Pse Turqia mbetet jashtë

“The Economist” Nga CHRISTOPHER CALDWELL

Nuk mund të jetë e lehtë të gjenden fjalët e duhura për një konferencë të përbashkët shtypi si ajo e kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit britanik, David Cameron. Liderët europianë e kanë parë gjithnjë Turqinë si një urë mes Perëndimit dhe botës myslimane. Por, që kur BE hapi negociatat me Turqinë për anëtarësim të plotë në vitin 2005, Erdogan e ka kthyer shpinën nga Perëndimi. Ai ka akuzuar qeverinë izraelite për krime lufte dhe nuk ka kritikuar në asnjë moment qeverinë sudaneze. Ai ka akuzuar Gjermaninë për mllef ndaj Turqisë, ndërsa këshilltarët e tij kanë hedhur dyshime lidhur me programin bërthamor të Iranit. Për BE-në, vendosja e të gjitha “vezëve diplomatike” në shportën e pranimit të Turqisë në BE, rezultoi në një gabim. Askush nga publiku europian nuk është aq i fiksuar pas anëtarësimit të Turqisë në BE. Roli si “urë” që Perëndimi kishte parashikuar për Turqinë, duket tepër modest për ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe ekonominë e 16-të në botë. Nuk është aktuale të besosh se Turqia do të bashkëjetojë e lumtur me fqinjët e saj në rajon, apo se do të zbusë identitetin e saj fetar aq sa Perëndimi të mos e ketë më problem atë. Rezultati është një ngecje në bisedime, i shoqëruar me hipokrizi. Cameron vendosi të heqë dorë nga hipokrizia këtë vit dhe të rendisë Britaninë në listën e vendeve që kërkojnë integrimin e Turqisë në BE. Gjatë dy viteve të fundit retorika e Erdogan për Izraelin ka qenë më shumë demagogjike sesa konstruktive. Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim është bashkuar me sponsorizuesit e flotës së sulmuar nga Izraeli. Erdogan tha këtë pranverë se “nuk mendonte që Hamas ishte një organizatë terroriste”. Pasi Cameron e përshkroi sulmin e Izraelit si të papranueshëm, Erdogan e lidhi këtë me sulmet e piratëve somalezë. “Kur Cameron thotë se Turqia ndan me ne vendosmërinë për të luftuar terrorizmin në të gjitha frontet, ai e ka gabim. Erdogan ndan me Perëndimin shqetësimet për bombat e Al-Quaedës. Ai dhe Perëndimi kanë qëndrime të ndryshme për raketat e Hamas-it”. Pjesa më e rëndësishme e argumentit të Cameron është ajo që ka lidhje me anëtarësimin e Turqisë në BE. Ai thotë se Turqia ka rol në mbrojtjen e NATO-s ndaj sovjetikëve gjatë Luftës së Ftohtë, njësoj sikur kjo mbrojtje të mos ishte e dyanshme dhe Turqia të ishte anëtarësuar në NATO për motive filantropike. “Unë besoj se është e gabuar që Turqia të shohë kampin e të mos ketë mundësi të ulet në çadrën e tij”, - thotë ai. Por, kjo nuk është me detyrim, pasi një vend mund të bëjë aleancë ushtarake pa një bashkim politik. Në vend të një argumenti për anëtarësimin në BE, Cameron ofron një sërë epitetesh të forta për ata që e kundërshtojnë atë, duke i quajtur proteksionistë, të njëanshëm apo paragjykues. “Popujt që kanë probleme me pranimin e një vendi mysliman në Europë, janë në kategorinë e paragjykuesve. Ata nuk shohin asnjë diferencë mes islamit dhe versionit të deformuar të ekstremistëve”, - thotë Cameron, duke shtuar se ata nuk i kuptojnë vlerat që islami ndan me besime të tjera fetare si kristianizmi apo judaizmi. Kush janë këta? Natyrisht, europianët e kuptojnë dallimin mes Islamit dhe Al-Quaedës. Por, ata e kuptojnë gjithashtu se kultura e tradita përbëjnë historinë e një populli, dhe se një popull që respektohet, i ndryshon traditat vetëm me hezitim ekstrem. Të shqetësohesh se myslimanët turq mund të adaptohen me ngadalësi dhe vështirësi me Europën, nuk është paragjykim, është respekt për këtë. Anëtarët e BE-së kanë arsye të freskëta për t’u shqetësuar për Turqinë. Traktati i Lisbonës do të zgjerojë votën e kualifikuar të shumicës në BE dhe popullsia përcakton votën në këtë rast. Turqia ka një popullsi vërtet të madhe. Erdogan po e modernizon Turqinë politikisht, duke e bërë Kushtetutën, më moderne dhe fleksibël dhe duke e dobësuar pushtetin e ushtrisë. Por, votuesit po e përdorin këtë liri të re për ta bërë vendin më lindor nga ana sociale. Kjo nënkupton më shumë islam në jetën politike, rol më të nënshtruar për gratë dhe kategoritë e tjera më të brishta. Turqit kanë të drejtën të bëjnë këto zgjedhje. Por, europianët kanë arsye më shumë sesa paragjykim për të mos i pasur ata në BE.

Posted via email from Shkupi Press extra

Related Posts: