Fillon Liga Premier - Tottenham dhe City ndajnë pikët

Micah Richards dhe Gareth Bale në dyluftim Dy ekipet të cilat sezonin e kaluar luftuan dhëmb për dhëmb për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve, kanë luajtur barazim pa gola në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Ligën Premier.
Ndeshja e zhvilluar në White Hart Lane u dominua kryesisht nga vendasit që patën iniciativën duke krijuar një mori rastesh. Por, portieri Joe Hart ka qenë heroi i ndeshjes për Manchester Cityn, pasi bëri disa mbrojtje të mahnitshme për t’iu mohuar një varg rastesh për gola lojtarëve të Totenhamit.
Të zgjedhurit e trajnerit Harry Redknapp kërcënuan portën përmes sulmuesve Jermaine Defoe, Gareth Bale e më vonë edhe Roman Pavlychenko, por mbrojtja e Cityt ishte në gjendje të eliminojë të gjitha kërcënimet.
Rasti më i mirë për vendasit erdhi pas 11 minutash kur Jermaine Defoe dërgoi një goditje të fuqishme nga afërsia, por Hart reagoi për të mbrojtur atë. 23-vjeçari nuk pati kohë të pushojë, pasi pesë minuta më vonë largoi edhe një korner, ndërsa më pas reagoi për të mbrojtur një top të goditur nga Tom Huddlestone.
Disa sekonda më pas Hart përsëri reagoi në mënyrë të shkëlqyeshme, duke parandaluar një goditje të devijuar të Benoit Assou-Ekotto. Ai më pas shfrytëzoi këmbët për të ndaluar edhe një përpjekje tjetër të Defoe. Kur Gareth Bale përfundimisht mposhti portierin, shtylla mbrojti portën e Cityt.
Derisa Spurs krijuan raste të njëpasnjëshme, City dështoi të kërcënojë portën kundërshtare. Kapiteni i ri i formacionit, Carlos Tevez, si sulmues i vetëm dështoi të gjendet në mesin e mbrojtësve të Tottenhamit.
Pjesa e dytë ishte ca më e ekuilibruar me Tottenhamin që dështoi të tregojë shkëlqimin e pjesës së parë. Zëvendësuesi Roman Pavlychenko pati dy raste për ekipin vendas, por Hart përsëri reagoi për të nxjerrë një pikë për Cityn.