NJË UDHËTIM MES 'DRURËSH' DHE FJALËSH

Me krijimtarinë e poetit Nexhat Peshkëpia (1908-1970)

Nga Fatmir Terziu

Nexhat Peshkëpia

Duke ecur rrugëve të Londrës, kam parë pemë që ngjajnë me pemët tona, me drurët e fëmijërisë dhe rinisë sime. Kam parë rrapa, gështenja, arra dhe ah: ...., kam lexuar poezi nen hijen e tyre, dhe poezia ndoshta mund të risjellë këtë ecje mes pemëve, që të emërtojë ata, pra pemet e krijimtarise, karakteret e poezive si nje pikelidhje me jeten, me ecjen..., me percjedhjen brezave, si nje 'poeme me vete'. Kjo poemë ndoshta mund të na tregojë rreth gështenjave të drunjta e te egra Londineze, që qëndrojnë rreth shtëpive në një natyrë ndryshe, në një natyrë ku makinat krihen e krihen si modëprurëse, ku kënaqësia e shikimit dhe shoqërimit të tyre është shumë afër në vargëzim me "Selvijen" e Peshkëpisë, por shumë larg në kohë e vend. Çuditërisht, edhe "Selvija" ka diçka të hershme dhe të ngjashme me këtë natyrë. "Selvija" e poetit Nexhat Peshkëpia, edhe pse nuk është ajo që do të rrjeshtohej fizikisht mes pemëve që syri im ka rrokur, ajo natyrshëm vjen e sigluar si e tillë. Vjen me pesëmbëdhjetë vargjet e saj. Vjen me gjashtëdhjetë fjalët e saj. Vjen me dhjetë mbiemrat e përzgjedhur. Vjen me firmën e poetit Peshkëpia, që la në një itinerar kohe prej rreth pesëmbëdhjetëvjetësh mendimin e tij letrar tek "Shqiptari i lirë". Dhe pikërisht është kjo '… selvi që dikur e hajthme,/ si shembëll shtati merrej/ e vajzave të lezme të vendit tonë" , selvija që udhëton imagjinatën e kohërave, për të rishkruar ekuivalencën e hapësirës dhe ndryshesës simbolike. Në poezinë e Peshkëpisë ajo që rishkruan këtë është retorika që konfiguron fabulën 'pse kjo selvi…' dhe stimulohet tek 'sot e zhveshur nga vetitë krenare…". Dhe poezia nis e tregon për dritëhijet njërëzore. Dritëhije që struken mes analogjisë së jetës. Një analogji që buron mbi fakte. Fakte që sillen reale dhe kuptimplote. Shekspiri e bëri këtë, Donne e ka realizuar, Hopkins, Yeats, Dylan Thomas, Cummings, James Merill e kanë krijuar një poezi të tillë, ku mbiemrat flasin më shumë se sa përdorimi i tyre normal.
Mbiemrat e shumtë që sigurojnë lidhjet në vargje 'dru i lartë dhe i drejtë,/i mermë, gjithmonë i blertë' nuk janë në fakt vetëm plotësues të kuptimit real. Ata janë një rivalitet i figuratives me realen, një analizë më vete, një filozofi më vete. E gjitha lidhet me njohurinë e autorit. I lindur në vitin 1908 në Vlorë, në një familje me tradita patriotike me origjinë nga Gjirokastra, dhe me arsimim të kryer në qytetin e lidjes, natyrshëm që ndikimi i popullores ka bërë të vetën. Më tej njohuria e autorit duket e përforcuar me studimet e kryera në Leçe të Italisë dhe në Belgjikë. Më tutje puna e tij si mësues në Shkollën Teknike të Tiranës e sqaron më shumë njohurinë e autorit që sjell këtë vjershë të argumentuar e tepër të realizuar.
Në vargjet e tij kjo njohuri vjen si një filozofi më vete, vjen si një proces kodues i mbështetur fuqimisht tek dituria: "vetëm tri fatitë e dinë/që s'janë rreshjet, rungallat, stuhitë'. Në fakt ky nuk është thjesht një devocion njohurish që ka si shtysë rrëfenjën poetike, ku zbulimi i popullores ndihmon ndriçimin e situatës prezantuese, ai është një shpërngulje shpirtërore e poetit në imagjinatën simbolike të shëmbëllimit me njërëzoren, ku bukuria femërore gjen shkas të matet me natyralen, drurin e selvisë. Dhe në këtë udhëtim të autorit duket fuqishëm kriza natyrore, zbulimi i logjikshëm që sjell kuptimin e huajsisë "është e huaj limfa,/është i huaj dheu!". Në këtë derivat tepër domethënës vargu fle i qetë, dhe poezia shënon forcë. Krijon veçorinë e saj. Në këtë veçori, Peshkëpia natyrshëm mund të quhet një simbolikë shqiptare e viteve gjashtëdhjetë, një arritje në poezinë shqiptare të asaj kohe, që për fatin e keq pati fatin e vet autorit që mërgoi nga vendlindja e tij për të mos e parë më.
Tani që poezia dhe krijimtaria e tij po marrin vlerat e kritikës, itinerari i mërgimit të autorit, fillimisht në Itali dhe Francë dhe në vitin 1953 në SHBA, nuk mendoj se është një dialektikë fati njërëzor, por një siguracion këmbëngulës i një intelektuali, që synoi dhe kushtoi intelektin për të lënë nja pasuri të vyer për brezat, për dashamirësit e kulturës shqiptare dhe më gjërë. Themi më gjërë, pasi vlerat e krijimtarisë së tij janë vlera të një hapësire më tepër se shqiptare. Në vjershën "Kundër logjikës' shkëputja e vargjeve 'njeriu i urtë vështron pas; pa ecur arrin', nga Lao-Tse, mistik kinez i shekullit VI përpara Krishtit, duket se e plotëson këtë pikasje. Më tutje edhe tematika e poezisë "Fluturimi" dhe citimi në pikënisje i De Saint-Exupery: Le Petit Prince (Princi i Vogël), karakterizon fuqinë dhe njohurinë pa kufi të autorit. Ndërsa përmbledhja "Zemër në mërgim" që autori e quajti "hartime letrare" simpatizon idenë tonë, "Pa titull" një shkëputje nga libri i botuar pas vdekjes së poetit tejçon poezinë e tij në rrugë normative të një letërsie me vlera.