Homoseksual dhe i vetmuar, ushtari që tradhtoi Amerikën

Pas divorcit të prindërve, gjeniu i vogël në informatikë u transferua me të ëmën në Uells. Atje “shpërtheu” homoseksualiteti i tij. I braktisur nga i dashuri dhe me një të kaluar të trishtuar, Manning i dorëzoi “Wikilekas” dosjet sekrete për Kabulin

“Libroni Bradley Manning”, bërtisnin manifestuesit përpara bazës së marinsave të “Quantico”-s në Virxhinia. Ajo që i udhëhiqte ishte Medea Beniamin e organizatës pacifiste “Code Pink”, e cila tek ushtari që tradhtoi Amerikën sheh një hero të vetëm: “Nëse ai qëndron në origjinën e arratisjes së sekreteve më të mëdha ushtarake të historisë, jemi vërtet krenarë për atë që ka bërë. Në Amerikë, transparenca është vlerë”, thotë ajo. Përpara Gjykatës Penale Ushtarake, Manning rrezikon dënimin kapital, për ato 90 mijë dokumente sekrete që ia dorëzoi sajtit të famshëm “Wikileaks”, i specializuar për kërkimet. Por, të paktën ushtari Manning arriti të merrte atë që kërkonte prej kohësh: pranimin.

Është e njëjta dëshirë që dy vjet më parë e shtyu në krahët e një “drag queen” dhe një historie të pamundur dashurie që sot tregohet nga “New York Times”. Një tjetër goditje, në skandalin më të madh që ka tronditur Pentagonin që nga koha e luftës së Vietnamit. Arratisja masive e lajmeve e shkaktuar nga një ushtar i vetëm, tani ka një prapaskenë psikologjike më të saktë. Një fëmijëri e palumtur dhe e varfër, një djalosh i torturuar nga shokët e tij në fillim, sepse e quanin “budalla” pastaj gej dhe pasioni për kompjuterët, që do të ishte thelbësor për të penetruar brenda mbrojtjeve informatike të ushtrisë më të madhe në botë. Dhe në fund takimi me dashurinë e jetës së tij, një drag queen që e ka gjetur në një ambient hakerash. Vetëm 22 vjeç ushtari u bë një ankth për administratën “Obama”. Krerët ushtarakë këmbëngulin se dokumentet sekrete të transmetuara prej tij në Wikileaks mund të dëmtojnë rëndë forcat aleate në Afganistan. Mes atyre lajmeve gjen emra dhe mbiemra të shumë informatorëve afganë që u japin lajme amerikanëve, që tani janë të ekspozuar ndaj reprezaljeve të Al-Kaedas. Është një rrezik për të cilin Manning duket i përgjegjshëm, edhe pse mbi të pritet të rëndojë akuza e një tradhtie të lartë. Në e-mail-et e tij, një tjetër hakeri, Adrian Lamo, ushtari i drejtohet kështu: “Hilary Clinton dhe mijëra diplomatë nga e gjithë bota do të pësojnë infarkt kur të zgjohen një mëngjes të bukur dhe të shohin në internet gjithë dokumentet e klasifikuara”.

Pentagoni i ka kërkuar Wikileaks të fshijë nga interneti të gjitha dokumentet sekrete dhe t’i rikthejë qeverisë çdo dosje tjetër që përmban informacione të klasifikuara. Por sajti i internetit që drejtohet nga “jashtëtokësori” australian, Julian Assage, duket se nuk ka ndërmend të bjerë pre e kërcënimeve të autoriteteve të Uashingtonit. Megjithatë, dëmi tashmë është bërë, pas publikimit të lajmeve në të gjitha organet mediatike të botës. Tani të vërtetat rreth jetës së Manning kanë marrë përmasa të tjera: krerët ushtarakë të SHBA duken se janë bërë viktima të një djaloshi të palumtur, të vetmuar, të pambrojtur. Ushtari amerikan, Manning u rrit nga i ati në një vend të vogël të Oklahomas, ku pasioni i tij për kompjuterët, nxiti neveritjen e shokëve të shkollës. Pas divorcit të prindërve, gjeniu i vogël u transferua me të ëmën në Uells. Atje “shpërtheu” homoseksualiteti i tij, një tjetër motiv persekutimi nga ana e bashkëmoshatarëve të tij. I rikthyer në Amerikë për t’u futur në ushtri, Manning e gjeti veten më mirë se kudo tjetër. “Kam qenë i izoluar për një kohë të gjatë dhe shumë ngjarje më kanë detyruar të gjej mënyra për të mbijetuar”, i shkruan mikut të tij të besuar, Adrian Lamo. Takimi me të dashurin Tylor Watkins, kompozitor dhe këngëtar, u duk se shënoi një kthesë në jetën e tij. Në atë ambient transgresiv Manning gjeti veten. Komuniteti i hakerave e inkurajoji për mosbindjet e tij. Aktualisht, Manning ndodhet nën vëzhgim për të mos vrarë veten, si pasojë e përdorimit masiv të ilaçeve para arrestimit. Ndoshta thirrjet e manifestuesve nuk i dëgjon aspak nga qelia e izolimit ku pret sentencën e gjykatës ushtarake.

Dokumentet

Dokumentet mbulojnë mbi 90 mijë incidente të ndryshme dhe në to jepen edhe vendndodhjet e sakta gjeografike të tyre. Është një informacion që vjen i gjithi i përmbledhur dhe që eklipson gjithë sa është thënë deri më tani për Afganistanin dhe luftën që po zgjat në këtë vend që prej nëntë vitesh. Ky material hedh dritë mbi brutalitetin e përditshëm dhe masakrat e kryera mbi civilët e pafajshëm. Ky arkiv do të ndryshojë edhe qëndrimin e opinionit publik dhe mendimin e atyre që janë në qeverisje dhe kanë ndikim diplomatik. Informacioni nuk është i vetmi që do të ketë ndikim për sa i përket përfundimit të luftës dhe sigurisht që nuk mund ta ndryshojë situatën i vetëm, por me siguri që do të ndikojë në ndryshimin e gjërave në një mënyrë të ndjeshme. Sipas themeluesit të sajtit, Julian Assage dosjet nuk përmbajnë informacione për lëvizjen aktuale të trupave në terren. “Jemi siguruar që ato nuk shkaktojnë asnjë dëm apo ndikim negativ. Ne e kuptojmë rëndësinë e mbrojtjes së burimeve konfidenciale dhe e kuptojmë edhe rëndësinë e mbrojtjes së burimeve të trupave amerikane dhe atyre të koalicionit”, tha ai.

Posted via email from Shkupi Press extra