Rrëfyesi i së vërtetës, sovrani dhe “dhaskalët e nënshtrimit”

Salajdin SALIHU

Sovrani mbjell vuajtje, skamje e terr me qëllim që njerëzit t’i përkulen dhe të mendojnë për bukën tokësore dhe jo për lirinë e bukën qiellore. Në këtë gjendje njerëzit nuk kanë kërkesa tjera, por vetëm “merakun” e barkut të urët, ndërkohë luten e falen për ata që u shkaktojnë vuajtje

1.
Rrëfyesin e të Vërtetës e torturon e pathënë atëherë kur ndodh mashtrimi i madh. Ikja nga përgjegjësia bëhet më torturuese se dënimi nga Sovrani. Një shtytje e brendshme nuk e le të qetë, e shtyn ta kafshojë “mollën e ndaluar”. Ndjen dhembjen e heshtjes, por e di se dhembjet më të tmerrshme do vijnë kur do të flas. E di se sovranët kanë vesin e keq: janë të pamëshirshëm. E njeh mitin mbi vjedhësin e zjarrit. Dënimin që pasoi… Njerëzit nuk duhej të shihnin, as të dëgjonin, as të dinin çka ndodhte në Olimp, në atë vend trillesh, mashtrimesh, djallëzish...
“Gjatë gjithë historisë, kërkuesit e së vërtetës dhe rrëfyesit e së vërtetës kanë qenë të ndërgjegjshëm për rreziqet e punës së tyre; për sa kohë që ata nuk ndërhynin në rrjedhat e ngjarjeve, mbuloheshin prej gazit të botës, por ai syresh që arrinte t’i detyronte bashkëqytetarët e tij ta trajtonin seriozisht, duke u përpjekur t’i çlironte ata prej falsitetit dhe iluzioneve vinte në rrezik jetën e tij” (Hannah Arendt)

2.
Sovrani mbjell vuajtje, skamje e terr me qëllim që njerëzit t’i përkulen dhe të mendojnë për bukën tokësore dhe jo për lirinë e bukën qiellore. Në këtë gjendje njerëzit nuk kanë kërkesa tjera, por vetëm “merakun” e barkut të urët, ndërkohë luten e falen për ata që u shkaktojnë vuajtje. Derisa mbretëron terri dhe zija e bukës perënditë bëjnë sefa në Olimp. Herë pas here gjuajnë me rrufe, për të treguar fuqinë. Derisa të vegjlit kanë frikë, Rrëfyesi i së Vërtetës përgatitet për vjedhjen e domosdoshme të zjarrit... Historia njerëzore ka dëshmuar se njerëzit me virtyt dhurimi, gjithnjë kanë rënë ndesh me mendimin zyrtar - autoritar. Sokratit, që thoshte “është më mirë të vuash të keqen e të tjerëve se sa të bësh keq”, i dhanë kupën e helmit. Sipas versionit fals Eskili humbi jetën aksidentalisht nga një breshkë e rënë mbi kokë të tij...

3.
Sovrani tenton me çdo formë të ndrydh mendimin e lirë. Rrëfyesi i së Vërtetës e di atë që ka thënë një njeri i racës së tij se “guvernat të cilat shtypin lirinë e shprehjes për shkak të bezdisë që u shkakton realiteti që publikohet nga ajo, veprojnë si fëmijët kur mbyllin sytë për t`u bërë të padukshëm”. 
Rrëfyesi i së Vërtetës nuk pranon t’ia marrin të drejtën për të thënë të vërtetën dhe për ta shpërndarë zjarrin e dyshimit, sado që të lëshohen dekrete dhe ai shpallet armik. Ai preferon dialogun në vend të retorikës.

4.
Pushtetet totalitare janë ku(r)do të njëjtë. Toleranca është vetëm fjalë dhe përrallë. Ndaj Rrëfyesit të së Vërtetës fillimisht përdoret dinakëria. I ofrohen dhurata danaji, sa për ta futur në rrjetë merimange; i jepet “mundësia” të heq dorë nga “herezitë”. Kur ai nuk i dëgjon “këshillat”, atëherë vazhdon etiketimi, për të arritur te fundi i paevitueshëm: dënimi. Aktakuza ka mijëra vjet që mbetet e njëjtë: armik i popullit, shtetit, amoral...
Dhe pasi fundi dihet, me detajet merren servilët, »dhaskalët e nënshtrimit«., sepse “sundimtarët më autokratik dhe tiran nuk mund të vijnë në pushtet, pale ta mbajë atë, pa mbështetjen e njerëzve mediokër” (Xhejms Madison).

5.
“Dhaskalët e nënshtrimit” janë krijesa që ambientohen shpejt. Për ata rezervohen poste të larta. Ata janë kontrolluesit e institucioneve. Nuk u shpëton asgjë. Përpilojnë lista personash “të (pa)përshtatshëm”.  Për ta nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç asaj që e njeh autoriteti politik. Janë “masë nëpunësish e rrogëtarësh me diploma që konformohen kundrejt autoritetit politik dhe përulen para tij për ndonjë bekim apo përfitim”.
Gjithë këtë mekanizëm Rrëfyesi i së Vërtetës e njeh fare mirë. Ai i ka konsultuar mirë ata që i takojnë botës së epërme...

6.
Derisa Sovrani rendit suksese, sikur të ishin gurës tespihesh, ndërkohë që turma brohoret, valëvit flamuj, ndizet e përndizet se harron shumë shpejtë, Rrëfyesi i së Vërtetës,  i gërryer nga  dhimbjet, sheh vetëm flamuj disfatash. Ai kaherë i njeh këta vjedhës fitoresh.

7.
Sovrani dëshiron ithtarë që botën e shohin me syze ideologjike.
Heretiku botën e sheh me sytë e Homerit, Diogjenit, Borhesit, Miltonit...
Despoti kënaqet kur përpara tij ndizen kamerat, që shumëfishojnë gënjeshtrat e dala nga  goja e tij.
Heretiku nuk ndjen kurrfarë nevoje të shfaqet në ekrane. Atij i bëhet nder kur e fusin në lista të të papërshtatshmëve. I mjafton vetëm vetmia dhe bindja se nuk i ngjan Sovranit dhe »dhaskalëve të nënshtrimit«.  Tevona përsërit fjalët e Zarathustrës: “Ju kërkoni lart, kur kërkoni të lartësoheni, ndërsa unë vështroj poshtë, sepse jam lart”. I shikon me dhimbje krijesat e mjera që sillen rrotull Sovranit ashtu gojëmbyllur dhe veshpërpjetë. Ua fal mëkatet. Nuk dinë ç’bëjnë…Kanë fëmijë… Mosvrasje ndërgjegje… Ose: “Del më i fituar njeriu i mençur që bëhet sikur s`ka mend”.

8.
Sovrani kënaqet kur thuhen për të mijëra lëvdata nga servilët e oborrit mbretëror, ndërkohë Rrëfyesi i së Vërtetës vizaton në fytyrën e tij brirët e largqoftit.

9.
Sovrani ka frikë nga mendimi i lirë i shprehur publikisht, se mos ndikon keq te ata që i falen si një idhulli, ndërkaq Rrëfyesin e tmerron ripërsëritja e marrëzisë. Ai nuk beson në idhuj. Nuk është turmë. Herë pas  herë bisedon me ata që i takojnë botës së epërme. E thirr në ndihmë Eskilin, Shekspirin, Oruellin. I kujtohet Spinoza. Njerëzit që ndalojnë mendimin e lirë mund të bëjnë atë që “njerëzit të mendojnë një gjë dhe të thonë një gjë tjetër”, e kjo shpie në “prishjen e ndershmërisë” dhe në “ushqimin e pabesisë”

10.
Sovrani nuk lejon askush ta kundërshtojë. Dëshiron të gjithë ta adhurojnë, sepse vetëm kështu siguron rehatinë. Ai e di se derisa turma beson, brohoret, duartroket, është në dimensionin e mashtrimit, ndërkohë ai mbetet i fuqishëm. Dhe derisa jashtë bëhet zhurmë, Rrëfyesin e së Vërtetës e rrahin stuhitë e mendimit.


11.
Sovrani nuk merakoset kur shembet kështjella shpirtërore, ndërkaq Rrëfyesi i së Vërtetës vuan kur sheh se si Panteoni mbushet me kufoma, që rrotull “u vijnë krimbat sipas protokollit” (F. Konica). 
Rrëfyesi i së Vërtetës nuk është pesimist. Por, humbjen nuk e quan lavdi, as gënjeshtrën si diçka të vërtetë...

12.
Sovrani, kjo qenie vepruese, dëshiron të hyjë në histori nga dera e pasme, siç ka hyrë çdo kund dhe çdoherë, duke rirregulluar faktet.
Rrëfyesi i së Vërtetës, kjo qenie mendonjëse, e di se Sovrani “fatit s’mund t’i ik”. E di se do të vijnë të tjerë fitues dhe ndryshe do ta shkruajnë historinë. S’do ta ndihmojnë Sovranin as ekranet, as krijesat që sillen rrotull tij. Ai e di se të dish këta gjëra nuk është punë e lehtë. Është mallkim. Të pret galera.

13.
Ka një dallim të madh mes nesh: ti do të bëje çmos që ta ndrydhësh mendimin tim. Unë do të bëja çmos që të tjerët ta shprehin mendimin e tyre, thotë Rrëfyesi i së Vërtetës dhe klith: “Kush na solli këtë dënim!”.

14.
Emil Sioran: “Tentoni të jeni të lirë: do të vdisni të uritur. Shoqëria ju toleron vetëm nëse jeni servilë dhe despotë të papërmirësueshëm; ajo është burg pa roje - nga i cili, megjithatë, nuk dilni pa vdekur”.

Posted via email from Shkupi Press extra

Related Posts: