Procesi kombëtar i nxirjes

 Nga Bardh Frangu

 

Është e pabesueshme sesi me kaq lehtësi të madhe dhe kaq dendur mbushen me kronika të zeza gazetat shqiptare! Jo vetëm se të nxihet shpirti, por edhe të erren sytë dhe të kap paniku se nga deti mund të dalë një ushtri e tërë bajlozësh të zinj

Shumë njerëz nuk mund ta nisin ditën pa një kafe. Shumë prej tyre nuk mund ta pinë kafenë pa një gazetë ditore përpara si sofrabez. Tek gjendesh në bregun e njelmët të detit, ku Rruga e Kombit ka mundësuar procesin kombëtar të nxirjes, të bie të pish më shumë se dy kafe dhe të lexosh më shumë se dy gazeta. Këto janë të mjaftueshme që të nxihesh nga jashtë dhe nga brenda. Është e pabesueshme sesi me kaq lehtësi të madhe dhe kaq dendur mbushen me kronika të zeza gazetat shqiptare! Jo vetëm se të nxihet shpirti, por edhe të erren sytë dhe të kap paniku se nga deti mund të dalë një ushtri e tërë bajlozësh të zi! Lexon ti se në tokën ku ndodh procesi kombëtar i nxirjes ngado lëvizin hajna, kriminelë dhe aso që kurdo janë të gatshëm të bllokojnë udhët dhe të ndezin makinat. Bindesh se haletë që dalin në det nga të katër anët dhe rrjedhin mbi lëkurën tënde, nuk janë gjë karshi haleve që dalin nga gazetat dhe të rrjedhin në shpirt. Ata që njohin procesin historik të formimit të kombit nuk e kanë të vështirë që ta kuptojnë këtë logjikë, ndërsa atë e shohin si vazhdim të kullimit të plagëve nga prerjet e vrazhda kulturore, por të tillët janë pak, fare pak. Shumica absolute këtë proces në vazhdim e perceptojnë nëpërmjet petullave që vlojnë në mes të plazhit dhe shtalbave që piqen po në plazh. Kjo gjë fenomenin kombëtar të nxirjes e bën edhe më të dhembshëm.
Tek lexon komentet e shumta, rreth të ashtuquajturës “bombë” e hedhur nga ambasadori amerikan në Tiranë, për rrezikimin e marrëdhënieve diplomatike mes këtyre dy vendeve, mesazhi të bëhet i qartë: Njerëz, ikni dhe futuni nëpër bunkerë se Berisha i çarti marrëdhëniet me më të fortin e botës! Këto recidive ideologjike sikundër dhe shumë të tjera, e bëjnë Shqipërinë një ambient të ndotur mental sa bëhet pengesë më e madhe se vetë ujërat e zeza dhe mbetjet urbane që këto ditë morën flakë dhe mbuluan me mjegull tymi disa qytete të vendit. Kaq paturpshëm spekulohet me mesazhin e ambasadorit amerikan, Withers, i cili e la Shqipërinë me një porosi të thjeshtë: “Ruajeni demokracinë!”, sa të bëhet të mos u besosh as syve se çka lexon. Natyrisht që janë të njëjtit bojaxhi gazetash që shpikën edhe vjedhjen e orës së presidentit Bush, por në këtë rast qëllimi i krijimit të frikës dhe panikut ishte ndryshe, sepse bëhej në një kohë të mbledhjes së bereqetit nga procesi kombëtar i nxirjes. Ndryshe ambasadori Withers iku duke pranuar se në Shqipëri është bërë demokracia, ndaj duhet ruajtur atë. Marrëzi është të besosh se duhet të ruash diçka që nuk e ke. Çështje tjetër është niveli i zhvillimit demokratik, me të cilin natyrshëm nuk do të duhej të ishte i kënaqur askush.
Bomba tjetër mediale plasi në Jug, ku edhe më së shumti pritej. Rasti i fatkeqësisë së të riut në Himarë nga mediet mori dimensionin sikur të ishte vrarë vetë Aristoteli, mësuesi i Aleksandrit të Madh! Gjurmët e gjakut të këtij të riu të mbetura mbi asfalt, opozita, e cila edhe dominon mbi mediet e shkruara, i shndërroi në pështymë për t’ia hedhur si faj qeverisë! Kjo nxiti himarjotët e mashtruar nga projekti i vjetër grek Megaloideja, të cilët pos që bllokuan rrugët, dogjën edhe makinat, duke krijuar pasiguri ndër pushuesit në pjesën e bregdetit jugor, por edhe tek të huajt që të shpeshtën futen nga Korfuzi nëpërmjet guidave të ndryshme.
Edhe gjatë procesit kombëtar të nxirjes sheh se në Jug ka shumë telashe, sikundër dhe në Veri, përkatësisht në pjesën e Kosovës. Ndoshta në këtë proces nxirjeje më mirë i shohim të mirat dhe të këqijat tona të përbashkëta. Shohim se opozita në Shqipëri zbuloi “bombën” e ambasadorit amerikan, Withers, krejt nëpërmjet teorive shumë konspirative të paketuara me ambalazh spekulativ, të njëjtën gjë e bëri edhe opozita tek ne, përkatësisht AAK-ja, e cila po nëpërmjet këtyre teorive dhe spekulimeve nxiu qiellin kosovar me zbulimin kinse të bisedave të fshehta serbo-kosovare.
Natyrisht që për ta ruajtur shpirtin nga kjo skëterrë njerëzit nevoja i ka mësuar të gjejnë edhe forma tjera përtej gazetave dhe horoskopëve të tyre. Ata që nuk lexonin gazeta, gjatë procesit kombëtar të nxirjes shtrinin duart para jevgjiteve, të cilat nëpërmjet fallit të diktuar nga vijat në shuplaka, i mbushnin shpresë dhe optimizëm për më shumë se një ditë.
Kur diçka njerëzore po ndodh në Shqipëri, ndërsa gomari dhe gruaja nuk janë më qeniet më të diskriminuara, sepse rrugët dhe zhvillimi i hovshëm ka kapërcyer nevojën për shpinat e tyre, vërtet është e dhembshme të shohësh sesi kaq shumë pështymë ka mbetur për të hedhur mbi tokën kaq shumë të përvuajtur. Mbi tokën e cila ka hapur perspektivat evropiane nëpër të cilat shpresa ec më lirshëm se kurdo. Këtë e dëshmojnë edhe vashat e bukura nga Hungaria, të cilat gjithë ditën bredhin nëpër bregdetin shqiptar për të shitur ëmbëlsira nga vendi i tyre. Ato, shkaku i biznesit, kanë mësuar edhe gjuhën shqipe dhe në këtë mënyrë më së miri bëhen pjesë e imazhit të një Shqipërie evropiane. Dëshmi e përpjekjeve të pandalshme integruese janë edhe tatuazhet në lëkurat e të rinjve shqiptarë, të cilët nuk e kanë përjetuar kohën kur shkruhej vetëm me laps të kuq dhe si të tillë zor është të bien preh e atyre që kanë ndërruar sall ngjyrën dhe tash shkruajnë me të zezë.
Se vendi nga të dyja anët, veçmas në Shqipëri, ka nevojë për një opozitë që njeh institucionin e përgjegjësisë në funksion të interesit të shtetit dhe të kombit kjo nuk diskutohet, mbase është edhe shkas i këtij shkrimi, por jo për një opozitë e cila funksionon në bazë të logjikës së njohur aforistike, që për inat të resë më vdektë djali.
Për më keq, neve si popull rrallë na bie të gëzohemi, ndaj përse të pështyjmë në ato suksese të dukshme siç është numri rekord i vizitorëve të jashtëm dhe të brendshëm që prekën bregdetin shqiptar, rritja e madhe e prodhimeve vendore si dhe fakti që u bë i njohur ndërkombëtarisht se Shqipëria u radhit e 57 në mesin e 100 vendeve më të mira në botë.

Posted via email from Shkupi Press extra