Nga Volker Perthes Fuad Siniora, ish-kryeministër i Libanit, është një njeri i matur me përvojë të madhe në politikat e Lindjes së Mesme. Prandaj, kur ai flet për “trena pa udhëtarë që duket të jenë në shtegun e konfliktit”, siç ka bërë së fundmi në një takim privat në Berlin, palët e interesuara duhet pa dyshim të përgatiten për zhvillime të padëshiruara. Natyrisht, askush në rajon nuk bën thirrje për luftë. Mirëpo, tensionet e paraluftës tashmë po ngrihen.
Katër faktorë, asnjëri prej tyre i ri, por secili destabilizues në mënyrën e vet, po përmbushin njëri-tjetrin: mungesa e shpresës, politikat e rrezikshme qeveritare, një vakuum pushteti rajonal dhe mungesa e ndërmjetësimit aktiv të jashtëm.
Mund të jetë qetësues fakti se pjesa më e madhe e palestinezëve dhe e izraelitëve akoma favorizojnë një zgjidhje me dy shtete. Por është më pak qetësues fakti se shumica e izraelitëve dhe një shumicë e madhe e palestinezëve kanë humbur shpresën se një zgjidhje e tillë do të materializohet ndonjëherë. E kësaj duhet shtuar edhe atë faktin se deri në shtator, ngrirja e pjesshme e kolonive, të cilën Qeveria e Izraelit e ka pranuar, do të skadojë, dhe se periudha e caktuar nga Liga Arabe për të ashtuquajturat bisedime të shpejta ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve, të cilat ende nuk kanë filluar seriozisht, po ashtu do të përfundojë.
Negociatat serioze të drejtpërdrejta nuk pritet që të fillojnë pa një ngrirje të ndërtimit të kolonive, të cilën gjë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk pritet ta shpallë apo ta përmbushë, bazuar në rezistencën përbrenda koalicionit të tij qeveritar. Siria, e cila deri në fund të vitit 2008 ishte përfshirë në bisedime të shpejta të ndërmjetësuara nga Turqia me Izraelin, nuk pret një vazhdim bisedimesh me Izraelin në një të ardhme të afërt. Kjo mund të jetë arsyeja pse presidenti sirian, Bashar al-Assad, përmend luftën si një opsion, siç bëri në Madrid.
Për më tepër, izraelitët dhe njerëzit e afërt me “Hezbollahun” në Liban po flasin për “një raund tjetër”, derisa shumë ekspertë në Lindjen e Mesme besojnë se një luftë e kufizuar mund të debllokonte situatën e stagnuar politike. Pika e referencës së tyre është lufta e vitit 1973, e cila ndihmoi në arritjen sado pak të një paqeje ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit. Mirëpo, luftërat që pasuan, dhe luftërat e fundit në rajon – lufta e Libanit e vitit 2006 dhe ato të Gazës në dhjetor 2008 dhe janar 2009 – nuk e mbështesin këtë teori të pamatur.
Irani, ndikimi i të cilit në Levant nuk është aq shkas i problemeve të pazgjidhura në Lindjen e Mesme sa janë rezultatet e tij, vazhdon të sfidojë vendosjen e sanksioneve të reja nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Udhëheqësit e Iranit kanë po aq pak besim në Perëndimin sa edhe Perëndimi te ata, dhe ata vazhdojnë të zgjojnë dyshimet ndërkombëtare me fjalët dhe veprimet e tyre. Thirrjet e vazhdueshme të presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad, për zhdukjen eventuale të Izraelit shërbyen si një letër në duart e atyre në Izrael që argumentojnë se programit bërthamor të Iranit duhet t’i jepet fund ushtarakisht.
Disa nga lojtarët më të rëndësishëm të Lindjes së Mesme po shtojnë rreziqet e konfrontimit, për shkak se kanë humbur ndjenjën e duhur për ambientin e tyre rajonal dhe ndërkombëtar, apo kërkojnë të rrisin fuqinë e tyre politike përmes provokimit dhe politikës së lojës me zjarrin. Ngurrimi shkurtpamës i Netanyahut për të hequr dorë nga kolonitë dhe territori i okupuar kërcënon interesin afatgjatë të Izraelit për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë me palestinezët. Me sulmin e përgjakshëm mbi flotën e Gazës në maj, qeveria e Netanyahut demonstroi një lloj autizmi politik me paaftësinë e saj për të kuptuar se madje edhe miqtë më të mirë të Izraelit nuk duan t’i pranojnë më pasojat humanitare të bllokadës së Gazës.
Në botën arabe nuk ekziston më ndonjë fuqi dominuese që është në gjendje të projektojë stabilitet përtej kufijve të vet kombëtarë. Do të duhet kohë përpara se Iraku të luajë përsëri një rol rajonal. Agjenda saudite e reformave ka të bëjë kryesisht me çështje të brendshme. Stagnimi politik i Egjiptit ka reduktuar ndikimin e tij rajonal. Katari e mbivlerëson fuqinë e vet.
Fuqia e vetme rajonale në Lindjen e Mesme sot është Irani, mirëpo kjo nuk është një forcë stabilizuese. Shtetet arabe janë të vetëdijshme për këtë gjë. Po aq sa nuk u pëlqen, ato i druajnë po ashtu një lufte ndërmjet Izraelit apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, duke e ditur se do të kishin shumë pak ndikim në këto ngjarje.
Në të vërtetë, dinamikat ndërrajonale në Lindjen e Mesme sot nxiten nga tri shtete, asnjëra prej të cilave në fakt nuk është arabe: Izraeli, Irani dhe, në mënyrë gjithnjë e më të dukshme, Turqia. Gjatë viteve të fundit, Turqia është përpjekur të ndërmjetësojë ndërmjet Izraelit dhe Sirisë, Izraelit dhe “Hamasit”, fraksioneve kundërshtare në Liban dhe, së fundmi, ndërmjet Iranit dhe pesë shteteve anëtare të përhershme të KS të OKB-së plus Gjermanisë. Turqia duhet të vazhdojë të luajë këtë rol. Mirëpo, Qeveria turke ia ka lejuar së tepërmi vetes që të tërhiqet në konfliktet e Lindjes së Mesme, në vend se të funksionojë si një ndërmjetëse e ndershme.
Administrata Obama ka pasur një start të fuqishëm për sa i përket Lindjes së Mesme. Mirëpo, një vit e gjysmë pas inaugurimit të tij, “dora e shtrirë” e Obamas drejt Iranit është shndërruar në grusht dhe tentimet e tij për të inkurajuar negociatat izraelito-palestineze tash duken mendjemëdha. Çështjet e brendshme duket se do të preokupojnë Obaman dhe ekipin e tij të paktën deri në zgjedhjet e mesmandatit në nëntorin e këtij viti, me diplomacinë aktive të lënë për muajt e ardhshëm kritikë.
Dhe Bashkimi Evropian? Nuk ka pasur ndonjë diplomaci shumë aktive për parandalimin e krizës nga ana e Brukselit apo nga kryeqytetet kombëtare të Evropës. Asnjëri prej ministrave të Jashtëm të shteteve kryesore të BE-së nuk duket të kenë bërë tentime për të ndërmjetësuar mes dy partnerëve më të afërt mesdhetarë të Evropës, Izraelit dhe Turqisë.
Njëzet vjet më parë, në javët që i paraprinë okupimit të Kuvajtit nga Iraku, shumë vëzhgues vërejtën shenja të një krize në lindje. Mirëpo akterët arabë dhe ata perëndimorë disi ia dolën të bindin veten se gjërat nuk do të dalin nga kontrolli.
Ajo krizë, dhe të tjerat para dhe pas, treguan se tensionet në Lindjen e Mesme rrallë herë treten me kalimin e kohës. Ndonjëherë ato zgjidhen përmes një intervenimi aktiv diplomatik nga akterët rajonalë apo ndërkombëtar. Dhe ndonjëherë ato zgjidhen dhunshëm.
Home »
» A është e pashmangshme lufta e Lindjes së Mesme?





