo farmaci, gjithkush mund të këshillojë plotësues ushqimorë, me baza bimore apo jo, për t’i larguar si me magji shqetësimet që kemi. Sigurisht duke lënë pas dore një aspekt të rëndësishëm: rrezikun që na vjen prej tyre. Një rrezik që nuk duhet nënvlerësuar aspak, ashtu siç thonë mjekët. Dhe pavarësisht se këta të fundit këmbëngulin që askush të mos t’i përdorë pa u konsultuar më parë me specialistët, ky biznes, në të gjithë botën, duket se është në majat e lulëzimit. Në farmaci mund të gjesh për të gjitha sëmundjet: për të luftuar lodhjen, stresin, ftohjen apo për të na bërë më të fortë. Edhe në shtatzëni, përdorimi i tyre gjen hapësirë të madhe. Nënat e reja, të frikësuara se organizmi i tyre nuk mund t’i plotësojë dot nevojat për të ushqyer siç duhet krijesën që kanë në bark, nuk ngurojnë të pinë lloj-lloj vitaminash dhe mineralesh për të qenë sa më të shëndetshme. “Është plotësisht e gabuar. Një ushqim i balancuar plot fruta, perime dhe ushqime të freskëta, nuk e krijon nevojën e marrjes së plotësuesve ushqimorë. Fëmija mund të lindë më i shëndetshëm nëse nëna është ushqyer me ushqime të freskëta dhe joplotësues artificialë”, tregon një mjek amerikan.
Shitja e vitaminave minerale, fluor, magnez, kalcium, aminoacide, fibra dhe ekstrakte bimore janë sot një biznes fitimprurës. Të dhënat tregojnë se gjithmonë e më shumë qytetarë në të gjithë botën përdorin plotësues ushqimorë për mirëqenie psikofizike. Vetëm në Francë, për tremujorin e parë të vitit 2009, ishin shitur më shumë se 89 milionë kuti me një rritje prej 7 përqindësh, krahasuar me një vit më parë. Vitaminat janë gjithsej 13 dhe emërtohen me një shkronjë të vetme në bazë të zbulimit ose nga emri specifik i vendosur në momentin e përcaktimit të strukturës së tyre kimike. Në vitin 1911, mjeku polak, Kazimier Funk, zbuloi një substancë në gjendje që të shëronte sëmundjen beri-beri: vitaminën B. Sigurisht që kur organizmi ka mungesë vitaminash, nuk ka asnjë dyshim që mund të sëmuresh. Kështu, nëse mungesa e vitaminës B shkakton beri-berin, mungesa e vitaminës C shkakton skorbutin, ndërsa mungesa e vitaminës D rrit rrezikun për rakitizëm. Meqenëse sot njerëzit nuk ushqehen më në mënyrë të shëndetshme si në të kaluarën, për të balancuar dietën e tyre ushqimore u drejtohen plotësuesve ushqimorë pa marrë asnjëherë parasysh rrezikun që mund të vijë prej tyre. "Më të shëndetshëm dhe më të bukur me vitamina", ka qenë prej vitesh udhëzimi i dietologëve amerikanë, të shqetësuar nga përqindja e vogël e vitaminave në trup për shkak të ditës së varfër ushqimore. Earl Mindell, autori i "Bibla e vitaminave", një bestseller që në Amerikë ka shitur brenda vitit më shumë se 2 milionë kopje, rekomandonte që gratë amerikane, me moshë nga 13 deri në 40 vjeç, të mësuar me fast-food-e, që herët ose vonë tregonin se kishin mungesë kalciumi dhe hekuri në organizëm, të merrnin suplemente ushqimore. Në një tjetër bestseller, "The vitamine pushers", marrja e vitaminave dhe e shtesave ushqimore që nuk mund të merren përmes ushqimeve është plotësisht e këshillueshme. Vitaminat dhe mineralet gjenden te shumë ushqime si: makaronat, biskotat, kosi, qumështi dhe drithërat, të ashtuquajturat "health food" (ushqim i shëndetshëm). Por a ekziston vërtet nevoja për t’i marrë? "Vitaminat, një bashkim heterogjen substancash kimike të nevojshme për organizmin, janë të rëndësishme dhe së bashku me antioksidues të tjerë luajnë funksione të rëndësishme, por nuk ekzistojnë prova shkencore që të tregojnë se duhen sasi të tjera, përveç atyre që merren përmes një ushqimi të shëndetshëm", tregon doktoresha Marisa Porrini, specialiste mbi ushqimin dhe ushqyerjen në Universitetin e Milanos. "Sot hahet më shumë dhe më mirë, të paktën në botën perëndimore dhe janë përmirësuar ndjeshëm edhe karakteristikat e ushqimeve të modifikuara. Nuk ka asnjë fakt që tregon se e gjithë popullsia ka mungesë vitaminash". Integratorët, që prej kohësh qëndrojnë të pathyeshëm në renditjen e produkteve më të shitura farmaceutike, këshillohen si ilaç për të gjitha sëmundjet: për t’u ndier në formë, për të luftuar lodhjen, për të rritur mbrojtjen e sistemit imunitar, për forcimin e kockave, për t’u nxirë më tepër, për të rigjeneruar lëkurën, për të rritur flokët, për të reduktuar peshën e trupit. Madje shpesh edhe për të luftuar plakjen. Ky është mesazhi që vjen nga reklamat e viteve të fundit që i propozojnë ato si zgjidhje për gjithçka. "Në të vërtetë, vetëm në raste të veçanta mund të kesh nevojë për suplemente vitaminash. Megjithatë, edhe atëherë mund të jepen vetëm me këshillën e mjekut pas analizave specifike", vazhdon më tej Porrini. Megjithatë, mania e përdorimit të tyre është kaq e përhapur, sa nuk lë pas edhe fëmijët. Një studim i fundit i Universitetit të Kalifornisë, me 10.828 fëmijë nga 2 deri në 17 vjeç, arriti në përfundimin se 34 për qind kishin marrë suplemente vitaminash ose mineralesh, edhe pse kishin një stil jetese të shëndetshëm nga pikëpamja ushqimore. Një abuzim jo pa rreziqe: të marra në sasi të mëdha, mund të shkaktojnë efekte negative, si marrje mendsh dhe të vjella, dhembje barku, madje edhe dëmtime të rënda të veshkave. Kur studimet e para epidemiologjike të kryera në vitet ‘60-‘70 treguan se një ditë e pasur me zarzavate mund të ulë rrezikun e kancerit, ka nga ata që menduan se plotësuesit e vitaminave dhe mineraleve mund të jenë zëvendësuesit më të mirë të brokolit, peshkut apo bukës. D.m.th për ata që nuk kanë një stil jetese që i kushtojnë shumë vëmendje ushqyerjes, mund të zëvendësojnë mungesat në mënyrë artificiale. Megjithatë, nga studimet e kryera më vonë doli se është e pamundur që të zëvendësohen mungesat ushqimore me një pilulë të vetme. Konfirmimi i radhës vjen nga "Womens health iniciative", që ka vlerësuar rolin e multivitaminave në mbrojtjen e disa lloje kanceresh, sëmundjeve kardiovaskulare dhe uljen e vdekshmërisë në më shumë se 36 mijë gra, nga 50 në 79 vjeç. Kërkimi klinik tregoi se vitaminat dhe mineralet shtesë nuk e kanë ndryshuar aspak përqindjen e këtyre sëmundjeve dhe as vdekshmërisë. Tetorin e kaluar, një studim i bërë nga një revistë e njohur amerikane, tregoi se efektet e këtyre suplementeve te 35 mijë burra që i kishin përdorur për pesë vjet me radhë ishte thuajse zero: nuk luanin asnjë rol në mbrojtjen kundër kancerit të prostatës. Përkundrazi, u pa se te shumë prej meshkujve u rritën rastet e tumorit në vend që të uleshin, madje rriteshin edhe rastet e diabetit. Jo shumë ndryshe, një tjetër studim përfshiu 15 mijë mjekë për më shumë se 8 vjet. Studimi që përfundoi në 2008-n, tregoi se nuk kishte asnjë lloj ndryshimi për prekjen ndaj sëmundjeve kardiovaskulare tek ata që përdornin vitaminën E dhe C në krahasim me ata që nuk i përdornin fare, por i merrnin në mënyrë natyrore. Po ashtu, një vit më parë, "Women antioxidant cardiovasciular study”, që kishte hetuar mbi efektin e suplementeve të vitaminës C, E dhe betakarotenit te më shumë se 8 mijë gra për 10 vjet, tregoi se asnjë nga këto nuk kishte influencuar mbi sëmundjen. "Pra, në disa raste, të marrësh plotësues ushqimorë mund të jetë e rrezikshme", tregojnë mjekët. Nga ana tjetër, edhe studimi i kryer te gratë që përdornin selen me faktin se mund të reduktonte kancerin e lëkurës, nuk dha asnjë rezultat. Përveçse marrja e tij mund të shkaktonte diabet, nuk kishte asnjë efekt pozitiv. "Vitaminat e pranishme në ushqim përthithen prej tij në një përqindje jo të lartë dhe të ndryshme në funksion të llojit të ushqimit dhe kushteve specifike të organizmit. Me suplementet është ndryshe, sepse merret më shumë se sasia e kërkuar", thotë më tej Porrini. Në vitin 2008, një studim danez i "Cochrane Collaboration", vëzhgoi 67 studime që kishin përfshirë 230 mijë persona të shëndetshëm dhe doli në përfundimin se "nuk ka fakte bindëse që antioksiduesit përmirësojnë cilësinë e jetës". Përkundrazi, në disa raste, rrisnin vdekshmërinë. "Problemi me suplementet është se dozat janë të larta dhe shumë herë më të larta sesa kemi nevojë. Edhe kur korrespondojnë me dozën ditore të këshilluar shkohet në mbidozë", paralajmëron mjekja. Madje edhe dozat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë janë të larta. Për shembull vitamina A, që forcon sistemin imunitar, në mbidozë mund të jetë helmuese dhe të rrisë rrezikun e osteoporozës. Studime të tjera kanë treguar se betakaroteni, substanca që i jep ngjyrë portokalli karotave e që konvertohet në vitaminë A, në organizëm nuk të mbron nga tumori i mushkërive. Një studim i nisur në vitin 1985 dhe që përfundoi në vitin 2006, pasi përfshiu më shumë se 30 mijë duhanpirës finlandezë (nga 50 deri në 70 vjeç) u rekomandoi atyre të përdornin vitaminë E dhe betakaroten: kundër asaj që pritej betakaroteni bënte që të rriteshin rastet me tumor në mushkri. Disa avantazhe mund t’i atribuoheshin për kancerin në prostatë, por edhe kjo lidhej me vitaminën E dhe jo me betakarotenin. "Sot mund të blihen në farmaci, në supermarket ose më keq akoma në internet, ndaj është e vështirë të bësh një monitorim përdorimi mbi rreziqet që mund të sjellin ato", shpjegojnë mjekët. Është më mirë nëse u besojmë vitaminave natyrore që gjenden tek ushqimet. "Një shembull është ai i fitoestrogjenëve të sojës, në bazë të shumë preparateve natyrore, për të larguar simptomat e menopauzës". Duke iu referuar substancave me origjinë bimore, në gjendje të stimulojnë në organizëm efektet e hormoneve femërore. "Dozat e propozuara në këto produkte janë shumë të larta se ato që merren me ushqimin nga gratë kineze dhe japoneze, që i përdorin efektet pozitive të fitoestrogjenëve të sojës edhe për sa i përket rrezikut të kancerit të gjirit". Me pak fjalë, atyre u duhen dy grushte fara soje të pjekura në ditë për të marrë të njëjtat vlera të integratorëve, por pa frikën e mbidozës dhe efekteve anësore. Me pak fjalë, është më mirë të mos i besosh marketingut, produkteve me kuti dhe ngjyra të bukura, sesa alkimisë së përbërësve në ushqimet që përdorim.