Akademik Esat Stavileci
Vrojtime hyrëse
Tetova, Gostivari, Struga, shqiptarët, Maqedonia, Ilirida, kërcënimet, shpallja e pavarësisë së Maqedonisë, dilemat, universiteti, ndalimi në Qafë-Thanë dhe shpallja person i padëshirueshëm për dy vjet nga pushteti maqedonas, pritjet dhe ankthi në kufi, sërish universiteti, studentët, mikpritja, më vonë lufta në Kosovë, humbja e lidhjeve me familjen, kalimi i kufirit, vdekja e babait në Tetovë, varrimi, kthimi në shtëpi, sërish universiteti, studentët, respekti, ligjërata në “Kiril e Metodi”, më vonë sëmundja, spitali i Shkupit, lotët, shërimi, sërish gëzimi, më pastaj enciklopedia, fyerja dhe poshtërimi i shqiptarëve, tash sërish librat shkollorë dhe provokimi… janë fragmente të shkëputura nga një pjesë e bujshme e jetës sime në Maqedoni. Janë kujtime, të ëmbla dhe të hidhura, janë dëshmi e një kohe, gjurmë e një jete që nuk përsëritet më, por që të jep të drejtën ta kujtosh atë.
Një hyrje e pazakonshme për një temë tashmë të zakonshme: provokimet e maqedonasve ndaj shqiptarëve dhe mungesa e reagimeve me një zë të fuqishëm e të artikuluar mirë të shqiptarëve, pa dallim partie a ideologjie, pa dallim regjioni a religjioni.
Këshilla që kam mbajtur dhe që mbaj para vetes
Sa herë që kam folur a kam shkruar për bashkëjetesën e shqiptarëve dhe maqedonasve kam mbajtur para vetes këshillën: të jetosh bashkërisht do të thotë të jetosh në mënyrë të barabartë, sepse vetëm të barabartët mund të jetojnë bashkërisht. Ndërsa kur kam folur a kam shkruar për pozitën denigruese të shqiptarëve në Maqedoni, kam shtruar pyetjen: Ç’do të thotë për maqedonasit jeta e përbashkët me shqiptarët, mirësi apo fatkeqësi?
Kur i kthehem cilit prej njëmbëdhjetë ligjëratash të mbajtura për sensibilizimin e Universitetit të Tetovës në qendrat shqiptare në Maqedoni, i kthehem njërës prej pyetjeve më kryesore që shtroja atëherë: A do të jetë Maqedonia, më e varfër apo më e pasur me Universitetin e Tetovës? Natyrisht se kjo pyetje mund të shtrohej edhe ndryshe, ndonëse aludohej në të: A është Maqedonia më e varfër apo më e pasur me shqiptarët?
Edhe atëherë, por fatkeqësisht edhe sot, regjimi maqedonas sikur konsideron se është fatkeqësi jeta me shqiptarët, edhe pse ata jetojnë në tokat e tyre, edhe pse ata janë qytetarë legalë dhe legjitimë në këtë shtet, edhe pse ata kërkojnë që të gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë që gëzojnë maqedonasit, edhe pse ata kërkojnë që të jetojnë plotësisht të lirë e të barabartë me maqedonasit, edhe pse edhe ata kërkojnë që të flasin dhe të shkruajnë në gjuhën amtare, edhe pse ata kërkojnë që në ceremonitë e tyre të valojë flamuri shqiptar…
Urrejtje e vazhdueshme e maqedonasve ndaj shqiptarëve
Populli maqedonas e ka ushqyer me dekada urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe tashmë nuk po “mund të lirohet” nga ai kurs, pa vrarë mendjen se nga ndryshimi i tij varet drejtpërsëdrejti e ardhmja e Maqedonisë si shtet.
Populli maqedonas me dekada i ka trajtuar shqiptarët si “qytetarë të rendit të dytë”, pa vrarë mendjen se ata ishin dhe vazhdojnë të jenë faktor i rëndësishëm politik, shoqëror dhe ekonomik i Maqedonisë.
Populli maqedonas me dekada i ka trajtuar shqiptarët si “trup i huaj”, pa vrarë mendjen se shqiptarët kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në truallin e vet dhe se fatet e tyre dhe perspektiva e tyre është drejtpërsëdrejti e lidhur me të.
Populli maqedonas me dekada i ka konsideruar shqiptarët si barinj të mirë delesh e gatues të mirë byrekësh, pa vrarë mendjen se në gjirinë e tyre po lind një shtresë e re e të arsimuarve që do të jenë në gjendje t’i dalin zot çështjes së tyre dhe kauzës së kombit të tyre.
Populli maqedonas me dekada ka kontestuar, ka mohuar dhe ka fyer shqiptarët, pa vrarë mendjen se është vetë ai popull që jeton me një shtet të cilit i kontestohet edhe emri, edhe gjuha, edhe kisha.
Edhe pse më herët kishin ndodhur përpjekjet për të njollosur të kaluarën e shqiptarëve, për të mosnjohur prejardhjen dhe etnogjenezën e tyre, shqiptarët nuk kishin reaguar ose nuk kishin reaguar në mënyrë të duhur dhe kishte ndodhur që ata të merrnin shumë përgjigje me heshtje.
Në një fjalë të urtë thuhet se “Ai që ia di rendin heshtjes, duhet t’ia mësojë edhe rendin e fjalës”. Ne shqiptarët që heshtëm gjatë duhet t’ia mësojmë rendin e fjalës, sepse në Maqedoni nuk kanë të ndalur provokimet ndaj nesh si popull dhe si komb.
Enciklopedia e paradokohshme e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, enciklopedia e mëvonshme e filmit, botimet e tashme të librave shkollorë, krahas shumë e shumë provokimeve në lidhje me gjuhën dhe flamurin, veçse e kanë mbushur kupën dhe ne do të duhej të ndërgjegjësoheshim se me maqedonasit dhe prej tyre asgjë nuk ndodh rastësisht, por është mirë e përgatitur, e porositur nga politika dhe e mbështetur nga shteti.
Reagimi rreth enciklopedisë
Kisha bërë këtë reagim.
E para, nuk është hera e parë që Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, duke marrë si model simotrën e saj, Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve, të shtrembërojë faktet historike dhe të derdhë helm e të mbjellë urrejtje ndaj shqiptarëve.
E dyta, Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve është institucion i shtetit, enciklopedia është projekt i shtetit dhe përgjegjësia është e shtetit.
E treta, falsifikimi i historisë së shqiptarëve është i qëllimshëm, jo i rastësishëm.
E katërta, dalja në dritë e enciklopedisë në këtë kohë është e qëllimshme, nuk është e rastësishme.
E pesta, paralajmërimet për enciklopedinë nuk kanë munguar, por ne “kemi reaguar” me heshtje.
Pikënisja
Po në atë reagim kisha shtruar pyetjen se cila do të duhej të ishte pikënisja jonë dhe kisha parafrazuar edhe mendime të tjera të shfaqura atyre ditëve se pikënisje do të duhej të ishte pikëpamja se “shqiptarët jetojnë në Maqedoni në vazhdimësi, që nga të parët e tyre ilirët e deri më sot”, dhe se kjo vërtetohet nga aspekte historike, gjeografike, arkeologjike, gjuhësore, etnike, e tjera; se historia e shqiptarëve në Maqedoni “nuk mund të merret e këputur nga historia e përgjithshme kombëtare e popullit shqiptar”; se “trolli, gjuha, historia dhe në përgjithësi kultura materiale e shpirtërore e popullit të sotëm shqiptar s’janë tjetër veçse një vazhdim i trollit, i gjuhës, i historisë dhe etnokulturës së ilirëve…”; pikëpamja tjetër se burimet autentike historike vërtetojnë se shqiptarët në Maqedoni “nuk krijojnë ndonjë oazë të izoluar nga pjesa tjetër e kombit, nuk janë të shkëputur prej tij, por janë pjesë përbërëse dhe në vazhdimësi të popullit shqiptar që jeton në Shqipëri e në Kosovë”.
Pseudoshkenca serbe, po sikurse edhe ajo maqedonase, historinë e shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni nuk e kundrojnë si pjesë e historisë së tërësishme të shqiptarëve. Historiografia serbe dhe maqedonase përherë historinë e popullit shqiptar e kanë trajtuar “të shkëputur dhe të përndarë në kuadër të shteteve që kanë sunduar në trojet shqiptare dhe në kuadër të marrëdhënieve të shqiptarëve me sllavët e jugut”.
Falsifikimet e tjera
Enciklopedia maqedonase u pasua më vonë nga një tjetër libër enciklopedik i filmit, në të cilin aktori shqiptar Bekim Fehmiu u prezantua si “aktor serb”. Historiografia maqedonase në vazhdimësi falsifikon faktet historike, deri në shkallën e “nxjerrjes së prejardhjes së Skënderbeut, nobelistes Nënë Tereza, por edhe të Lekës së Madh, për maqedonas”.
Tashmë së voni, merret vesh se edhe në librat shkollorë ka shumë falsifikime, madje në njërin prej tyre thuhet se Kosova është “provincë serbe”, edhe pse, së paku formalisht, Maqedonia e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Si mësohet nga mediat, Maqedonia që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, hamendet se si të votojë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara rreth një tekstrezolute serbe që nuk e pranon mendimin këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Më së paku që mund të thuhet është se Maqedonia “luan rol të dyfishtë”.
Heshtja si “strategji”
Çfarë bëjmë ne shqiptarët në këto situata? Ose nuk reagojmë fare, ose nuk reagojmë me një zë të fuqishëm dhe të artikuluar mirë.
Shqipëria hesht, sepse “i frikësohet” prishjes së “miqësisë” me Maqedoninë, të cilën, të kujtojmë, e kishte njohur pa e kushtëzuar me asgjë rreth pozitës denigruese të shqiptarëve atje.
Kosova hesht, sepse posa ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Maqedoninë dhe është “në provë të tyre”.
Shqiptarët në Maqedoni nuk heshtin, por nuk flasin ata që duhet të flasin. Vazhdojnë të reagojnë të ndarë dhe të përçarë, po sikurse të ndarë dhe të përçarë që “festojnë” përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit dhe mbesin të ndarë e të përçarë rreth vlerave të njëmendta të saj.
Ku janë shqiptarët përballë maqedonasve?
Regjimi maqedonas nuk ndryshon sjelljen e vet ndaj shqiptarëve. Nuk tregon gatishmëri për ngritjen e një mekanizmi konsensual që do të mund të ndalonte mundësinë e majorizimit të shqiptarëve dhe të të drejtave të tyre. Nuk vranë mendjen për nevojën e nxjerrjes së një teksti të ri kushtetues, duke pasur parasysh se Kushtetuta ekzistuese është “gjeneratori themelor i krizës në raportet shqiptaro-maqedonase”.
Në mungesë të “gatishmërisë së maqedonasve” për të “ndryshuar mendje”, shqiptarët, të fragmentarizuar në parti politike, paraqesin opsione që “nuk marrin votat e shumicës” për t’u pozicionuar ndryshe ose për t’u ripozicionuar në raport me rrjedhat aktuale në Maqedoni. Një “pjesëtim” i tillë i shqiptarëve veçse “i trimëron” maqedonasit për të mos ndryshuar kursin ndaj tyre.
Faktet që nuk mund të injorohen
Pavarësisht nga zhvillimi i rrjedhave të mëtejshme politike në Maqedoni, pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme që qarkullojnë ose që mund të qarkullojnë në të ardhmen, qoftë edhe brenda forcave politike shqiptare, një fakt nuk mund, në asnjë mënyrë, të injorohet. Në Maqedoni duhet “të pushojë” dhe të pamundësohet “dominimi sistemor i një populli mbi një popull tjetër”. Nuk mund të injorohet, në asnjë mënyrë, as fakti se shqiptarët në Maqedoni janë popull autokton. Nuk mund të injorohet, në asnjë mënyrë, as fakti se shqiptarët në Maqedoni janë pjesë integrale e popullit shqiptar në Ballkan. Më në fund, nuk mund të injorohet, në asnjë mënyrë, edhe fakti se shqiptarët në Maqedoni jetojnë në hapësirën kontinuele gjeografike shqiptare në Ballkan, me të drejtën e vazhdueshme dhe të pashteruar për të vendosur për të ardhmen e tyre.