Fatos Kongoli: Koha kur u pendova se isha shkrimtar...

Add caption
Kozeta Zylo

Fatos Kongoli është ndër shkrimtarët e shquar shqiptarë, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por dhe jashtë trojeve të saj. Fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ai ka marrë titullin e lartë në Francë, "Kalorës i Legjionit të Nderit", akorduar nga presidenti francez, Sarkozi. Këtë titull e kanë marrë deri tani vetëm tre shqiptarë, Ismail Kadare, Jusuf Vrioni dhe Fatos Kongoli. Librat e Kongolit janë botuar në 11 vende të ndryshme të Europës, e për ta kanë shkruar disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane. Më poshtë ai na flet më tej për veten dhe krijimtarinë...
Nga presidenti francez, Sarkozi, ju keni marrë gjithashtu në fillin të këtij viti titullin më të lartë në Francë, "Kalorës i Legjionit të Nderit"... Marrëdhënia ime me gjuhën frënge, kulturën dhe qytetërimin francez, me frankofoninë është më se gjysmëshekullore, qysh se në shkollë të mesme zura të mësoja si gjuhë të dytë të huaj frëngjishten. Në fillim këto kanë qenë vetëm hobi, por me kohë, në dekadat e errëta të diktaturës, gjuha frënge, kultura dhe qytetërimi francez u bënë hapësirat e mia të arratisë, hapësirat e mia të lirisë. Në këto hapësira, ndër vite njoha letërsinë e madhe franceze e botërore, njoha botën. Në një farë mënyre u bëra shkrimtar, ky që jam sot.
E kishit menduar një ditë se shkrimtari Kongoli do të përkthehej në shumë vende të botës dhe do të vlerësohej maksimalisht?
Të them të drejtën, as që më kishte vajtur nëpër mend diçka e tillë. Gjatë periudhës së diktaturës unë kam shkruar e botuar pak. Pjesën më të madhe të kohës lexoja, sidomos në frëngjisht, mjeshtrit e mëdhenj, që janë shkollat e vërteta të letërsisë, pa e ditur se kështu po bëja investimin më të madh për të ardhmen. Fatmirësisht mbërriti një ditë dhe diktatura u shemb, dhe unë nuk humba më kohë, por zura të shkruaja i lirë, ashtu siç dëshiroja e nuk kisha shkruar më parë. Pata fat, romanet e mi u botuan dhe u pëlqyen në Shqipëri e në vende të tjera.
Ju keni mbaruar për matematikë, cili ka qenë ngacmimi më i fuqishëm dhe që ju dha muzë për të shkruar romane të një niveli shumë të lartë artistik?
Lidhur me faktin që kam mbaruar për matematikë dhe më pas iu ktheva letërsisë, është një pyetje që ma drejtojnë shpesh dhe unë mund të flisja gjatë. Po them se u futa të studioja matematikë, pjesërisht këto studime i kam kryer në Kinë, në Pekin (1961-1964), me këmbënguljen e tim eti. Unë iu binda, për brezin tim fjala e prindit përgjithësisht ishte urdhër. Por prirja ime që në fëmijëri, kur shkruaja vjersha fshehurazi, ka qenë letërsia.
Dhe pasi u mora nja dhjetë vjet me matematikë, përfshi studimet, hoqa dorë prej saj, për t'u penduar shumë shpejt. Letërsia ndaj së cilës isha i prirur unë, ajo që e quajnë "letërsi e dhimbjes njerëzore", nuk mund të bëhej në Shqipëri. Kur e kuptova këtë qe vonë, nuk kthehesha dot mbrapsht. Sot them se sidoqoftë, nuk bëra dhe aq gabim që e lashë matematikën për letërsinë.
Sa ka ndikuar jeta e mësuesit në krijimtarinë tuaj dhe çfarë do të veçonit ndonjë gjë interesante nga ish-nxënësit tuaj?
Ka ndikuar shumë. Jo vetëm sepse në izolimin e atij fshati të thellë ku më emëruan fill pas mbarimit të fakultetit (fshati Benë në zonën e Shmilit në Elbasan) zura të shkruaja prozat e mia të para, por edhe sepse mjediset e fshatit zunë vend në shumë tregime e novela të miat, më pas në romane. Sa për nxënësit, të shkretët ata, ishin mjaft të urtë, por mjerisht të mbushur me morra. Ishte një fshat me njerëz të mirë, tmerrësisht të varfër. Më kujtohet se gjatë një viti që qëndrova atje, mora nja tri-katër herë morra.
Në prozën tuaj keni momente që keni shprehur botën tuaj personale dhe si, konkretisht?
Pa dyshim, në të gjithë librat e mi ka elemente të jetës sime. Duke u nisur nga fakti që te një pjesë jo e vogël e tyre edhe rrëfimi bëhet në vetën e parë, lexues të ndryshëm në Shqipëri dhe jashtë, më kanë drejtuar shpesh edhe pyetjen nëse ato janë romane autobiografikë. Po marr si shembull romanin "Dragoi i fildishtë", ku personazhi kryesor, në rini të vet, ashtu si unë, ka studiuar në Kinë. Përveç këtij fakti aty ka shumë ngjarje, personazhe të ndryshëm etj, në përgjithësi hollësira, të cilat një njeri që më njeh nga afër dhe është në dijeni të ngjarjeve të jetës sime, do ta shtynin të më thoshte: po, ky është vërtet një roman autobiografik. E megjithatë nuk është kështu. Në këtë pikëpamje do të thoja se disa romane të mi janë dhe nuk janë autobiografikë. Sepse letërsia nuk mund të mbetet te fakti, te "historia", ajo shkon përtej tyre.
Thonë që artisti, shkrimtari është biri i Erosit, sa vend zë letërsia erotike në prozën tuaj?
Për këdo që ka lexuar libra të mi, është e qartë se erotizmi zë shumë vend në to. Kjo është e natyrshme, erosi është pjesë e jetës. Në krijimtarinë time, kjo përcaktohet së pari nga përfytyrimi që unë vetë kam për letërsinë. Këtë e kam shprehur përmes personazhit kryesor të romanit "Lëkura e qenit", si një alterego imja. Për të, letërsia është femër dhe femra letërsi. Në përfytyrimin e tij, letërsia është një femër e bukur, pas së cilës ka rendur tërë jetën pa mundur ta posedojë. Ai nuk beson se letërsia mund të posedohet. Parë me këtë sy, erosi në librat e mi nuk është një qëllim në vetvete, eros për eros. Është në një kontekst më të ndërlikuar të jetës dhe sjelljes së personazheve në kushte të caktuara. Shkurt, letërsia ime nuk është letërsi erotike, ndaj së cilës, sigurisht nuk kam kurrfarë paragjykimi.
Ndërmjet romaneve me tituj shumë domethënës, më ka bërë përshtypje titulli i romanit "Lëkura e qenit", përse zgjodhët këtë titull?
Më shumë se sa e zgjodha unë, ai doli vetë, u imponua si thelb i personazhit kryesor, i cili tërë kohën ironizon vetveten. E ndjera nëna ime, për gratë e pafat me burrat e tyre tërë vese, përdorte shprehjen "ka vajtur si gjalpi në lëkurë të qenit". Sipas nënës sime, një cope lëkure qeni mund t'i hedhësh gjalpë sa të duash, ajo nuk gatuhet, lëkurë se lëkurë mbetet. Një shpjegim tjetër për ketë shprehje, që më duket më i saktë, ka qenë ai i një blegtori. Sipas tij, dikur, nëpër baxhot në mal, barinjtë e "konservonin" gjalpin të futur brenda një lëkure qengji. Aty gjalpi ruhet, nuk prishet. Në një lëkurë qeni gjalpi nuk ruhet, prishet. Këndej edhe shprehja për gratë e vajtura dëm me burra të padenjë, siç është i padenjë edhe personazhi kryesor i librit për bashkëshorten e tij. I penduar pas vdekjes së saj, ai e quan veten "lëkurë qeni", e ky është lajtmotiv i gjithë romanit.
Kur filloni të shkruani, keni momente që ndiheni në krizë, dhe kur ju ka ndodhur kjo?
Pas çdo romani që shkruaj, kaloj një periudhë "krize", mbetem bosh. Është një vuajtje që herë zgjat shumë, herë më pak. Përfshihesh nga një ankth, të duket sikur nuk ke për të shkruar më. Pastaj, fatmirësisht, kur je çliruar nga romani pararendës, më saktë pasi ai ka dalë plotësisht prej teje, vjen romani i ri. Ti shpëton nga "kriza", nga vuajtja.
Sa e favorshme është klima letrare për krijuesit në Shqipëri dhe cilat janë pengesat?
Klima letrare sot në Shqipëri është e ngjashme me klimën letrare në çdo vend tjetër të lirë, normal, të hapur, me kontakte edhe me zhvillimet bashkëkohore, në Europë e më gjerë. Këto janë thelbësore për letërsinë, liria dhe kontaktet me botën. Këto nuk u mungojnë sot shkrimtarëve shqiptarë. Unë vetë, prej shumë vitesh bëj një jetë të tërhequr, çështje moshe më shumë. Mesa di, vështirësi kanë sidomos autorët e rinj, nuk e kanë të lehtë të botojnë e për këtë duhen gjetur mënyrat që të talentuarit të ndihmohen. Por kjo nuk është aq e thjeshtë sepse, së pari është çështje financiare.
Në Francë janë përkthyer disa romane tuajat. Sa kanë ndikuar artikujt e shumtë në gazetat më prestigjioze të Francës për një njohje më të gjerë tuajën si shkrimtar?
Në Francë janë botuar pjesa më e madhe e romaneve të mi, deri më sot shtatë prej tyre dhe një i tetë, romani im më i fundit, "Bolero në vilën e pleqve", tashmë është përkthyer. Më kujtohet kur u botua atje romani im i parë në gjuhën frënge, "I humburi", në vitin 1997. Jehona ka qenë vërtet e jashtëzakonshme, e papritur për mua. Gazeta "Le Monde" doli me një shkrim të gjatë, një faqe të tërë, me një fotografi të madhe timen, me titull: "K-ja tjetër". Ndërkaq, unë ndodhesha në Tiranë dhe një mbrëmje vonë, i ndjeri Jusuf Vrioni më mori në telefon nga Parisi dhe më uroi. "Ti nuk mund ta kuptosh se ç'do të thotë kjo për ty", - më tha. Unë vërtet nuk e kuptoja. Pas këtij shkrimi vlerësues në "Le Monde", unë pata menjëherë kërkesa për botimin e atij libri nga disa shtëpi të tjera botuese në vende të ndryshme të Europës. Pra, roli i shtypit është vërtet i pazëvendësueshëm.
Duke pasur gjithë këtë prodhimtari cilësore në krijimtari, sa kohë i kushton familjes shkrimtari Kongoli?
Kjo është një pyetje që më vë vërtet në pozitë të vështirë. Dihet, shkrimtarët janë "të vështirë", shpesh egoistë etj. Unë nuk bëj përjashtim dhe mund të pohoj me keqardhje që nuk i kam kushtuar gjithmonë kohën e duhur familjes. Prandaj, pa mirëkuptimin e bashkëshortes sime, Lilit, e cila ka sakrifikuar shumë nga vetja e saj, qoftë dhe për edukimin e fëmijëve, qoftë edhe sot e kësaj dite, për të më krijuar mua kurdoherë kushtet optimale për të punuar, unë vështirë se do të kisha mundur të shkruaja ata libra që kam shkruar.
Intervista është botuar në gazeta "Illyria"
në New York