Koha për të qenë seriozë


 

Patrick MOORE

 

Një zhvillim i madh në historinë moderne të Ballkanit ndodhi më 22 korrik, kur mekanizmi ndërkombëtar ligjor - Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë - e zgjedhur nga vetë Serbia, i dha kësaj të fundit një humbje totale në raport me Kosovën. Vendimi i GJND-së nuk i ka dhënë Beogradit as koncesionin më të vogël. Gjykata e ka bërë të qartë se pozicioni i Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës është i bankrotuar. Politikanët e mençur apo kompetentë në Beograd duhej ta kishin parë këtë si një shenjë se ka ardhur koha për ta ndryshuar politikën ndaj Kosovës. Mirëpo, në vend të kësaj, ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, po vazhdon me cirkun e tij medial ndërkombëtar dhe planet për paraqitjen e një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, muajin e ardhshëm. Madje, edhe lideri opozitar nacionalist, Tomisllav Nikoliç, e ka cilësuar këtë rezolutë si "vetëvrasje politike". Ka pasur edhe shenja të tjera që Beogradi nuk e ka kuptuar mesazhin e dhënë në GJND. Zyrtarët serbë vazhdojnë të nxisin provokime duke vizituar Kosovën, zyrtarisht për arsye fetare apo personale, por duke thënë deklarime politike gjatë vizitave që bëjnë. Më 18 gusht, autoritetet e zgjedhura të Kosovës i dëshmuan Beogradit dhe botës se janë ngopur me ndërhyrje të këtilla nga jashtë dhe ndaluan hyrjen e zyrtarëve serbë në territorin e Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë ka thënë qartazi se "çdokush (nga Serbia), pavarësisht nga hierarkia politike, që hyn në Kosovë, në cilësinë zyrtare, do të arrestohet dhe dëbohet nga policia". Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka nënvizuar ndërkaq se qeveria ka vendosur ta ndërmarrë këtë hap, sepse zyrtarët serbë "kanë keqpërdorur vizitat e tyre në disa raste. Ata kërkonin të vizitonin Kosovën për qëllim fetare, por gjatë gjithë kohës jepnin deklarime politike. Kjo është arsyeja pse ata ia mbyllën derën vetvetes". Gjithashtu, në ditët e fundit, ka filluar të qarkullojë një dokument misterioz dhe i panënshkruar, për të cilin thuhet se është deklaratë e pavarësisë nga serbët e Kosovës. Nuk do ta komentoj përmbajtjen e këtij teksti, apo faktin se kush mendoj se qëndron prapa tij, përveç se do të nënvizoj se askush në Kosovë nuk duket se e ka marrë këtë dokument seriozisht. Në cilindo rast, duket qartë se ka njerëz që synojnë të nxisin provokime politike me dokumente të këtilla. Ka njerëz, të cilët duan që bota të harrojë se çfarë tha GJND-ja më 22 korrik.

 

Thirrje për lidership

Por, askush nuk duhet të harrojë. Serbia nuk duhet të harrojë dhe duhet të mëtojë normalizimin e raporteve me Kosovën, për hir të secilit, përfshirë këtu edhe pakicën serbe në Kosovë. Nëse Beogradi ende mendon se Kosova është Serbi, atëherë le ta dëshmojë, jo me rezoluta dhe provokime, por duke treguar se Serbia zyrtare ka vullnetin dhe pushtetin ta spastrojë veriun e Kosovës nga joligjshmëria. Nuk e kanë bërë kurrë një gjë të këtillë - me çka kanë ndihmuar të dëshmojnë se Kosova NUK është Serbi. As Bashkimi Evropian nuk duhet të harrojë. Ka ardhur koha që burokratët kolonialë të UNMIK-ut të largohen dhe që BE-ja të heqë dorë nga fiksioni se EULEX-i është neutral karshi statusit të Kosovës. EULEX-i duhet të arsyetojë praninë në Kosovë, duke ndërmarrë masa konkrete për të integruar veriun institucionalisht me pjesën tjetër të vendit. Strukturat paralele në veri janë të paligjshme dhe nën presionin e komunitetit ndërkombëtar, duhet të zëvendësohen me institucione të zgjedhura në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës.

Ka ardhur gjithashtu koha për Bashkimin Evropian të instalojë disiplinë në radhët e veta për të mundësuar zhvillimin politik. Asgjë nuk ndodh në BE pa mbështetjen e Francës e Gjermanisë ose pa kundërshtimin e tyre. Parisi dhe Berlini duhet t'ia bëjnë të qartë Athinës, Madridit dhe të tjerëve se ka ardhur koha që t'u japin fund sjelljeve të tyre fëmijërore në raport me Kosovën dhe ta njohin shtetin e ri. Greqisë gjithashtu duhet thënë t'i ndalë politikat obstruksioniste në raport me Maqedoninë. As Spanja, as Greqia nuk janë në gjendje politike apo ekonomike në këtë vit të krizës mbi euron, ta kundërshtojnë Gjermaninë apo Francën. Berlini dhe Parisi tani duhet të marrin lidershipin në BE dhe të ndihmojnë në vendosjen e një paqeje reale, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkan, në vend të lojërave politike nga shekulli XIX.

Posted via email from Shkupi Press extra