![]() |
Ezra Pound |
“Poezi & kanto të zgjedhura”, për përkthyer në shqip nga Edion Petriti, botimet “Aleph”, ndërsa përcaktimin final e jep poeti T. Eliot: Ezra Pound i dha emrin e vet epokës ku jetuam, që me të drejtë u quajt epoka “Pound”
Ajo që donte të bënte Ezra Pound në veprën e tij lirike - gjë të cilën e arriti në mënyrë revolucionare - ishte diçka shumë më herë më komplekse se “spërdredhja e qafës së gjuhës sonë aulike” për ta thënë siç e tha Montale; që do të thotë të shkatërroheshin sipas shembullit të Wordsworthit dhe Bajronit, ama me forcë dhe përkushtim akoma më të madh, pengesat mes gjuhës së poezisë dhe asaj të prozës. Kjo shoqëron pasthënien e botimit
Cigani
Në majë të shtegut qe, kur tha:
«Keni parë ndokënd, ndonjë të dorës sonë,
Me arinj dhe majmunë?».
-Një brun, të gjatë, që rrinte drejt,
Jo si mulatët
andej nga rruga e lagësht pranë Clermont-it.
Erdhën era dhe shiu,
Mjegulla mpiksej rreth pemësh në luginë,
Pas krahësh kisha hedhur një rrugë shumë të gjatë,
të grinjtën Arles, Beaucaire,
Dhe tha: «A keni parë ndonjë të dorës sonë?»
Unë pata parë shumë nga njerëzit e tij...
që nga Rhodez-i,
Kur ktheheshin me karvanë
nga panairi i Shën Gjonit;
Ama arinj apo majmunë, nuk kisha parë kurrë.
“Blandula, tenula, vagula”
Ç'ke me parajsën, shpirti im?
S'do ish më mirë, kur të dy të lirë
Të shkonim në një vend të pastër
Ku dielli derdh mbi ne lavdi të shkrirë
Nga degët e ullirit? Nëse, o shpirt
Takohemi andej nga fundi i jetës në Sirmone
Nuk do të gjejmë më mirë një vend të shenjtëruar
Nga apostuj ajrorë, me tokën ngazëllyer
S'do themelojmë një kult mbi valë,
Kobalt, safir i pastër, cianinë,
N'azur të treshtë, pasqyrash të paqeta,
Të paprekshme, ndryshimesh të përjeta?
Shpirt, po na takoi Ajo atje, mos ndonjë rrëfim
I lartë qiejsh, oborresh të lakmuar
Do na joshë tej majës së mjegullt të Rivës?
Modele
Erinna është një nënë model,
Të bijtë s'ja kanë mësuar kurrë kurvëritë,
Edhe Lalage si nënë është ideale,
Fëmijët i ka të dhjamur e të lumtur.
Pasanikut Dives
E kush jam unë të të dënoj, o Dives,
Unë, që jam po aq i hidhëruar
Nga varfëria ime,
Sa ti nga pasuritë e kota?
Ndarje mes miqsh
Male të kaltra në veri të mureve,
Një lumë i bardhë rrjedh aty afër,
Këtu duhet të ndahemi,
Dhe të shkojmë përmes një mijë miljesh barërash të thata
Mendja, si një re e gjerë pluskuese,
Muzgjet, përshëndetje miqsh të vjetër,
Shtrëngojn’ duart nga larg e përkulen.
Ndërsa ndahemi
Kuajt tanë afër njëri-tjetrit.
Përshëndetjet
0 brez tërësisht i vetëkënaqur
dhe krejt i parehatshëm!
Kam parë piknikë peshkatarësh në diell
I kam parë me familje të çrregullta
Dëgjova shakatë e pahijshme
dhe pashë qeshjet e tyre dhëmbëplota.
Dhe jam më i lumtur se ju
Dhe ata qenë më të lumtur se unë;
Dhe peshqit notojnë në liqen
e as rroba s'kanë me vete.
Figurë kërcimi
Syzezë, o femër
Që banon ndër ëndrra;
Me sandale fildishi
Mes kërcimtaresh s'ka asnjë
Si ti, asnjë me këmbë të shpejta.
Në mesnatën e thyer,
S'të gjeta ndër tenda.
As në buzë të pusit
Mes grave me shtamba.
Si fidan të zhvoshkur nën lëvore i ke llërët
Fytyrën si rrëke me drita.
Të bardha bajame i ke supet;
Bajame të reja pa cipë.
As me shufra bakri,
S'të ruajnë me eunukë.
Argjend dhe bruz praruar ke në shtrojën tënde.
Në rroba të errëta qëndisur me ar
Je mbështjellë,
O Nathat-Ikanie, "Pemë-buzë-lumit."
Si rrëke mes shavaresh duart e tua mbi mua
Gishtërinjtë — burim i ngrirë.
Vashat e tua të bardha si gurëzit e lumit
Muzika e tyre rreth teje.
Mes kërcimtaresh s'ka asnjë si ti
Asnjë me këmbë të shpejta.
Villanelle: Ora e psikologjisë
Përgatita më së miri
atë ngjarje ogurzezë. Me kujdes prej mesoburri
pata nxjerrë librat e duhur.
E faqet gati kisha kthyer.
Bukuria — kaq e rrallë
Pak pijnë prej burimit tim.
Kaq keqardhje shterpë,
Sa orë harxhuar kot!
Tani vështroj që nga dritarja,
Shiun, autobusët plot.
"U trondit kosmos' i vogël i tyre"-
me faktin ajri është i gjallë
Në pjesët e tyre të qytetit
ata shkrehen prej forcash të ndryshme.
Si e di?
Oh, e di mirë.
Për ta ka diçka më këmbë.
Sa për mua;
Përgatita më së miri-
Bukuria -kaq e rrallë
Pak pijnë prej burimit tim
Dy miq: një frymë pylli...
Miq? Janë njerëzit më pak miq
Kur ndonjë i gjen më në fund?
Dy herë thanë se do vinin.
"Mes natës dhe mëngjesit?
Bukuria prej mendjes do më pinte.
Rinia ndërkohë do harrojë
rinia ime shkoi prej meje.
II
("Fol pra! Kërceje si dru?
Dikush ta admironte veprën,
E tha kaq hapur.
"Mos fole gjepura,
Natën e parë?
Mbrëmjen e dytë?"
"Por premtuan prapë:
«Nesër për çaj.»")
III
Erdhi dita e tretë-
prej tyre asnjë fjalë;
Asnjë fjalë prej tij a saj,
Vetëm shënimi i një tjetri:
"I dashur Pound, po le Anghnë."
Kanto XLV
Me fajde s'ka njeri shtëpi të mirë guri
çdo bllok lëmuar, prerë të puthitet
a gdhendur me shije tek anët,
me fajde
s'ka njeri parajsë zografisur mbi murin e kishës
harpes et luz
ku Maria pret lajmin e mirë
brerorja nxjerrë në pah me skalitje
me fajde
s'sheh njeri Gonzagën trashëgimtarë konkubina
pikturat s'janë për mur, s'rrojnë gjatë
por veç të shiten, shiten shpejt
me fajde, mëkat kundër natyre
buka jote ka më shumë krunde
buka jote është e thatë si karta
pa grurë mali, miell të fortë
me fajde, ntrashet vija
tne fajde s'ka kufinj të qartë
askush s'gjen truall për shtëpinë e tij
Dalta mbahet larg nga guri
endësi nga tezgjahu i tij
ME FAJDE
leshi s'vjen në treg
dhe gjëja e gjallë nuk sjell fitim
Fajdeja më keq se murtaja
topit gjilpërën në dorën e vashës
humbet çikriku shpejtësinë. S'erdh nga fajdeja
Pietro Lombardo
Duçio nuk u bë me fajde
as Pier della Francesca; as nga fajdeja Zuan Bellini
as «La calumnia» pikturuar.
Angelico s'erdh prej fajdesë, as Ambrogio Praedis
A kishë guri me mbishkrimin: Adamo me fecit
Jo prej fajdesë Saint Trophime
as prej fajdesë Saint Hilaire,
Fajdeja ndryshk daltën
ndryshk mjeshtrin bashkë me zejen
Çikriku kafshon perin
E s'di askush me ar të qëndisë
L'azure zë kancer nga fajdeja, nuk endet petk me cramoisi
Smeraldet s'gjejnë Memling
Fajdeja vret foshnjën në barkun e nënës
Pengon të riun që vardiset
Sjell pleqtë e tredhur në shtrat, zë vend
Mes dhëndrit dhe nuses së re
CONTRA NATURAM
Kanë sjellë kurva në Eleusinë
Kufomat zënë vend në banket me urdhër të fajdesë.
N.B. Usura: Çmim që paguhet për përdorjen e fuqisë blerëse, i vënë pa marrë parasysh mundësitë e prodhimit. (Prej këtej rrjedh dhe falimentimi i bankës Medici.)