Dalja e papritur e Izraelit në Ballkan

Nga Petrit HALITI

Vizita e kryeministrit të Izraelit, Beniamin Netaniahu në Greqi më 16-17 gusht, kishte të gjitha elementet e një befasie .diplomatike, politike dhe strategjike, për shumë qarqe zyrtare në Ballkan, në Mesdhe, në Lindjen e Mesme dhe në Europë. Ajo shënon kulmin e një ofensive diplomatike izraelite drejt Ballkanit, e filluar në më pak se një vit dhe që është karakterizuar nga një frekuencë e pazakontë e vizitave në nivelet më të larta të udhëheqësve izraelitë në të gjitha shtetet ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë, e cila është lënë jashtë kësaj ofensive diplomatike izraelite për arsyet që i dinë vetëm në Tel Aviv. Është lënë jashtë edhe Kosova, të cilën Izraeli nuk e ka njohur. 
Brenda muajit gusht, presidenti Shimon Peres vizitoi Bullgarinë dhe Rumaninë, dhe kryeministri Netaniahu vizitoi Athinën. Në mënyrë të veçantë, vizita, bisedimet dhe marrëveshjet e arritura në Athinë tërhoqën vëmendjen e shumë qarqeve diplomatike dhe zyrtare, brenda e jashtë Ballkanit, për shkak të implikimit të ri që sjell në hartën ballkanike dhe mesdhetare shfaqja e papritur e Izraelit në Ballkan. Çështja kryesore që po diskutohet, është nëse kemi një spostim të boshtit strategjik të Izraelit në rajonin e Mesdheut, dhe çfarë synon të kompensojë apo të arrijë Izraeli me këtë ofensivë të pazakontë drejt Ballkanit, dhe kurrë e ndërmarrë në 62 vjet të ekzistencës së shtetit izraelit. Afrimi i rrufeshëm izraelito-grek është një lidhje që meriton vëmendje ballkanike. Greqia nuk është shquar për ndonjë marrëdhënie shumë të ngrohtë ndaj Izraelit, madje ajo i ka vendosur marrëdhëniet e plota diplomatike me Izraelin në vitin 1991, pra shumë vonë. Izraeli vetë nuk ka dëshmuar ndonjë afeksion të veçantë politik dhe ekonomik ndaj Greqisë, dhe kjo ka ardhur sidomos për shkak të rëndësisë që politika e jashtme greke i ka dhënë historikisht marrëdhënieve dhe lidhjeve ekonomike me shtetet arabe. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, asnjë kryeministër grek nuk ka vizituar Tel Avivin dhe asnjë kryeministër izraelit nuk ka vizituar Athinën. Por më 23 korrik të këtij viti kryeministri Papandreu ndërmerr vizitën e parë historike në Izrael, dhe sapo mbushen tri javë nga kjo vizitë, kryeministri izraelit ndërmerr udhëtimin bombastik në Athinë. Është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh në kronikat diplomatike që një kryeministër t'i kthejë vizitën zyrtare kryeministrit tjetër brenda tri javësh, gjë që tregon jo vetëm rezonancën e interesit, por edhe ngutjen në saldimin e disa projekteve të përbashkëta. 
Ndonëse edhe kryeministri i Greqisë, G. Papandreu, edhe kryeministri i Izraelit, B.Netaniahu, nxituan të shpjegojnë se afrimi i bujshëm mes dy qeverive nuk nxitet nga marrëdhëniet dhe nga politika ndaj një shteti të tretë, pothuajse gjithë ndjekësit diplomatikë dhe analitikë të zhvillimeve janë unanimë se motivi kryesor i këtij afrimi të beftë është Turqia. Agjencia izraelite, JTA, shkruante më 18 gusht se "Izraeli po kërkon të zgjerojë lidhjet me vendet e Mesdheut, për shkak të keqësimit të fundit në aleancën e tij tradicionale me Turqinë". Prishja e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Izraelit për shkak të sulmit të forcave ushtarake izraelitë në ujrat ndërkombëtare kundër flotilias së anijeve civile të ndihmave për Gazan, pati pasoja të paparashikuara nga Tel Avivi në planin diplomatik dhe ushtarak. Turqia, aleati i vetëm i Izraelit në rajon, që kishte lejuar fluturimet dhe stërvitjet e aviacionit ushtarak izraelit në territorin e saj dhe madje kishte lejuar kalimin e gjuajtësve izraelitë në inkursionet ajrore kundër objekteve në Siri në vitin 2007, e ndërpreu këtë lehtësi, për shkak të moskërkimit të ndjesës nga Tel Avivi për 9 shtetasit turq, viktima të sulmit izraelit. Qeveria izraelite, që mbeti pa aleatin e rëndësishëm strategjik në rajonin e Mesdheut Lindor, piketoi me shpejtësi Greqinë për të zëvendësuar Turqinë. Gazeta izraelite "Haaretz" shkruante se "çështja turke ishte qendrore në bisedimet mes Papandreut dhe Netaniahut". 
Interesi kryesor i Izraelit në drejtim të Ballkanit duket se është i karakterit ushtarak. Rumania është shteti që ka lejuar stërvitjen e forcave ushtarako-ajrore izraelite në territorin e saj. Burime diplomatike bëjnë të ditur se edhe Bullgaria ka pranuar që të vërë në dispozicion bazat e saj ushtarake dhe hapësirën ajrore për stërvitjet e forcave ushtarako-ajrore izraelite, dhe për këtë është diskutuar gjatë vizitës së kryeministrit bullgar, Bojko Borisov në Izrael. 
Dimensioni ushtarak ishte ndër temat kryesore të forcimit të marrëdhënieve me Greqinë dhe për këtë qëllim të dy kryeministrat vendosën që të ngrihet një komitet i përbashkët i sigurisë për bashkëpunimin strategjik, si dhe për fushën e sigurisë. Në bisedimet greko-izraelite u diskutua për stërvitjet ushtarake izraelite në Greqi, për blerje të pajisjeve dhe armatimeve të reja izraelite, për modernizimin e municioneve dhe për koordinimin e veprimtarisë së shërbimeve sekrete greke dhe izraelite në rajon. Dimensioni i sigurisë dhe i veprimtarisë së shërbimeve të fshehta është gjithashtu një element i ri i drejtimit të interesit të ri të Izraelit në Ballkan. Sinjalin për këtë e dha që në fillim të këtij viti ministri i Jashtëm izraelit, A. Lieberman, i cili gjatë vizitës së kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski në Izrael, lëshoi një paralajmërim të bujshëm për gjoja destinacionin e ri të terrorizmit ndërkombëtar në Ballkan, ku sipas tij të përfshirët kryesorë të rekrutimit ishin boshnjakët dhe shqiptarë. Në atë kohë, ministri i Jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, Sven Alkalaj, që është vetë me origjinë hebreje, bëri një protestë të ashpër pranë ministrisë së Jashtme të Izraelit për ato deklarata, që vërtet turbullonin ujërat ballkanike. Me këtë dalje në Ballkan, Izraeli kërkon të thyejë disi izolimin diplomatik ndërkombëtar ku e ka futur veten me qëndrimin intransigjent, që mban ndaj popullsisë palestineze në territoret e pushtuara dhe sidomos me embargon anti-humane ndaj Gazës. 
Greqia duket se niset nga një interes financiar dhe ekonomik në këtë shpërthim idili greko-izraelit. Gjendja e vështirë e Greqisë me krizën e borxheve dhe me domosdoshmërinë e injeksioneve financiare ndërkombëtare, janë një motiv për të kërkuar si ndihmë të drejtpërdrejtë të Izraelit, ashtu dhe përkrahjen e lobeve hebreje, të cilat kanë pozita të fuqishme në qendrat financiare dhe bankat ndërkombëtare. Por duket gjithashtu e qartë se Izraeli vështirë se do të mund të zëvendësojë bllokun e shteteve arabe në marrëdhëniet dhe në interesat afatgjata ekonomike dhe energjetike të Greqisë. Në pikëpamje gjeopolitike dhe gjeostrategjike nuk krijohet bindje se uvertura e papritur ballkanike e Izraelit do të mund të krijojë një mundësi për të mbushur vakuumin që ka krijuar prishja e marrëdhënieve me Turqinë. Së pari, edhe në vetë Izraelin nuk duket se të gjitha forcat politike e përkrahin këtë nxitim të qeverisë Netaniahu për të zëvendësuar Turqinë me Greqinë. Në Izrael ka qarqe që janë të ndërgjegjshëm se zëvendësimet strategjike nuk janë kaq të thjeshta sa të fshijnë një histori dhe të krijohen brenda ditës. Është vështirë që Greqia ta zëvendësojë Turqinë në gjeopolitikën izraelite për shumë faktorë që nisin me fuqinë ekonomike, ku shkëmbimet e Izraelit me Turqinë vitin e kaluar ishin pesë herë më të mëdha se ato me Greqinë, e duke përfunduar tek fuqia ushtarake dhe sidomos tek pesha dhe dimensioni rajonal. Greqia nuk është dhe nuk ka indikacione deri tani, se mund të bëhet një fuqi rajonale apo mesdhetare me peshë, dhe ky element është tejet i rëndësishëm për t'u pasur parasysh në formulimet gjeopolitike. 
Duket se në qeverinë e tanishme të djathtë izraelite ka më shumë emocion se sa llogari të ftohtë lidhur me nevojat dhe me piketimet e aleatëve strategjikë. Sepse Greqia, Bullgaria, Rumania dhe çdo shtet tjetër ballkanik, nuk mund ta zëvendësojë Turqinë as në vektorin e Lindjes së Mesme, as në vektorin e Kaukazit, as në vektorin e Mesdheut, dhe madje as në vektorin e Ballkanit, ku Izraeli as mund të pretendojë dhe as mund të fitojë peshën e një lojtari të rëndësishëm. Për elementin emocional dhe madje fetar të politikës së jashtme izraelite në Ballkan flet edhe fakti i orientimit të saj drejt vendeve ortodokse si Greqia, Bullgaria, Rumania, Maqedonia dhe Serbia. Kjo duket disi e pakuptueshme po të kemi parasysh se një pjesë e mirë e opinionit në këto shtete ballkanike karakterizohet nga një armiqësi e hapur ndaj SHBA-së dhe NATO-s. A vjen kjo prirje e diplomacisë së Izraelit nga fakti se një e treta e popullsisë së sotme izraelite ka ardhur nga Rusia, apo ngaqë në Tel Aviv mendojnë se lidhjet me shtetet ortodokse ballkanike do t'i ndihmojnë në strategjinë e frenimit të fuqisë rajonale të Turqisë, kjo mbetet ende për t'u parë. Por nuk mund të mos habisë miqësia dhe mbështetja, që Tel Avivi po i jep kryeministrit nacionalist dhe destruktiv të së ashtuquajturës "Srpska republika", Milorad Dodiç, (aq shumë i kritikuar nga SHBA, NATO dhe BE), i cili, pas vizitës dhe bisedimeve në nivelet më të larta në Tel Aviv më 16 gusht, deklaron se "Izraeli është shumë i shqetësuar për angazhimin në rritje të Turqisë në Bosnjë-Hercegovinë. Izraeli mendon se roli i Turqisë në rajon mund të shkaktojë probleme serioze". 
Edhe po ta shohësh në planin historik të marrëdhënieve, qëndrimet e Turqisë ndaj hebrenjve në shekuj kanë qenë shumë më miqësore se ato të shteteve ortodokse ballkanike, për të kujtuar faktin historik se Stambolli ka qenë më mikpritës se sa Selaniku apo Bukureshti për hebrenjtë. Dhe që ka më shumë emocion se sa logjikë politike, duket edhe nga deklarata, e habitshme për një kryeministër, e Netaniahut, i cili iu mburr gazetarëve izraelitë pas kthimit nga Athina, se "unë jam i vetmi izraelit, që nuk kam qenë në Turqi asnjëherë gjatë gjithë jetës sime dhe nuk mendoj se do të shkoj shpejt". 
Zbarkimi diplomatik, lidhjet e reja dhe interesat e reja të Izraelit, në Ballkan, sidomos në dimensionin ushtarak dhe diversionist, mbeten për t'u hulumtuar me kujdes lidhur me efektet që mund të kenë në njërin apo tjetrin drejtim në rajon. Nuk duhet të stepen këto hulumtime me arsyetimet infantile se Izraeli është aleati i madh i Amerikës. Hyrja e tanishme e Izraelit në Ballkan nuk mund të kundrohet njëlloj sikur ofensiva po vjen nga një shtet skandinav. Për arsye objektive, historike dhe të tjera, Izraeli është një shtet problematik, pjesë e një konflikti nga më të gjatët dhe më të rrezikshmit e skenës aktuale ndërkombëtare, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, një problematikë ushtarake apo diversioniste nuk mund të mos reflektohet edhe në proceset e stabilitetit të Ballkanit.

Posted via email from Shkupi Press extra