Cikël poetik nga Fatos Arapi

Fatos Arapi










































TIRANA ËSHTË DHE S’ËSHTË

Dhjetori në zemër kish prillin,
e prill isha unë e ti.
I heshtur, kremtëror trishtimi. – 
Një kafe me ty...

Tirana ishte dhe s’ishte
një filxhan kafe me ty.

Në supin e ndarjes vë kokën,
vetminë shoh drejt në sy.
E diela kaltërsisht tymon. – 
një kafe pa ty...

Tirana ësht’ dhe s’është
një filxhan kafe pa ty. 




FATOS, SHPRESO VETËM TE FATOSI

Fatos, shpreso vetëm te Fatosi.

Ke pasur fat në jetë:
miq të urtë e besnikë – Homeri,
Dantja, Shekspiri, Ronsardi,
Lorka e Uitmani...

Një mikesha jote e vjetër,
Safo.
I ka shkrepur në kokë,
si gjithë zonjat e ëmbla,
është bërë engjëlli yt,
të të udhëheqë prej dore, si të verbërin,
mes pyllit të errët
të hijeve të frikshme...

Diku... diku... shtegu i dritës.

Po ti...
Shpreso vetëm te Fatosi.


DHE PAK KRYEARTËZAT


Dhe pak e kryeartëzat 
do të ulen tek unë
nëpër muzgje ullinjsh.

Me shirat e tetorit 
Do t’u pikojnë prej syve
Brerimat dritëullirta.

Dhe pak...
E un’ e malli
Me ty do të takohemi.


NE JEMI NË ËNDËRR


Ajo grua që më erdhi mbrëmë në ëndërr,
Hedhur supeve një shall të ylbertë,
Gjithë belbëzime të zbehta:
- Ti vonohesh..., ti vetëm vonohesh...
Më përqafoi mallshëm,
as më puthi,
as u shtri, si dikur, në shtrat me mua.

Më tërhiqte prej dore:
- Ti di vetëm të vonohesh...
Shpejto, po largohet ajo!
- Cila? – pyeta unë.
- Ajo, ëndrra jonë..., po ikën...

Në gjumë, me zë të lartë fola:
- Po ne jemi në ëndërr...

ANDEJ


Andej do të jem më i dëlirë,
më i pafajshëm, më i papërlyer, andej.

Do të krijoj një tjetër Fatos,
i larë nga dritat e shenjta të Mesdheut.

Një tjetër trishtim të denjë 
për njeriun, andej.

Marrë nga libri “Shëtitje pa veten”, 2005

Përgatiti për botim: Vjollcë Berisha