Retro/Lideri politik dhe shpirtëror, At Anton Harapi
Ç’m’i thua ti tani, kush do që të jesh, fetar a po afetar, ç’m’i thua kësaj golle (grope) që, sjell jeta me vehte? Si m’i përgjigjesh kësaj ushtime, që duke dalur nga zemra e njeriut, fishk dhe than njomësin e jetës, këput dhe dërmon koncertin e lumtërisë, dhe shenon në ballin e njeriut ato rrulla, që nuk janë tjeter, veçse dëshmitaret e dhëmbjes dhe të mundimit? Pandeh se i shpëton këti ligji duke u munduar që t'a largosh sa më tutje nga mëndja, dhe me atë fjalën e Nastradinit: «bëje, o Perëndi, që të jem n'ëndër», (Bane Zo' anderr!) mund t'i a arrish qëllimit që t'a bësh dhëmbjen të paqënë? Ëndëro si të duash, nuk mund të çqitesh nga lëkura e jote dhe dhëmbja do të të njekë si hieja trupin.
Ti dëshron që të mos ekzistojë ajo gjë qe të mërzit, ti ëndëron që të mos mplakesh, vuan pa masë që t'i shpëtosh vdekjes, dhë ëndëra del e vërtetë (zhgjanderr) kur të t'arrijë sëmundja, kur të të zerë pleqëria dhe kur të të vijë vdekja. Dhe ja e para arsye e dhembjes: pse ëndrën e mbajmë realitet, pse presim prej saj atë që nuk mund të na sjellë; punët t'ona janë dhëmbje, dëshirat t'ona janë dhëmbje, e edhe të mirat e andjet t'ona janë ato që e shtojnë dhëmbjen më tepër. Shkaktarët e parë t'e dhëmbjevet jemi ne, pse e mbajmë jetën një ëndër kurse ajo ësht një realitet.
Edhe këtu duhen fakte. I bije botës dhe shekujvet an' e mb'anë, dhe piqem në dy veta, që si ata dhe kerkush tjetër, kan mundun të gëzojnë dhe t'i thonë jetës a je më e gjatë akoma: Leka i Math e Napoleoni.
Si zotëroi botën, Lekën e gjejmë në Hind, në breg të lumit Gange. Shihe: i bijën lotët pa pushim, qan si fëmia. Po ç'ka ky njeri? ç'i mungon këti që nuk i a këthen dot fjalën kush dhe që e ka botën në dorë? E pyesni dhe me dëshprim do t'u përgjigjet: Tepër e vogël ësht bota për mua; që të përmbushet dëshira e ime, duhet një botë e tërë pa fund dhe pa kufi.
Napoleoni, zotëronjësi i Europës, pushtonjësi i Asisë, ja atje nër bjeshkët e Rusisë, duke u dridhur nga e ftohta me të tërë ushtrin' e vet. Po qëndro, more i gjorë, a nuk sheh se u shojte? Këthehu, sundo dhe gëzohu, se tërë Europa të mjafton dhe të tepron! «Përpara» i thotë vehtes, «përpara» i thotë ushtrisë, «përpara» për të fituar prapë kurora dhe toka të rea. Dhe duke shkuar përpara mbeti prapa; mbaroi.
Brënda nesh ësht një prirje, një inklinacjon drejt një gjëje të pamatur, të pakufi, t'amshuar; nga do që të sillemi, piqemi në kohë, në hapësirë, nër kafshë, nër të mira të kufizuara, dhe kjo pjekje ësht dhëmbje, ësht mundim. Ja se si n'ë natyrën e njeriut shohim një dyluftim të pandarë: një zë, një kushtrim na ngjit drejt idealeve të ngaherëshme, na thotë pa pushim në vesh: njeri, ti nuk je lindur per të vajtur në greminë; ngjitu pra lart; njeriu i shkretë mundohet të ngjitet, por ja se pesha e trupit, koha i a ve priten (ndalimin) amshimit, gjërat e botës e mbajnë për këmbe si zogun, e pengojnë që të mos ngjitet do te ajo që nuk vdes, nuk mbaron, te ajo që ësht e përjetëshme. Kjo dhëmb, dhe ja si heqim dhe vuajmë ne.
Por ësht dhe një arsye tjetër për të cilën dhëmbjet dhe vuajtjet janë një nevojë e natyrës s'onë, një ligj nga i cili nuk përjashtohet njeri.
Marr në dorë më të vjetrin libër të njerëzimit, ku hetoj se dhëmbja trashegohet nga natyra, ësht prova e rëzimit nga lumturia, ndëshkimi i njëfaji.
Njeriu dolli i lumtur nga duarët e Përëndisë, por deshi t'arrinte më lart se sa i përkitte, u rëzua; dhe për 'të fillojnë dhëmbet e vdekja, që nuk do t'i ndahen kurr, brez pas brezi. Njeriu i parë bëri faj, dhe faji i tij solli mbi botë dhembjet dhe vdekjen.
Prralla (gjepura) të vjetra, thonë afetarët, nuk ësht gjë e drejtë që ne të vuajmë nga faji i të tjerëve. Pastaj, si mundi mëkati dhe e keqja e Adamit të na ngjitet me natyrë? ... Po më tregoni ju, si njeriu i parë mundi na japë jetën, dhe une jam gati t'u tregoj si muarmë prej tij trashëgimin, mëkatin dhe mjerimin.
Mua më mjafton dituria dhe besimi: dituria më thotë se omne simile generat sibi simile që shqip e themi me frazën: ç'del nga macja gjuan mij; besimi më thotë, se Adami na humbi dhe Krishti nga ngjalli. Arrsyeja dhe besimi, pra, na thonë se dhëmbjet dhe vdekja janë të domosdoshme për njeriun aqe sa ësht edhe natyra e tij.
Zotërinj!
Ashtu si nuk mund t'i ikim vdekjes ashtu nuk mund t'u ikim as dhëmbjes dhe vuajtjevet. Ashtu siç ësht peshku për not dhe për ujë, ashtu ësht edhe njeriu për punë, për mundim dhe për vdekje.
Tepër pesimist, Pater, dëgjoj duke më thënë shumë nga ju në zemrën e vet, tepër me "sy të zi" e shëkon botën: njeriut i duhet dhënë zemër (kurajo) dhe jo t'a rekllesh në mjerimin e vet! Dhe me të vertetë pamja e kristjanizmit në botë ësht pesimiste, që kurse nk shëkojmë gjë tjetër veçse mëkate, të fyeme (ofendime), aqe sa botën e mbajmë si shkretëtirë dhe njeriut të shkretë nuk i a ndajmë poshtërimin, por gjithmonë duam t'a shohim «me lote në sy»:
Këtu të dua ty afetar, këtu aj ti, që çkëput përpjekjet me Zotin dhe me botën e mbinatyrëshme, i mbyllur si në një kështjell vetëm në rrethin e vogël të kësaj bote, ku ti vetëm për të mos i u dorëzuar Zotit, në këtë luftim që ësht jeta, do që t'i dorëzohesh fatit, exhelit, fuqivet të verbëra të lëndës. Ty, që posa të të mbulojë dheu i zi, do të mbarojë për ty çdo gjë, ty po të pyes ç'vështrim (kuptim) ka dhëmbja, ç'vështrim ka vdeka? Ç'vlerë ka jeta? Ku t'a mvar? Nga ti, filozof raqonalist, secjolog i pa Perëndi, humanist, naturalist, n'emër të të gjithë këtyre njerëzvet, kam të drejt të marr përgjigje,
Ti je pesimist, që ku të më lerë forca, ku të më lërë shëndeti, ku të më lërë miku, kur
të heqin dorë mjekët, kur të mos mundin më ç'të më bëjnë, kur mos të jetë më njeri për mua, më fundos dhe më gremis në mjerimin t'im, duke më thënë: nuk ka Përëndi për ty, digju dhe përvëlohu në mjerimin t'ënd, se s'ka ngushllim për ty, vdis i dëshpëruar, pse nuk ka shpëtim tjetër, por do të mbulojë dheu i zi ty me të gjitha aspiracjonet dhe idealet t'ua! ...
Ti t'i a thajmë lotët shqiptarit, i cili nuk di të këndojë, edhe, kur këndon, më tepër të duket që po qan se po këndon, kaq' e kanë prekun në shpirt vuajtjet e 400 vjetëve, kaqe janë dobësuar shpresat e tija për kohën e arthme!? ...
Si m'a ngushullon, dhe me ç'gjë m'i ep zemër ati baba, të cilit nuk i mjafton mundimi i krahve as djersa e ballit për t'i ushqyer foshnjat e njoma që kërkojnë bukë dhe ngrihen në mëngjes me bark thatë dhe me gojë të rreshkur!? ...
Por, aj këtu se je njeri dhe jo bishë: n'emër të zemrës dhe të ndjenjave t'uaja, aj këtu, afrohu dhe dëgjoj lotët dhe rënkimet e asaj nëne, që mbeti pa thalbin e zemrës, pa
dritën e syvet, pa shpresën e jetës, pa djalin e vetun. A e sheh se po çkallon nga dhëmbja, si përplaset nga mjerimi sa i dhëmbset edhe gurit e drurit? Kujt i bën zemra që t'i a shtojë mjerimin? Kush ësht aqe zemërgur sa të mos e ngushllojë? Dhe ja t'i thua: lotët t'uaj janë të kotë, dhëmbja e jote ësht marrëzi, djali i yt nuk ka vdekur, po ka ngordhur, nuk ësht as më shumë as më pak se një ngordhësirë (coftinë). Mos pandeh se rron akoma në një jetë të re, çire (hiqe) përgjithmonë kujtimin e tij, as mos mendo se ka Perëndi as për 'të as për ty!!!
Në themel të parimevet t'ua ti ke një zemër bishe dhe jo njeriu.
Ti njeriut të dëshpëruar m'i ep helmin (farmaqin) ose revolverin, un' i ap lutjen dhe shpresen; to shqiptarin m'a bën bishë (egërsirë), me atë Uebermensch të Nietzsche-s duke i thënë: i lumtur i forti dhe i mjerë i dobëti, i lumtur ay qi mund, dhe i mjerë ay që nuk di,
dhe m'a çkëput nga nderi, nga morali, nga sjellja njerëzore dhe nga detyra. Ti, duke mos i a gjetur boshtin jetës, më ve parimin shkel dhe shko perpara, që ësht përbuzje, poshtërim
për vehten dhe çkatërim për kolektivitetin.
Për ty mjerimi dhe vdekja janë një nevojë, që fatalisht na ve për fundi, as kanë vlerë as kuptim për ne. Kurse ne kristjant, ne pesimistat, themi se vuajtjet dhe vdekja janë po një nevojë, por janë edhe një dobi, dhe dobi e madhe.
Vështirësit' e jetës në kuptimin e krishterë janë plot vlerë dhe kuptim; asnjëra nuk bije për dhe, nuk vete më kot; ato nuk janë për njeriun një poshtërim por një lartësim; ato nuk janë errësira të pa arsyeshme, por janë mësime që ndritin dhe sjellin mbarëvajtje ato nuk janë të kota, por na rrethojnë me merita; ato, kur i marrim nga dora e Perëndisë, janë fitime dhe jo humbje.
Zotërinj! Ja se ç'gjë nuk mund t'a bluaj me asnjë mënyrë mëndja e disave: Si mund të jetë Zoti i mirë dhe mund t'i durojë të këqiat? Si mund të jetë mbi ne një dorë rregullonjëse, mirëbërëse, atnore, e gjithpushtetëshme dhe të na fundosë në mjerime dhe në pikëllime? Ironi dhe sarkazëm i pashok? Dhëmbjet, vuajtjet, mjerimet janë provë dashurije!? ...






