Disidenca estetike e Kadaresë

Agron TUFA


Agron TUFA
"Jetët paralele" të socrealizmit

Letërsitë e gjuhëve të vogla (nëse shprehemi me rezerva kështu) e kanë filluar ekzistencën e tyre nga përkthimet, nga humbja e monopolit të latinishtes si gjuhë religjioni e kulture. Edhe konsolidimi i mëvonshëm i tyre deri në një shkallë graduale pavarësie ka ardhur falë përkthimeve. Gjuhët e vogla e kanë të domosdoshme asistimin e përkthimeve. Vetë ecuria e letërsive kombëtare ka kaluar nëpërmjet përshtatjes së modeleve të letërsive të mëdha nëpërmjet përkthimit. Mëkëmbja e letërsisë shqipe nuk mund të mendohet në asnjë fazë të saj pa importin e modeleve, ndër të cilët më jetëgjatë kanë qenë modelet e shkrimit romantik.

Si e tillë letërsia shqipe është endur midis ideologjisë dhe utopisë. Shkrimi merr herë trajtën himnizuese, herë trajtën dëshpëruese. Studiuesi Sabri Hamiti mbërrin në një përfundim paradoksal, duke shpallur se letërsisë shqipe i mungon formacioni i shkrimit realist, pra realizmi. Fazat e shkrimit letrar Hamiti i ndan në tre tipologji utopike: Utopia eternale (Bibla), Ideologjia nacionale, kombi dhe Utopia sociale, Egaliteti. Diskursin e tij mbi mungesën e realizmit në letrat shqipe (edhe pse togfjalëshi realizëm socialist e ka brenda emërtimin realizëm), Hamiti e themelon kështu: "Forcimi i idesë dhe ekskluziviteti i saj për t'u bërë dominante në trajtë të ideologjisë (komuniste) pushton arkitekturën e letërsisë.

Kësaj i bashkohet utopia sociale e egalitetit (barazisë), si projektim i shoqërisë ideale, me kultin e të ardhmes dhe përparimit. Projektimi letrar i një shoqërie hipotetike të përfaqësuar nga heroi pozitiv, që do të bëhet misionar, më saktë komisar i idesë së përparimit. Të gjitha këto janë ide të një letërsie subromantike të zhvendosur në kohë e në hapësirë. Qëllimi përfundimtar i kësaj letërsie është kaq intencional dhe i vetëdijshëm, për të mënjanuar e për të mos njohur realen dhe figurën e reales".I

Mendoj se më e vërtetë kjo tezë e S. Hamitit është për periudhën e realizmit socialist, i cili vetëmse realizëm nuk ishte. Premisat për një realizëm social ishin të begata në zhvillimet procesuale letrare të viteve '30, me krijimtarinë e Migjenit apo në skicat letrare të Nonda Bulkës e ndonjë tjetri, por kjo krijimtari ishte aq jodominuese dhe e pakët sa nuk mund t'i ndryshonte gjë fizionomisë që kishte marrë letërsia shqipe e këtyre viteve. Fishta zhvillon një gjuhë mashkullore midis Urimit dhe Mallkimit, që lind këngën apo vajinII , si forma komunikimi të letërsisë gojore, ndërkaq që vajtimi lidhet me realën, e cila del përmbi idealen, veçanërisht më kryeveprat e tij të ironisë dhe sarkazmës. Kur e do luksi Fishta shkruan kryevepra lirike të nivelit më të skajshëm modernist ("Nji lule vjeshtet").

Variantet origjinale të prozës së Kutelit dhe Koliqit apo të poezisë së Lasgush Poradecit ishin më së shumti invariante mitologjike simboliste e dekadente, - zgjatim i romantizmit me glorifikimin e miteve si rrënjë unike të identitetit nacional, etnoantropologjik, ndërkaq që pozicioni i Migjenit zhvillonte qasjen e përkundërt: demistifikimin e mitit nëpërmjet tëhuajësimit. Kemi një lëvizje të letërsisë shqipe nga stadet embrionale të romantizmit drejt një gjuhe më të shtresëzuar - në rastin më të mirë - me përvoja letrare referenciale kuaziromantike apo neoromantike.

Një nga tregimet psikospektive të Koliqit ("Kumbulla përtej murit") të kujton një episod nga romani i Prustit "Anës Suanit" - rizgjimin e përjetimeve emocionale të fëmijërisë nëpërmjet shijes së kumbullave (episodi i çajit me biskotat "madëlen" tek Prusti në pjesën e parë të Suanit - "Kombre"), por ndryshe nga pathosi i hapur bergsonian i kohës së Prustit, Koliqi e ngjyros rrëfimin e tij me aludime të ngjeshura psikanalitike.

Moderniteti i letërsisë shqipe u ndërpre në kulmin e lulëzimit të vet. Modelet perëndimore u zëvendësuan me shpejtësi si formacione gjuhe, stili e ndjeshmërie me modelet e importuara nga letërsia sovjete, të cilat zunë vend si mish i huaj, si tumor shfarosës në supersticionin plazmik të kodeve të letërsisë shqipe. Prej shkrimtarit kërkohet tjetër mision dhe atë e diktojnë propogandistët sovjetë: "Progresi i lëvizjes revolucionare të punëtorëve, triumfi ngadhënjyes i marksizmit i jep një drejtim të ri e vendimtar letërsisë artistike. Shkrimtari duhet të jetë tashmë një luftëtar i vërtetë në fushë të betejës. Muza e "ndërgjegjes së sëmurë", vetëmohimi, "moskonfrontimi" dhe "vetpërsosuria" personale e artistit duhet të vdesë: në vend të tij duhet të hyjë me flamur të kuq kryengritës artisti i fortë e krenar..."III  .

Ky tip shkrimtari i panjohur e i padëgjuar më parë do të fitojë terren bashkë me prototipin e heronjve që modelojnë sjelljen dhe ndjeshmërinë në jetën konkrete, idealin utopik të formimit të njeriut të ri, ashtu siç e skicon atë njëri prej gjysëmperëndive të socrealizmit sovjet, Fjodor Glladkovi: "Çfarë specifike duhet të ketë "heroi kryesor"? Nga dashuria e madhe për jetën ai i njeh fuqitë e veta dhe e di si ta mishërojë këtë forcë në realitet. Ai ia di vetes vlerën në prodhim, dhe personaliteti i tij i ngritur denjësisht përcaktohet nga marrëdhëniet e tij kritike me sendet, njerëzit dhe vetveten. Ai është i edukuar dhe i rritur nga komsomoli dhe partia. Sjellja e tij është thjeshtësia, modestia, madhështia. Punët e tij të mëdha, heroizmi i tij, kërkimet e tij krijuese, lufta dhe fitorja - ja se kush janë veprat dhe sjelljet e tij të përditshme. Synimet e tij personale - janë qëllimet e kolektivit dhe dobisë shoqërore. Gëzimet e tij nga përsosuria personale dhe mundimet nga disfatat shkrihen me ndjenjat e kolektivit. Marrëdhëniet ndaj punës dhe brigadës - janë edhe marrëdhëniet ndaj vetes "IV.

Është e papërfytyrueshme se si nën ndikimin e këtyre ideve mbi "zombizimin" e njeriut, të pllakosnin aq shpejt në letërsinë shqipe seritë me "mutantë gjenetikë" - kolanat me "serinë e romanit të zgjedhur (SRZ)" dhe "serinë e tregimit të zgjedhur (STZ)". Poetët dhe shkrimtarët ish-partizanë dërgoheshin për shkollim në BRSS për të vazhduar modelin më të keq të letërsisë zyrtare sovjete në poema e romane siamezë, duke instaluar një "jetë paralele" të veprave sovjete me ato të socrealizmit shqiptar, tashmë të dorës së dytë. Romanet "Çlirimtarët", "Këneta", "Juga e Bardhë", "Një vjeshtë me stuhi", "Përballimi", "Para agimit", "Përsëri në këmbë", "Zbulimi", "Komisari Memo", "Mërgata e qyqeve", që kanë qenë pjesë të serisë dhe vepra të detyrueshme në programet shkollore-universitare - janë krejtësisht zbatim i përpiktë i prototipit të romanit sovjet. Secilit i rri krah një vepër gjegjëse nga është marrë modeli.

Shkallën e prerë të tëhuajësimit nga letërsia para vitit 1945 mund ta dallojmë nga një përqasje e thjeshtë me lëndën e revistave letrare para dhe pas këtij viti. Ndryshimi midis trashëgimisë letrare dhe procesit letrar që zhvillohej brenda harkut të dhjetë vjetëve në Shqipërinë parakomuniste dhe në vitet e para të komunizmit shqiptar, është tronditës. Këto pole kaq të përkundërta mund t’i kundrojmë midis dy revistave letrare – kulturore: “Përpjekja Shqiptare” e Branko Merxhanit, nr. 17, maj 1938 dhe “Literatura Jonë” nr. 3-4, maj- qershor 1947, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Kjo do të na ndihmojë të kuptojmë shkallën e seriozitetit dhe vlerave, nga orientohej kultura dhe letërsia shqiptare në dy periudha të ndryshme politike.

“Përpjekja Shqiptare”, që përmendëm më sipër ka këtë përmbajtje:

Mitrush Kuteli - “Poetika e Lasgush Poradecit”
Dr. Jorgji Jorgoni - “Gjendja ushqimore e foshnjave tona”
Tajar Zavalani - “Problemi demografik shqiptar”
Olga Plumbi – “Gruaja viktimë e fatit”
Shpend Bardhi - “Kritikë e një kritike”
Emile Durkheim – “Edukatë e Sociologji”
Prof. Sigmund Freud – “Pesë mësime mbi Psikanalizën”
Dr. A. Carrel – “Njeriu, ky i panjohur”

Në rubrikën “Vjersha”:

“Poradeci” - Lasgush Poradeci
“Bukuries së Pavdekshme” – Asdren
“Lule e Tavernës” – Nexhat Hakiu
“Shqiptari” – Lord Byron, përkth. Beqir Çela
“Një shoku” – Shevqet Musaraj
“Shpirti i Verës” – Charles Baudelaire, përkth. Kristaq Tutulani, etj. etj.
“Një Rubai” – Omar Khajam, përkth. Rushit Bilbil Gramshi (F.Noli)

Në rubrikën “Muaji Shqiptar”

“Instituti i Albanologjisë” (p.sh.)
Aubrey Herbert (p.sh.)
Prof. Pirro Marconi (mp.)
“Kultura Islame” (tre yje)
Konvikti “Çamëria” (shm.)
Gjimnazi i Gjirokastrës (tre yje)
Sa gjimnazista kemi? (isha)
Shtypi dhe kultura (redak.)
Kopështi i Allahut (p. mb.) etj., etj.,

Rubrika “Muaji Ndërkombëtar”:
Zyrës N. Të Punës (Gj.)

Rubrika “Jeta dhe librat”:

“Një studim shkencor mbi bujqësinë shqiptare” – Dalib Zavalani
“Die Landëistschaftlichen Verhaltnisse Albaniens” – Branko Merxhani
“Ylli i zemrës” – Lasgush Poradeci, Bukuresht, 1937 (bm.)
“Botime Shqipe”, libra të reja ku përfshihen:
Prof. Frano Allkaj – “Iliada” Homeri, libri i XXII, “Vrasja e Hektorit” (me parathënie, shtypshkronja françeskane, Shkodër 1938)
Dr. Vasfi Samim – “Rritja e shpendëve dhe prodhimi i vezëve” me 120 figura, 253 faqe, shtypshkronja “Gutenberg” Tiranë 1938.
Dr. Vasil Laboviti dhe Dr. Tahsin Karagjozi – “Statistika dhe observasione gjatë vitit 1937 të spitalit të shtetit, Gjirokastër” (botime të spitalit të Gjirokastrës, 31 faqe, libraria “Javer Gorica” Gjirokastër 1938)

Nga ana tjetër, le të kundrojmë përmbajtjen e revistës “Literatura Jonë” (qysh në titull duket që është përkthim, sepse në gjuhën shqipe duhej të ishte “Letërsia Jonë”)

Behar Shtylla – “Naim Frashëri”
Naim Frashëri – “Vjersha”
Çajupi – “Naim Be Frashëri” (Vjershë)
A. Aleksandrof – “Gorki dhe realizma socialiste”
M. Gorki – “Kënga e Sqifterit”
Andon Mara – “Xha Coli” (novelë)
Aleks Çaçi – “Tuneli rritet”
R. Zogoviç – “Strofa krenare” ( përkth. Aleks Buda)
“Folklor i luftës”

Rubrika “Jeta kulturale e vendit”:

“1 Maji” – Krijim relatash me shkrimtarët e bashkimit sovjetik
“5 Vjetori i Qemalit”
“Dita e fitores”
“Një manifestim artistik me rëndësi”
“55 vjetori i lindjes së Marshallit Tito”
“Java e lojnave Ballkanike”
“Aktivi i shoqërisë për lidhje kulturale me Jugosllavinë”
“Dy vjetori i gazetës “Luftëtari”
“Akt i Lartë patriotizmi”
“Konferencë me përshtypje udhëtimi në BRSS”
“Java e hekurudhës”

Rubrika “Jeta kulturale Ndërkombëtare”:

“100 vjetori i botimit të “Gorski Vijanec” – Petar Petroviç Njegosh
“Në BRSS shumë vepra letrare nderohen me çmimin “Stalin”

 Rubrika “Libra të reja”:
 
“Udha e Volokolamsk-ut” – Aleksander Bek
“Jeta e Maksim Gorkit” – Roskin
“Në kufi” (Tregime nga lufta e N.Ç. e popujve të Jugosllavisë) – Jovan Popoviç
“A ka kala që s’marrin komunistat?” (Poem) – Llazar Siliqi

Edhe për një sy të pastërvitur mirë (joprofesional), prej krahasimit të lëndës letraro-kulturore që ngërthejnë të dyja revistat, duke përfaqësuar kulturën letrare në dy sisteme të ndryshme politike, - shohim se pas 9 vjetësh, letërsia shqipe është sa për sy e faqe letërsi. Ajo tashmë shenjohet me një emër të huaj “Literatura” dhe kursi ideologjik ka përpirë çdo gjë të saj, përfshi edhe artikujt mbi Naim Frashërin, të veshur si revolucionar, duke mos harruar ta kritikojnë për një sërë të metash botëkuptimore. Ajo që serviret si model i ri dhe i njeriut të ri është një vjershë e Aleks Çaçit, fragmente të së cilës po i riprodhojmë nga po ai numër i “Literatura jonë” e maj-qershorit 1947.

Tuneli rritet...

Boriç Mile, Udarnik1 

Në tunelin e Vrandukut2.
Lint çdo ditë njeriu i ri,
Hapet mali gjer në funt...
........................................
Dhe mi gjirin e tunelit
Nëpër pishat lart, atje,
Është ngritur madhështor,
Varri i Rada Kondiçit3,
I heroit popullor.
.................
Dhe kalaja mi tunel
që me shekuj shtypi e vrau
dhe shpërndau errësirë,
përpëlitet si i gjori,
sepse ecën kompresori
si rrufe në dhe të lirë
.................................
Dhe vagonat ven’ e vinë,
Mu në zemërën e dheut,
“zdravo druzhe” dhe kalojnë
Si rrufe e Shënëndreut

Ç’po shikojnë sytë e mi!

“Tito” ngrihet gjithë tuneli,
Toka tundet nga themeli,
Gjokset turren si një zjarr,
Shkëmbi çduket menjëherë,
Shkëmbi tjetër po merr tmerë.
...............................
Dy tunele për një jetë,
Në Vranduk e Shqipëri,
Dy rini sa një fuqi,
Marrin dhen në dorë vetë.

Enver-Tito po buçet,
Thellë në Bosnjën heroike
Dhe tuneli, shih si shket!

Boriç Mile, udarnik!
.............................
                Aleks Çaçi
(Në fshatin Vranduk, Bosnjë, 10 maj 1947)

Do të ishte e tepërt t’i kundërvëmë krahasimisht produktin letrar-kulturor të “Përpjekjes” së Merxhanit revistës komuniste “Literatura jonë”. E para orientohet nga modelet letrare-shkencore drejt modeleve europiane të filozofisë, psikanalizës dhe teorive hulumtuese bashkëkohore, pa harruar tendencat moderne të lirikës autentike shqiptare, ndërsa e dyta mbështetet në artin e importuar e të politizuar të propagandës komuniste, të cilën kërkon ta eksperimentojë në letrat shqipe, duke përjashtuar çdo traditë që i bie ndesh.

Arti socrealist, siç e shohim nga ky numër në shqyrtim i revistës “Literatura jonë”, kërkon që të përhapë modelin e vet edhe në krijimtarinë letrare popullore, duke manipuluar traditën e vargut të këngëve tona popullore. Me këtë mekanizëm formal, socrealizmi kërkon të “kanonizojë” tendencat ideologjike. Një numër krijimesh nga këngët “më të reja të popullit” të quajtura “folklor i luftës Nacional-Çlirimtare” e përshfaq hapur këtë tendencë, duke stigmatizuar kundërshtarët, herë klerin, herë nacionalistët. Dhe kjo mënyrë procedimi do të bëhet sunduese në letërsinë shqipe si një luftë e pakompromis klasash, jo vetëm për armikun ideologjik, por edhe për tendencat e shkrimtarëve jo kundërshtarë të regjimit komunist. Ja se çfarë folklori “taze” na servir “Literatura jonë”, nëse përqendrohemi në fragmente:

Kënga e priftit fashist pader Pal Dodës21

Gem më gem po knon nji çiçe:
Frat i zoti në Gomsiçe,
Pader Pali krye-shishe
Në katund po bje si gjishe
E parin’ e ka bashkue,
U ka fol’ e predikue,
Për nji pun’ i ka shtrëngue.
Tha të gjithë qofshi mallkue
Po s’ma prutë Mat Dodën mue
Italisë me ia dorzue,
Jakomonit me gjith grue,
porsi dashin me ia çue,
Sikur dashin për ferlik.
E t’u tham: runje se hik! –
Ky a njeri me rrezik
Se asht bamun bolshevik! etj...
 
Një tjetër këngë e botuar në po atë numër reviste, është “Kënga e Safet Butkës”, e cila hap një paradigmë të gjatë për një imazh të vazhdueshëm negativ që i bënte partia çdo kundërshtari të idesë së saj:

O Safet mustaqezi22,

Edhe o Safet,
Pse nuk ndenjte në shtëpi,
Edhe o Safet.
Safet, Balli të thërret,
Edhe o Safet,
Të të vinin tynë mbret,
Edhe o Safet.
....................................
Vrave veten në halet,
Edhe o Safet,
Se ashtu të kish lezet
Edhe o Safet
        (Kolonjë – Korçë)

Edukimit estetik me letërsinë e përkthyer nga shkrimtarët socrealistë të vendeve të Lindjes ish-komuniste, u paraprinin shkrimtarët më të dobët, veprat më propogandistike, të përkthyera me zellin militant të Andrea Varfit, Aleks Çaçit, Shefqet Musarajit, Dhimitër Shuteriqit. Tendenca se çfarë peisazhi ideologjik instalohej në letërsinë shqipe e japin më qartë qindra broshura politike të fjalimeve të ndryshme të udhëheqësve sovjetikë mbi letërsinë, estetikën, artin dhe kulturën. Ata mund t’i gjesh edhe sot tek bukinistët tanë – broshura të Leninit, Stalinit, Trockit, Kalininit, Buharinit, Lunaçarskit, Plehanovit, Zhdanovit etj., sikundër dhe romanet që ishin zbatim i këtyre tezave në Bashkimin Sovjetik.

Plasaritja e dogmës socrealiste: disidenca estetike e Kadaresë

"Gjithë njerëzit janë të vdekshëm. Adami është i pavdekshëm. Rrjedhimisht, Adami nuk është njeri. Apo: "Gjithë njerëzit janë të pavdekshëm. Adami është i vdekshëm. Rrjedhimisht, Adami nuk është njeri". Mësues, po kjo nuk është e vërtetë! Nuk është e vërtetë për kë? - Për njeriun. - Po fjala është për Adamin. Për të pra pyet !".

Nga bisedat e John Benett
 
 "Me kritikë të pastër unë nënkuptoj një kritikë të tillë, objekt i së cilës paraqitet jo personaliteti dhe jo vepra, porse thelbi, i cili sheh në personalitete dhe vepra veçse shkas për meditime mbi thelbet".

Zherar Zhenet, "Prova e kritikës së kulluar" ( "Figurat")
 
Dua të sqaroj që më parë një pjesë lexuesish nervozë, të hershëm e të rinj, të cilët më akuzojnë për teknikën e paraqitjes vetëm zi të jetës apo artit në komunizëm. Sepse që prej 20 vjetësh nuk kam ndryshuar mendim. Partia sigurisht nuk mund të kishte nën kontroll gjithçka, për shembull, mossinqeritetin ndaj saj, nivelin e inteligjencies që e kalonte shkallën e cerberëve të saj, dukuritë atmosferike, ardhjen e stinëve, simpatitë e antipatitë e fshehura etj.

Por, gjithmonë, nëse i shpëtoje. Njeriu inteligjent, krijuesi, shpik një përmasë lirie për t'u arratisur dhe, për krijuesin, një liri e tillë arratie është gjuha, - gjuha e veprës artistike. Në kushtet e një survejimi oruellian, censure e spiunimi të shumëfishtë, e vetmja kundërvënënie e mundshme është gjuha dhe tipi i ligjërimit artistik.

Mendoj se gjuhët e strukturave ideologjike totalitare janë uniforme, imponuese dhe përjashtuese për çdo kod tjetër ligjërimor. Premisa se brezi i letrarëve të viteve '60 do të mund të krijonte një gjuhë tjetër, doli e rreme, pasi poetët dhe shkrimtarët, fill pas prishjes së marrëdhënieve me BS u rekrutuan rreth propagandës së partisë. Por projektimi i lirisë tek shkrimi, krijon pashmangshëm vetëdijësimin për të. Marëdhënia e pandërprerë me "strehën" e lirisë estetike - gjuhën, sjell gradualisht pjekjen e vetëdijes reflektuese, d.m.th., etikën e shkrimit. I vetmi që e provoi pa konfrontim të hapur politik (pa gjak) këtë kundërvënie estetike ishte Ismail Kadare, i cili krijoi për herë të parë një vepër romaneske pa hero pozitiv, pa protagonistë sekretarët e partisë. Kjo është arsyeja pse ky romani i tij i parë "Gjenerali i Ushtrisë së vdekur" (1963) lexohet i freskët dhe pa asnjë firo edhe sot.

Një relacion për Kadarenë që ruhet në ish-arkivin e PPSh, dosja 354 e fondit 14 (Dosja K.-Shaban Sinani), provon kontrollin hap pas hapi që ushtronte Sigurimi veçanërisht ndaj shkrimtarëve të këtij kalibri. Ishte gjithashtu romani ku, siç shprehet Arshi Pipa, “përmbysi ligjet e shenjta te realizmit socialist: Partia kurrë nuk përmendet, tematika socialiste është lënë tërësisht mënjanë dhe heroi i romanit është një gjeneral armik i vendit.” Dhe më tej “Duke përshtatur strategji nga shkrimtarë disidentë sovjetikë, ai vazhdoi të punojë në një mënyrë origjinale të shkruari, e cila minoi realizmin socialist: mënyra alegorike dhe teknika të tjera....” V“ ]. Madje Arshi Pipa në parathënien e përkthimit prej tij të “Kronikë në gur”, thekson ndër të tjera se Dasma është një përqeshje me lëvizjet revolucionare dhe aksionet komuniste. Pipa zbulon në veprën e Kadaresë psikanalizën frojdiste, deheroizmin, neverinë ndaj realizmit socialist. Parathënia nuk u pranua nga botuesi i romanit por Arshi Pipa e botoi si artikull më vete në revistën amerikane Tellos (1987).

Letërsia dhe politika në disidencë janë të pandashme. Dukuritë letare shndërrohen në fakte politike jo aq për shak të përmbajtjes së tyre politike, të cilat janë shumë larg prej shprehjes së drejtpërdrejtë, por për shkak se ekzistenca e letërsisë së pavarur, të prirë nga nevojat estetike dhe morale dhe jo nga vullneti shtëror-partiak, e shkallmojnë sistemin, që përfshin letërsinë në strukturën e pushtetit.

Duke folur për gjuhën e veprave të Kadaresë, si strehë dhe projeksion krijues të lirisë individuale kam patur bindjen, se tëhuajësimi i parë i Kadaresë nga socrealizmi ka qenë mospajtimi stilistik dhe-estetik. Ky mospajtim të çon pashmangshëm në mospajtimin ndërmjet gjuhës individuale dhe kolektive, jo vetëm në regjimin e Enver Hoxhës, por me çdo lloj regjimi totalitar. "Liria, e çdo lloji qoftë, - fizike apo politike fillon nga gjuha " - shprehet disidenti rus Andrej SinjavskijVI.

 Dhe po ajo gjuhë, më saktë, papërsëritshmëria e stilit të ligjërimit, shkrimit (çka dhe përbën objektin e stilistikës), i cili lind mospajtimin, neurozën, vuajtjet dhe në përgjithësi të pengon të jetosh, - nga ana tjetër është po e njëjta gjuhë dhe mundësia më e mirë për të dalë në liri: të bëhesh i pavarur nga pushteti, turma, të dalësh përtej sinoreve të absurditetit.

Paradoksalisht sot, në liri, një përveçim e pavarësim gjuhësor, që të bën ta opozicionosh veten në mënyrë kundërvënëse me shumëçka që s'pajtohesh dot, është e tepër e vështirë ta arrish. Që të jesh sot interesant, tjetërmendues, origjinal, i pavarur etj, për këtë nuk të plas kush në burg, nuk ngrihen kolektivisht të të dënojnë me organizata e fronte, por gjithsesi përpiqen që këtë gjuhë të ta vrasin menjëherë, në rrënjë - në stadin embrional apo në fazën e ngjizjes së frutit, maksimumi që në moshën 2-3 vjeçare. Përfytyroni epokën dhe përditshmërinë komuniste në fillimet e shkrimit të Kadaresë (një fjalë goje kjo, po ec e kridhu!), thjesht për të qenë të drejtë me veten në radhë të parë.

Pastaj përpiquni të orientoheni nëpër terrinat dhe verbinat e tallazitjes propagandistike. Atëherë them, jo nga "maja e pilafit" të sotëm. Nuk është e njëjta logjikë! Si do të ishte gjuha juaj atëherë? Po forma e burgut dhe e gjyqit tuaj? Atëherë më mirë një burg hapësinor e i pakufijshëm me muret prej fantazie e abstraksioni të gjuhës. Sepse sa më e koklavitur të jetë gjuha stilistike, aq më shumë potencial lirie fsheh ajo - liri kuptimesh, ndjenjash dhe asociacionesh. Të flasësh ndryshe prej të tjerëve, do të thotë të mendosh ndryshe. Dhe të shohësh ndryshe. Edhe të ndjesh ndryshe.

Dhe mandej fillon të shohësh edhe atë, që nuk e shohin të tjerët. Gjuha origjinale, individuale të çon pashmangshëm në konflikt me pushtetin. Madje edhe nëse ty as të bëhet vonë për politikën. Përndryshe ke të bësh me gjuhën e pushtetit dhe ajo është gjithëherë, prej çdo pushteti, gjuhë servile, e sheqerosur dhe lajkatare, sepse kjo është gjuha e kolektivit. Si duket, me kalimin e viteve të para në pikun e luftës së Ftohtë, kjo gjuhë i ngjallte Kadaresë neveri fiziologjike. Prandaj ai nuk pranon më të shkruaj asnjë krijim letrar konformist, me të cilin të justifikonte se është ende me kolektivin e Lidhjes; nuk pranon të japë taksën e Karontit, asnjë voll të bakërt.

Gjuha e tij e ka shpërfillur gardhin e përbashkët. Ajo ka dalë në botë. Gjuha individuale shfrytëzohet në fillim për të zgjeruar kufijtë e së lejueshmes, mandej, duke fituar siguri, intuitë e terren, për të dalë në një zonë të lirë, vetmitar, me ajër të rralluar, as në qiell as në tokë (vargjet: "Nga supet si ta heq këtë barrë,/ ku ta hedh këtë peshë, si./ Me të s'mund të zbres atje poshtë/ po as lart dot s'e lë kurrsesi". Pasi ka fituar lirinë e vet gjuha individuale bëhet mandej mbrojtëse e lirisë tënde.

Provokimi lind absurdin - por ajo vetë mandej të mbron ty nga absurditeti i jetës. Kështu gjuha dhe provokacioni estetik mbrojnë dinjitetin tënd njerëzor - kur asgjë tjetër nuk është në gjendje ta mbrojë. Sepse provokimi estetik që ka shkaktuar vazhdimisht vepra artistike e Kadaresë, është një gjuhë jo vetëm e shkrimtarit, por e çdo intelektuali tjetër. Vetëm me anë të këtij provokimi mund të dilet nga kufijtë e së pranuarës. Të provokosh është predikimi i parë dhe i pari instrument i intelektualit në kohë diktature. Kjo nuk është vetëm mbrojtje, por edhe një praktikë normale. Intelektuali nuk mund të shkrihet me gjuhën e pushtetit, të përkëdhelë, por të nxisë shpërthimin dhe të edukojë instinktin e çlirimit të ndërgjegjes.

Në raport me realizmin socialist dhe komunizmin Arshi Pipa e ka quajtur "heretik" Kadarenë, duke patur parasysh se, psikologjikisht dhe estetikisht ai s'kishte pikë lidhje as me komunizmin dhe as me idetë e majta, as madje me ndofarë dogme tjetër. Unë mendoj se "heretizmi" i Kadaresë ka të bëjë vetëm me një adhurim të vetëm, që është karakteristik për shërbëtorët e të vetmit tempull që njohin: letërsia! Dy apo më shumë dashuri njëkohësisht të largojnë t'i jepesh tërësisht objektit të adhurimit, sepse herëdokur ai duhet zgjedhur mes alternativave të tjera. Zgjedhja përcakton dhe indentifikimin. Kjo është arsyeja pse letrariteti i gjuhës së teksteve të tij dallon prerazi dhe thellësisht nga çdo tekst tjetër i bashkëkohësve, aq sa duket se Kadareja i përket një civilizimi radikalisht të ndryshëm me ta. Këtë procedurë të thjeshtë krahasimore mund ta bëjë gjithëcili edhe nga lartësitë e të sotmes.

Këtu është rasti të hapim një parantezë: kurrë dhe në asnjë rast (edhe kur është ngacmuar qëllimshëm) Kadareja nuk e ka deklaruar veten disident. DisidencaVII  vetë është term mbi të cilin janë mbishtresuar kuptime të ndryshme në kohë e konjuktura të ndryshme. Disidenca vetë nuk ka një histori në kuptimin e saj tradicional as në Lindje: nuk ka themelues, teoricienë, data të ndonjë kongresi apo manifeste. Madje është e pamundur të përcaktosh (veçanërisht në etapat e hershme) se kush ka qenë pjesëmarrës i lëvizjeve protestuese. Disidenti që në origjinë të termit shenjon njeriun që u këndërvihet modeleve religjioze, politike dhe artistike. Më vonë kemi historinë e re të termit me realet e kuminizmit në Europën Lindore, por struktura e kësaj kundërvënieje ruhet në politikë, art, shkencë, religjion dhe shkencat shoqërore.

Ismail Kadareja nuk e ka pranuar atributin e disidentit, duke pasur parasysh dominantën e tij të kundërvënies së hapët politike në Lindje, ani pse duke filluar nga viti 1989 "Letrat "VIII e tij presidentit të atëhershëm R. Alia gravitojnë pikërisht në thelbin e këtij kuptimi. Por jashtë çdo dyshimi, me arsyet që parashtruam më sipër, gjuha, stili, alegoria dhe simboli, tërë formacioni letraro-stilistik dhe kuptimor i veprës së Kadaresë të çon pashmangshëm në një përmasë gjithnjë e më koherente të "disidencës estetike". Ata që lypin më shumë se kaq nga një shkrimtar kërkojnë qiqra në hell.

Duke mos u konfrontuar haptazi me diktaturën disidenca estetike e Kadaresë u mishërua me kundërvënien e gjuhës, modelit dhe stilit letrar, e cila sigurisht projektohet në krejt sistemin e ndjeshmërisë dhe shijes për të bukurën. Shija e së bukurës është më rezistentja në historinë e njerëzimit, pavarësisht karakterit të përkohshëm e nomad të diktaturave. Njeriu reziston me atë çka ka më të çmuar, më vlerën më të spikatur që e përfaqëson. Vepra e Kadaresë është ajo që mbijetoi, diktatura jo! Ky është bilanci, të cilin nuk mund ta bëjë asnjë bashkëkohës i Kadaresë për veprën e vet, në atë lartësi artistike që lyp arti i përjetshëm.

Gjatë këtyre viteve është hedhur shumë mjegull, shumë histori të mistifikuara, shumë thashetheme; shumë misionarë e kanë përndjekur (madje edhe ndërkombëtarisht) individin Kadare me një makth hakmarrës. Psikologjikisht kjo është e shpjegueshme: salierizmi ka ekzistuar në të gjitha kohërat, sepse gjenia gjithmonë sfumon, eklipson, të nxjerr në hije. I gjitha kazani i plehrave të diktaturës herë pas here trazohet për të nxjerrë në sipërfaqe pikërisht produktet e komunizmës, duke ndërtuar keqkuptime, nxitur dhe duke shfrytëzuar skupe mediatike. Psikologjikisht edhe kjo shpjegohet me origjinën e killerave. Kadareja i shqetëson jo vetëm si person, por sidomos shqetësuese bëhet vepra e tij. Ka një thirrje në patosin e këtyre veprimeve, një thirrje që e përkthyer do të shfaqej me habinë e një pengu: "Si na shpëtoi ky?" Por përgjigja është e vetvetishme, retorike: "Triumfi i inteligjencës"!

Ende nuk më ka ndeshur rasti të dëgjoj një shkrimtar a poet me vlera të njëmendta letrare që të ngrejë pretendime mbi veprën e Kadaresë, por gjithnjë - e kundërta. Si duket solidariteti i mediokërve dhe dështakëve priret gjithmonë drejt një aleance të tillë solidare. Tashmë që realizmi socialist ka rënë bashkë me dogmën dhe sistemin që e imponoi, tash kur krijuesi është i lirë të matet me aftësinë e vet dhe dhuntinë e Zotit, bëhet edhe më i qesharak dhe absurd korri i salieristëve anti-Kadare.

E marrim nga një pikvështrim tjetër çështjen dhe le të arsyetojmë me vlerat e përjetshme të letërsisë. Supozojmë se jemi në vitin 3000. Bashkëkohësi i këtyre viteve hipotetike do të komunikojë me vlerat artistike, me tekstet e shkrimtarëve. Ai as do t'ia dijë nëse Kadare ka qenë shtalartë apo shtatshkurtër, tullac apo me flokë, i martuar apo beqar, koprac apo bujar. Këto janë gjëra jashtëletrare. Por ky bashkëkohës jam i sigurt se ka për të lexuar (ashtu siç lexohen sot) romanet "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Përbindëshi", "Breznia e Hankonatëve", "Kronikë në gur", "Pallati i ëndrrave", "Ura me tri harqe", "Viti i mbrapshtë", "Kush e solli Doruntinën?", "Pashallëqet e mëdha", "Çështje të marrëzisë" si dhe një dyzinë romanesh, novelash, tregimesh dhe poezish të tjera.

Dhe zor se do t'i njohë një vistër salierësh të sotëm. Kjo është ligjësia e përjetshme e letërsisë që bën të lexohen sot edhe Virgjili, edhe Dantja, edhe Shekspiri, edhe Gëtja, edhe Selini, edhe Hamsuni, edhe Brehti, edhe Paundi, edhe Brodskij, etj. Letërsia nuk ka vend për gjykime e paragjykime konjukturale, ajo është e vetëmjaftueshme me faktin që ajo ose është, ose nuk është. Gjuha shqipe diti t'i rezitojë stinës së thatë të komunizmit nëpërmjet instrumentit të saj më besnik, - shkrimtarit.

---------------------------------------------------------

1-Boriç Mile, më 1 maj 1947, u deklarua sulmonjësi më i mirë i hekurudhës Shamac-Sarajevë
 Vranduku është tuneli më i gjatë i hekurudhës Shamac-Sarajevë
 Rada Kondiç është heroi i popullit jugosllav. Ka rënë kundër gjermanëve. Varri i tij është mbi tunelin e Vrandukut.
21 “Literatura Jonë”, 3-4, f 66- 67, Organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, maj-qershor 1947
22 Po aty, f. 68

I-Sabri Hamiti "Albanizma", fq 127, Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës, Prishtinë 2009
II-Po aty, fq 99
III-Fjodor Glladkov "O literaturje/ Mbi letërsinë", Sovjetskij pisatjel/ Shkrimtari sovjet, Moskë, 1955
IV-Po aty, fq  66
V-Letërsia bashkëkohore shqiptare”, Columbia University Press, New York,1991
VI-Abraham Terc (Andey Sinjavsky) - "Sintaksis", f.11 Paris 1971
VII-Disident (Lat. Dissidens - i papajtueshëm)  - njeriu, pikpamjet e të cilit ndahen thelbësisht nga normat e imponuara zyrtare në vendin ku ai jeton; politikisht - tjetërmendues. Shpesh disidenti i nënshtrohet përndjekjeve, represionit dhe survejimit nga ana e pushtetit.
VIII-Shih Ismail Kadare "Letra presidentit", "Onufri 2006