Lasgush Poradeci - Bibliografi e arsyetuar!

Dhimitër Gegprifti



Sa më shumë kalon koha, aq më tepër shkëlqen vepra letrare e Lasgush Poradecit



Sa më shumë kalon koha, aq më tepër shkëlqen vepra letrare e Lasgush Poradecit. Ky mendim i përafërt është shprehur kohë e kohë më parë për veprën letrare të poetit të madh të Rilindjes Evropiane Dante Aligeri. Besojmë se nuk bëjë gabim nëse të njëjtin mendim do ta shprehim edhe për poetin tonë në kohën e vet.
Vepra madhore e Aligerit u shkrua në një epokë dhe filozofi tjetër, për një epokë, që po lindte. Me të tjera motive dhe të tjera personazhe. Mbi të gjitha me një mjeshtëri dhe një stilistikë të pasur klasike, të famshmet tercina në të gjithë “Komedinë hyjnore”. Por edhe Lasgushi ynë shkroi, por jo në ato përmasa, jo me ato veçori të artit dantesk, por hyri dhe mbeti në letërsi me përmasa jo të zakonta me stilin, tematikën, natyrën popullore, shpirtin njerëzor, dashurinë hyjnore.
Lasgush Poradeci është cilësuar si një nga figurat qendrore të letrave shqipe, në krijimet e të cilit fryma perëndimore ka lënë gjurmë të thella, duke e bërë një nga poetët më origjinal, ku kombëtarja dhe universalja ndërthuren më harmonishëm... Me të drejtë mund të cilësohet nismëtar i një epoke të re në letërsinë shqipe... Ai nis të hap një rrugë të re të panjohur për letërsinë shqipe. Lasgushi i ngriti himn shpirtit njerëzor, duke i kënduar me tonet më të ëmbla.
Në të kushte të tilla, si në letërsinë botërore për autorë të niveleve të larta të krijimtarisë së vlerësueshme e të qëndrueshme për breza dhe epoka, ka edhe botime të tilla bibliografike, të cilat janë të domosdoshme për jetën, veprën, pikëpamjet, filozofinë, mjeshtërinë artistike të grumbulluara e të sistemuara me kritere shkencore në një botim të vetëm. Këto lloj botimesh krijojnë mundësi reale për studiuesit e kategorive të ndryshme. Pikërisht, kjo përbën synimin e autorit Ilir Shyta me këtë punim të realizuar me nivel të lartë dhe të vlerësuar nga specialist të fushës.
Është kjo arsyeja madhore, që pa mëdyshje, do të thoshim se janë shkruar, mbase mijëra faqe për veprën letrare të poetit për gati tetë dekada. Është kjo arsyeja e motivuar e prof. as. dr. Kristaq Jorgos të orientonte punimin “Lasgush Poradeci - Bibliografi e arsyetuar”, me të cilin Ilir Shyta fitoi titullin master në letërsi. Udhëheqësi Jorgo u kushton rëndësi të madhe rrëmimeve të kësaj natyre. Libri është një botimi i shtëpisë botuese “D.I.J.A.-Poradeci”.
Ndërmarrja dhe realizimi i këtij punimi shkencor më i avancuar se botimet pararendëse për disa arsye, është motivuar në radhë të parë, sipas autorit nga: “... ndjenja e qytetarisë, respekti qytetar për t’iu dedikuar një mikroteze serioze për L. Poradecin”. Një shtysë edhe më e fuqishme për autorin është dhe kërkesa e lartë ndaj vetes për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës në nivelet më të larta si pedagog në Universitetin “F. Noli” të Korçës.
Këtë e vërteton dhe fakti tjetër se Shyta ka filluar të mendojë dhe të skicojë projektin për doktoraturën, po përsëri me Lasgushin, por kësaj radhe të parë nga një këndvështrim të ri, “Teoria e recepsionit”. Në parafjalën e këtij botimi, vetë autori i shpjegon lexuesit kushtet dhe hapësirat të informacionit dhe të komunikimit, rolin e padiskutueshëm e atij të shkruar, siç është libri, ku është akumuluar dhe motivuar në botimin në fjalë.
Libri sipas I. Shytës shihet si” ekzistencë natyrale e dijës, si domosdoshmëri, si ushqim shpirtëror i shëndetshëm”. Indirekt realizohet ideja e Gjergj Fishtës se “... nieri kalbet, bahet hi e pluhen, fjala e tij e shkrueme edhe me një shtup letre, mund të ketë jetë ma të gjatë se vorri i tij, se gjithshka qi atij i përket...” Ndër të tjera “Parafjala” sjell një kronologji sintetike të fillesës së bibliografive në hapësirën mbarëshqiptare, si një lloj i veçantë i letërsisë, duke filluar me I. Rugovën e të tjerë.
Autorët pogradecarë e të tjerët për poetin e madh janë një vlerë tjetër e këtij punimi. Shyta tregon se u është referuar dhe botimeve në vite në këto fusha, nga Liliana Verdho në vitin 1999, botime të veprës së poetit në periudha të ndryshme në Shqipëri e në Kosovë, po ashtu deri te botimi i prof. dr. Ymer Çirakut dhe Maksim Gjinajt.
Duke e vlerësuar këtë botim si shterues, sipas autorit, kjo është arrirë “në 884 zëra”. Struktura e kësaj bibliografie është ngritur mbi shtatë linja: vepra të L. Poradecit, shqipërimet, redaktimet, studime e artikuj, krijime të autorëve për Lasgushin, pjesë të veprës, korrespondenca, intervista një pjesë të pabotuara. Një risi, midis të tjerash është dhe filmografia. Shyta i shpjegon lexuesit metodikën e përdorur dhe njëherësh e orienton atë për mënyrën e përdorimit të librit.
Me interes dhe me shumë të drejtë autori veçon në këtë punim, një poezi të panjohur deri më tani me titull “Dashuri dardhare”, e cila botohet e plotë. Ajo është shkruar nga Lasgushi dhe është botuar në një album turistik për Dardhën, në Bukuresht të Rumanisë nga Kryetarja e Naltë dhe Patronesha e Turizmit në Shqipëri, Princesha Maxhide Zogu. Ndër burime të informacionit radhitet edhe gazeta lokale “Nositi”, që botohet prej 15 vitesh në qytetin e lindjes së poetit në Pogradec, njëkohësisht edhe vendlindja, fëmijëria, pjekuria, aktiviteti i autorit të botimit.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Interesante është të shihet edhe kronologjia e hartuar nga autori për botimet e Poradecit për hapësirën kohore, në vitet 1928-2008.
Struktura e ndërtimit në disa plane sjell akoma dhe më shumë hapësira të reja, por edhe lehtësi studimi. Kështu, bie fjala, autorë të shqipëruar dhe redaktuar nga L. Poradeci 21, autorë të shkrimeve dhe librave kushtuar poetit 214, tregues i titujve të krijimeve, intervistat 209, lista e organeve të periodikut në të cilat janë botuar pjesë të veprës letrare për periudhën, 95 (zëra). Kujdesi i treguar për realizimin e këtij punimi shkencor me vlera të spikatura ka motivuar prof. dr. Ali Xhikun të shkruajë: “... Jam befasuar unë tek shfletova bibliografinë e hartuar prej tij. Sa i njoh bibliografitë e tjera të këtij lloji, që nuk i kemi të shumta, mund të them se kjo e Ilirit është më e mira”.
Nga një vëzhgim i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm, duket se Ilir Shyta ka realizuar një punim shumë cilësor, duke sjellë një vlerë të shtuar veprës madhore të Lasgushit, duke iu afruar gjithnjë e më shumë shterimit real të burimeve të informacionit. Kërkime të mëtejshme mund të sjellin vlera të tjera.