Edmond Tupja
Jetojmë pa diskutim në një epokë ndotjesh: ndotje materiale, d.m.th. e ajrit, e ujit dhe e tokës, por edhe ndotje shpirtërore, d.m.th. e mendjes dhe e zemrës. Kudo që shkojmë, rrimë, banojmë përkohësisht apo përfundimisht, përballemi me një agresion të mirëfilltë ndotjesh që nga të ngrënit, të pirit, të marrit frymë, deri te të menduarit dhe të ndierit. Por ja që qenia njerëzore e tillë qenka konceptuar e ndërtuar: ajo u mësuaka me më të rrezikshmet e ndotjeve dhe mbijetuaka për bukuri, të paktën në dukje. Kështu po mbijetojmë edhe ne, shqiptarët e këtij fillimmijëvjeçari. Mbijetojmë duke u përshtatur edhe me të keqen, duke bërë një pakt. me djallin, duke nënshkruar me bojë të padukshme një marrëveshje me të, a thua se jemi e do të mbetemi të pavetëdijshëm ose më tmerr akoma, të papërgjegjshëm për veten tonë dhe brezat e ardhshëm. Me gjithë këtë hyrje disi "bombastike", sot nuk do të merrem me ndotjet e dukshme, ato të mëdhatë, materiale apo shpirtërore qofshin. Do ta harxhoj pra, bojën e penës sime me një ndotje krejt të pastër, ndoshta më të pastrën, më të fismen që mund të ekzistojë. E kam fjalën për ndotjen komunikative, informuese, që duket se po bëhet e domosdoshme në shoqërinë tonë konsumiste, pra, për publicitetin. Po shpjegohem:
Ka vite, që çdo mëngjes, tek dal nga shtëpia, shoh te pragu i derës fletëpalosje me ngjyra, të cilat i drejtohen qytetarit, që di shkrim e këndim; janë reklama për këtë apo atë qendër tregtare, mobileri, universitet privat etj., etj., që bën zbritje çmimesh "fantastike"! Në fillim, ndjenja e kureshtjes mbizotëronte tek unë: përkulesha, e merrja fletëpalosjen, e lexoja, kridhesha në mendime: Kjo këtu kaq lekë, ajo atje aq lekë, interesant, interesant... Kur kthehesha, diskutoja me time shoqe: "Po sikur, po sikur... kjo më lirë këtu, ajo më lirë atje, interesant, interesant"... Dhe ditët dhe javët, dhe muajt, dhe vitet kalonin kështu, dhe unë, me të kapërcyer pragun e derës, përkulesha, veçse përherë e më ngadalë, si me përtesë, gati me lodhje, për të marrë fletëpalosjen e famshme, pastaj, kësaj përtese, kësaj lodhjeje, nisi t'i shtohej një si ndjenjë nakatie, që pak e nga pak, zuri të kthehej në një neveri të vërtetë, të cilën fillimisht nuk dija si ta shpjegoja, pastaj, një ditë të bukur, pata një si ndriçim në tru. Pa dashur, po bija viktimë e publicitetit, e një ndotjeje krejt të pastër, ndotje "kulturore" njëherazi themel e fryt i shoqërisë konsumiste bazuar te komunikimi, informimi, transparenca!
Sot, çdo mëngjes, tek dal nga shtëpia dhe shoh "agresoren joshëse" publicitare në prag të derës sime, nuk përkulem më për ta marrë në duar, por i jap një të goditur me këmbë dhe e flak poshtë te sheshpushimi i katit përdhes, ku ka plotë të tilla, sepse edhe fqinjët e mi të kateve më lart e më poshtë, veprojnë si unë, aq të tejngopur e të bërë pis ndihen nga kjo ndotje tejet e "pastër"! Lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës duhet të më besojë: ka çaste kur më vjen të ulërij e ta qortoj veten që kam mësuar shkrim e lexim. Sa i lumtur do të isha sikur, analfabet, t'i merrja fletëpalosjet në fjalë e t'i kundroja si objekte ngjyra-ngjyra pa asnjë mesazh, të denja për t'u koleksionuar siç koleksiononim një herë e një kohë lule, flutura, pulla poste, kopsa, kuti shkrepsesh bosh etj., etj., objekte që nuk kanë për qëllim asnjë manipulim apo kushtëzim mendor të njeriut.
Së fundi, dua t'i them lexuesit tim, se shkallë-shkallë po më krijohet e forcohet bindja, se një ditë të bukur, pasi të kem dalë në pension, do të zbres poshtë çdo mëngjes në orën kur vijnë djemtë me biçikleta ngarkuar me fletëpalosjet e ndotjes më të pastër dhe do t'u them të mos lodhen duke ngjitur katet e shumta të pallateve rreth e rrotull për të lënë para çdo dere nga një fletëpalosje, por të ma besojnë mua ngarkesën e tyre të çmuar, se do ta marr unë përsipër me dashuri prindërore shpërndarjen e saj të përpiktë. Pastaj, me t'u larguar ata, do t'u drejtohem kazanëve të plehrave me hap djaloshar, me një gëzim të papërshkrueshëm në shpirt dhe hop, një gjuajtje të saktë si në basketboll. Një mijë pikë! Madje, këtë përvojë shpresoj t'ua kaloj dora-dorës gjithë pensionistëve shqiptarë, pse jo, edhe brezave të rinj që ta heqim kështu qafe e sysh ndotjen më të pastër.