Nacionalizimi dhe qytetaria e dyfishtë

George Friedman

Është e vështirë të gjesh kuptimin e sistemit ndërkombëtar pa njohur paraprakisht kuptimin e kombit-shtet. Koncepti është i ndërlikuar si pasojë e një realiteti që përfshin shtete shumëkombësh (multinational) si Belgjika, ku identiteti kombëtar luan rol domethënës dhe Rusia apo Kina ku ky identitet mund të jetë domethënës, por herë–herë edhe i dhunshëm. Duke parë kombin-shtet, ideja e kombit është më komplekse dhe ndoshta më interesante sesa ajo e shtetit. Ideja e kombit jo gjithmonë është e qartë. Në themel kombi mund të përkufizohet si një grup njerëzish që ndajnë të njëjtin fat dhe bashkë me të edhe një identitet. Kombet mund të krijohen në mënyrë të ndërgjegjshme siç ndodhi me rastin e SHBA-së, por ato mund të ekzistojnë prej qindra apo mijëra vjetësh si p.sh në disa pjesë të Europës, apo në Azi. Por sado gjatë të ketë ekzistuar apo çfarëdo qoftë origjina e tij, një komb themelohet mbi atë çfarë e kam quajtur edhe më parë “dashuri për veten” (love of one’s own), një marrëdhënie unike me komunitetin në të cilin një individ ka lindur apo ai zgjedh që të bëhet pjesë. Kjo afri është në themelim i kombit (nation). Nëse ajo zgjidhet atëherë, edhe kombi shpërbëhet, diçka që ka ndodhur në mjaft raste në histori. Nëse një komb zhduket, atëherë edhe sistemi ndërkombëtar ndryshon sjellje. Dhe nëse kombet në përgjithësi humbasin identitetin e tyre dhe kohezionin, ekziston mundësia për ndryshime shumë të mëdha, për disa pozitive dhe për disa të tjerë negative. Është e mjaftueshme të vihet re në këtë rast se secila prej tyre do të përcaktonte diferencime të thella. Shteti, nga ana e vet, është shumë herë më i qartë në këtë drejtim: ai është drejtimi politik (në kuptimin institucional)i një kombi. Sesi zgjidhen liderët dhe sesi ata drejtojnë, kjo ndryshon shumë sikurse edhe marrëdhënia e shtetit me kombin gjithashtu ndryshon shumë. Jo të gjitha kombet kanë shtete. Disa janë të pushtuar nga kombe-shtete të tjerë, ashtu sikundër ka kombe që janë të ndarë në disa shtete. Ka madje që janë pjesë e një entiteti që qeveris shumë kombe, por nuk mungojnë rastet – edhe pse të rralla – të komuniteteve që kanë zhvilluar sisteme qeverisjeje që nuk përfshin shtete.

Marrëdhënia me kombin është personale, ndërsa marrëdhënia me shtetin është ligjore. Ne mund ta vëmë re këtë nga pikëpamja gjuhësore në rastin e SHBA. Unë mund të deklaroj marrëdhënien time me kombin tim thjesht: Unë jam amerikan. Por unë nuk mund të deklaroj po kaq thjesht marrëdhënien time me shtetin. Të thuash se: I am “United Statian” – nuk ka kuptim. Më duhet të deklaroj pra se jam një qytetar i SHBA-së, në mënyrë që të shpreh marrëdhënien time ligjore dhe jo afrinë time personale. Kompleksiteti gjuhësor i SHBA-ve nuk e përsërit veten gjëkundi tjetër, por dallimi mes kombësisë dhe shtetësisë ekziston. Këto të dyja mund të përputhen apo koincidojnë me njëra-tjetrën lehtësisht në rastin kur një person lind në një vend dhe bëhet qytetar i tij thjesht për këtë, por ato mund të zhvillohen si të tilla në rastin kur dikush emigron dhe natyralizohet. Këtu duhet vënë re formulimi interesant i termit, për atë sesi ai ndikon në krijimin e një marrëdhënieje natyrale me shtetin. Në SHBA betimi i mëposhtëm kryhet kur dikujt i jepet shtetësia, përgjithësisht 5 vjet pasi është lejuar të emigrojë këtu: 
Unë deklaroj nën betim se do të heq dorë plotësisht nga të gjitha marrëdhëniet e mia dhe nga besnikëria ndaj ndonjë vendi, princi, fuqie, shteti apo sovraniteti ndaj të cilit apo të cilit unë kam qenë deri më tani subjekt apo shtetas (citizen); se do të ofroj besnikëri dhe lidhje me ta; se do të dorëzohem nën armë në interes të SHBA kur ligji do ta kërkojë; se do të kryej shërbimin ushtarak në Forcat e Armatosura të SHBA sipas kërkesave të ligjit; se do të kryej aktivitet me rëndësi kombëtare nën drejtim civil kur ligji ta kërkojë; dhe se unë e ndërmarr këtë obligim me vullnet të lirë, pa ndonjë kufizim mental apo me qëllim arratisjeje; Zoti më ndihmoftë!

Duhet të them se e kam bërë këtë betim në moshën 17-vjeçare. Edhe pse u bëra një qytetar i SHBA në kohën kur im atë ishte natyralizuar prej vitesh, marrja e dokumenteve të shtetësisë detyronte një seancë në sallën e gjyqit dhe kryerjen e këtij betimi personalisht. Përballja me detyrimet e qytetarisë ishte një përvojë që të shkundte. Betimi amerikan është një nga më rigorozët; kombe të tjerë e kanë më të thjeshtë dhe me më pak kërkesa betimin. Është intriguese të vëresh se shumë vende që kërkojnë një betim me shumë më pak kërkesa të shprehura qartë janë gjithashtu vende ku natyralizimi është shumë më i vështirë dhe i rrallë. Për SHBA, një komb dhe një shtet që u krijuan në mënyrë të ndërgjegjshme, ideja e emigracionit ishte e ngulitur që në gjenezë të idesë së kombit sikurse ishte edhe ky betim. Emigracioni (hyrës) dhe natyralizimi kërkojnë një betim me këtë magnitudë, për sa kohë që natyralizimi nënkuptonte jo vetëm marrjen një identiteti të ri shtetëror, por edhe të një identiteti kombëtar. Kombi amerikan u ndërtua bazuar mbi emigrantë nga kombe të tjerë. Pavarësisht nëse ata ishin të përgatitur për të “hequr dorë plotësisht nga të gjitha marrëdhëniet e mia dhe nga besnikëria ndaj ndonjë vendi, princi, fuqie, shteti apo sovraniteti ndaj të cilit apo të cilit unë kam qenë deri më tani subjekt apo shtetas (citizen)”, ndërmarrja amerikane rrezikonte të binte në kaos nëse emigrantët erdhën në SHBA për të siguruar të mirat e shtetësisë, por do të refuzonin heqjen dorë nga detyrimet e mëparshme dhe të binin dakord me obligimet dhe sakrificat që betimi kukonte.

Anomalia e shtetësisë së dyfishtë

Është pra e çuditshme që SHBA – së bashku me shumë kombe të tjerë – lejon që qytetarët (në këtë rast baras me kombin) e vet të marrin shtetësinë e vendeve të tjera. Kushtetuta amerikane nuk e ndalon këtë gjë, teksa betimi i shtetësisë duket se bën këtë gjë. Ai kërkon që emigrantët të braktisin të gjitha detyrimet me shtetet e huaja. Gjykata e Lartë e SHBA vendosi në çështjen Afroyim vs. Rusk në vitin 1967 se revokimi i shtetësisë për arsye të votimit në zgjedhje të huaja (në një vend tjetër) ishte jokushtetues. Vendimi përfshiu një amerikan të natyralizuar i cili presupozohej se e kishte bërë betimin. Gjykata e Lartë e la betimin të paprekur, por nëse ne do ta kuptojmë në mënyrë korrekte gjykatën, atëherë mund të themi se ajo ka vendosur se betimi nuk pengon shtetësi të shumëfishtë. Është e pamundur të dish sesa persona në SHBA apo në vende të tjera mbajnë shtetësi të shumëfishtë, por duket se nuk është një gjë e pazakonshme. Duke qenë se nuk kërkohet heqja dorë nga shtetësia e huaj duket se praktika në fjalë lehtësohet. Dhe kjo çon në një pyetje fondamentale: A është shtetësia një licencë për të jetuar dhe për të fituar jetesën në një vend, apo është e barabartë apo afërsisht e barabartë me një tërësi detyrimesh ligjore dhe morale? Ka shumë mënyra për t’u bërë rezident në një vend pa u bërë qytetar i tij. Por betimi amerikan p.sh e bën të qartë se qytetari i natyralizuar (në ndryshim nga rezidenti) ka një detyrim thelbësor ndaj SHBA që mund të kërkojë përgjegjësi thelbësore dhe të vështira përfshirë ato me natyrë ushtarake dhe civile. Një individ mund të jetë i aftë të manovrojë me detyrime të shumëfishta deri në momentin që ato do të bien në konflikt me njëri-tjetrin. A e zgjedh vallë qytetari obligimin e tij primar në këtë moment apo në momentin që ai fiton shtetësinë? Realiteti na tregon se në shumë raste, shtetësia shihet më pak si një sistem detyrimesh dhe të drejtash të përbashkëta sesa diçka që na intereson. Kjo situatë krijon një tension të dukshëm mes qytetarit dhe detyrimeve të tij që burojnë nga betimi i tij. Por ajo krijon gjithashtu një ambiguitet të thellë mes nacionaliteteve të tij të shumëfishta. Koncepti i emigracionit supozon lëvizjen dhe zhvendosjen nga një vend në një vend tjetër, dhe marrjen e detyrimeve morale dhe ligjore. Por ai gjithashtu përfshin edhe një detyrim ndaj kombit, të paktën deri aty ku shkon edhe shtetësia. Kjo nuk ka të bëjë me ruajtjen e etnicitetit, por me përkufizimin e asaj çfarë do të thotë të ‘duash veten’ (to love one’s own) – nëse ju jeni një shtetas i kombeve të përbërë, cili është juaji? Është interesante të vëresh se SHBA janë po kaq ambigue për sa i përket shërbimit ushtarak për vende të tjera. John Paul Jones shërbeu si Admiral në flotën ruse. Pilotë amerikanë shërbyen për Britaninë dhe Kinën përpara se SHBA të hynte të LIIB. Ata nuk e kishin bërë betimin e shtetësisë, meqë kishin lindur në SHBA. Këtu mund të argumentohet se betimi nënkuptohet ashtu sikurse mund të thuhet se ata nuk e komprometuan përmes veprimtarisë së tyre nacionalitetin e vet: ata mbetën amerikanë edhe pse luftuan për vende të tjera. Çështja e emigracionit është shumë më tepër komplekse. Në zgjedhjen për të qenë një shtetas amerikan, emigrantët në mënyrë të ndërgjegjshme, kryejnë betimin në fjalë. Ky lloj betimi kaq i qartë duhet të krijojë një tërësi detyrimesh për emigrantët e natyralizuar.

Tërheqja e Tokës së Vjetër

Përveç përfitimit të lejekalimit të leverdishëm për në ishuj tropikalë të panjohur, qytetaria e dyfishtë si fenomen përshfaqet si ndërvepruese mes vendit të origjinës dhe vendit të ri të adoptuar. Emigrantët dhe zakonisht fëmijët apo nipërit e tyre e mbajnë shtetësinë e tyre të vjetër krahas asaj që marrin në vendin ku jetojnë. Kjo duket si një praktikë beninje dhe mbetet e tillë deri në momentin kur ka konflikte apo mosmarrëveshje mes dy vendeve – apo ku si në disa raste, vendi i origjinës kërkon shërbimin ushtarak, si çmim të mbajtjes së shtetësisë. Në vendet me emigracion në veçanti, paqartësia e ndarjes mes kombësive bëhet një kërcënim potencial i tillë, që nuk ndihet në vendet e origjinës. Kuptimi i identitetit kombëtar është zakonisht më i fortë në ato vende, kombësia e të cilëve është krijuar në shekuj historie të përbashkët, sesa në vendet ku duhen përballuar valë emigracioni. Këto vende kanë më pak mundësi manovrimi në këtë drejtim vetëm nëse ato kanë fatin të jenë të sigurta dhe të mos kenë nevojën, por të mos kërkojnë shumë nga qytetarët. Por në ato vende që janë ndërtuar përmes emigrantëve dhe kanë nevojën e sakrificave dhe zbatimit të detyrimeve, ky evolucion është shumë herë më problematik. Ka nga ata që e vlerësojnë nacionalizmin si përçarës dhe të dëmshëm, që tërheq drejt konfliktit. Unë mendoj se nacionalizmi ka përfunduar, pasi ai krijon individë me ndjesinë e vendit, komunitetit, historisë dhe identitetit. I jep individëve diçka përtej tyre, që është aq e vogël sa për të qenë e mirëkuptueshme, por shumë e madhe sesa ata vetë. Ky lloj nacionalizmi mund të bëhet monstruoz dhe kjo është e qartë; çdo gjë që është e dobishme, mund të bëhet e dëmshme. Por nacionalizmi ka shpëtuar dhe ka lulëzuar për një arsye. Fenomeni në rritje i shtetësisë së shumëfishtë padyshim që prodhon liri. Por siç dihet, liria shtron pyetjen e asaj se çfarë është i detyruar të bëjë një individ për të kapërcyer vetveten. Zbehja e dallimeve ndërnacionale nuk i ka ulur konfliktet. Përkundrazi, shtrohet pyetja se ku strehohet besnikëria e vërtetë e qytetarëve, diçka kjo e pashëndetshme për qytetarin e kombit-shtet. Në SHBA është e vështirë të pajtosh betimin e qytetarisë me vendimin e Gjykatës së Lartë për të afirmuar të drejtën e qytetarësisë së dyfishtë. Ky lloj ambiguiteti me kalimin e kohës mund të çojë në probleme serioze. Nuk është thjesht një problem amerikan, edhe pse këtu mund të jetë më dukshëm dhe më intensiv. Është një çështje shumë më e përgjithshme qoftë edhe literale në përkufizim; pra ç’do të thotë të jesh një Qytetar (nënshtetas)?

Përktheu Skerdilajd Zaimi

Posted via email from Shkupi Press extra