Nga Peter Singer* Transparenca duket se është fjala më e përdorur gjatë ditës në shumë aspekte të politikës. Por a është mirë që gjithnjë të ketë transparencë të madhe? Që nga koha e shpërthimit të krizës financiare më 2008, ka pasur një kërkesë të madhe për “një transparencë më të madhe” në shërbimet financiare. Ligji për reformë financiare, i miratuar gjatë muajit të kaluar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, kërkon më shumë transparencë nga bankat dhe shërbimet financiare. Me një llaf, falë edhe punës së madhe të aleancës “Oxfam America” dhe “Publish What You Pay” (Publiko çfarë paguan), u kërkon po ashtu edhe kompanive të naftës dhe të minierave – edhe atyre amerikane, edhe atyre të huaja – që të raportojnë për të gjitha pagesat që ndaj qeverive vendëse dhe atyre të huaja, ku operojnë.
Për shumë vende të varfra, pasuria në burime natyrore është më shumë një mallkim sesa një përfitim. Liderët e korruptuar mund t’i përdorin miliardat e përfituara nga korporatat e naftës dhe të minierave për qëllime personale, ose për të blerë para për t’i shtypur me trupa ushtarake lëvizjet demokratike në vendet e tyre.
Natyrisht, vetëm koncepti i transparencës nuk e parandalon dot fenomenin, por, u tregon të gjithëve sesa përfitojnë diktatorët, dhe kush po i financon ata. Kjo, shpreson dikush, do ta ndryshojë sjelljen e korporatave që pasurojnë veten duke i paguar diktatorët për të fituar të drejtën e përfitimit prej burimeve të gatshme që i takojnë tërë vendit. Botërisht dihet se ajo që vidhet është një krim, në mënyrë të veçantë atëherë kur pasuritë vidhen nga diktatorë që dominojnë shtete të caktuar.
Një tjetër transparencë ka gjetur vëmendjen publike gjatë muajit të kaluar. Sajti i internetit “Wikileaks”, që e përshkruan veten si “një shesh apo bulevard botëror ku secili kalon për të gjetur dokumente sekrete që i duhet t’i shohë”, lëshoi më shumë se 92 mijë dokumente mbi luftën në Afganistan, përfshirë raporte ushtarake për incidentet, dhe raportet e shërbimeve të fshehta.
Sajti i internetit “Wikileaks” gjatë tre vjetëve të kaluar ka publikuar një shumëllojshmëri dokumentesh sensitive, duke filluar prej një doracaku të ushtrisë amerikane për marrjen në pyetje në burgut ushtarak të Gjirit të Guantanamos, deri te dëshmitë e korrupsionit në Kenia dhe dëmet e shkaktuar nga kimikatet në bregdetin afrikan. Po ashtu, ka publikuar një numër të madh ueb-faqesh që qeveria australiane ka kërkuar të bllokohen, një analizë të vlerësimit të rrezikut të një banke islandeze dhe një incizim të një helikopteri amerikan në Bagdad, i cili qëllon për vdekje 12 persona civilë, në mesin e të cilëve ishte edhe një fotoreporter dhe një gazetar i agjencisë Rojters. Por publikimi i dokumenteve sekrete ushtarake për luftën në Afganistan është çështja që ka shkaktuar më së shumti kundërthënie.
Gazeta amerikane “The New York Times”, së bashku me gazetën angleze “The Guardian” dhe të përjavshmen gjermane “Der Spiegel”, u ishte dhënë rasti të studionin dokumentet para se të publikoheshin, dhe vendosën të publikonin disa prej materialeve. Botuesit e tyre argumentuan se gjithnjë është vështirë të merret vendimi për publikimin e dokumenteve sekrete, thanë se këto dokumente ishin “në interes të madh të publikut” dhe “për të treguar se në çfarë vështirësie të madhe janë zhytur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët që dikush tjetër nuk e ka marrë këtë zotim”. Senatori demokrat John Kerry, një përkrahës i madh i luftës në Afganistan, ka thënë se publikimi i dokumenteve mund të “nënvizojë rëndësinë” e konfliktit dhe do ta bëjë më urgjente “kryerjen e kalibrimeve të duhura për të pasur një politikë sa më të drejtë”.
Themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange, ka thënë se dokumentet mund të jenë një bazë e mirë për të hetuar krimet e luftës të bëra nga trupat amerikane kundër civilëve afganë. Të tjerët, përfshirë edhe presidentin Barack Obama, kanë thënë se nga dokumentet “nuk ka dalë asgjë e re për të cilën deri më tani nuk është informuar në debatin publik për Afganistanin”.
Ka një paralele të qartë ndërmjet publikimeve të fundit për Afganistanin dhe publikimeve të vitit 1971 të Daniel Ellsbergut të “Letrat e Pentagonit”, të cilët ndihmuan publikun amerikan të kuptonte sesi realisht po zhvillohej lufta në Vietnam. Në sajtin e “Wikileaks”, citohet Gjykata Supreme të ketë thënë për atë rast: “vetëm një shtyp i lirë dhe pa censurime mund të ketë sukses në zbulimin e dinakërive të qeverisë”. “Wikileaks”, po ashtu, ka thënë se publikimet ishin një katalizator për “qindra reforma” dhe “qeverisja e hapur është metoda më efektive e promovimit të mirëqeverisjes”.
Por disa përkrahës të qeverisjes së hapur mendojnë se “Wikileaks” po e tepron (po shkon larg). Steven Aftergood, drejtues i projektit të qeverisjes sekrete në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë, e llogarit “Wikileaks”-in në mesin e armiqve të një shoqërie të hapur, për shkak të dështimit të saj në respektimin e Shtetit të së Drejtës dhe në të drejtën e individëve.
Edhe pse “Wikileaks” ka thënë se ka tërhequr më shumë se 15 mijë dokumente për luftën në Afganistan me qëllim që të largohen disa emra dhe elemente të tjera që lidhen me identifikimin e individëve që mund të vihen në rrezik; gazeta “The Times” e Londrës zbuloi se gjatë kohës së publikimit kishte shumë detaje që mund të zbulonin identitetin e shumë njerëzve. Assange ka thënë se ndjen keqardhje nëse publikimi i ndonjë dokumenti shkakton ndonjë dëmtim, por në parim ka mbrojtur publikimin e dokumenteve. Dhe “Wikileaks” thotë se derisa publikimi mund të çojë në pasoja të dëmshme, ajo çfarë ne nuk shikojmë janë pasojat e mospublikimit dhe mënyra me të cilën një klimë e pranueshme e bën më të mundshme nxitjen e një reagimi më etik të korporatave dhe qeverive.
Po kur teprohet me transparencë? Në Letoni, një kërkues shkencor i Inteligjencës Artificiale në Departamentin e shkencave kompjuterike të Universitetit të Letonisë, që në fillim të këtij viti kishte zbuluar të dhëna të të ardhurave të menaxherëve të bankave, u përgëzua si një “Robin Hud modern”, meqë shumë njerëz nuk e dinin sesa merrnin menaxherët e bankave, derisa shumë banka po financoheshin me paratë e taksapaguesve. Për çdo vit në Norvegji publikohen të dhënat e të ardhurave materiale të çdo taksapaguesi. A nuk po teprohet paksa me transparencë? Nëse po, pse?
Në një botë ku terroristët kanë kryer krime dhe kërcënojnë të kryejnë edhe të tjera, të kërkosh transparencë të plotë qeverisjeje është utopike. Nganjëherë është e mundshme të bësh më të mirën vetëm në mënyrë të fshehtë. Megjithatë në tërësi, një komunitet me transparencë ka shumë mundësi të jetë më e mirë – dhe e njëjta gjë vlen për një botë më transparente.
Home »
» Kur transparenca është e tepërt





