Ka njerëz që njohin ligjet e teoritë dhe një mori rregullash, por këta janë të pafuqishëm (pa pushtet, politik/shtetëror) për t’i vënë në praktikë. Ata zotërojnë vetëm pushtetin e ideve. Vangjushi ishte një prej tyre. I Dy vjet më parë u nda nga jeta Vangjush Gambeta, një nga gazetarët më të shquar ekonomikë të vendit. Ai është nga ata njerëz që të bënte të mendoje kur lexoje shkrimet që prodhonte lapsi i tij në atë kohë, por të grish ende për refleksion edhe tani që ka filluar gjumin e përjetshëm. Kjo lidhet sa me personalitetin e talentin e tij si gazetar ekonomik, me situatën ekonomike që po kalon vendi, por edhe me faktin që me sa duket asnjë sistem nuk qenka totalisht i lirë në përpunimin dhe përhapjen e informacionit. II Kontrolli mbi informacionin, sipas studimeve në këtë fushë, varet nga faktorë të ndryshëm, që nga qëndrimi apo gatishmëria e gazetarëve për t’u konformuar, perceptimi i interesave që i nxisin në punë ata, presioni dhe monopoli burokratik mbi informacionin, nevoja e zyrtarëve dhe politikanëve për të siguruar legjitimitetin e vet etj. Por, sidoqoftë, të bie në sy se kontrolli primar mbi përmbajtjen e masmedias është brenda në procesin e prodhimit dhe përpunimit të lajmit e informacionit. Në këtë proces, pavarësisht nga kornizat dhe kuadratet që mund t’i vihen, gazetari ka individualitetin dhe rolin e vet të padiskutueshëm. Në këtë rrafsh, z o t i Vang j u s h Gambeta gjatë punës së tij ka shpalosur një personalitet që spikat nga profesionalizmi dhe qytetaria. Ndonëse i përndjekur, ai nuk shfaqet si disident. Por mungesa e këtij tipari nuk ka përse të errësojë sado pak cilësinë e kurajës qytetare dhe profesionale që e karakterizonte dhe ka shpalosur ai. Disident nuk ka qenë as Kadareja, por radhët e paragrafët e tij të shkruar e publikuara tridhjetë e pesë vjet më parë, mbi “luftën midis të aftëve e të paaftëve, një nga luftërat më të egra… E keqja është se në këtë luftë, ata që lodhen të parët, janë të aftët...” apo se “Kini fituar ca privilegje dhe tani dridheni se mos i humbisni ato. Në shkëmbim të tyre keni dhënë lirinë tuaj?” “Para tre muajsh, kur i kishte treguar studimin e tij të fundit, njeriu që tani këndonte, i kishte thënë: studimi ishte i mirë, por ti e di, te ne këto gjëra s’botohen. Më kupton, te ne... E pse i kishte thënë ai. Pse te ne jo? Ç’jemi ne? Ah, i dashuri im, i qe përgjigjur tjetri dhe biseda kishte marrë fund” -qarkullonin gojë më gojë. Ndërsa disidenca i ka mbetur tani historisë, kuraja qytetare, qëndrimi profesional, korrekt ndaj punës dhe çdo veprimtarie tjetër janë jo vetëm të nevojshme, por në mjaft raste dhe të imponuara e të kërkuara ironikisht nga vetë ligji. Qëndrimi antikonformist me pushtetin nuk mund të jetë qëllim në vetvete, aq më tepër se siç kujton Volteri “është e rrezikshme të kesh të drejtë kur qeveria është gabim”. Ndërkohë, ndryshe nga disidenca, ajo është aktuale sa dhe dje, në funksion të progresit dhe ritmit të tij. Progresi nuk ka rrugë të vetme përmbysjen e pushtetit, aq më tepër sot, në demokraci. Kujt i duhet dhe i shërben disidenca. Do s’do, Toka rrotullohet... Çështja është se progresi nuk është prerogativë vetëm e pushtetarëve, por e gjithë qytetarëve. Këtë na dëshmon personaliteti i Vangjush Gambetës. Për më tepër ky progres varet në një shkallë jo të vogël të qëndrimit të pushtetarëve ndaj atyre që janë korrektë me ligjin, guxojnë dhe nuk pranojnë të konformohen për hir të disa interesave meskine të çastit apo mediokritetit. Merita e antikonformistëve nuk është kjo e fundit në vetvete, por fakti se ndryshe nga të tjerët kanë pasur mundësi të pohojnë se megjithatë Toka... rrotullohet. Legalizimi zyrtar i kritikës ndaj qeverisë dhe qeverisjes, karakteristikë e çdo vendi pluralist që ka ngritur institucionet demokratike nuk mund të kufizohet vetëm me të. Jo më pak i rëndësishëm është kujdesi për moszhbërjen e saj, si nga kasnecët konformistë, pushtetarët, por edhe nga kritika për kritikë. Shihni zëdhënësit dhe zëdhënëset e partive politike! Reflektimi i çdo qytetari, por sidomos i pushtetarëve ndaj atyre që kanë guxuar dhe guxojnë të shohin e evidentojnë problemet reale është jo vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm. Këtë apelon të paktën veprimtaria dhe jeta e Vangjush Gambetës. III Studentët dhe lexuesit e tij e kujtojnë si një ekonomist dhe gazetar të talentuar të guximshëm që, siç shprehej vetë ai, duhet të jetë “sinonim i së vërtetës”. Me intelektin dhe mprehtësinë e lapsit të vet, ai zbulonte ndër ndodhitë e zakonshme të jetës e punës, probleme të mëdha të kohës, pavarësisht nga gjendja latente e tyre, i ngrinte ato në momentin e vendin e duhur, që në embrion, pa pritur që ato të mahisen se “studimi ishte i mirë, por ti e di, te ne këto gjëra s’botohen…”, pavarësisht nga zemërimet e mundshme të vendimmarrësve, pushtetarëve të kohës. Këta të fundit e kanë detyrim reflektimin për atë që nuk e bënë siç duhet në atë kohë, por nuk po e bëjnë përsëri edhe tani kur janë duke hedhur në letër kujtimet… Më kupton, te ne... Le t’i referohemi një prej shkrimeve të tij pikante në fillim të viteve shtatëdhjetë “Rendimenti tregues llogaritës”. Po çfarë llogarit ai? “Në thelb ai ngrihet kundër nënvleftësimit, vënies së bërrylit ndaj çështjes më të rëndësishme ekonomike për çdo sistem ekonomik, produktivitetit, rendimentit të punës. Ironia është se rendimenti i punës dhe interesimi për të, në sistemin e kaluar u zhbënë, duke e shndërruar atë në fillim në një slogan që “duhet duartrokitur”. Duartrokitja për produktivitetin, rendimentin e punës në fakt nuk mungonte. Për këdo ishte e njohur sentenca se një sistem ekonomik fiton mbi një tjetër, nëse realizon një rendiment, produktivitet më të lartë. Por cili ishte shpërblimi që mori Vangjush Gambeta për trajtimin me qytetari dhe profesionalizëm të një problemi të tillë madhor, siç ishte dhe siç mbetet, rendimenti i punës? “Nja dy muaj nuk shkoja në dikastere, por edhe kur shkova më shikonin vëngër” – do të kujtonte më vonë Vangjushi. E njëjta gjë ndodh kur trajtohet nga Vangjushi problemi i qëndrimit ndaj çështjes së stimujve, problemi i normave kolektive, (i kërkuar bashkimet profesionale-sindikatat e sotme, apo nga ish-kryeministri i kohës i njohur për autoritarizmin e tij,) mekanizmi i çmimeve (të domateve) dhe efekteve negative që kishin ato në praktikë. Ajo që precipitoi ishte qëndrimi semplist, mosreflektues dhe pse jo, arbitrar i mbajtur ndaj tyre nga politikëbërësit, vendimmarrësit e pushtetarët e kohës. Pra, për lapsin e Gambetës në dukuritë e zakonshme zbulohej thelbësorja, që herët a vonë do të preknin dhe tronditën vetë sistemin. Por në vend të refleksionit, pavarësisht nga ndonjë retush për këto çështje, (produktivitetin, mekanizmin e çmimeve, stimujt etj., këto të fundit filluan të shihen vetëm si lule mos më prek) mosreflektimi kalcifikohet duke u shndërruar në goditje ndaj grupeve “armiqësore” në naftë dhe ekonomi. Dhe së bashku me ta, do të goditej dhe u godit edhe Vangjush Gambeta në vitin 1975. Goditja do të ishte fatale për të në planin personal, por jo vetëm në rafshin personal.. Dhe kjo jo si nga etiketimi “armiqësor” por dhe efektet që do të kish kjo goditje. Ajo do të rezultonte me pasoja për mbarë shoqërinë. Le të kujtoj një ndodhi reale të viteve 1975. Në një mbledhje të asamblesë, në një kooperativë të Korçës, Sadiku që ishte një pendar sa i mençur aq edhe i romuzit, i bën një pyetje kryetarit të kooperativës: Dakord o shoku kryetar, i morëm vesh rezultatet për të cilat na fole dhe unë jam gati të duartrokas së bashku me ty e sekretarin e byrosë. Të gjithë ne jemi dëshmitarë se sivjet morëm grurë në fushë 50 kv për ha nga 40 kv për ha që kishim marrë vitin e kaluar, aq sa u mor dhe në Këmishtaj. Po a ma shpjegon përse po ndodh që megjithëse rendimentet e kulturave po shkojnë lart, vlera e ditës së punës dhe e të ardhurave që marrim në fund të vitit kanë mbetur në vend ose më poshtë? Sallën e mbledhjes e pllakosi heshtja, por të gjithë mbajnë mend se ndërsa kryetari dhe sekretari i treguan vendin Sadikut, përgjigjja e tyre nuk ishte ndonjë gjë për të qenë, përveç trumbetimeve për arritjet… Arritjet?! Dihet se atë vit rendimenti i kulturës së grurit pësoi një hop jo të vogël. (Sadiku pyeti për koston, për vlerën e ditës së punës dhe jo thjesht për rendimentin e kulturave). IV “Hakmarrja” e produktivitet - rendimentit të punës, të trajtuar si tregues llogaritës, do të vononte, por nuk do të mungonte. Mjafton t’u drejtohesh botimeve statistikore të asaj kohe, Vjetarit Statistikor, i cili mban shënimin “Për përdorim të brendshëm”. Kish kohë që vendin e publikimit të vjetarëve statistikorë që vazhduan të botoheshin, mos gabohem, deri aty nga vitet 1965-1966, e kishin zënë ato për përdorim të brendshëm. Por le të shohim disa tregues të tjerë, sa ekonomikë aq edhe socialë, që lidhen me pyetjen e Sadikut në vitin 1975, vlerën për ditë pune, të ardhurat për krahë pune, për frymë, të kooperativistëve. Të mos harrojmë se bëhet fjalë për pjesën dërrmuese të popullsisë së asaj kohe. Në vitin 1990, numri i krahëve të punës në kooperativa ishte 525 mijë veta (numri i popullsisë fshatare ka rënë ndjeshëm, në krahasim me 20 vjet më parë, ndërsa krahët e punës në bujqësi vazhdojnë të rriten shumë më tepër se më parë. Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, pra në vitin 2009, forcat e punës në bujqësi ishin 568 mijë veta, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti kanë rënë në 496 mijë veta?!). E keqja e shoqërisë nuk ka ardhur se autorë të “Rendimenti tregues llogaritës. Po çfarë llogarit ai?” nuk synuan të bënin as disidentin, as antikonformistin, por thjesht detyrën e tyre si qytetarë, si profesionistë. Nuk kanë hezituar të thonë se mbreti na qenka lakuriq, kur të tjerë ende trumbetojnë se sa të bukura janë ato. E keqja ka ardhur dhe vazhdon të vijë, se mjaft pushtetarëve u ishin dhe u janë lyer sytë nga lapsat e Gambetëve. Reflektimi ndaj sistemit të kaluar ekonomik shoqëror dhe shkaqeve reale që shpunë në vetë rrëzimin e tij nuk është i paplotë. Ai nuk mund të ezaurohet vetëm nëpërmjet dëmshpërblimeve të ish të përndjekurve politikë, kur ende sot qëndrimi qytetar profesionist, jo konformist trajtohet si disidencë edhe në demokraci. Vangjush Gambeta në këtë përvjetor grish për reflektim si ish-pushtetarët e djeshëm që po shkruajnë kujtime, pushtetarët e sotëm, por dhe çdo analist, gazetarët analistë e sidomos gazetarët ekonomikë, pa harruar reporterët. Për fat të keq, analistët vazhdojnë të tjerrin, por nuk thanë asgjë se çfarë efektesh, pasojash konkrete kish fakti që depozitat bankare, në fund të korrikut 2009 ishin shumë më të vogla se sa në shtatorin 2008. Të njëjtën gjë bënë dhe disa politikanë të vetëquajtur politikanë të së ardhmes. Ata flisnin verën dhe vjeshtën e kaluar për spirale zhvillimi, pavarësisht ecurisë së variablave të tillë ekonomikë si depozitat (për rrjedhojë dhe kreditë) të vendit apo se kudo kishte jo vetëm rënie të ritmeve të rritjes, por dhe për recension. Ata vazhdojnë të flasin ende për spirale zhvillimi, pavarësisht se të ardhurat buxhetore në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009, ishin 154.3 miliardë lekë, nga 159.2 miliardë lekë që ishin ato në vitin 2008 (sipas të dhënave të faqes së internetit të Ministrisë së Financave, shih), pra jo vetëm të stopuara, por dhe më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë?! Ndërkohë të tjerëve u janë lyer sytë të shohin e të shpjegojnë përse rritja e depozitave nga korriku 2009 - mars 2010 janë nga më të lartat në vite, të ndodhura në Shqipëri, kur ritmet e rritjes së të ardhurave buxhetore, si për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009, por edhe për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, kanë qenë ndërkohë nga më të ulëtat në vite?! Kujtoj se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, të ardhurat buxhetore u rritën në krahasim me të njëjtën periudhë në terma nominale, me një ritëm rritjeje prej 3.3 për qind, kur inflacioni ishte 3.7 për qindra në terma realë janë ulur në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë kujtoj se në mars 2010 depozitat bankare sipas Bankës së Shqipërisë ishin 692.7 miliardë lekë, nga 611.8 miliardë lekë që kanë qenë ato në korrik 2009, pra me një shtesë prej 80.9 miliardë lekësh, vetëm për 8 muaj, pra me një mesatare prej 10 miliardë lekësh në muaj. Se çfarë përfaqëson kjo shtesë, mjafton të kujtojmë se shtesa e depozitave bankare dhjetor 2007-dhjetor 2009, (përfshi efektet e krizës globale financiare) ka qenë vetëm 42.5 miliardë lekë. Ja pse nuk mund të mos përulesh para këtij personaliteti të gazetarisë ekonomike shqiptare, me emrin e respektuar Vangjush Gambeta.Koço Broka
Home »
» LAPSI I VANGJUSH GAMBETËS





