Jam thjesht një mercenar që shkruaj për para

Frederik Forsyth ka një jetë si ajo e romaneve të tij, të mbushur me intriga. Në një intervistë të fundit, shkrimtari i suksesshëm rrëfen se si është përndjekur nga trafikantët e armëve, si u ngatërrua me një spiun çek dhe se si shkruan në fund, por tashmë vetëm për para

Frederick Forsyth

Ka nga ata që duhet të vuajnë për artin që bëjnë dhe ta paguajnë gjithçka shtrenjtë me çmimin e famës. Është një situatë për të cilën i famshmi i romaneve bashkëkohore, Frederick Forsyth, ka një informacion shumë të madh. Ai është një nga autorët më të shitur në botë me 11 romane të shkruara deri më tani njëri më i suksesshëm se tjetri, të gjithë të konsideruar si më të shiturit për një kohë të gjatë. Ai nuk është i njohur vetëm për punën e pandërprerë dhe fantazinë e pashtershme në sajimin e historive të pafund me spiunazh, por edhe për thurjen me një kujdes dhe profesionalizëm të madh të intrigave, personazheve dhe ngjarjeve. Veçanërisht kur bëhet fjalë edhe për romane që kanë një ndërthurje me situata politike përveçse me personazhe që vijnë nga bota e spiunazhit. Kur Forsythe shkruan për botën e errët dhe të pamëshirshme të tregtisë së armëve, apo për botën e fshehtë të nazistëve plot intriga dhe të papritura, ai bën një punë të madhe përgatitore duke konsideruar me shumë kujdes çdo rrethanë, çdo të dhënë dhe personazh. Dhe në punën e tij parapërgatitore ai nuk lë njeri që t’i ndërhyjë, por e bën gjithçka vetëm personalisht. “Epo sigurisht që nuk i bëj menjëherë, por pak nga pak dhe mund të them se gjithçka sa vjen e po vështirësohet.
Ndërkohë, kam kaluar momente me të vërtetë të vështira gjatë këtyre kërkimeve, madje edhe të rrezikshme”, thotë autori. Kur autori, atëherë i ri i librit të famshëm “Dita e Çakallit” pas suksesit të madh që pati romani bëri një udhëtim në Hamburg në fillim të viteve ‘70 e quajtën hero për shkak të të vërtetave që kishte thënë në të. Ndërkohë, ai kishte ndërmarrë hulumtime për librin e tij të tretë, po aq i famshëm: “Qentë e luftës”. Bëhet fjalë për një roman që rrëfen historinë e një shefi britanik minierash që merr me para mercenarë për të rrëzuar qeverinë e një vendi të Afrikës,  në mënyrë që në vend të saj të instalonte një qeveri kukull që t’i bindej për të gjitha kërkesat. Qëllimi ishte që ai të lihej i lirë që të rrëmonte dhe të përfitonte nga pasuritë e mëdha me ar dhe platin të nëntokës së vendit afrikan që qeveria aktuale nuk ia jepte me koncesion. Por për të shkruar një libër të tillë Forsythe iu desh që të bënte shumë kërkime, disa edhe mjaft të rrezikshëm në lidhje me botën e errët të tregtisë së armëve dhe të mercenarëve që merren me grushte shteti në vende të ndryshme. “U përpoqa që të penetroja në këtë botë dhe nisa që të ndihesha krenar me veten për kërkimet që po bëja. Por ajo që nuk dija në atëkohë është se shpesh rasti të bën lojëra të këqija. Kështu, në mënyrë që të merrja informacione sa më të sakta, kisha lënë pas shumë mundimesh takim me një tregtar armësh shumë të pasur dhe të fuqishëm duke u hequr si një blerës i mundshëm nga jugu i Shteteve të Bashkuara. Por qëlloi që tregtari para se të vinte në takim të kalonte përpara vitrinës së një librarie në të cilën ndodhej një libër i imi me një foto të madhe timen në kopertinë. Disa minuta më pas ndërsa ndodhesha në hotel mora një telefonatë  në të cilën më thuhej se nëse nuk ikja nga ai vend për 80 sekonda do të hidhesha në erë. Unë lashë të gjitha rrobat e mia në hotel, mora menjëherë paratë dhe pasaportën dhe shkova për nga stacioni i trenit. Në atë moment një tren ishte duke u nisur ndaj unë hipa pa mëdyshje brenda tij. Kur kontrolluesi i biletave më pyeti se ku po shkoja unë e pyeta se ku po shkonte treni dhe ai më tha në Amsterdam. Atëherë i thashë se dhe unë po shkoja në Amsterdam”.
Forsyth është i bëshëm si njeri dhe kur flet pret të dalë nga goja e tij një zë i trashë. Në fakt, është e kundërta, sepse zëri i tij është shumë i butë. Ka kohë që thonë se do të tërhiqet në jetën e tij dhe do të dalë në pension. Këtë e ka bërë disa herë dhe po aq herë i është rikthyer vendimit. Me publikimin e librit të tij “Kobra” ai tenton që të rrëfejë një histori që ka të bëjë me Shtëpinë e Bardhë dhe me një plan për një operacion të fshehtë të CIA-s. Një nga personazhet kryesore është një ish-agjent që kishte dalë në pension për shkak se ishte konsideruar shumë i pamëshirshëm në detyrën e tij që kishte të bënte me industrinë e kokainës. Por pas këtij libri që i kushtoi shumë kërkim ai thotë se përfundimisht nuk do të ndërmarrë më përpjekje për të shkruar libra të tjerë. “E di që e kam thënë edhe herë të tjera një gjë të tillë, por këtë herë besoj se do t’i përmbahem premtimit”, deklaron shkrimtari. Ai është një nga shkrimtarët e paktë të suksesshëm që vazhdon t’i shkruajë librat e tij me makinë shkrimi, siç thotë edhe vetë nuk para ndihet komod me teknologjitë e reja dhe se makina në vetvete është një muzë për të. Kështu ka qenë gjithmonë. Bëhet fjalë për një makinë të vjetër të tipit “Canon” të cilën e mban si gjënë më të shtrenjtë në studion ku punon që ndodhet në shtëpinë e tij në Hertfordshire. Largimi i shkrimtarit nga bota e letrave do të jetë sigurisht një goditje e madhe për fansat e tij, por jo për bashkëshorten me të cilën jeton që prej 21 vitesh. Ajo thotë se kur i shoqi i dedikohej një libri, i përkiste vetëm librit dhe çdo gjë tjetër në jetën e tij ishte dytësore ose nuk ekzistonte për sa kohë që në letrat e bardha nuk ishte shkruar fjala “fund”.
Ndërsa merrej me kërkimet e domosdoshme për të shkruar librin e fundit “Cobra” Forsyth shkoi në Guinea Bissau. “Kisha nevojë që të isha sa më pranë së vërtetës në mënyrë që të shkruaja në mënyrë sa më realiste çka ndoshta është tregues i faktit që nuk kam edhe shumë imagjinatë. E ndërsa po fluturoja në vendin ku do të zbrisja Presidentit të vendit i ishte prerë koka. Unë zbrita pikërisht në një situatë shumë të vështirë për vendin. Natën e kalova duke u vërdallosur rreth hotelit tim, por me shumë frikë se mos më ndodhte gjë dhe më pas qëndrova gjatë gjithë kohës në dritare. Prej dritaresh shihja agjentët e ushtrisë që merrnin hak për liderin e tyre duke hedhur lart e poshtë granata dhe duke i vënë zjarrin çdo gjëje që u dilte përpara”. Madje, gjatë asaj vizite, shkrimtari mori edhe një infeksion të rëndë gjaku. Kur u kthye në Angli, ai thuajse humbi këmbën nga infeksioni. Forsyth  nisi aventurën e tij të gjatë me letërsinë krejt rastësisht dhe pa i vënë vetes qëllim që të bëhej shkrimtar. Librin “Dita e Çakallit” e shkroi për 5 ditë. “Nuk kisha asnjë të hollë më. Isha i falimentuar. Kur isha fëmijë më pëlqente që të bëhesha pilot. Im atë ishe ushtarak dhe më çonte për të parë pilotët dhe unë kujtoj që ulesha në kabinën e pilotimit të helikopterëve dhe të magjepsesha nga lartësia dhe ideja që mund të rrokja qiellin me fluturimin tim”.
Forsyth e plotësoi ambicien e tij duke u bërë piloti më i ri i Raf, aviacionit ushtarak britanik në moshën 19-vjeçare. Por dy vjet më vonë ai e kuptoi që ishte i destinuar për një tjetër punë dhe si pasojë u tërhoq. Nuk u bë kurrë pishman për një vendim të tillë. “Megjithatë, nuk mund të kisha vazhduar të pilotoja, sepse e ndjeva se kisha lindur jo në epokën e përshtatshme. Do të kisha dashur që të isha një pilot në Luftën e Parë Botërore. Pilotët në betejën e Britanisë po që më dukeshin heronj të vërtetë”. Ati i Frederick Iht nga Kenti e ushqeu të birin me dashurinë për udhëtimet, por edhe rreziqet. “Në këto rrethana, gazetaria më dukej profesion më i përshtatshëm për një gjë të tillë. Në këtë mënyrë mund të udhëtoja dhe të shuaja kureshtjen. Kështu, ai nisi punën në agjencinë “Reuters”, agjencia e lajmeve të huaja. Pikërisht aty ai stërviti aftësitë e tij gazetareske si vëzhgimin, mprehtësinë, guximin. Të gjitha këto cilësi janë karakteristikë e personazheve të romaneve të tij. “Mendoj se kam krijuar një zhanër të ri. Jam romancieri i parë që ndërtoja një trillim mbi fakte konkrete”. Vendimin për të lënë botën e gazetarisë e mori ndërsa ishte gazetar me BBC në luftën e Biafras. Këtë vendim e mori sepse BBC, shumë konservative nuk ishte në një vijë me mendimet e tij për prapavijat e luftës. “Unë nuk doja që të shndërrohesha në një zëdhënës të qëndrimit të qeverisë. Doja të kërkoja të vërtetën dhe të bëja programe të gazetarisë investigative. Por këto binin në kundërshtim me linjat zyrtare. Edhe sot programet investigative nuk ekzistojnë më.
Edhe BBC është thjesht një mjet në dorën e qeverisë”. Pasi shkroi librin e parë edhe pse ishte shumë keq me para vendosi që t’ia çonte një botuesi dhe nuk i shkonte kurrë ndër mend se libri i tij do të shndërrohej në një bestseller ndërkombëtar. Pas këtij suksesi nënshkroi një kontratë për tre vëllime të tjera, pasi premtoi se kishte shumë ide. Në fakt, nuk kishte më asnjë të tillë, atëherë mendoi se si do t’ia bënte? “Atëherë mendova se kisha dëgjuar për një qeveri të fshehtë të nëndheshme naziste në Gjermani dhe për mercenarët ndaj nisa që të bëja dy projekte për to dhe kështu nisën dy librat e tjerë. Forsyth shkruan me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë. 12 faqe në ditë ose 3000 falë dhe këtë e bën pa ndërprerje për shtatë ditë në javë. Por është përshkrimi paraprak i që i merr pjesën më të madhe të kohës, sepse kur ka atë që i duhet ai di vetë se si ta mbarojë një libër me një frymë. “Tashmë jam 72 vjeç dhe kam parë dhe bërë shumë. Dëshira që kam është të drekoj me miqtë e mi dhe të kaloj pjesën e mbetur të kohës me njerëzit që dua. Për shumë kohë kam shkruar për para edhe pse nuk e kam idenë se sa më shkon e gjithë pasuria”.