“Goldman Sachs & Co” gëzojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës reputacionin e një banke me ndikim shumë të madh në krijimin e krizës së fundit financiare në vend. Por, së fundi, kjo bankë dhe gjithë bashkëpunëtorët e saj kanë marrë goditje edhe nga vendi që aktualisht zë të dytin në botë për arritjet ekonomike, Kina. Në një libër të ri, kjo bankë tani akuzohet edhe për planifikimin e shkatërrimit të Kinës. “Goldman Sachs Conspiracy” titullohet libri, i cili nga publikimi i tij në korrik ka shitur një numër rekord kopjesh. Autori i librit është Li Delin, një gazetar financiar, i cili një vit më parë shkroi një tjetër libër: “Eliminimi i të gjithë konkurrentëve – Si ‘Goldman Sachs’ donin të pushtonin botën”. Libri me rreth 300 faqe është një rrëfim dramatik i asaj që ka ndodhur në “Wall Street” për vite me radhë dhe veçanërisht në bankën në fjalë, duke e paraqitur këtë të fundit si “një vampire e madhe që i thith vazhdimisht gjakun njerëzimit në emër të lakmisë dhe etjes së pafre për para”. Sipas Li, qëllimi final i “Goldman” ishte: “Vrasja e Kinës”. “Si një dhelpër me përvojë, ‘Goldman’ i di mirë rregullat e lojës dhe kur është momenti i përshtatshëm që të “pickojë” si gjarpër një shtet”. Sipas tij, i gjithë grupi me forcën e pamëshirshme të një tigri mançurian vjen vërdallë nëpër glob me cilësitë e një gjahtari veteran në kërkim të momentit për të kafshuar prenë e radhës. Kataklizma financiare e vitit 2008 dhe recesioni botëror që pasoi këtë ngjarje të madhe, më të rëndën financiare që nga koha e recesionit të madh, pasqyrohet në një numër shumë të madh librash analitikë, në thelb të të cilëve është roli i “Wall Street” dhe veçanërisht i grupit në fjalë në krijimin e gjithë katrahurës së madhe dhe skandaleve financiare, të cilat u “gatuan” për vite me radhë në “kuzhinat” e bankave të investimeve. Sipas analistëve, libri, edhe pse është analitik, ka zhdërvjelltësinë e një romani. “Goldman” është kritikuar ashpër veçanërisht në Shtetet e Bashkuara për pagesat e mëdha dhe bonuset që u jepte drejtuesve të saj të lartë, madje edhe në mesin e krizës financiare kur këto banka shpëtuan kokën vetëm falë parave të taksapaguesve amerikanë. Sipas autorit, ajo që ai përshkruan në librin e tij, është shumë më e qetë se sa realiteti. Ai thotë se ka shumë mundësi që kompania në fjalë të jetë edhe pas krizës greke dhe asaj të Dubait, si dhe në shkallë më të gjerë të të gjithë krizës financiare europiane.
Home »
» Libri bestseller i një gazetari kinez për prapaskenat e fëlliqura të kompanisë së “Wall Street”





