Salajdin SALIHU
(Me rastin e 5 – vjetorit të ikjes në amshim të shkrimtarit Murat Isaku)
![]() |
| Murat Isaku |
Murat Isaku u rikthye në botën letrare me përmbledhjen poetike M’i këpusin kokrrat e frymës,që u botua post-mortum, pasi, më parë, kishte krijuar një perandori letrare përgjatë disa dhjetëvjeçarëve. U rikthye si përherë... si poet. Poetët, edhe kur duket se kanë ikur përgjithmonë, befas rikthehen. Rikthehen për lexuesit e së nesërmes. Më saktësisht, Murat Isaku, ka qenë gjithnjë në botën që s’e braktisi kurrë – botën letrare, ku është i dënuar që të mbetet përgjithmonë.
Përgjatë një jete shkroi romane, tregime, poezi, me një përkushtim të habitshëm, me një vullnet të jashtëzakonshëm, me një fuqi titanike, pa të cilat nuk merresh dot me letërsi. Në këtë rrugëtim krijues, sikurse thoshte, shpesh kishte ndjerë lodhje. E kishte lodhur tipizimi i Eng Humballait te Plagët, atëherë kur Gjata e ngarkonte në shpinë trupin e tij pa kokë dhe e varroste majë një kodre, që madhështia t’i shëmbëllente me lartësinë e majës. Te Rreckajt e kishte lodhur humbëtira, ku babë e bir gjendeshin në terrin e thukur, njëri në grahmat e fundit të jetës, tjetri duke mos e kuptuar se ai që vdiste ishte babai i tij… Më shumë lodhej kur nuk shkruante. Ndjehej i shkretë. Thoshte se atëherë ndjehej nervoz, endacak, fjalëpakë, neurastenik. Kur i rrekej veprës atëherë i duhej vetëm qetësi dhe të gjithëve ua shtronte një lutje të madhe: ta linin të qetë në hallet e shkrimit... Teksa shkruante romanet Plagët dhe Rreckajt, ishte zvarritur nëpër varrezat e Teqes. Kishte folur me të vdekurit. Kishte folur me njeriun e fshehur brenda vetes. Kishte dëgjuar zërat që vinin nga përtej dhe më pas kishte nisur të rrëfente me gojën e personazheve të tij. Teksa e shkruante tregimin "Thuthuqi i pavijonit numër katër", shpesh e vizitonte Bardovcën. “Lirisht mund të them se ai është shkruar në një gjendje gjysmë çmendie”.
Ndonëse me distancë të madhe moshe, ai sillej me ne, krijuesit e rinj, si bashkëmoshatar yni. Ai do të mbetet në kujtesë si aristokrati i një mjedisi gjysmë të urbanizuar që gjallonte nën trysninë e thashethemnajës dhe nën shtrëngimin e tymnajës së spekulimeve. Ai do të ngelet në kujtesë si shkrimtari që letërsinë e konsideronte si religjion. Ai do të mbetet në kujtesë si shkrimtari që iu gëzua sukseseve dhe u pikëllua në dështimet tona. Ai do të mbetet në kujtesë si shkrimtari që i motivoi krijuesit tjerë kur kishin më shumë nevojë për fjalën e një njeriu që kishte bërë emër në letrat shqipe. Ai do të mbetet në kujtesë si shkrimtari që nuk mund të qëndronte larg forcave demoniake të krijimit. Ishte letërsia që e mbante gjallë dhe vital. Nga bota e këndejshme merrte atë që i duhej shkrimtarit për të sajuar botën e tij të epërme. Gjërat tjera, që shumëkush i pandeh të vlefshme, ua lente të tjerëve, pa ndjerë fare xhelozi. Për një shkrimtar është e vlefshme diçka tjetër, që atij i hyn në punë, teksa të tjerët as që mund ta vërejnë...
Murat Isaku shkruante “për të mbetur njeri”, kurse shkrimi për të ishte “dhembje e ëmbël që provokon të gjitha qelizat e gjalla dhe krijon simfoninë e harmonisë”. Në krijimtarinë e tij tragjikja zë vendin kryesor. Shkrimtari thoshte: “tragjikja është më e fortë se lumturia, sikurse edhe dhembja më e fortë se gëzimi”.
Isaku nuk besoj të ketë qenë i lumtur, por dihet se ka qenë kërkimtar i vazhdueshëm, veçanërisht i fjalës. Ai do të mbetet përgjithmonë në letërsinë shqipe për gjuhën e tij të pasur poetike. Brodhi pas fjalëve plaka e të harrueme, siç do të thoshte Pjetër Bodgani, për të krijuar kështjellën e tij artistike dhe e hijeshoi mrekullisht edhe nëpërmjet një leksiku autokton.
Në vjeshtën e jetës së tij ai merrej me, sikur thoshte, disi me një ironi të fshehur, “ristudimin” e tërësishëm të veprave të tij.
“Nganjëherë mendoj se po t'i shkruaja tani, në disa prej tyre,do të kisha qasje tjetër, por kjo është vetëm përfytyrim”.
Kjo ndjenjë e shoqëron çdo krijues serioz. Murat Isakun patjetër. Po madhështia e shkrimtarit këtu shihet: jo tek fletët që ka shkruar, por tek fletët që ka grisur.
Murat Isaku ka lindur me fatin apo fatkeqësinë për të qenë shkrimtar. Letërsisë, sikurse thoshte, nuk iu përkushtua për ndonjë interes të veçantë. Ajo për të ishte nevoja e natës dhe e ditës, autobiografia e tij, fati i tij.
“Nëse e nis edhe njëherë letërsinë, sikurse kam vepruar 50 vjet më parë, besoj se do të mbetesha i njëjti: të jem i mirë ndaj njerëzve, dorën gjithmonë ta mbaj për miqësi të sinqertë dhe krahët e hapur për përqafime. Ndoshta nuk do të isha ky që jam me këtë përvojë jetësore, por shkrimtar detyrimisht”.
Na ndodhte shpesh të bisedonim për nevojën që na shtynte të shkruanim. Mos vallë shkrimi nuk është tjetër veçse tentim, apo mashtrim, që të mos e shohim hijen e vdekjes që na fanitet ku(r)do?
“Vet jeta është antitezë e vdekjes dhe përsëritje metabolike e fëmijërisë. Jeta është një fëmijëri në vazhdim, e cila duke dashur të mbetet e tillë, me kalimin e virgjërisë, ajo i kundërvihet fatit fatal të vdekjes. Këtë për fat të keq nuk arrin ta sundoj në betejën e gladiatoreske, por arrin ta zbusë egërsinë e saj. Në të gjitha veprat e shkrimtarëve botërorë, pa përjashtuar as timen, vdekja është kambanare e madhe në sfond, zëri i së cilës arrin kudo, por secili shtiret se ajo gjendet diku larg personit të tij…Parafytyrimi i vdekjes ndonjëherë është i bukur, sepse në këtë rast ndjehet nevoja e mobilizimit te vetvetes për t'i bërë rezistencë të keqes. Edhe vdekja është e bukur, sepse çdo dukuri që patjetër duhet të kryhet, ruan në vete hijen e bukurisë”, thoshte plaku me borsalinë, aristokrati që jetoi në një kohë prerjesh të mëdha historike dhe të papërshtatshme për shkrimtarinë. Por ai nuk iu nda letërsisë asnjëherë, sepse pa të nuk mundte dot.
Ai arriti mjeshtërisht të krijonte personazhet e ekskomunikuar që rrugëtonin mes heshtjes dhe shpresës së thyer...
Tragjikja e personazhit në veprën e tij shndërrohej në një tragjikë masive ose në rezistencë kolektive, së paku duke lënë mesazhin e një qasjeje të këtillë. Këto për të ishin tema të vjetra të letërsisë, të trajtuara nga Platoni, sidomos nga Aristoteli.
“Tragjikja e personazhit në letërsi zgjon asociacione të shumta për t'i dalë zot trupit të vet, shokut, familjes, etnitetit... Në kuptimin filozofik të fjalës, tragjikja është pjesë përbërëse e të menduarit dhe gjykuarit, të meditimit të individit. Ajo shndërrohet në forcë shtytëse për t'u kundërpozicionuar. Herë herë edhe tragjikja është e bukur sikur vdekja, sepse është pjesë përbërëse e imanencës sonë, që lëviz levën motorike të ecjes përpara, të harresës. Në veprën time pjesët më të bukura janë ato kur njeriu lufton kundër tragjikes vetanake dhe bie viktimë në këtë luftë, duke mos e konsideruar vetveten si të humbur”.
Ja kështu fliste shkrimtari.
Ishin me fat ata që patën rastin ta dëgjonin, të ishin pranë tij.
Fliste rrjedhshëm.
Dhe ishte ndryshe nga ne të tjerët... sepse qe gjithnjë në zonat influencuese të letërsisë.






