Charles Bukowski: Çmenduri prej shkrimtari

Ai lindi 90 vite më parë. Si dje, më 16 gusht të vitit 1920, erdhi në jetë në Gjermani, Charles Bukowski: maskilisti, alkoolisti dhe bastexhiu i pandryshueshëm, ciniku, vetëshkatërruesi, erotomani, gjeniali...

Charles Bukowski

Maskilist, alkoolist dhe bastexhi i pandryshueshëm. Sarkastik, cinik, vetëshkatërrues, erotoman, gjenial. Nuk është e thjeshtë të përshkruash në pak fjalë portretin e Charles Bukowski-t, njërit prej poetëve e shkrimtarëve më të diskutuar dhe trasgresivë të shekullit të shkuar, njërit prej simboleve të universit letrar të ‘900-s. Dje, më 16 gusht të vitit 1920, saktësisht 90 vite më parë, në Andernach të Gjermanisë lindi autori Charles Bukowski. Kur ishte fëmijë u transferua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ,ku gjatë gjithë kohës pati një raport konfliktual me të atin, një polako-amerikan i egër dhe autoritar. Që në moshën e pubertetit, autori rrëfeu se kishte vuajtur shumë për shkak të vetmisë, kishte një lloj druajtje thuajse patologjike. Në vitet e adoleshencës megjithatë, Bukowski u njoh me dashurinë e tij të parë, letërsinë, por jo vetëm me të, u njoh edhe me alkoolin, “pasionin e dytë të madh së bashku me garat me kuaj dhe gratë”. Pas diplomimit regjistrohet për dy vjet në kolegjin e Los Anxhelos, ku frekuentoi pjesërisht rininë naziste dhe atë komuniste, por pa arritur asnjëherë të interesohet vërtet për politikë. “Qyteti i engjëjve”, i përçmuar dhe i dashur në të njëjtën kohë, do të jetë ngaherë i pranishëm në poezitë dhe shkrimet e Bukowski-t, i cili do të publikojë tregimin e parë të titulluar "Aftermath of a Lenghthy Rejection Ship" në vitin 1944, në revistën "Story". Po në të njëjtin vit i përket edhe burgosja e shkrimtarit për 17 ditë, për shkak të kundërshtimit të shërbimit ushtarak.
Pas kësaj do të vijojë një dhjetëvjeçar larg letërsisë, një periudhë që vetë Bukowski do ta cilësojë si “një dehje dhjetëvjeçare”, e cila me gjithë të këqijat e saj, ndihmoi në formimin e tij, në përftimin e bazave të gjithçkaje që publikoi më pas. Në vitin 1955, pas shtrimit në spital për shkak të ulcerës në stomak, poeti nisi të shkruante dhe në vitin 1962 u trondit tepër nga vdekja e gruas, të cilën kritikët e cilësonin si muzën e tij të vërtetë, Jane Cooney Baker. Por vitet ‘60, ishin edhe vitet e marrëdhënies së tij me Frances Smith me të cilën lind edhe një vajzë, Marina. 1969-a ishte viti i kthesës. Shtëpia botuese “Black Sparrow” e John Martin i premtoi "100 dollarë në javë për të gjithë jetën". Kështu në moshën 50-vjeçare shkrimtari la punën në zyrën postare dhe vendosi t’i kushtohej letërsisë me kohë të plotë. Falë shtëpisë botuese “Black Sparrow” panë dritën e botimit një pjesë e mirë e romaneve të tij, të cilat i siguruan famë dhe popullaritet. Një imazh ndryshe për një shkrimtar bazuar në ato që shkruante. 
 “Imazhi që është krijuar për mua është super i ekzagjeruar... Fakti që jam një tip i fortë, që hyj e dal në shtretërit e zonjave e kështu me radhë. Këtë e bëja me një masë të caktuar, por në përgjithësi imazhi që është krijuar për mua është i ekzagjeruar. Kanë tepruar në atë që unë jam, që kam bërë dhe që bëj. Imazhi më i mirë që duhet të kenë për mua është ai i vërteti, është thjesht të lexojnë atë që kam shkruar, pa shpikur prej atyre që lexojnë”, ka thënë në një intervistë shkrimtari.
Bukowski shpesh konsiderohet si një prej bijve të parë të “beat generation”, por që në të vërtetë do të distancohet prej saj pjesërisht si në stil ashtu edhe në përmbajtje, duke ndërtuar një rast letrar krejtësisht të vetin.
Bukowski, me mënyrën e tij, ishte edhe mecenat. Atij i detyrohemi për zbulimin e John Fante-s, një simboli tjetër për një gjeneratë të tërë autorësh vagabondë e të dëshpëruar. Shpesh Bukowski e cilësoi Fanten “Zotin” e tij. Mes autorëve që influencuan spikatin Anton Chekhov, Franz Kafka, Henry Miller dhe Louis-Ferdinand Cèline. Po ashtu edhe Ernest Hemingway dhe Fedor Dostoevskij. Dhe nëse i pari imagjinohej prej krijuesit të Henry Chinaski (emri i zgjedhur për alteregon e tij letrar) “si një që ushtrohej në balet klasik pas një porte të mbyllur”, autori i “Krim dhe ndëshkim” ishte për të “një tip me mjekër, i rënduar, me sy flakëronjës, ngjyrë jeshile të errët. Dostoevskijn – vazhdonte autori, e shoh si një që dilte për të ngacmuar vajza”. Romanet e tij kanë qenë burim frymëzimi edhe për shumë realizime kinematografike. Në vitin 1976, Bukowski njihet me Linda Lee, e vetmja mes mikeshave të shumta e cila arriti t’i zbusë venën vetëshkatërruese, e vetmja që arriti t’i vinte fre paparashikueshmërisë së tij. Jeta prej vagabondi duket e largët: ai është i pasur dhe i njohur botërisht si shkrimtari i çuditshëm. Linda i ndryshon regjimin e të ngrënit, i ul masën e alkoolit dhe e shtyn të çohet vonë në mëngjes. Periudha e aventurave merr fund përfundimisht. Vitet e fundit të jetës i kalon në qetësi të madhe. Më 9 mars të vitit 1994, në moshën 73- vjeçare, ndërroi jetë për shkak të një leucemie, në San Pedro, pak pasi kishte përfunduar romanin e tij të fundit "Pulp". Në qivurin e tij shkruhet: "Don't Try", (“Mos provo”) një paralajmërim për shkrimtarët e rinj. Në një letër të vitit 1963, Bukowski e shpjegon në këtë mënyrë frazën: “Dikush... më pyeti: ‘Çfarë bën? Si shkruan, si krijon?’. Mos e bëj, i thashë. Mos provo. Është shumë e rëndësishme: të mos provosh as për Cadillac-un, as për krijimin e as për pavdekshmërinë. Prit, e nëse nuk ndodh asgjë prit edhe pak. Është si një insekt në tavan. Prit të vijë drejt teje. Kur të afrohet mjaftueshëm, e kap e shtyp dhe e vret. Ose nëse të pëlqen pamja e tij e jashtme, bëje kafshë shtëpiake”.